Teuhidi Uluhije – Të njësuarit e Allahut në adhurim.


Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit Mëshirëplotit.

Me të vërtetë falënderimet i takojnë Allahut, vetëm Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. I lutemi Allahut të na ruajë prej të keqes së punëve dhe vetveteve tona. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush ta humbasë dhe atë që e humbet nuk ka kush ta udhëzojë përveç Tij. Dëshmoj e deklaroj se nuk meriton të adhurohet veçse Allahu dhe dëshmoj e deklaroj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

O vëllezër, robër të Allahut!

Të xhumanë e kaluar folëm për teuhidin rrububije dhe për shfaqjet e shirkut në të derisa na u qartësua se shumë prej njerëzve bien në këto lloje shirku, veç atyre që ka mbrojtur Allahu, siç na lajmëron për këtë Allahu në Kuran ku thotë: “Dhe shumica e tyre nuk besojnë në Allahun veçse duke i bërë atij ortak (në adhurim)” [Jusuf : 106]

Ndërsa sot – me lejen e Allahut – do të jemi me llojin e dytë prej llojeve të teuhidit, i cili është Teuhidi Uluhije.

Kuptimi i tij është se: – Është detyrë për çdo besimtar të besojë me bindje të plotë se vetëm Allahu i Madhëruar meriton të adhurohet dhe askush tjetër përveç Tij, prandaj nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, sepse Allahu i Madhëruar është i Vërteti, ndërsa çdo kush tjetër që adhurohet përveç Tij është i kotë, prandaj ai që adhuron të tjerë përveç Allahut nuk ka logjikë!

Mund të na brejë në vetvete një pyetje; Përse meriton të adhurohet vetëm Allahu?!

Përgjigjja: Sepse Allahu i Madhëruar është Ai që ka krijuar gjithçka, është Ai që furnizon gjithçka, Ai jep jetë dhe vdekje, është Mbreti dhe Rregulluesi i çdo gjëje, Ai meriton që ti frikësohesh dhe ta adhurosh, siç ka thënë i Madhëruari për Veten e Tij: “Po ata nuk mund të marrin mësim prej tij (Kuranit), vetëm nëse Allahu do, Ai është i denjë për t’iu ruajtur dhe i denjë për falje mëkatesh!” [Mudethir : 56]

Allahu i Madhëruar në Kuran i përkujton njerëzit për këtë gjë dhe i fton ata që ti pranojnë këto gjëra, e nëse ata i pranojnë atëherë i fton që ta adhurojnë Atë, ashtu siç ka thënë në Kuran: “Thuaj: “E kujt është toka dhe çdo gjë që ka në të, nëse jeni që e dini?” Ata do të thonë : “E Allahut” Atëherë thuaju: “Përse nuk mendoni?” Thuaj: “Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zot i Arshit të madh?” Ata do të thonë: “Allahu” Thuaju: “E pse nuk frikësoheni pra?” Thuaj: “Në Dorën e kujt është i tërë pushteti i çdo sendi, dhe Ai është që mbron (kë të dëshirojë), e që prej Tij nuk mund të ketë të mbrojtur; nëse jeni që e dini?” Ata do të thonë: “Në Dorë të Allahut” Thuaj: “E si mashtroheni pra?” [Mu’minunë: 84-89]

Njerëzit kurdoherë në histori e kanë pranuar se toka është e Allahut dhe se Ai është që e ka krijuar atë, prandaj bën kë të dëshirojë trashëgimtar të saj. Pas kësaj Ai i thërret ata që ta adhurojnë, ashtu siç ka thënë në Kuran: “Ai (Allahu) është që krijoi qiejt dhe tokën, (e duke qenë i tillë) si do të ketë Ai fëmijë kur nuk pati bashkëshorte? Çdo gjë e krijoi Ai, dhe është më i Dijshmi për çka ka krijuar. Ky është Allahu Zoti juaj, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij, Krijues i çdo gjëje, pra adhurojeni Atë. Ai është mbikëqyrës ndaj çdo sendi” [EnAmë : 101-102]

Ata që adhurojnë lopët! Ata që adhurojnë diellin dhe hënën, dynjanë dhe postet! Pse nuk adhurojnë Atë që i krijoi? Por, nuk verbërohen sytë, por verbërohen zemrat që gjenden në kraharorë!

