Shenja e parë e afrimit të orës së fundit të dynjasë.

Shenja e parë

Dërgimi i profetit të fundit Muhamedit -alejhi selam-.

 

Allahu i madhëruar ka caktuar në caktimin e Tij të hershëm, se në këtë botë njerëzore do të dërgojë profetë për ti orientuar dhe udhëhequr njerëzit në rrugën e drejtë, siç edhe ka caktuar se bota e tyre një ditë do të marrë fund, gjë për të cilat ka njoftuar në të gjithë librat e Tij dhe e kanë përcjellë të gjithë profetët e Tij. Kështu që, sa do që të zgjasë kjo botë do vijë një ditë dhe që do të jetë dita e fundit dhe sa do që të shkelin në të këmbë profetësh, do vijë një profet që do jetë profeti i fundit dhe për pasojë të të dyjave do ketë një lidhje mes ditës së fundit të dynjasë dhe profetit të fundit të saj, lidhje e cila do të realizohej me profetin tonë Muhamedin -alejhi selam-.

 

Përfundimi i profetësisë me Muhamedin -alejhi selam-.

Allahu i madhëruar e ka përmendur qartë në Kuran përfundimin e profetësisë me Muhamedin -alejhi selam- dhe ka thënë:

مَا كَانَ مُحَمَّدٌ أَبَا أَحَدٍ مِنْ رِجَالِكُمْ وَلَكِنْ رَسُولَ اللَّهِ وَخَاتَمَ النَّبِيِّينَ وَكَانَ اللَّهُ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمًا

Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve. Allahu është i Gjithë-dijshëm për çdo gjë[1].

Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në komentimin e ajetit thotë: “Ky ajet është i qartë se nuk ka lajmëtar (nebij) tjetër pas tij. Dhe nëse nuk do të ketë lajmëtar pas tij, aq më tepër nuk do të ketë të dërguar (resul), sepse pozita e të dërguarit është më e veçantë se pozita e lajmëtarit, sepse çdo i dërguar është lajmëtar dhe jo e kundërta[2].

Imam Es-Seffarinij dijetari i njohur i besimit islam (akides) në lidhje me arsyet e përfundimit të profetësisë me Muhamedin -alejhi selam-, thotë: “Kjo sepse (Muhamedi -alejhi selam-) u dërgua me më të mirin libër, me të plotin sheriat dhe më të përsosurën fe për të plotësuar me të çdo fe tjetër[3].

Ky dijetar nëpërmjet këtij citati do të thotë: mos mendo, o njeri, se përfundimi i profetësisë ishte vendim i rastësishëm, apo thjesht pretendim, por vendim i hershëm i caktuar me dijen dhe urtësinë e Allahut e cila me arsyet e saj e bëri të panevojshme dërgimin e një profeti tjetër pas tij siç ka ardhur në hadith:

Unë jam robi i Allahut dhe i shkruar në librin bazë të shënimeve: Profeti i Fundit, që kur Ademi ishte i shtrirë përtokë në baltën e tij[4].

Duke parë në Kuran dhe në Hadith gjejmë se arsyet e lartpërmendura janë të vërtetuara me citate Kurani dhe Hadithi dhe ja më gjerësisht përshkrimi i tyre!

 

E para: Muhamedi -alejhi selam- u dërgua në kohën më të mirë të historisë njerëzore.

Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë:

Jam dërguar në brezin më të mirë të bijve të Ademit. Kanë kaluar brezat njëri pas tjetrit, derisa u dërgova në brezin që po jetoj[5].

Ed-Dihleuij (dijetar i njohur indian -Allahu e mëshiroftë-), thotë: “Mirësia dhe përzgjedhja (e përmendur në hadith) janë për moralet e larta dhe virtytet fisnike[6].

Ndërsa vet Muhamedi -alejhi selam- ishte më i miri i këtij brezi siç ka ardhur në hadith:

Allahu i krijoi krijesat dhe më vendosi në llojin më të mirë. Pastaj i ndau ata në dy grupe dhe më vendosi në grupin e mirë. Pastaj i ndau ata në fise dhe më vendosi në fisin më të mirë. Pastaj i ndau ata në shtëpi dhe më vendosi në shtëpinë më të mirë dhe trungun më të mirë. Kështu, unë i përkas shtëpisë më të mirë dhe jam më i miri prej jush në shpirt[7].

