Vlerësimi i 10 ditëve të para të muajit Dhul-Hixhe

August 21, 2017

Dhjetë ditët e para të muajit Dhul-Hixhe sipas llogaritjeve të kalendarit tonë hënor, janë ditë të zgjedhura prej Allahut mes ditëve të vitit. Përzgjedhja e një gjëje mbi një tjetër është e drejtë e Allahut sepse Ai është Krijuesi, dhe si i tillë Ai i di më së miri të veçantat e krijesave të Tij.

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Zoti yt krijon çfarë të dojë dhe zgjedh dhe nuk u takon atyre zgjedhja. I lartësuar qoftë Allahu nga ajo që i shoqërojnë.” Suretu El Kasas: 68.

Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Allahu i madhëruar sikurse është i vetmi Krijues është dhe i vetmi zgjedhës. Nuk i takon askujt të krijojë dhe të zgjedhë veç Tij sepse Ai e di më se miri se ku bie zgjedhja e Tij, ku është kënaqësia e Tij, cila gjë është përshtatshme për t’u zgjedhur dhe cila jo. Askush nuk është i barabartë me Të në këtë pikë në çfarëdolloj këndvështrimi.”

Ibn El-Kajimi gjithashtu thotë: “Allahu i Madhëruar zgjedh prej çdo lloji më të lartën dhe më të mirën siç zgjodhi; prej melaikeve Xhibrilin, prej njerëzve Muhamedin, prej qiejve më të lartin, prej vendeve Mekën, prej muajve muajt e shenjtë, prej netëve natën e Kadrit, prej ditëve ditën e xhuma, prej natës mesin e saj (koha e namazit të jacisë), dhe prej njësive kohore kohët e namazeve.”

Muaji i Dhul-Hixhes është zgjedhur nga Allahu i Madhëruar për t’u vizituar shtëpia e Tij, ose ndryshe siç quhet në gjuhën e sheriatit haxhi drejt Qabes. Zgjedhja e këtij muaji për haxh është përmendur në ajetin e Kuranit ku thuhet: “Haxhi është në muajt që dihen, dhe kush ka vendosur për të bërë në to haxhin të mos veprojë gjëra të kota, as prishje dhe as debate në haxh.” Suretu El-Bakara: 197.

Fjala e Allahut [Haxhi është në muajt që dihen] d.m.th. në muajt e caktuar për këtë ibadet. Abdullah bin Umeri -radiallahu anhu- në lidhje me emrat e këtyre muajve thoshte: “Janë Shevali, Dhul-Kade dhe dhjetë ditët e Dhul-Hixhes.” E transmeton Hakimi dhe e saktëson imam Dhehebiu. Kjo që thuhet në ajet nuk do të thotë se haxhi mund të kryhet në secilin prej muajve të përmendur, por do të thotë se i lejohet çdokujt që do të bëjë haxhin të hyjë në këtë ibadet duke bërë një umre në njërin prej këtyre tre muajve. Por me kusht që nëse mbërrin në Qabe para ditëve të haxhit të mos e heqë ihramin derisa të vijnë ditët e caktuara për haxh të muajit Dhul-Hixhe, ose përndryshe ai duhet të therë kurban.

Abdullah bin Umeri -radiallahu anhu- gjithashtu në lidhje me këtë çështje thoshte: “Kush bën Umre në muajt e haxhit në Sheval, apo në Dhul-Kade, apo në Dhul-Hixhe para kohës së haxhit, pastaj qëndron në Meke për haxh derisa të vijë haxhi, ai e ka ndarë haxhin nga umra dhe duhet të bëjë kurban. Nëse nuk gjen atëherë të agjërojë tre ditë në haxh dhe shtatë ditë kur të kthehet nga haxhi.” E transmeton imam Maliku me zinxhir të saktë.

Fjala e tij [e ka ndarë haxhin nga umra] d.m.th. ai e ka të domosdoshme të lirohet nga ihrami duke bërë umre të ndarë nga haxhi, nga pamundësia për të qëndruar aq gjatë në ihram.

Ditët e haxhit janë: dita e përgatitjes që është dita e tetë e Dhul-Hixhes, dita e Arafatit që është dita nëntë e Dhul-Hixhes, dita e Kubanit që është dita e dhjetë e Dhul-Hixhes, dhe ditët e Teshrikut që janë dita e njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë dhe trembëdhjetë e Dhul-Hixhes.
Siç shihet tre prej këtyre ditëve janë të dhjetë-ditëshit të parë të Dhul-Hixhes, madje dita e Arafatit dhe dita e Kurbanit janë bazat e haxhit.
Profeti -alejhi selam- në lidhje me ditën e Arafatit thotë: “Haxhi është Arafat.” E transmeton Ebu Daudi, Ibn Maxhe, Tirmidhiu, dhe Nesaiu, dhe e saktëson sheih Albani.

Ndërsa për ditën e Kurbanit Profeti -alejhi selam- thotë: “Dita më e madhe te Allahu është dita e Kurbanit.” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheih Albani. Në këtë ditë haxhiu përveç kurbanit ka edhe tre punë të tjera të rëndësishme, dhe që janë: gjuajtja e gurëve, rruajtja e kokës dhe tavafi rreth Qabes.

Duke medituar në zgjedhjen e këtyre dhjetë ditëve vërejmë edhe dy gjëra të tjera.
E para: Shtatë ditët e para të Dhul-Hixhes janë futur në këtë mirësi edhe pse haxhi konkretisht fillon me ditën e tetë. Kjo sepse haxhitë -dhe Allahu e di më së miri- me hyrjen e muajit Dhul-Hixhe fillojnë të vijnë në Mekë dhe Qabeja mbushet me njerëz që adhurojnë Allahun me dhikr, namaz, tavaf, lutje etj. Kjo përbën një përkushtim të madh në përmbushje të thirrjes së Allahut për të vizituar shtëpinë e Tij.

E dyta: Tre ditët pasuese të ditës së kurbanit që quhen ditët e Teshrikut, nuk janë futur në këtë mirësi edhe pse janë pjesë e haxhit. Kjo sepse haxhi –dhe Allahu e di më së miri- me mbarimin e ditës së Kurbanit pothuajse ka mbaruar, dhe ato më shumë janë ditë festimi. Profeti -alejhi selam- thotë: “Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënie pirje dhe përkujtimi të Allahut.” E transmeton Muslimi.

Vijon ………

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

Loading...