Historia e Daudit dhe Sulejmanit

Historia e Daudit dhe Sulejmanit (alejhima selam)

Këta dy Pejgamberë ishin nga më të shquarit e Beni Israilëve, tek këta të dy, Zoti i Lartësuar bashkoi Profetësinë dhe pushtetin e madh e të fortë.

Sa i përket Daudit (alejhi selam) ai ishte pjesë e ushtarëve që luftuan krah për krah me Talutin të cilin njëri nga Profetët e beni Israilëve e zgjodhi të ishte mbreti i tyre, për shkak të trimërisë, forcës dhe zgjuarsisë që Taluti kishte në udhëheqje dhe në sistemimin e ushtrisë, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe e ka pajisur me dijeni të gjerë dhe me fuqi trupore.” [El Bekare 247].

Kur u përballën me Xhalutin dhe ushtrinë e tij ndërkohë që ushtarët e Talutit treguan durim dhe i kërkun ndihmë Zotit, në ato çaste të vështira Daudi u dallua nga të tjerët për trimërinë e madhe të tij sepse mori përsipër të vriste mbretin e armiqve Xhalutin dhe kështu të binte disfata në pjesën tjetër të ushtrisë  dhe kështu Allahu i ndihmoi Beni Israilët dhe u dha këtë fitore të madhe.

Allahu i dërgoi shpalljen Daudit dhe i dha urtësi dhe pushtet shumë të fortë, siç tregon në Kuranin fisnik: “Ne ia forcuam mbretërinë dhe i dhamë mençuri e dijeni për të gjykuar.” [Sad 20].

Allahu i dha forcë në adhurim dhe largpamësi.

Ai e cilësoi Daudin me dy tipare që në fakt ato e plotësojnë robin. Allahu i Lartësuar thotë: “Ti duroje atë që thonë ata dhe kujtoje robin Tonë të fuqishëm, Daudin, që përherë i drejtohej Zotit.” [Sad 17].

Allahu e cilësoi me tiparin e forcës së madhe në çështjen e urdhërave të Zotit dhe me tiparin e pendimit dhe kthimit tek Allahu për arsye të dijes dhe njohjes që ai kishte ndaj Zotit të Lartësuar.

Allahu ja nënshtroi shpendët dhe malet, që e madhëronin Allahun bashkë me të. Atij i dhuroi një zë shumë të bukur, mirësi të cilën nuk ja kishte dhënë askujt tjetër.

Ai flinte gjysmën e natës dhe falej një të tretën dhe flinte një të gjashtën. Ai agjëronte një ditë dhe hante ditën tjetër.[1]

Kur takohej me armikun njerëzit shihnin tek ai trimëri që i mahniste. Allahu ja kishte zbutur hekurin dhe përpunimin e tij dhe e mësoi se si ti punonte mburojat mbrojtëse në luftë.

Ai ishte i pari që prodhoi mburojat trupore të luftës që ishin edhe të lehta për tu mbajtur në trup.

Allahu e qortoi atë për shkak të një mëkati që ai e veproi[2] Tek Daudi Ai dërgoi dy engjëj në formë njeriu e që ishin në konflikt me njëri-tjetrin. Ata u futën tek vendi ku Daudi po falej dhe ai u tremb prej tyre, sepse u futën në një kohë kur nuk futej njeri. Ata kapërcyen dhe hynë brenda në mihrab (vendin ku falej) dhe thanë: “Mos u frikëso! Ne jemi dy kundërshtarë, një nga të cilët i ka bërë padrejtësi tjetrit, prandaj gjyko me drejtësi dhe mos u shmang (prej së vërtetës), por na udhëzo në rrugë të drejtë”. [Sad 22].

Njëri prej tyre filloi të fliste dhe i tha: “Ky është vëllai im. Ai ka nëntëdhjetë e nëntë dele.”

Kishte për qëllim gratë. “Kurse unë kam vetëm një dele, andaj më tha: “Ma jep mua atë!” – dhe më mundi me fjalë.”

D.m.th e folura e tij e mundi të folurën time dhe kështu doli superior ndaj meje.

Atëherë Daudi tha: “Vërtet, ai të ka bërë padrejtësi që të ka kërkuar delen tënde të vetme, për ta bashkuar me delet e veta. Shumë bashkëpronarë i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira, por ata janë pak”. [Sad 24].

