Përgjegjësitë e besimtarit në jetë! Hytbe

Përgjegjësitë e besimtarit në jetë!

Falënderimet i përkasin vetëm Allahut Zotit të botëve, që e nderoi birin e Ademit duke e mbartur në tokë dhe në det, dhe që e furnizoi nga të mirat e Tij, duke e vlerësuar ndërmjet shumë krijesave me mirësi të shumta. Veç të tjerash atyre që e falënderojnë u premtoi shpërblime të panumërta, ndërsa atyre që mohuan mirësitë e Tij u përgatiti dënim të pandërprerë. Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush veç Allahut, Ai është i Vetëm e i Pashoq; në rububije, uluhije dhe esma ue sifat. Gjithashtu dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, më i zgjedhuri në mesin e krijesave, paqja, bekimet dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të, familjen e tij, shokët të cilët i besuan dhe e ndihmuan duke u kapur fort pas sunetit të tij në kohën që ishte gjallë dhe pasi ndërroi jetë.

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj që ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” (Sure Nisa, 1.)

O bir i Ademit! Allahu të krijoi në formën më të mirë, në pamjen më të bukur dhe të dha nga të mirat e Tij. Por cila është përgjegjësia jote në këtë jetë? Realisht ajo është një përgjegjësi e madhe, barra e amanetit të cilën e mbarte e refuzuan dhe u frikësuan prej saj qiejt, toka dhe malet.

Atë e mbarte ti, prandaj do të kesh shpërblimet më të mëdha nëse ia jep hakun dhe kujdesesh për të, nga ana tjetër do të shijosh dënimin më të madh, nëse e humbet dhe shkujdesesh nga ajo. Për ty u nënshtruan të gjitha qeniet dhe dobitë e tyre, me qëllim qe të të ndihmojnë në mbartjen e këtij amaneti. A e di se cili është ky amanet dhe shpërblimi i atij që e ruan atë, apo dënimi për atë që e humbet? Ky amanet është: ajo që të urdhëroi Allahu për të drejtën e Tij dhe të drejtat e robërve të Tij.

Nëse kujdesesh dhe i ruan ato do të jesh nga ata që i mbajnë amanetet dhe premtimet e tyre, të cilët do të trashëgojnë Firdeusin, ku do të jenë përjetë. E nëse shkujdesesh dhe e humbet atë, atëherë do të mbetesh në gradët më të ulëta, Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer, pastaj e çuam atë (kur nuk beson) në gjendjen më të ulët, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira; ata do të kenë shpërblime të pandërprera.” (Sure Tin, 4-6.)

O ti njeri! Të pastrohesh nga papastërtitë është amanet, namazi është amanet, praktikimi i detyrimeve është amanet, braktisja e të ndaluarave është amanet, t’i kthesh të drejtat atyre që u takojnë është amanet, por që ta dini se e drejta më e madhe për të cilën Allahu ka porositur në librin e Tij të qartë është: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë ndaj prindërve, të afërmve, jetimëve, të varfërve, fqinjëve të afërt dhe të largët, atij që keni pranë, udhëtarit (që ka mbetur ngushtë) dhe atyre që janë robër nën pushtetin tuaj. Në të vërtetë, Allahu nuk i do njerëzit arrogantë e mburravecë.” (Sure Nisa, 36.)

Ky ajet ndryshe quhet “ajeti i dhjetë të drejtave”, sepse ai përmbledh dhjetë të drejta; të drejtën e Allahut, prindërve, jetimëve, të varfërve, fqinjit të afërt, fqinjit të largët, gruas, udhëtarit dhe atyre që janë nën pushtetin tuaj.

Përsa i përket të drejtës që i takon Allahut, duhet ta dini se ajo është e drejta më e madhe dhe detyra më parësore, e cila personifikohet në adhurimin e Allahut, pa i bërë shok askënd në adhurim. Kjo është edhe arsyeja për të cilën u krijove, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë.” (Sure Dharijat, 56.)

