Ebu Amër Uvejs ibën Amir ibën Xhezin ibën Malik el Karani ishte një tabiin i nderuar, një nga prijësit e brezit të tabiinëve dhe një asket e adhurues i shquar me origjinë nga Jemeni.
Ai jetoi në kohën e profetit Muhamed sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, por nuk e pa atë. Ai ishte pjesë e një delegacioni që u takua me Umerin dhe më vonë u vendos në Kufa. Është vërtetuar se ai ishte më i miri i tabiinëve, siç transmetohet nga Usejr ibën Xhabir i cili ka thënë: “Kur Umer ibën Hatabi takonte njësitë ushtarake që vinin nga Jemeni, ai i pyeste: A është mes jush Uvejs ibën Amiri? Derisa e gjeti dhe e pyeti: A je ti Uvejs ibën Amiri? Ai u përgjigj: Po. Umeri e pyeti: A je nga fisi Murad dhe nga familja e karanëve? Ai tha: Po. Umeri vazhdoi: A ke pasur lebrozë dhe je shëruar prej saj, përveç një pjese sa madhësia e një dirhemi? Ai tha: Po. Umeri e pyeti: A ke nënë? Ai u përgjigj: Po. Atëherë Umeri tha: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të thotë: “Do të vijë tek ju Uvejs ibën Amiri me njësitë ushtarake nga Jemeni. Ai është nga fisi Murad, nga familja e karanëve. Ai ka pasur sëmundjen e lebrozës dhe është shëruar prej saj, përveç një pjese sa madhësia e një dirhemi. Ai ka një nënë ndaj së cilës është shumë i përkushtuar. Nëse betohet për diçka Allahu e pranon betimin e tij. Nëse mundesh kërkoji të lutet për falje për ty.” Andaj lutu për falje për mua! Uvejsi u lut për falje për të. Më pas Umeri e pyeti: Ku dëshiron të shkosh? Tha: Në Kufe. Umeri i tha: A dëshiron t’i shkruaj një rekomandim udhëheqësit të saj për ty? Uvejsi u përgjigj: Më pëlqen më shumë të jetoj mes njerëzve të zakonshëm.”
Vitin pasardhës një burrë nga paria e Kufes shkoi për haxh dhe u takua me Umerin. Umeri e pyeti për Uvejsin dhe ai tha: “E lashë atë në një shtëpi të varfër me shumë pak pasuri.” Umeri tha: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu aeljhi ue sel-lem të thotë: “Do të vijë tek ju Uvejs ibën Amiri me njësitë ushtarake nga Jemeni. Ai është nga fisi Murad, nga familja e karanëve. Ai ka pasur lebrozë dhe është shëruar, përveç një pjese sa madhësia e një dirhemi. Ai ka një nënë ndaj së cilës është shumë i përkushtuar. Nëse betohet për diçka Allahu e pranon betimin e tij. Nëse mundesh kërkoji të lutet për falje për ty.” Ky burrë shkoi tek Uvejsi dhe i tha: Lutu për mua! Uvejsi i tha: Ti sapo ke ardhur nga një udhëtim i bekuar, kështu që lutu ti për mua! Ai këmbënguli: Jo, ti lutu për mua! Uvejsi e pyeti: A e ke takuar Umerin? Tha: Po. Atëherë Uvejsi u lut për të. Kur njerëzit e morën vesh për të, ai u largua nga sytë e tyre. Usejri tha: Unë i dhashë një mantel, dhe sa herë që dikush e shihte atë thoshte: Nga e mori Uvejsi këtë mantel?!
Uvejs ibën Amiri ndërroi jetë në vitin 37 hixhri.
Përktheu: Rexhep Milaqi
Dosje: Histori