Daudi e kuptoi se ai po synohej në këtë çështje prandaj erdhi në vete: “Daudi e kuptoi, se në të vërtetë Ne e kishim vënë në provë atë, prandaj kërkoi falje nga Zoti i vet, ra në gjunjë dhe u përul, duke u penduar. Pastaj, Ne ia falëm këtë e ai te Ne do të jetë i afërt dhe do të ketë strehim të mirë (në jetën tjetër).” [Sad 25].

Allahu ia shleu gabimin dhe pas pendimit ai u bë në gjendje më të mirë se më parë. Me këtë ai arriti afrim të madh tek Zoti i tij dhe përfundimi i tij qe i mirë. Allahu i Lartësuar i tha: “O Daud, Ne të kemi bërë mëkëmbës në Tokë, prandaj gjyko ndërmjet njerëzve me drejtësi dhe mos shko pas dëshirave dhe tekave, se ato të largojnë nga rruga e Allahut! Me të vërtetë, për ata që largohen nga rruga e Allahut, ka dënim të ashpër, ngaqë e kanë harruar Ditën e Llogarisë.” [Sad 26].

 

Historia e Sulejmanit, birit të Daudit (alejhi selam)

Allahu i dhuroi Sulejmanit Profetësinë dhe prej babait (Daudit) ai trashëgoi dijen, profetësinë dhe pushtetin. Por Allahu i dha sundim shumë të madh, sundim dhe pushtet të cilin nuk e ka patur askush më herët e as që do ta ketë dikush në vazhdim.

Allahu i nënshtroi erën e cila frynte me urdhërin dhe orientimin e tij si të donte dhe ku të donte. Me anë të erës, udhëtimin e një muaji ai e bënte brenda një paraditeje ose një pasditeje.

Për të Allahu nënështroi edhe xhindët, shejtanët dhe ifritët të cilët punonin dhe bënin punë madhështore si ti donte ai. “Ata punonin për atë çfarë të dëshironte: faltore dhe statuja, enë të gjera si puse dhe kazanë të mëdhenj të palëvizshëm.” [Sebe 13].

Shkonin e vinin me urdhërin e tij ku të donte dhe ndaj tij nënështroi ushtritë e përbëra prej xhindeve, njerëzve dhe shpendëve, të gjithë të radhitur në çeta të gatshme, në një organizim dhe paradë të mahnitshme.

Allahu i mësoi gjuhën e shpendve dhe të gjitha kafshëve të tjera me të cilat fliste dhe ua kuptonte fjalët që thonin. Rasti konkret është biseda e tij me pupëzën që i solli lajme, po ashtu dëgjoi milingonën kur u foli milingonave të tjera, duke u thënë: “O milingona, hyni në banesat tuaja, që të mos ju shkelë Sulejmani dhe ushtria e tij, duke mos ju parë”! [Neml 18].

Ajo u tërhoqi vëmendjen dhe i urdhëroi që të ruheshin nga ky rrezik dhe e justifikoi Sulejmanin dhe ushtrinë e tij,[3] për këtë arsye Sulemani vuri buzën në gaz nga fjalët e saj dhe tha: “O Zoti im, më frymëzo që të jem mirënjohës për mirësitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi, dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur. Më prano, me mëshirën Tënde, në gjirin e robërve të Tu të devotshëm!” [Neml 19].

Pjesë e rregullit të mirë që ai kishte vendosur dhe vendosmërisë që tregoi ishte edhe fakti se ai personalisht i kontrollonte ushtarët, paçka se kishte caktuar përgjegjës që mereshin me këtë punë. Fjalët e Sulejmanit kur thoshte: Të gjithë të radhitur në çeta të gatshme.”  është pohim i këtij fakti. Ai i kontrollonte edhe shpendët për ti parë nëse qëndronin në pozicionet e tyre. Prandaj tha: “Pse nuk e shoh pupëzën këtu, a nuk është e pranishme ajo?” [Neml 20]

Dhe nuk është për qëllim ajo që pretendojnë shumë nga komentatorët e Kuranit se ai e kërkoi pupëzën që të maste distancën se sa larg qëndronte uji, sepse kjo bie ndesh me tekstin Kuranor. Allahu i Lartësuar nuk tha: “Ai e kërkoi pupëzën”  Por tha: “Ai bëri kontrollin e shpendëv.”