Ndarjet për të cilat bëhet fjalë në hadith siç thotë dijetari El-Mul-la Ali El-Karij -Allahu e mëshiroftë- janë: Ndarja e parë është ndarja e krijesave në njerëz dhe xhind dhe profeti -alejhi selam- ishte nga lloji i njerëzve. Ndarja e dytë është ndarja e njerëzve në arabë dhe jo arabë dhe ai ishte prej arabëve. Ndarja e tretë është ndarja e arabëve në fise dhe ai ishte nga fisi i Kurejshëve. Ndarja e katërt është ndarja e Kurejshëve në barqe dhe ai ishte nga barku i Beni Hashim.[8]

Pra, koha e dërgimit të profetit Muhamed ishte koha më e mirë e njerëzimit për nga lloji i njerëzve gjë e cila do të ndikonte edhe në cilësinë e këtij ymeti edhe përhapjen e tij.

 

E dyta: Përshtatshmëria dhe përsosmëria e fesë së Muhamedit -alejhi selam-.

Allahu i madhëruar e përshtati fenë e këtij profeti me natyrën njerëzore edhe për nga ana e besimit edhe për nga rregullat e saj. Ebu Umame El-Bahilij -radiallahu anhu- tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë:

Jam dërguar me fenë e drejtë dhe të lehtë[9].

Fjala e tij [me fenë e drejtë]: Dmth: me fenë e teuhidit (adhurimi i Allahut zotit të vetëm të krijesave), feja e Ibrahimit e cila, as nuk përzihet me shirk dhe as pajtohet me idhujtarinë. Kjo është natyra njerëzore dhe vetëm më këtë besim përshtaten krijesat e Allahut.

Fjala e tij [me fenë e lehtë] dmth: jo me fenë e vështirë siç e kishin ymetet e mëparshme hebrenjtë dhe të krishterët, sepse hebrenjtë patën rregulla të vështira për shkak të mosbindjes së tyre ndaj porosive të Allahut, kurse të krishterët ishin vetë shkaku i vështirësive duke i ngarkuar vetet e tyre me detyra mbi atë që kishte kërkuar Allahu dhe mbi atë që është në natyrën njerëzore si braktisja e të mirave të kësaj bote për tu marrë me adhurim.

Ndërsa në lidhje me përsosmërinë Allahu i madhëruar në Kuran thotë:

الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الْإِسْلَامَ دِينًا

Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova mirësinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj[10]

Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me ajetin thotë: “Vëzhgoje me kujdes se si e përshkruan fenë të cilën e zgjodhi për ta me përsosmëri dhe mirësinë me të cilën e i mbuloi me të me plotësim, gjë që tregon se nuk ka në këtë fe: mangësi, të meta, gabime dhe as ndonjë gjë që qëndron jashtë urtësisë, por është e plotë në bukurinë dhe madhështinë e saj[11].

Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë ajet shton: “Kjo është më e madhja mirësi e Allahut të madhëruar për këtë ymet. Ia plotësoi atij fenë dhe nuk kanë nevojë për fe tjetër dhe as profet tjetër veç profetit të tyre -paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të-, prandaj dhe Allahu e bëri atë fundin e profetëve dhe e dërgoi atë te njerëzit dhe xhinët[12].

 

E treta: Muhamedi -alejhi selam- pati ndjekësit më të mirë.

Allahu i madhëruar në Kuran thotë:

كُنْتُمْ خَيْرَ أُمَّةٍ أُخْرِجَتْ لِلنَّاسِ تَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَتَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنْكَرِ وَتُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ

Ju jeni ymeti më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) urdhëroni për të mira, ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun[13].

Profeti -alejhi selam- në lidhje me këtë ajet thotë:

” إِنَّكُمْ تَتِمُّونَ سَبْعِينَ أُمَّةً , أَنْتُمْ خَيْرُهَا وَأَكْرَمُهَا عَلَى اللهِ تَبَارَكَ وَتَعَالَى

Ju plotësoni numrin shtatëdhjetë të ymetëve. Ju jeni më të mirët prej tyre dhe më të shtrenjtë për Allahun e madhëruar[14].

Ndërsa Ebu Hurejra -radiallahu anhu- në komentimin e ajetit thotë: “Jeni ymeti më i mirë i njerëzve për njerëzit[15].

Shejhul-Islam Ibn Tejmije thotë: “Allahu i madhëruar qartëson se ky ymet është ymeti më i mirë për njerëzit dhe kështu ata janë më të dobishmit për ta dhe më të mëdhenjtë bamirës ndaj tyre, sepse ata e plotësuan çështjen e tyre me urdhërimin për në të mira dhe ndalimin nga e keqja si nga cilësia ashtu dhe nga sasia duke urdhëruar për çdo të mirë dhe ndaluar nga çdo e keqe çdo njeri…, ndërsa ymetet tjera nuk kanë urdhëruar çdo kënd për çdo të mirë dhe as ndaluan çdo kënd nga çdo e keqe….[16].