Adhurimi nuk i bën dobi njeriut pa pasur sinqeritet, që do të thotë: të mos përzihet me atë adhurim shirk i madh apo i vogël, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Andaj adhuro vetëm Allahun me përkushtim të çiltër për Të! Vetëm Allahut i takon adhurimi i vërtetë.” (Sure Zumer, 2-3.)

Në një ajet tjetër thotë: “Thuaj: “Unë jam njeri që vdes si ju, që më është shpallur se Zoti juaj është një Zot i Vetëm. Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” (Sure Kehf, 110.)

Ai që nuk e adhuron Allahun, padyshim që do të bëhet rob i dikujt tjetër prej shejtanëve, pasioneve, dëshirave, epsheve, apo idhujve dhe statujave. Pra, njeriu patjetër që do të jetë rob ose i Zotit të tij, ose i të tjerëve. Adhurimet që ai ia kushton Zotit të tij janë nder, krenari dhe ngritje, ndërsa adhurimi që u bën të tjerëve është poshtërim, dobësi dhe humbje.

Pas të drejtës që i takon Allahut vjen e drejta e prindërve, që do të thotë: t’i respektosh dhe t’u sjellësh atyre vetëm të mira, t’u largosh të këqijat dhe të mos u bësh asnjëherë keq me fjalë apo vepra. Këtë duhet ta bësh në këmbim të gjërave të mira, që kanë bërë ata për ty, në një kohë kur nuk mund të bëje për veten tënde asgjë të mirë dhe nuk mund t’i largoje vetes tënde asgjë të keqe, madje nuk mund të dalloje mes të dobishmes dhe të dëmshmes. Ata të edukuan dhe vazhdimisht qëndruan me ty në ato kohë, prandaj të mirën që të bënë kthejua, ashtu siç ka urdhëruar Allahu i Madhëruar në fjalën e Tij, duke u lutur për ta: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur kur unë isha i vogël!” (Sure Isra, 24.)

Dijetarët kanë thënë: “Ata që gëzojnë të drejtat menjëherë pas Krijuesit për falënderime, bamirësi, respekt, bindje dhe përulje, janë prindërit ata me të cilët Allahu ka bashkuar mes bindjes, adhurimit dhe bamirësisë ndaj Tij, duke thënë: “Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij, dhe që të silleni mirë me prindërit.” (Sure Isra, 23.) Ai bashkoi mes falënderimt që duhet t’i bëjmë Atij dhe falënderimit të prindërve, duke thënë: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë.” (Sure Lukman, 14.)

Pas së drejtës që u takon prindërve vjen e drejta e të afërmve, që janë farefisi me të cilët ke afërsi nga ana e babait apo nënës, siç janë: gjyshërit, gjyshet, xhaxhallarët, hallat, dajallarët, tezet, vëllezërit dhe motrat. Të drejtat që gëzojnë ata tek ti mund t’i përmbledhim në këtë mënyrë: t’i ruash lidhjet me ta, t’u bësh mirë me pasurinë tënde, t’i vizitosh dhe t’u japësh selam, pra, t’u bësh të gjitha mënyrat e bamirësisë që shprehen me fjalë apo vepra. Pas kësaj vjen e drejta e jetimëve që janë në moshë të vogël dhe që kanë humbur baballarët e tyre, duke treguar bamirësi ndaj tyre në dhënien e lëmoshës, kujdestarinë e tyre, ruajtjen e pasurisë që kanë, si dhe edukimin e tyre, vepra të cilat mbartin shpërblime të mëdha.

I Dërguari i Allahut (SalAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kujdestari i jetimit, për të apo për dikë tjetër, unë bashkë me të do jemi në xhenet si këta dy gishta.” (E përcjell Muslimi.)

Më pas përmendet e drejta e të varfërve, të cilët i ka munduar nevoja dhe i ka poshtëruar ata. Kjo realizohet duke i marrë me të mirë, duke u dhënë lëmoshë dhe duke u interesuar për gjendejn e tyre. Muslimi shënon nga Ebu Hurejra, se Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Ai që kujdeset për të shkretët dhe të varfërit, është si ai që lufton në rrugë të Allahut.” Transmetuesi thotë: Mendoj se ai (Profeti) tha: “Është i ngjashëm me atë që falet pandërprerë, si dhe me atë që agjëron pandërprerë.”

