Pyetje-përgjigje për fëmijë – pjesa e dytë

Pyetje 1: Kush është Zoti yt?

Përgjigja 1: Zoti im është Allahu i Madhëruar.

Pyetje 2: Ku është Allahu i Madhëruar?

Përgjigja 2: Allahu i Madhëruar është mbi qiejt e lartë.

Pyetje 3: Cila është e drejta e Zotit kundrejt robërve të Tij?

Përgjigja 3: E drejta e Zotit kundrejt robërve të Tij është që ta adhurojnë Atë, e të mos i shoqërojnë askënd dhe asgjë në adhurim.

Pyetje 4: Plotëso hadithin: I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush thotë: Jam i kënaqur që Zoti im është Allahu ….”

Përgjigja 4: “… Jam i kënaqur që feja ime është Islami dhe jam i kënaqur që Pejgamberi im është Muhamedi (Paqja qoftë mbi të), – këtij njeriu i bëhet obligim Xheneti.”[1]

Pyetje 5: Përse na ka krijuar Allahu i Madhëruar? Cili është argumenti?

Përgjigja 5: Allahu i Madhëruar na ka krijuar që ta adhurojmë Atë pa i shoqëruar askënd dhe asgjë në adhurim.

Allahu i Madhëruar thotë: “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë.” Dharijat: 56.

Pyetje 6: Cili është obligimi ynë më i rëndësishëm?

Përgjigja 6: Teuhidi (monoteizmi) i cili nënkupton njësimin e Allahut të Madhëruar në lidhje me gjithçka që Ai meriton të veçohet.

Pyetje 7: Cilat janë tre llojet e Teuhidit?

Përgjigja 7:

– Teuhidi Rububijeh (Njësimi i Allahut në zotërim).[2]

– Teuhidi Uluhijeh (Njësimi i Allahut në adhurim).[3]

– Teuhidi El Esma ue Sifat (Njësimi i Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij të përsosura).[4]

Pyetje 8: Ç’është dëshmia e Teuhidit dhe cila është domethënia e saj?

Përgjigja 8: Dëshmia e Teuhidit është fjala ‘La ilahe il Allah’. Domethënia e kësaj fjalë është ‘Nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Allahut’.

Pyetje 9: Plotëso hadithin: I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Cilido që dëshmon ‘La ilahe il Allah ue en-ne Muhameden resulullah…’[5]

Përgjigja 9: “… me sinqeritet nga thellësia e zemrës së tij, do të jetë haram për të zjarri (do të shpëtojë nga zjarri i xhehenemit).“[6]

Pyetje 10: Cili është gjynahu më i madh?

Përgjigja 10: Shirku (Idhujtaria).

 

Autor: Salim bin Sead Tauil

Përktheu: Edmond Ajdini

————————————————-

[1] E transmeton Ebu Daudi me nr. 1529, nga sahabiu i nderuar Ebu Said el Hudrij (Allahu qoftë i kënaqur prej tij). Shejh Albani e ka vlerësuar këtë hadith të saktë, ashtu siç gjendet në librin e tij “Es Silsiletu Es Sahiha” me nr. 334.

[2] Me Teuhidin Rububijeh është për qëllim pohimi me bindje të thellë dhe besim të plotë se vetëm Allahu i Madhëruar është Krijuesi, Furnizuesi, Mirëbërësi, Drejtuesi, Sistemuesi i të gjitha çështjeve të cilat kanë të bëjnë me krijesat e Tij.

[3] Me Teuhidin Uluhije është për qëllim veçimi i Allahut të Madhëruar me adhurim, të përkushtuarit e fesë vetëm Atij dhe refuzimi i idhujtarisë me të gjitha llojet dhe shfaqjet e saj.

[4] Me Teuhidin El Esma ue Sifat është për qëllim të besojmë dhe të pohojmë me vendosmëri të plotë emrat e bukur të Allahut të Madhëruar dhe cilësitë e përsosura të Tij, të cilat përmenden në Librin e Tij dhe në thëniet profetike.

[5] Nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguar i Allahut.

[6] E transmeton Buhariu me nr. 128, Muslimi me nr. 32, nga Enes bin Maliku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij).