Ligjërata e fundit

“Në një ditë si kjo në vitin 1421 hixhrij, babai im Muhammed ibn Salih el Uthejmin – Allahu i Lartësuar e mëshiroftë – gjendej i shtrirë në shtrat duke lënguar prej sëmundjes, në dhomën e tij në xhaminë e shenjtë të Mekkes fisnike. Në mëngjesin e asaj dite e kishte kapluar një lodhje e madhe, prandaj doktori i tij Abdurrahman en Neim vendosi që të transportohej me urgjencë në spitalin e specialiteteve të mbretit Fejsal në Xhiddeh. Dhe kështu e transportuam – Allahu e mëshiroftë – me ambulancë drejt e në spital. Atje iu kushtua kujdes i plotë për një kohë prej 6 apo 7 orësh, dhe pas kësaj gjendja e tij filloi të qetësohej pak nga pak.

Tashmë ishte afruar koha e daljes së namazit të asrit (afër mbrëmjes). Dhe ai – Allahu e mëshiroftë – kërkoi që të kthehej në Mekke. Unë i thosha: Sot është dita e 29 dhe nesër mund të jetë bajram, qëndrimi në spital për ty është më mirë. – Kështu përpiqesha ta bindja të qëndronte në spital në Xhiddeh, por të gjitha përpjekjet nuk patën sukses për ta bindur. Dhe përpiqesha të fitoja kohë me të derisa më tha: ‘Kërko që të na transportojnë (me ambulancë) përndryshe na merr një taksi’. Atëherë e kuptova se nuk i ikja dot më shoqërimit të tij për në Mekke. Kështu përgatitëm ambulancën dhe u nisëm drejt haremit të Mekkes (Qabes). Gjatë kësaj kohe ai merrte frymë nëpërmjet aparatit të oksigjenit.

Kur arritëm në Qabe e zbritëm dhe e mbartëm mbi supe me një barrelë të posaçme të ambulancës, deri tek vendi ku qëndronte në Qabe, mes turmës së madhe të njerëzve (nata e fundit e Ramazanit, taravitë e fundit!) dhe te këmbët i vendosëm hekurin e aparatit të oksigjenit. Ndërkohë kishin njoftuar se Ramazani këtë vit ishte me 30 ditë. Kështu imami do të falte taravitë.

Pasi u qetësua dhe fali namazin e akshamit e të jacisë, dhe imami e kreu edhe namazin e taravive në natën e 30 të Ramazanit, filloi  – Allahu e mëshiroftë të mbante ligjëratën e fundit të jetës së tij. Kishte një qetësi dhe një mënyrë të foluri gjë që e bënte atë mësim, në atë ditë të Ramazanit, atë vit, nga më të bukurit që kishte mbajtur ndonjëherë. Pasi mbaroi mësimin u kthye nga unë dhe më tha: “Shikon, sikur të kishim ndenjur në Xhiddeh çfarë shpërblimi madhështor do të na kishte ikur?!”

Allahu të mëshiroftë o babai im! Na dhe shembullin më të mrekullueshëm në durim, sakrificë dhe në përpjekje për të kërkuar atë që ishte tek Allahu.”
Ibrahim ibn Muhammed el Uthejmin.

Al Xhazira: 5.8.2014