Pas kësaj përmendet e drejta e fqinjit, bamirësia ndaj tij dhe largimi i lëndimeve. Për këtë janë përcjellë shumë gjëra inkurajuese për të treguar bamirësi ndaj fqinjëve, nga ana tjetër janë përcjellë kërcënime për ata që lëndojnë fqinjët e tyre.

Ebu Shurejhi përcjell se Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Betohem në Allahun se nuk ka besuar, betohem në Allahun se nuk ka besuar, betohem në Allahun se nuk ka besuar. I thanë: Kush është ai, o i Dërguari i Allahut? Ai tha: Është ai prej të cilit fqinji i tij nuk është i sigurt nga të këqijat e tij.” (E përcjell Buhariu dhe Muslimi.)

O ti tregtar! Ti je sipërmarrës për pasurinë tënde, prandaj vepro në mënyrën më të mirë dhe më të lejuar. Gjithashtu mbart mbi vete amanetin gjatë shitblerjes tënde, kështu që tregohu i drejtë dhe mos mashtro, e as mos ec me dredhi me ata që punojnë me ty. Mos pesho mangut, sepse kështu bëhesh nga ata që masin mangut, të cilët i pret një luginë në zjarrin e xhehenemit.

O ti punonjës! Ty të është besuar puna që bën, prandaj vepro dhe puno në mënyrën më të mirë dhe mos ua vështirëso punët njerëzve, mos u jep pas të pasurve dhe t’i lësh pas dore të dobëtit. Mos prano ryshfetin, sepse është diçka e ndyrë dhe e prishur që sjell mallkimin dhe zemërimin e Allahut, kjo për atë që e merr, që e jep dhe atë që përpiqet për ta marrë.

Baba i nderuar! Ti je kujdestar për fëmijët e tu, prandaj edukoji sa më mirë dhe mësoi e rriti me të mira. Largoi prej tyre mjetet e këqija, të cilat ua prishin moralet. Mos prano që në shtëpinë tënde të ketë gjëra që prishin të mirën, siç janë: filmat e ndyrë, muzika apo revista që mbajnë foto provokuese apo tema shkatërruese. Mos mbaj libra që përmbajnë kufër, mohim dhe besime të prishura.

O ju muslimanë! Kini kujdes për përgjegjësitë që keni, tërhiqini pas vetes njerëzit e këqinj dhe kujtoni gjithmonë amanetin të cilin e mbartët, ruajeni atë në mënyrë që të fitoni shpërblime dhe të shpëtoni nga dënimi. Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar: “Ne ua ofruam përgjegjësinë qiejve, tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta marrin përsipër dhe u frikësuan ta pranojnë atë, kurse njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu u tregua i padrejtë me veten dhe i paditur. Si pasojë, Allahu do t’i dënojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret, ndërsa do t’ua pranojë pendimin besimtarëve dhe besimtareve. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Sure Ahzab, 72-73.)

Allahu më dhëntë mua dhe juve bereqet në Kuranin Famëlartë, dhe më dhëntë dobi mua e juve në ajetet përkujtuese, dhe të urta që gjenden në të! Ua them këto fjalë duke kërkuar falje për gabimet nga Allahu i Madhëruar, për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët! Kërkoni falje dhe pendohuni tek Ai, vërtet Ai është që fal shumë, është Mëkatfalës i madh.

 Hytbja e dytë:

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun, Zotin e botëve, Atë e falënderoj dhe dëshmoj se nuk meriton askush të adhurohet në vend të Tij. Ai është i Vetëm dhe i Pashoq, Ndihmësi i njerëzve të mirë, gjithashtu dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, prijësi i njerëzve të devotshëm. SalAllahu alejhi ue selem, familjen dhe shokët e tij!

O ju besimtarë! Vërtet amaneti ishte virtyt, të cilin e kishin profetët, duke filluar me Nuhun, Hudin, Salihun, Lutin dhe Shuajbin. Për të gjithë këta Allahu na tregon në librin e Tij Famëlartë, se ata u thonin popujve të tyre: “Në të vërtetë, unë jam një i Dërguar i besuar për ju.” (Sure Shuara, 107.)