Më të mirët ndjekës të këtij profeti ishin ata të fillimit të tij siç thotë profeti -alejhi selam-:

 

Më të mirët e njerëzve janë ata të brezit tim, pastaj ata që vijnë pas tyre pastaj ata që vijnë pas tyre[17].

Shejhul-Islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- përsëri sqaron: “Kushdo që vëren me kujdes historinë e tyre me dije dhe mendjemprehtësi dhe se çfarë mirësish u dhuroi Allahu i madhëruar, e di me plot siguri se ata ishin më të mirët e krijesave pas profetëve. Nuk ka pasur dhe as do të ketë si ata dhe se ata janë ajka e brezave të këtij ymeti i cili është më i miri i ymeteve dhe më i shtrenjti për Allahun[18].

Pra ymeti i Muhamedit -alejhi selam- është ymeti më i mirë i dalë nga mesi i njerëzve dhe më të mirët prej tyre për njerëzit.

 

Katër: Njësimi i fesë së njerëzve me fenë e Muhamedit -alejhi selam-.

Pasi që Allahu i madhëruar dërgoi profetin më të mirë, i dha fenë më të mirë dhe ymeti i tij ymeti më i mirë, atëherë nuk mbeti tjetër veçse njësimi i fesë së njerëzve për ta bërë profetin Muhamed profet të mbarë njerëzimit.

Abdullah bin Amr bin El-As -radiallahu anhu- tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë:

Jam dalluar mbi profetët e tjerë me gjashtë veçori:

1- Të shprehurit me fjalë pak dhe kuptim të plotë.

2- Jam ndihmuar kundër armiqve me tmerrin që u hedh Allahut në zemrat e armiqve të mi dhe ata më frikësohen një muaj larg.

3- Më janë lejuar plaçkat e luftës dhe nuk i janë lejuar askujt para meje.

4- Më është bërë toka xhami dhe pastërti. Kudo që më zë namazi marr tejemum dhe falem. Ndërsa ata që ishin para meje e shihnin gabim të madh dhe nuk faleshin veçse në faltoret e tyre.

5- Profetët dërgoheshin te popujt e tyre në veçanti dhe unë jam dërguar te të gjithë njerëzit.

6- Me mua është mbyllur profetësia.[19].

Kështu, dërgimi i profetit Muhamed -alejhi selam- për të gjithë njerëzit çoi në mbylljen e profetësisë, gjë e cila siç thamë më lart e lidhi atë lidhje të drejtpërdrejtë me orën e fundit të dynjasë.

 

Profeti Muhamed -alejhi selam- dhe ora e fundit e dynjasë.

Lidhja e profetit Muhamed -alejhi selam- me orën e fundit të dynjasë është përmendur edhe në Kuran edhe në Hadith.

Përsa i përket Kuranit, mendohet se kjo çështje të jetë përfshirë te fjala e Allahut:

فَهَلْ يَنْظُرُونَ إِلَّا السَّاعَةَ أَنْ تَأْتِيَهُمْ بَغْتَةً فَقَدْ جَاءَ أَشْرَاطُهَا فَأَنَّى لَهُمْ إِذَا جَاءَتْهُمْ ذِكْرَاهُمْ

A mos vallë mohuesit presin, vetëm orën e fundit të dynjasë?! Atëherë shenjat e saj kanë ardhur

El-Hasen El-Basriu -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me fjalën e Allahut [Atëherë shenjat e saj kanë ardhur], thotë: “Muhamedi -alejhi selam- është prej shenjave të saj[20].

Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- pas këtij citatit, thotë: “Është siç ka thënë ai…. Dërgimi i të dërguarit të Allahut -alejhi selam- është prej shenjave të orës së fundit, sepse ai është profeti i fundit me të cilin Allahu e plotësoi fenë dhe ua qartësoi të vërtetën të gjithë njerëzve[21]

Imam El-Kurtubiu -Allahu e mëshiroftë- gjithashtu në lidhje me këtë çështje, thotë: “Shenjat e orës së fundit janë përmendur në Kuran, kur ka thënë [Atëherë shenjat e saj kanë ardhur] dhe e para e tyre është profeti -alejhi selam-, sepse ai është profeti i kohës së fundit. Ai u dërgua dhe nuk ka mes tij dhe kiametit profet tjetër[22].