Pas kësaj ai (Sulejmani) e kërcënoi për shkak të kundërshtimit që i kishte bërë urdhërit të tij, e përderisa pushteti i tij ishte i ngritur mbi drejtësinë e plotë, ai bëri një përjashtim duke thënë: “Nëse nuk do të më sjellë arsyetim bindës, do ta dënoj me dënim të rëndë ose do ta ther!” Nuk vonoi shumë e ajo erdhi dhe tha: “Kam marrë vesh diçka që ti nuk e ke ditur dhe të kam sjellë lajme të vërteta prej (qytetit të) Shebës. Kam parë një grua që sundonte popullin (e atij qyteti). Aja zotëronte çdo gjë dhe kishte një fron madhështor. Kam parë se ajo dhe populli i saj adhuronin Diellin e jo Allahun. Djalli ua paraqiste të bukura sjelljet e tyre, duke i larguar nga rruga e drejtë, prandaj nuk ishin të udhëzuar. Ata nuk i përuleshin në sexhde Allahut, i Cili nxjerr gjithçka që është e fshehur në qiej dhe në Tokë dhe di çfarë fshihni ju dhe çfarë tregoni haptazi. Allahu është Një, s’ka zot të vërtetë përveç Tij, Zotit të Arshit të madh!” [Neml 21-26].

Në këtë periudhë kaq të shkurtër pupëza solli këto informacione të mëdha!

Ai e njoftoi Sulejmanin për mbretin e atyre vendeve Jemenite dhe se ata i udhëhiqte një grua të cilës i ishte dhënë çdo gjë që i duhet një pushteti dhe se ajo kishte një fron të madh. Përveç asaj që kuptoi nga pushteti dhe forca e këtij populli, pupëza arriti të kuptonte dhe besimin dhe fenë e tyre; se ata ishin idhujtarë që adhuronin diellin, duke e kriktikuar këtë në formën më të prerë. Ky është argument se edhe kafshët e njohin Zotin e tyre, e madhërojnë dhe e veçojnë atë në adhurim. Ata i duan besimtarët dhe i urrejnë jobesimtarët përgënjeshtrues. Sulejmani i tha: “Do të shohim se a thua të vërtetën apo je gënjeshtar. Shko me këtë letër timen e çojua atyre. Pastaj largohu pak nga ata dhe shiko cila do të jetë përgjigjja e tyre!” [Neml 27-28].

Ai e mori letrën dhe e hodhi në prehërin e mbretëreshës së Sebeit. Kur e lexoi, ajo e quajti shumë gjë të madhe dhe u frikësua prej saj aq shumë sa u detyrua të mblidhte parinë për tu thënë: “O paria ime! Mua më ka ardhur një letër fisnike. Ajo është nga Sulejmani dhe është: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! Mos u madhështoni para meje dhe ejani të përulur si besimtarë”! [Neml 29-31].

Ajo ishte letër me pak fjalë por të përmbledhura që jepnin mesazhin e duhur. Ajo tha: ““O paria ime, më këshilloni se ç’duhet të bëj në këtë çështje!” [Neml 32].

Më jepni një mendim! Ky është tregues i vendosmërisë së saj dhe mirëudhëheqjes, sepse përdori këshillimin me parinë e popullit të saj duke u thënë: “Unë nuk do të vendos asgjë pa ju!” [Neml 32].

Ata i thanë: ““Ne jemi shumë të fortë dhe luftëtarë të guximshëm, por urdhri të takon ty, andaj mendo mirë se ç’do të urdhërosh!” [Neml 33].

D.m.th ne jemi të gatshëm për çfarëdo që të urdhërosh, për luftë apo paqe, këtë çështje e kemi lënë tek ti që të zgjedhësh. Vendosmëria dhe këmbngulja e saj u shfaqën përsëri dhe pasi e mendoi mirë këtë punë ajo u largua nga opsioni i luftës dhe zgjodhi paqen, por në një mënyrë të prerë. Ajo tha: Tani do t’u dërgoj atyre një dhuratë dhe do të shoh me se do të kthehen të deleguarit.” [Neml 35].

Nëse është prej atyre mbretërve që nuk synon veçse kënaqësitë e kësaj bote, ndoshta kjo dhuratë ka për ta thyer mendimin e tij, mbase do ta plogështojë vendosmërinë e tij dhe do të lidhim paqe me të e kështu do të shpëtojmë prej tij, por nëse ndodh e kundërta, atëherë e kuptojmë!