Allahu i Madhëruar thotë: “O ju njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i Cili ju krijoi juve dhe ata që ishin para jush në mënyrë që të bëheni të devotshëm. Ai, i Cili për ju e bëri tokën shtrat (vendbanim) e qiellin kulm, e prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju, pra mos i përshkruani Allahut shokë, duke qenë që ju e dini (që Ai nuk ka shokë)” [Bekare : 21-22]

Vëllezër muslimanë!

Adhurimi –siç e ka përkufizuar atë shejhu Islam Ibnu Tejmije (Allahu e mëshiroftë)– është: “Emër përfshirës i çdo gjëje që do Allahu dhe kënaqet me të prej fjalëve dhe veprave, qofshin ato të dukshme apo të fshehta. Të dukshmet janë: Namazi, agjërimi, zekati, haxhi … etj, ndërsa të fshehta si: Frika, shpresa, pendimi, mbështetja, dashuria … etj”

Të gjitha këto bëhen vetëm për Allahun, prandaj ato nuk pranohen tek Ai dhe as do të gjejë vepruesi i tyre sevape tek Allahu ditën e Gjykimit, vetëm nëse plotësojnë katër kushte. Prandaj ki kujdes o rob i Allahut dhe llogariti punët e tua, a i bën veprat e tua për Allahun apo ti falesh për Allahun ndërsa kurbanin e bën për të tjerë përveç Tij?!

Kushti i parë: Besimi i sinqertë: Allahu i Madhëruar thotë: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull apo femër, e duke qenë besimtar, Ne do ti japim atij një jetë të mirë (në këtë botë) e (në botën tjetër) do tu japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre” [Nahl: 97]

Dhe thotë: “Ata që besuan dhe vepruan vepra të mira do të kenë si vendqëndrim Xhenetet e Firdeusit (xhenetet më të larta)” [Kehf : 107] Pra, besim dhe vepra të mira.

Dhe thotë: “Betohem në kohën. (se) Njeriu është në humbje. Përveç atyre që besuan, punuan punë të mira, këshilluan njëri-tjetrin për të vërtetën dhe këshilluan njëri-tjetrin për durim” [Asr : 1-3]

Dhe Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} i thotë dikujt prej shokëve të tij: “Thuaj – Besoj në Allahun, pastaj përqendrohu në këtë” [Muslimi]

Punët e mira me besim të sinqertë pranohen tek Allahu, ndërsa punët e mira me besimin e shtrembër nuk pranohen prej Tij. Pra, akidja së pari, besimi së pari pastaj përqendrimi në të. Punët rrjedhin pas akides dhe besimit, ashtu edhe morali dhe edukata renditen pas akides dhe besimit, sepse sikur edukata të ishte më përparësore, atëherë, Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} do ti thoshte këtij personi: – Bëhu i rregullt pastaj thuaj besoj në Allahun” por Ai i tha: “Thuaj – Besoj në Allahun, pastaj përqendrohu në këtë” Pra akidja duhet së pari para çdo gjëje tjetër, para namazit, para zekatit, para urdhërimit për të mira dhe ndalimit nga e keqja.

