PASTRIMI I TOKËS SË NDOTUR (jurisprudencë)

PASTRIMI I TOKËS SË NDOTUR

(Hadithi 12 nga Libri Bulugul Meram)

 

12-Transmetohet nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të), se një beduin erdhi dhe urinoi në një pjesë të xhamisë. Menjëherë njerëzit nisën ta qortonin. Por Profeti i Zotit(Paqja qoftë mbi të) i ndaloi ata. Kur mbaroi së urinuari ,Profeti i Zotit (Paqja qoftë mbi të) urdhëroi që të sillej një kovë me ujë dhe të hidhej mbi të.

Këtë hadith e ka transmetuar Buhariu(Nr.221) dhe Muslimi(Nr.284).

 

BIOGRAFIA E ENESIT (Allahu qoftë I kënaqur me të):
Enesi ishte nga banorët e Medines, prej fisit Hazrexh. Ai i shërbeu Profetit (Paqja  e Zotit qoftë mbi të) nga koha që ai u vendos në Medine ,e deri kur u nda nga kjo botë. Në kohën kur Profeti u vendos në Medine,Enesi ishte përafërsisht dhjetë vjeç. Në kohën e Umerit,u vendos në Basra ku u angazhua me edukimin dhe mësimin e njerëzve mbi dispozitat e fesë. Ishte sahabiu I fundit që ndërroi jetë në Basra. Vdiq në vitin 91 ose 93 sipas hixhretit në moshën 99 ose në moshën 103 vjeçare.

 

DOBITË E PËRFITUARA NGA KY HADITH:

1-Urina e njeriut është e pistë, gjë për të cilën nuk ka asnjë dilemë midis shkollave juridike islame.

2-Ajo pjesë e tokës, e cila është bërë pis nga ndonjë ndyrësi, pastrohet nëpërmjet hedhjes së ujit të bollshëm, apo nëpërmjet rënies së shirave të bollshme mbi të.

3-Mirëmbajtja e xhamive dhe pastrimi i tyre është detyrë mbi muslimanët.

4-Butësia në ndalimin e të paditurit nga kryerja e diçkaje të keqe,është prej etikës islame.

5-Morali i lartë i Profetit (Paqja qoftë mbi të) dhe mirësjellja e tij me njerëzit.

6-Shmangia e dëmit të madh ka përparësi ndaj dëmit të vogël. Nëse sahabët do të kishin tentuar ta ndalonin atë njeri nga kryerja e urines ,duke qenë se ai kishte filluar të urinonte,atëherë do të ndotej një sipërfaqe më e madhe e xhamisë.  Po ashtu do të ndoteshin rrobat e tij gjatë ikjes,apo të dikujt tjetër…etj.

 

Burimet: Bulugul Meram, Subulus Selam dhe El Meusuah el Fikhijjeh el Kuvejtijjeh.

Përktheu dhe përshtati: Rexhep Milaqi