Ajo dërgoi disa njerëz të mençur, të vendosur, me eksperiencë dhe të ditur. Kur shkuan tek Sulejmani me dhuratën ai u tha: “A mos doni të më ndihmoni me pasuri?! Ajo që më ka dhënë Allahu, është më e mirë nga ajo që ju ka dhënë juve. Por ju gëzoheni me dhuratën tuaj. [Neml 36].

Ai ua bëri të qartë se synimi i tij nuk ishte kënaqësia e kësaj bote, por ngritja e fesë së Zotit dhe dëshira që njerëzit të hynin në ISLAM.

Pas kësaj i porositi të deleguarit duke mos patur nevojë që ti shkruante fjalët e tij dhe u tha: “Kthehuni tek ata! Ne do të sjellim ushtri, të cilën nuk do të mund ta përballojnë ata dhe, me siguri, do t’i dëbojmë ata prej Shebës të poshtëruar dhe të përulur”. [Neml 37].

Sulejmani e kuptoi se ata do të bindeshin dhe do të dorëzoheshin, prandaj u tha atyre që ishin në mexhlis: “O parësi, kush prej jush do të më sjellë fronin e saj, para se ata të vijnë të dorëzuar?” Njëri nga xhindet – Ifriti, tha: “Unë do të ta sjell ty para se të ngrihesh prej vendit; unë për këtë jam i fuqishëm dhe i sigurt”. [Neml 38-39].

Sulejamni jetonte në vendet e Shamit dhe mes tij dhe atij populli kishte distancë dy muaj udhëtim, dy muaj vajtja dhe dy muaj kthim. “Por ai që ishte i pajisur me dijen e Librit, tha: “Unë do të ta sjell ty sa çel e mbyll sytë”. [Neml 40].

Ka shumë mundësi dhe këtë e kanë pohuar shumica e komentatorëve të Kuranit se ai ishte njeri i mirë që dinte emrin më të madh të Zotit me të cilin po të lutesh Ai të përgjigjet. Ai iu lut Allahut dhe froni erdhi para se të çelte sytë.

Ose është e mundur se ky njeri që kishte njohuri nga libri, posedonte shkaqe të cilat Allahu ia kishte mundësuar Sulejmanit, shkaqe përmes të cilave mund të afronte gjëra nga distanca shumë të mëdha dhe të sillte gjëra që ishin shumë larg.

Sidoqoftë ne kemi të bëjmë me një sundues të madh të cilit në një çast i vjen gjithë ai fron i madh. Për këtë arsye, Sulejmani kur e pa para vetes, e falenderoi Allahun dhe tha: “Kjo është nga dhuntitë e Zotit tim, për të më provuar a jam mirënjohës apo mohues. Kush falënderon, e bën për të mirën e vet e, kush mohon, (ta dijë se) Zoti im është i Vetëmjaftueshëm dhe Dhurues. [Neml 40].

Atyre përreth u tha: “Ndryshojeni edhe fronin e saj!” [Neml 41].

D.m.th ndryshoni duke shtuan ndonjë gjë apo duke pakësuar “Do të shohim se a do ta vërë re këtë apo jo.” [Neml 41].

Sulejmani i kishin treguar për urtësinë dhe zgjuarsinë e saj por ai deshi ta shihte realitetin me sytë e tij. Kur erdhi ajo, i thanë: “I tillë është froni yt?” [Neml 42].

Ata ja treguan fronin dhe kur e pa e njohu atë, pa ndryshimet që ishin bërë në të dhe sikur nuk e besoi të ishte ai. Duke qenë jo e sigurtë në njërin nga opsionet: Ajo u përgjigj: “Duket sikur të ishte ai” [Neml 42].

Ajo nuk tha: Ai është në të vërtetë! Për shkak të ndryshimeve që ishin bërë në të dhe nuk e mohoi të ishte ai sepse se e njohu atë, por përdori një shprehje që përshtatej me të dy opsionet.

Sulejmani e kuptoi zgjuarsinë e saj dhe tha: “Para saj na është dhënë dituria dhe para saj i jemi nënshtruar Allahut”. [Neml 41].

Nëse këto ishin fjalët e Sulejmanit, atëherë do të thotë: Se ne ishim të informuar për logjikën dhe dijen e saj para se të ndodhte kjo, por e vërtetuam atëherë kur e vumë në provë.