Kushti i dytë: Sinqeriteti dhe pastërtia për Allahun: Sinqeriteti të cilin në këtë kohë po e nuhasim nga larg! Sinqeriteti në punë është që ta bësh atë për hir të Allahut! Nëse falesh të falesh për Allahun, jo për sy e faqe e as për tu dëgjuar. Kur të urdhërosh për të mira dhe të ndalosh nga e keqja ta bësh këtë për hir të Allahut. Pra kështu, të gjitha punët, duhet të jenë vetëm për Allahun e Madhëruar. Ai thotë në Kuran: “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, veç ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zekatin, se ajo është feja e drejtë” [Bejine : 5]  Dhe thotë: “Adhuroje Allahun me sinqeritet, e feja jote të jetë për Të” [Zumer : 2]

Dhe thotë Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të}: “Kush thotë La ilahe il-lAllah – (nuk meriton të adhurohet veçse Allahu)- me sinqeritet do të hyjë në xhenet” [Sahihul Xhami’ : 6309]  Dhe thotë: “Veprat vlerësohen sipas qëllimit dhe çdo kush do të marrë atë që kishte për qëllim, prandaj, kush bën hixhret (emigrim) për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, atëherë hixhreti i tij konsiderohet për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, ndërsa kush bën hixhret për përfitim dynjaje që do të arrijë, apo për ndonjë femër me të cilën do të martohet, atëherë hixhreti i tij është për ato gjëra” [Buhari: 1, Muslimi: 1907]

Kushti i tretë: Përputhja e punës me Sunetin: Mos shpik në fe, dhe kujdes nga kundërshtimi i Sunetin, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Çfarë t’iu japë i Dërguari merreni atë, e nga çfarë ju ndalon, largojuni asaj. Kijeni frikë Allahun sepse Allahu posedon dënim të tmerrshëm” [Hashër: 7]  Dhe ka thënë Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të}: “Kush punon një punë që nuk është sipas çështjes sonë, atëherë ajo është e refuzuar” [Muslimi : 1718]

Kushti i katërt: Largimi nga shirku: Sepse shirku shkatërron veprat. Njeriu vjen Ditën e Gjykimit me punë sa malet, por ka bërë shirk, e për këtë shkak punët e tij refuzohen. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne paraqitëm veprat që ata punuan dhe i bëmë ato hi e pluhur” [Furkan : 23] Dhe thotë: “Edhe sikur ata (Profetët) të bënin shirk, atëherë do tu shkatërroheshin veprat e tyre” [EnAmë : 88]  Dhe thotë: “Nëse i bën shok (Allahut), veprat e tua do të asgjësohen dhe ti do të jesh prej të humburve” [Zumer: 65] Dhe thotë Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të}: Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Kush punon një punë në të cilën më ka shoqëruar Mua të tjerë, atëherë ai le të jetë për atë që më ka shoqëruar sepse Unë jam larg tij” [Muslimi]

Allahu i Madhëruar i ka cilësuar robërit e Tij të devotshëm si njerëz që nuk bëjnë shirk, “Ata të cilët ndaj Zotit të tyre nuk bëjnë shirk (nuk i shoqërojnë Atij asgjë në adhurim)” [Mu’minunë : 59]

Por më e habitshmja është kur dëgjon se si në mesin tonë ka persona që falen me ne dhe që dëgjojnë predikimet që mbahen, pastaj dëgjon për ta se si vazhdojnë të mbajnë varur në trupat apo nëpër shtëpitë e tyre hajmali, zhivë, nuska, hudhra…etj..etj, duke menduar se këto gjëra i afrojnë tek Allahu, apo duke menduar se ato nuk e dëmtojnë besimin e tyre! Kthehuni tek Allahu o njerëz, pendohuni tek Ai sa nuk është vonë për ju, sepse Allahu i Madhëruar i thotë Muhamedit {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} duke e urdhëruar atë dhe umetin e tij “Thuaj: -Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e botëve, i Cili nuk ka ortak, e unë për këtë jam urdhëruar dhe jam i pari i atyre që dorëzohen (muslimanëve)” [EnAmë : 162-163]

Vëllezër muslimanë!