Ndërsa i Dërguari ynë (SalAllahu alejhi ue selem) ishte bërë i njohur ndërmjet popullit të tij që para se t’i vinte shpallja me emërtimin “i besuari”. Këtë emërtim ai e mbajti edhe pas shpalljes, sepse njerëzit linin tek ai gjërat e tyre më të shtrenjta që t’ua ruante. Amaneti, o robër të Allahut, është prej besimit të plotë dhe Islamit të mirë. Me të ngrihet qielli dhe toka, me amanetin ruhen nderet, shpirtrat dhe pasuritë. I Dërguari i Allahut (SalAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Musliman është ai prej të cilit muslimanët janë të qetë nga gjuha dhe dora e tij. Ndërsa besimtar është ai prej të cilit njerëzit janë të qetë për gjakrat dhe pasuritë e tyre.” (E përcjell Buhariu.)

Prandaj ki kujdes, o musliman, se mos shkujdesesh ndaj përgjegjësisë që ke dhe amanetit përballë të cilit je vënë. Fillimisht shih në veten tënde: a je i denjë që ta përballosh diçka të tillë apo jo? Ebu Dherri thotë: “I thashë të Dërguarit të Allahut: O i Dërguari i Allahut, përse nuk më punëson? Ai më goditi në supin tim dhe më tha: O Ebu Dherr, ti je i dobët dhe ajo është amanet, ndërsa Ditën e Gjykimit do të jetë fatkeqësi dhe pendim, përpos atyre që e marrin me të drejtë dhe e praktikojnë sipas formës së duhur.” (E përcjell Muslimi.)

I Dërguari i Allahut (SalAllahu alejhi ue selem) i veçonte disa prej shokëve të tij, që njiheshin ndërmjet të tjerëve, si njerëz që mbanin amanetin dhe u jepte punë të ndryshme. Hudhejfe bin Jemani përcjell se i Dërguari i Allahut u tha banorëve të Nexhranit: “Do të dërgoj tek ju një njeri të besueshëm. Shokët e Profetit (SalAllahu alejhi ue selem) pritën se kush do ishte ai dhe panë se ai ishte Ebu Ubejde.” (E përcjell Buhariu dhe Muslimi.)

Dije vëllai im i nderuar, se ai që të beson dhe të zgjedh në mesin e njerëzve dhe kërkon t’i japësh mendim, tashmë të është besuar ai send, prandaj jepe këshillën tënde dhe thuaji çfarë di, pa shtuar dhe pa pakësuar asgjë. I Dërguari i Allahut (SalAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Ai që të pyet kërkon besnikëri.” (E përcjell Ebu Daudi dhe e saktësoi Albani.) Për rëndësinë e madhe që ka amaneti i Dërguari i Allahut kur përcillte ndonjë prej shokëve të tij i thoshte: “Nën mbrojtjen e Allahut qofshin feja jote, besa jote dhe përfundimi i punëve të tua.” (E përcjell Ibn Maxhe dhe e saktësoi Albani.) Në këtë mënyrë ai bashkonte mes fesë dhe përfundimit të veprave të mira me amanetin. Pas kësaj, o robër të Allahut mendohuni pak mbi këtë hadith madhështor, i cili trondit shpirtrat dhe lum për atë që praktikon të drejtat që ai kërkon, dhe mjerë për atë që shkujdeset ndaj porosisë së të Dërguarit të Allahut, që na thotë: “Të gjithë ju jeni barinj dhe secili do të përgjigjet për tufën e tij. Imami (udhëheqësi dhe sunduesi) janë barinj të popullit të vet dhe do të jenë përgjegjës për tufën e tyre. Burri është bari në familjen e tij dhe do të përgjigjet për tufën e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe ajo do të jetë përgjegjëse për tufën e saj. Shërbëtori është bari dhe rojtar i pasurisë së zotërisë së vet dhe do të jetë përgjegjës për tufën e tij. Pra, të gjithë ju jeni barinj dhe secili do të përgjigjet për tufën e tij.” (E përcjell Buhariu dhe Muslimi.)