Por nëse ishin fjalët e mbretëreshës së Shebës duket sikur ajo po thotë: Na është dhënë dituria për pushtetin e Sulejmanit dhe se ai është mbret Profetësie dhe mesazhi dhe se ai posedon forcë të madhe para se të ndodhte ky rast dhe ishim të dorëzuar të bindur për atë që tha Sulejmani pasi që e vërtetuam çështjen e tij.

Me të drejtë dikush mund të thotë: Me gjithë logjikën dhe mendimin e drejtë të saj, si është e mundur që ajo të adhuronte diçka tjetër në vend të Allahut? Si mund të bëhen bashkë logjika dhe idhujtaria ndaj diçkaje që nuk sjell as dëm e as dobi, por përkundrazi vetëm sa e dëmton robin? Përgjigjen e mësojmë tek fjala e tij: “Atë (Belkisën) e kishte penguar (nga Islami) ajo që adhuronte në vend të Allahut, sepse ajo ishte nga populli mohues. [Neml 43].

D.m.th besimet me të cilat rritet njeriu dhe ideologjitë e prishura të cilat mbizotërojnë mendjen e çdo të logjikshmi, duke i larguar thelbin e logjikës e mundin njeriun derisa ti vijnë shkaqet e dobishme të cilat i sqarojnë të vërtetën dhe e nderojnë me ndjekjen e saj.

Sulejmani posedonte një ndërtesë prej xhami poshtë të cilës rridhin lumenj. Kushdo që e shihte mendonte se është ujë që rridhte, sepse xhami ishte i tejdukshëm . Kur i thanë hyr në këtë ndërtesë ajo e pa dhe mendoi se ishte ujë dhe çoi rrobat duke i zbuluar këmbët . Asaj i thanë se kjo është ndërtesë e gdhendur prej xhami. Ajo tha: “O Zoti im, me të vërtetë unë e paskam dëmtuar veten dhe tani, bashkë me Sulejmanin i dorëzohem Allahut – Zotit të botëve!” [Neml 44].

Ajo i besoi Allahut dhe populli i saj e ndoqi në këtë besim dhe thuhet se Sulejmani u martua me të, por sidoqoftë Allahu e di më së miri!

Në kohën e Sulejmanit Allahu i kishte nënështruar shejtanët në interest ë tij, por i erdhën lajme se me përzierjen e tyre me njerëzit kishin filluar tu mësonin atyre magjinë. Ai i mblodhi dhe i kërcënoi, gjithashtu i mori librat e tyre dhe i groposi. Pas vdkejes së Sulejmanit shejtanët e njerëzve erdhën dhe thanë: Mbreti Sulejman jetën e tij e kaloi në magji dhe nxorën librat të cilat i kishte groposur. Ata përhapën lajmin mes njerëzve përmes tellallëve se këto libra ishin marë nga Sulejmani dhe se ai ishte magjistar. Këtë ideologji e përhapën edhe disa grupe hebrejsh. Por Allahu e pastroi Sulejmanin nga kjo shpifje dhe sqaroi se magjia ishte dëm i madh duke thënë: “Dhe shkuan pas shpifjeve që bënin djajtë kundër mbretërisë së Sulejmanit. E Sulejmani nuk ishte mohues.” [El Bekare 102]. D.m.th duke mësuar magjinë apo duke u kënaqur me të “Por djajtë ishin mohues. Ata u mësonin njerëzve magjinë dhe dijeninë që u ishte dërguar dy engjëjve në Babiloni – Harutit e Marutit. Këta engjëj nuk i mësonin ndokujt magji, pa i thënë: “Ne jemi dërguar për t’ju vënë në provë, andaj ti mos u bëj mohues (duke mësuar apo ushtruar magjinë)!” Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut. E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi. Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër. Eh, sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e veta! Ah, sikur ta dinin ata!” [El Bekare 102].

Kjo është madhështia e Kuranit, sepse i urdhëron krijesat që ti besojnë të gjithë Pejgamberët duke i përmendur me cilësitë më të mira dhe duke i pastruar nga të gjitha shpifjet e thëna nga njerëzit, e që bien ndesh me mesazhin e tyre.