Ndërsa në hadithet profetike kjo çështje është akoma më e qartë dhe prej haditheve më të njohura në lidhje me të është hadithi i dy gishtave siç tregon Xhabir bin Abdilah -radiallahu anhu-:

Profeti -alejhi selam- kur mbante hytbe i skuqeshin sytë, e ngrinte zërin, fliste ashpër sikur të ishte paralajmërues i ardhjes së një ushtrie armike dhe thoshte: Jam dërguar unë dhe ora e fundit e dynjasë si këta dy gishta, duke bashkuar gishtin tregues me gishtin e mesit[23].

Fjala e tij [si këta dy gishta] siç thotë El-Kadij Ijad (komentuesi i njohur i haditheve i vdekur ne vitin 544H -Allahu e mëshiroftë-) në shpjegimin e këtij hadithi: “Është shembull i marrë, ose për afërsinë mes të dyjave që do të thotë se: siç nuk ka mes dy gishtave gisht tjetër dhe secili prej tyre lidhet me tjetrin, ashtu edhe mes Muhamedit -alejhi selam- dhe orës së fundit nuk ka profet tjetër, ose për treguar për kohën mes tyre e cila është aq sa zgjatet gishti i mesëm mbi gishtin tregues[24].

Të dy komentimet janë të sakta, sepse profeti -alejhi selam- është edhe profeti i fundit edhe koha mes tij dhe orës së fundit është më e shkurtër në krahasim më atë që ka kaluar prej dynjasë siç ka ardhur në disa hadithe.

Ibn Omerit dhe Ebu Said El-Hudrij -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam- ka thënë:

O njerëz! Nuk ka mbetur nga dynjaja e juaj në lidhje me atë që ka shkuar veçse aq sa ka mbetur prej ditës tuaj (ndërkohë që dielli ishte afruar perëndimit)[25].

Apo hadithi i Ebu Xhebira -radiallahu anhu- i cili tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë:

Jam dërguar në fillim të erës (nesim) së orës së fundit[26].

Fjala [nesim] në gjuhen arabe është për erën e lehtë e cila i paraprinë erës së fortë dhe kështu edhe profeti Muhamed -alejhi selam- fillimi i orës së fundit të dynjasë.

Madje në një hadith tjetër profeti -alejhi selam- tregon se ai me orën e fundit konkurrojnë siç tregon Enes bin Malik -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam- ka thënë:

“Nuk jam i dynjasë dhe as dynjaja është prej meje. Unë jam dërguar dhe me orën e fundit konkurrojmë”[27].

Konkurrenca mes profetit -alejhi selam- dhe orës së fundit të dynjasë është theksuar dhe sqaruar më shumë në hadithin e Sehl bin Sead -radiallahu anhu- i cili tregon tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë:

Shembulli im dhe shembulli i orës së fundit janë si këta dy gishta -dhe ndau mes gishtave, gishtit të mesëm dhe gishtit tregues-. Pastaj tha: shembulli im dhe shembulli i orës së fundit është si shembulli i dy kuajve në garë. Pastaj tha: shembulli im dhe shembulli i orës së fundit është si shembulli i një burri të cilin populli i tij e ka nisur për të parë rrugën dhe kur e pa se po ia kalojnë, bën me shenjë me rrobën e tij duke thirrur: Erdhën, erdhën! Unë jam ai (burrë), unë jam ai[28].

Këto dy hadithe në përshkrimet e tyre përmbajnë:

1- Konkurrenca është në lidhje me kohën e ndodhjes së tyre që do të thotë mes dërgesës së Muhamedit -alejhi selam- dhe ardhjes së orës së fundit të dynjasë.

2- Konkurrenca mes tyre është aq e fortë sa profeti -alejhi selam- herë e përshkruan si konkurrencë me dy kuajve të shpejt, e herë e përshkruan si konkurrencë mes dy burrave ku, njëri i frikësuar për popullin e tij e tjetri armiku i tij që do ta kapë atë gafil.

3- Përfundimi i kësaj konkurrence është se profeti -alejhi selam- fitoi dhe kështu ora e fundit do të jetë menjëherë pas tij.

Kjo afërsi e madhe mes profetit -alejhi selam- dhe orës së fundit të dynjasë i ka dhënë atij disa emra që kanë lidhje me këtë çështje, prej tyre: Grumbulluesi (El-Hashir), I fundit (El-Akib), Vula (El-Khatem) dhe Ndjekësi i gjurmëve (El-Mukaffij).