Teuhidi Uluhije është prej llojeve më të rëndësishme të teuhidit. Për shkak të tij Allahu ka krijuar qiejt dhe tokën. Ai ka thënë: “Vërtetë Zoti juaj është Allahu, i cili krijoi qiejt dhe tokën brenda gjashtë ditëve, e pastaj qëndroi mbi Arsh; Ai rregullon gjendjen. Ndërmjetësues nuk do të ketë vetëm nëse Ai lejon. Ky pra është Allahu Zoti juaj, prandaj adhurojeni Atë. A nuk po merrni mësim?” [Junus: 3]

Për këtë teuhid të ka krijuar Allahu edhe ty. Thotë Allahu në Kuran: “Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse për të më adhuruar” [Dharijatë: 56]  Të gjithë e dimë këtë ajet, jemi krijuar për të adhuruar Allahun. O rob i Allahut nuk je krijuar për të qenë rob i dynjasë! Nuk je krijuar për të qenë rob i parasë e të tjerave si ato. Ti je krijuar për të qenë rob i Zotit.

Për këtë teuhidi Allahu ka dërguar të Dërguarit tek njerëzit. Ata erdhën dhe u sqaruan njerëzve se si të adhurojnë Zotin e tyre.

Allahu i Madhëruar thotë: “Ne dërguam në çdo popull të dërguar që tu thonë “Adhuroni vetëm Allahun e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!” Por, pati nga ata që Allahu e udhëzoi dhe pati nga ata që ishte i gjykuar me humbje, pra udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte fundi i gënjeshtarëve” [Nahl : 36]  Dhe thotë: “Dhe nuk kemi dërguar para teje të dërguar veçse u kemi shpallur atyre se nuk meriton të adhurohet askush përveç Meje prandaj më adhuroni” [Enbija : 25]

Dhe nuk ka pasur Profet që është dërguar tek populli i tij veçse i ka thërritur ata duke u thënë: – O populli im, adhuroni Allahun sepse nuk keni tjetër që meriton të adhurohet veç Tij.

Për këtë teuhidi Allahu ka zbritur Librat, thotë Allahu i Madhëruar: “Elif, Lamë, Ra, (Ky është) Libër, ajetet e të cilit janë radhitur (në mënyrë të përsosur, njëkohësisht) edhe shkoqitur nga i Dijshmi i të gjitha çështjeve në hollësi. Që të mos adhuroni tjetër përveç Allahut. Unë jam dërguar nga Ai si qortues e përgëzues për ju” [Hud : 1-2]

Teuhidi Uluhije që do të thotë: “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut” është e drejta e Allahut tek njerëzit, pra, e drejta që njerëzit duhet të përmbushin kundrejt Allahut. Haku i Allahut tek njerëzit është që ta adhurojnë e të mos i bëjnë Atij shirk në adhurim. Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} i thotë Muadhit {Allahu qoftë i kënaqur me të}: “O Muadh, a e di se cila është e drejta e Allahut tek njerëzit? Tha: – Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë. Tha: – E drejta e Allahut tek njerëzit është që ta adhurojnë Atë e të mos i bëjnë shirk asgjë” [Muslimi : 30]   Sa ka prej nesh që e ka shpërfillur hakun e Allahut në veten e tij, në fëmijët dhe familjen e tij?!!

Teuhidi Uluhije është e drejta e Allahut tek robërit, nëse ia përmbushim Allahut të drejtën e Tij me përpikëri, atëherë do të kemi gjithçka që dëshirojmë dhe do të arrijmë gjithçka që synojmë! Prej këtyre gjërave:

E para: Allahu do ta largojë dënimin prej nesh si në dynja ashtu edhe në ahiret. Thotë Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të}: “O Muadh, a e di se cila është e drejta e robërve tek Allahu nëse e përmbushin të parin? Tha: – Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë. Tha: – Që të mos i dënojë ata!” [Muslimi : 30]