Allahu e sprovoi Sulejmanin duke e lënë mbi fronin e tij si trup të palëvizshëm në shenjë qortimi ndaj disa mangësive dhe për ta kthyer në bindjen dhe nënështrimin e plotë ndaj Zotit të Lartësuar. Prandaj Zoti tha: “Por ai iu drejtua Zotit”  Me zemër, gjuhë dhe gjymtyrë, me aparencën dhe të fshehtën e tij “O Zoti im, më fal dhe më dhuro një pushtet që të mos e ketë askush pas meje! Me të vërtetë, Ti je Dhurues i madh!” [Sad 35].

Allahu ju përgjigj lutjes së tij dhe i dha atë që kërkoi prej mëshirës dhe faljes së mëkatit gjithashtu i dha të gjitha gjërat që ai i kërkoi siç u përmend më lart.

Allahu i Lartësuar e ka lavdëruar Daudin dhe Sulejmanin për dijen dhe sundimin e tyre por e veçoi Sulejmanin me mendjemprehtësi duke thënën: “(Kujtoje) edhe Dautin dhe Sulejmanin, kur gjykuan mbi të lashtat në të cilat kishin kullotur natën bagëtitë e disa njerëzve.” [Enbija 78].

D.m.th disa bagëti kishin hyrë në arë gjatë natës duke prishur bimët dhe pemët. Daudi gjykoi në bazë të asaj që pa të arsyeshme dhe përllogaritjeve të tij se delet i takojnë të zotit të asaj are, duke menduar se ajo që u dëmtua në arë është njësoj sa çmimi i deleve. Më pas këtë çështje ia tregoi Sulejmanit dhe ai gjykoi për të zotin e bagëtive që të mbjellë dhe të ujisë tokën e atij që kishte dëmtuar derisa të kthehej në gjendjen e mëparshme dhe i zoti i deleve tja japë delet që të përfitojë prej qumështit, gjalpit dhe leshit në këmbim të asaj që ai mund të përfitonte përmes arës së mbjellë gjatë kësaj kohe. Ky gjykim që erdhi nga Sulejmani ishte më afër të vërtetës dhe më e dobishme si për të zotin e bagëtive, por edhe për të zotin e arës (kullotës).

Për këtë arsye Allahu i Lartësuar tha: “Ne e bëmë Sulejmanin ta kuptonte drejtë çështjen dhe, që të dyve u dhamë mençuri e dituri.” [Enbija 79].

I ngjashëm me këtë gjykim ishte edhe rasti tjetër i Daudit dhe Sulejmanit që gjykuan mes dy grave të cilat kishin dalë dhe secila kishte patur djalin e saj me vete. Ujku sulmoi djalin e gruas më të madhe në moshë dhe kjo e fundit pretendonte ndaj tjetrës se ujku kishte ngrënë djalin e saj dhe se djali që kishte shpëtuar nga ujku ishte djali i të madhes. E vogla në moshë e kundërshtoi këtë dhe tha: Përkundrazi, ujku hëngri djalin tënd dhe të dyja bashkë shkuan dhe kërkuan gjykim tek Daudi. Ai kur pa se anjëra nuk kishte argument bindës përveë fjalëve që thonin mendoi që të gjykonte në favor të gruas më të madhe në moshë, edhe për ta respektuar për moshën e saj, me mendimin se e vogla kishte jetën përpara dhe Zoti do ti mundësonte asaj të kishte fëmijë të tjerë në vend të atij fëmije.

Por çështja u ngrit tek Sulejmani (alejhi selam) i cili u tha të dyjave: Më sillni një thikë ta ndaj fëmijën mes jush. E madhja pranoi, ndërsa e vogla kur pa se çështja ishte mes jetës dhe vdekjes, e mendoi se nëse do të jetonte me tjetrën do të ishte më e lehtë dhe zgjodhi të thoshte: Ai është djali i saj, o profet i Zotit.

Sulejmani e kuptoi përmes kësaj natyrshmërie që është argumenti më i forte, se ai nuk ishte djali i të madhes, sepse ajo pranoi që të ndahej përgjysëm dhe të vdiste dhe se pretendimet e saj ndaj gruas tjetër i kishte për shkak të smirës dhe zilisë dhe se ai ishte fëmija i gruas së vogël, sepse kur u trondit nga prerja e tij lëshoi pe ndaj akuzave të saj prandaj dhe Sulejmani gjykoi në favor të saj.[4]

S’ka dyshim se nxjerja e të drejtës me anë të fakteve, argumenteve, dëshmive dhe gjendjeve të ndryshme, konsiderohet mendjemprehtësi me të cilën Allahu përzgjedh kë të dojë.