Xhubeir bin Mut’im -radiallahu anhu- tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë:

Unë kam disa emra: Unë jam Muhamedi dhe Ahmedi. Unë jam Fshirësi me të cilin Allahu fshinë kufrin (mohimin). Unë jam Grumbulluesi (El-Hashir) pas gjurmëve të cilit grumbullohen njerëzit. Unë jam i Fundit (El-Akib). Dhe unë jam Vula (El-Khatem) i cili nuk ka pas tij profet tjetër[29].

Ebu Musa El-Esh’arij -radiallahu anhu- tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Profeti -alejhi selam- na përmende emrat e tij dhe na thoshte: Unë jam: Muhamedi, Ahmedi, Ndjekësi i gjurmëve (El-Mukaffij), Grumbulluesi (El-Hashir), profeti i pendimit, profeti i mëshirës, dhe profeti i sprovave[30].

Emrat El-Hashir dhe emri El-Khatem janë shpjeguar nga vet profeti -alejhi selam, siç duket qartë nga hadithi i parë.

Emri El-Akib dmth: i fundit sepse erdhi pas të gjithë profetëve -alejhim selam- dhe dallimi mes këtij emri dhe emrit El-Khatem është se El-Akib tregon më shumë për renditjen ndërsa El-Khatem për mbylljen.

Ndërsa emri El-Mukafij dmth: ndjekësi i gjurmëve të profetëve, sepse erdhi në fund të karvanit të tyre dhe ndoqi në mësimet e tij mësimet e atyre që ishin para tij.

Të gjithë këta emra në domethënien e tyre përmbajnë lidhjen e tij me orën e fundit të dynjasë dhe ja çfarë thotë imam Ibn Raxhebi -Allahu e mëshiroftë- për emrin El-Hashir dhe emrin El-Akib! Ai thotë: “Emri El-Hashir dmth: ai i cili pas tij njerëzit pas largimit të tij grumbullohen për ringjalljen e tyre që do të thotë se ringjallja e tyre dhe grumbullimi i tyre do të jetë pas dërgesës së tij. Pra ai është i dërguari me mesazhin hyjnor dhe menjëherë pas tij do të mblidhen njerëzit drejt grumbullimit të tyre.

Ndërsa emri El-Akib do të thotë se ai erdhi në fund të të gjithë profetëve dhe nuk ka pas tij profet dhe kështu dërgimi i tij është prej shenjave të kiametit[31].

[1] Suretu El-A’hzab: 40.

[2] Shih tefsir Ibn Kethir: 6/428.

[3] Shih librin e autorit me titull “Leuami El-Enuar El-Behije”: 2/269.

[4] E transmeton imam Ahmedi dhe e saktëson shejh Albani.

[5] E transmeton imam Ahmedi dhe Buhariu.

[6] Shih librin e autorit me titull “Lumeat Et-Tenkijh”: 9/218.

[7] E transmeton Tirmidhiu, Ahmedi dhe e saktëson shejh Albani.

[8] Shih librin e autorit me titull “Merkat El-Mefatijh”: 9/3683.

[9] E transmeton Ahmedi dhe e saktëson shejh Albani.

[10] Suretu El-Maide: 3.

[11] Shih librin e autorit me titull “Miftah Dar Es-Seadeh”: 1/302.

[12] Shih Tefsir Ibn Kethir: 3/26.

[13] Suretu Ali Imran: 110.

[14] E transmeton Tirmidhiu, Ahmedi dhe e saktëson sheikh Albani.

[15] E transmeton Buhariu.

[16] Shih librin Mexhmu El-Fetaua: 28/123.

[17] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[18] Shiko librin e autorit me titull “El-Akide El-Uasitije”: 122.

[19] E transmeton imam Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.

[20] Shih tefsir Ibn Ebij Hatim: 10/3298.

[21] Shih tefsir Ibn Kethir: 7/315.

[22] Shih librin e autorit me titull “Et-Tedhkira” : 1219.

[23] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[24] Shih librin e autorit me titull Ikmal El-Mu’lim: 3/268.

[25] E transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu dhe e saktëson shejh Shuajb El-Arnaut.

[26] E transmeton Hakimi dhe saktëson shejh Albani.

[27] E transmeton Dija El-Makdisij dhe e saktëson shejh Albani.

[28] E transmeton imam Ahmedi dhe e saktëson shejh Albani.

[29] E transmeton Buhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu.

[30] E transmeton Muslimi dhe Ahmedi

[31] Shih librin e autorit “Feth El-Barij”: 4/336.

 

Dr. Abdullah Nabolli