E dyta: Do të na bëjë të fuqishëm në tokë duke na ngritur neve shtetin Islam të përgjithshëm në të. U themi atyre që përpiqen natë e ditë për të ngritur shtetin Islam: – Nuk do të ekzistojë ky shtet veçse pasi të kemi përmbushur hakun e Allahut tek ne, sepse të gjithë jemi të vetëdijshëm se jemi të mangët në të. Thotë Allahu i Madhëruar: “Nëse e ndihmoni Allahun Ai iu ndihmon juve dhe iu forcon këmbët tuaja” [Muhamed: 7]  A e kemi ndihmuar Allahun, dhe kemi falur namazin në kohën e vetë?! A e kemi ndihmuar Allahun dhe i kemi dhënë fund kamatës?! A e kemi ndihmuar Allahun dhe jemi gjykuar tek ligjet e Tij?! Thotë i Madhëruari: “Allahu u ka premtuar atyre që besuan prej jush dhe që punuan vepra të mira, se do ti bëjë ata zotërues të tokës, ashtu siç bëri ata që ishin para tyre, dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t’u dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua dhe nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillët janë njerëzit e prishur” [Nur: 55]  Të gjitha këto, kanë si kusht për tu vërtetuar teuhidin Uluhije!

E treta: Do të na ruaj prej kurtheve të shejtanëve (djajve) njerëz dhe xhin.

Thotë Allahu i Madhëruar: “Se ti ndaj robërve të Mi (të sinqertë) nuk ke aspak forcë (as fizike as mendore), përveç atyre të humburve që vijnë pas teje” [Hixhr: 42]

Shejtani na ka pushtuar të gjithëve, veç atyre që ka ruajtur Allahu, dhe na ka bërë që të harrojmë përkujtimin e Allahut. Tërë ditën garojmë pas dynjasë dhe tërë natën e gdhijmë para televizorit, Allahu e përmirësoftë gjendjen tonë!

Vëllezër muslimanë!

Shumë zgjati dremitja, shumë zgjati gjumi, ndërsa Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk është koha që zemrat e atyre që besuan të zbuten me këshillat e Allahut dhe me atë të vërtetë që zbriti (me Kuran), e të mos bëhen si ata të cilëve u është dhënë Libri më parë, e ata shpresuan për jetë të gjatë prandaj u ngurtësuan zemrat e tyre, e shumë nga ata ishin të prishur” [Hadid: 16]  A nuk ka ardhur koha që të kthehemi tek Allahu?! A nuk ka ardhur koha që gratë tona ti mbulojmë?! A nuk ka ardhur koha që të qëndrojmë mbi Librin e Allahut?!

E katërta: Do të jetojmë në qetësi dhe siguri, sepse qetësia dhe siguria nuk do të ekzistojnë veçse kur të bëhemi robër të Allahut të vetëm. Atëherë do të ndjejmë qetësi dhe siguri për veten, për gruan, për fëmijët dhe për pasurinë. Thotë Allahu i Madhëruar: “Atëherë cili nga dy grupet ka të drejtë të jetë i sigurt , nëse jeni që e dini? Ata që besuan dhe nuk e përzien besimin e tyre me padrejtësi (shirk), ata do të jenë të sigurt dhe ata janë të udhëzuarit (në rrugën e drejtë)” [EnAmë: 81-82]

Shpëtimi në dynja dhe në ahiret arrihet me vërtetimin e këtij lloji të teuhidit. Thotë i Madhëruari: “O ju të cilët keni besuar, përuluni në ruku dhe në sexhde, adhuroni Zotin tuaj dhe bëni të mira në mënyrë që të shpëtoni” [Haxh: 77]

O Allah, ktheji muslimanët në fenë e tyre!

Marrë nga libri me hutbe i shejhut të nderuar

Salih bin Taha Abdul Uahid ( Ebu Islam)

Nxënës i shejh Albanit Allahu e mëshiroftë.

El Akidetu Euelen”   1/90-96

Përktheu:

Mirandi Shehaj