Përktheu: Fatjon Isufi

[1] Buhariu me nr 1131, Muslimi me nr 1159, 189 nga hadithi i Abdullah bin Amër bin Asit Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

[2] Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Shumë komentatorë të Kuranit nga selefët dhe ata që erdhën më vonë kanë përmendur në këtë rast disa histori e disa ndodhi që shumica janë prej Israilijateve ku disa prej tyre janë ngjarje totalisht të shpikura. Ne nuk i kemi përmendur qëllimisht tek libri ynë duke u mjaftuar dhe duke i rënë shkurt vetëm leximit të ndodhisë nga Kurani fisnik, ndërkohë që Allahu udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë. [El Bidaje uen Nihaje 2/13].

Dijetari i madh el Kasimi në librin “Mehasin et teuilj” [14/156-158] përcjell nga Ibn Hazmi kundërpërgjigjen e tij ndaj atyre që e akuzojnë Profetin e Allahut  Daudin me këtë ligësi dhe shpifje duke thënë: Ajo që Allahu përmendi për Profetin Daud (alejhi selam) është fjalë e vërtetë dhe e saktë dhe nuk pohon aspak fjalën e atyre që tallen e gënjejnë dhe që janë të lidhur pas legjendave dhe miteve që i shpikën hebrejtë. Ai që erdhi për tu ankuar ishte popull prej bijve të Ademit pa asnjë dyshim, dhe po kundërshtoheshin për një dele, ku njëri kishte kaluar cakun ndaj tjetrit sipas asaj që përmendet në ajet. Ai që thotë se ata ishin engjëj që kundërshtoheshin për punë grash, ai në fakt gënjen ndaj Allahut të Lartësuar duke i mveshur diçka që nuk e ka thënë si dhe duke shtuar në Kuran atë që nuk është prej tij dhe përgënjeshtëron Allahun e Lartësuar dhe pohon ndaj vetes ligësinë e madhe, sepse po përgënjeshtëron edhe engjëjt sepse Allahu i Lartësuar thotë: “A e ke dëgjuar historinë e dy kundërshtarëve.” Ndërsa këta thonë: Nuk ishin kundërshtarë kurrën e kurrës dhe as që i kanë bërë padrejtësi njëri tjetrit dhe asnjëri prej tyre realisht nuk ka patur 99 dele dhe as tjetri nuk ka patur një dele dhe as që i ka thënë në realitet ma jep mua atë. Habitem se si e çojnë veten nga e kota? Allahu na ruajt nga turpi. Madje e gjithë kjo pa asnjë lloj argumenti, por vetëm me supozime boshe. Beteohem në Zot se secili nga ne e ruan veten e tij që me komshiun të jetë i ruajtur, të ketë kujdes dhe të mos ndodhin gjëra të pahijshme, e jo më të nis burrin e saj për tu vrarë qëllimisht, me qëllim që të martohet me gruan e tij, apo që ta lërë namazin për shkak të një zogu që e sheh. Këto janë veprimet e mendjelehtëve, keqbërsave dhe intrigantëve dhe jo veprime të njerëzve të mirë e të devotshëm. E si mund të thuhen të gjitha këto për Profetin e Zotit, Daudin (alejhi selam) të cilit i la në dorëzim librin e Tij dhe i dha fjalët që ti fliste dhe lexonte me gojën e tij? Allahu e ka ruajtur që këto gjëra ti shkonin qoftë edhe në mendje e lëre më ti vepronte. Ndërsa istigfari i tij dhe shkuarja në sexhde për të kërkuar mëshirën e Allahut: Duhet të dimë se Profetët (alejhim selam) janë njerëzit më primarë ndaj këtyre veprave fisnike. Istigfari është veprim i mirë që nuk refuzohet nga mbreti, profeti, mëkatari apo nga jo mëkatari.”

 

[3] Dijetari i madh Ibn Kajjim el Xheuzije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Milingona u shpreh në dhjetë mënyra komunikimi në këshillën që u dha milingonave të tjera: Ajo përdori pasthirrmën, alarmoi, emërtoi, urdhëroi, ishte e drejtpërdrejtë,  qortoi, përshtati, mësoi, përgjithësoi dhe justifikoi. “Miftah dar es Seadeh” [2/151].

[4] E përcjell Buhariu me nr 3427, Muslimi me nr 1720, 20 nga Ebu Hurejra Allahu qoftë i kënaqur prej tij.