Nga Xherir ibn Abdullah përcillet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai që nuk i mëshiron njerëzit nuk e mëshiron Allahu.” Muttefekun alejhi.[1]
Teksti i këtij hadithi tregon se kush nuk i mëshiron njerëzit nuk e mëshiron Allahu, dhe ai nënkupton se kush i mëshiron njerëzit do ta mëshirojë Allahu. Siç thotë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në hadithin tjetër: “Të mëshirshmit do t’i mëshirojë i Gjithëmëshirshmi. Mëshironi ata që janë në tokë t’ju mëshirojë Ai që është në qiell.”[2]
Mëshirimi që njeriu u bën krijesave është prej shkaqeve më të mëdha me të cilën njeriu arrin mëshirën e Allahut, dhe prej gjurmëve të saj është arritja e mirësive të kësaj jete dhe mirësive të ahiretit. Mungesa e saj është prej shkaqeve më të mëdha që të privojnë dhe largojnë nga mëshira e Allahut. Njeriu ka nevojë të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme për mëshirën e Allahut, dhe ai nuk bën dot pa të as një hapje dhe mbyllje të syve sepse çdo mirësi që ai ka dhe çdo e keqe që largohet prej tij është prej mëshirës së Allahut.
Prandaj nëse dëshiron që t’i mbajë këto mirësi dhe t’i shtojë ato le të bëjë të gjitha shkaqet me të cilat arrin mëshirën e Allahut. Ato të gjitha bashkohen te fjala e të Lartësuarit: “Me të vërtetë, mëshira e Allahut është afër vepërmirëve.” | El Araf: 56). Këta janë ata që e përsosin adhurimin e Allahut dhe janë bamirës ndaj robërve të Tij, dhe bamirësia ndaj krijesave është pasojë e mëshirës së robit ndaj tyre.
Mëshira me të cilët përshkruhet njeriu është dy llojesh:
Lloji i parë: Mëshirë instiktive e natyrshme me të cilën Allahu ka brumosur disa prej robërve të Tij dhe ka vendosur në zemrat e tyre butësinë, mëshirën dhe keqardhjen për krijesat. Ata bënë gjithçka që kishin në dorë për tu bërë dobi atyre me sa mundësi që kishin. Prandaj ata lavdërohen dhe shpërblehen për këtë që bënë dhe janë të justifikuar për atë që s’kishin mundësi ta bënin, dhe ndoshta Allahu ua shkruan shpërblimin edhe për ato që s’patën mundësi për shkak të qëllimeve të tyre të sinqerta.
Lloji i dytë: Mëshirë të cilën e fiton robi duke ndjekur çdo mjet dhe mënyrë që e mbushin zemrën me mëshirë. Kështu robi mëson se kjo cilësi është prej moraleve më të larta dhe më të vyera, prandaj ai lufton veten e tij dhe përpiqet të përshkruhet me këtë cilësi. Ai mëson se çfarë shpërblimi i jep atij Allahu për shkak të saj dhe çfarë shpërblimi i ikën nëse nuk e ka këtë cilësi. Ai shpreson mirësinë e Zotit të tij dhe përpiqet ta arrijë këtë shkak me të cilin arrin shpërblimin, duke ditur se shpërblimi është sipas llojit të punës. Gjithashtu, ai e di se vëllazëria fetare dhe dashuria e besimit janë lidhje që Allahu i ka vendosur mes besimtarëve dhe i ka urdhëruar ata që të jenë vëllezër që duhen mes tyre, të lënë mënjanë çdo gjë që bie ndesh me këtë prej urrejtjes, armiqësive dhe kurtheve,
Kështu vazhdon robi të njohë shkaqet me të cilat arrin këtë cilësi të ndershme (mëshirën) dhe përpiqet ta realizojë atë, derisa të mbushet zemra e tij me mëshirë dhe keqardhje për krijesat. E sa e mirë është kjo cilësi e ndershme dhe sa i vyer është ky virtyt i bukur!
Gjurmët e kësaj mëshire që gjendet në zemra shfaqen edhe te gjymtyrët dhe te gjuha e njeriut, kështu ai përpiqet ta përçojë mirësinë dhe dobitë tek njerëzit dhe përpiqet t’i largojë prej tyre dëmet dhe gjërat e urryera.
Shenjë e mëshirës që gjendet në zemër është që njeriu të dojë t’ua përçojë të mirën të gjitha krijesave dhe besimtarëve prej tyre në veçanti, dhe ta urrejë përçimin e së keqes dhe dëmeve. Në varësi të kësaj dashurie dhe urretjeje është dhe mëshira e tij.
E kur i dashuri i tij goditet me vdekje apo fatkeqësi të tjera, nëse mërzia për të vjen nga mëshira e tij kjo është diçka e lavdëruar, dhe nuk bie ndesh me durimin dhe kënaqjen me caktimin e Allahut sepse i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem qau për djalin e vajzës së tij, dhe i tha atij Sadi: Çfarë është kjo o i Dërguar i Allahut?! – Ai i mësoi diçka shumë të vyer duke iu përgjigjur: “Kjo është mëshirë që e vendos Allahu në zemrën e robërve të Tij, dhe Allahu mëshiron prej robërve të Tij mëshiruesit!” [3]
Pasi i vdiq djali i tij Ibrahimi, tha: “Zemra pikëllohet, syri loton, por ne nuk themi veçse atë që kënaq Zotin tonë. Dhe ne prej ndarjes tënde o Ibrahim jemi të pikëlluar!”[4]
Po ashtu, edhe mëshirimi i fëmijëve të vegjël, butësia me ta dhe futja e gëzimit në zemrat e tyre është prej mëshirës. Ndërsa që njeriu të jetë i pandjeshëm dhe moskokçarës kundrej tyre, dhe të mos ketë dhimbsuri për ta, kjo është prej ashpërsisë dhe ngurtësisë së zemrës. Siç i tha dikush prej banorëve të shkretëtirës prej arabëve Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe shokëve të tij kur i pa ata të puthnin fëmijët e tyre të vegjël. Tha arabi: Unë kam dhjetë fëmijë dhe kurrë nuk e kam puthur asnjërin prej tyre. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha: “E ç’mund të bëj unë për ty kur Allahu e ka hequr mëshirën prej zemërs tënde?!”[5]
Prej mëshirës është mëshira ndaj gruas së përdalë (imorale) e cila i dha për të pirë ujë qenit i cili gati sa nuk po hante dhe prej etjes, Allahu ja fali asaj për shkak të mëshirës së saj (ndaj qenit)![6]
E kundërta e kësaj është dënimi i gruas e cila e lidhi macen e saj dhe as e ushqeu apo t’i jepte për të pirë, dhe as e la të lirë të hante prej insekteve të tokës, derisa ngordhi.
Prej gjërave që janë të dëshmuara dhe të provuara është se ai që u bën mirë kafshëve të tij duke i ushqyer dhe duke u dhënë të pijnë, duke i përkëdhelur dhe kujdesur për ta, Allahu do t’i japë bereqet atij në to. E kush u bën keq atyre do të dënohet në dynja para se të dënohet në ahiret. Thotë i Lartësuari: “Për shkak të kësaj ua shkruam Beni Israilëve (në Teurat): Kush merr një shpirt (kush vret një njeri) që s’ka vrarë më parë apo s’ka bërë shkatërrim në tokë, është njësoj sikur të kishte vrarë të gjithë njerëzit. Dhe ai që e ngjall atë (e shpëton nga vdekja) është njësoj sikur të kishte ngjallur gjithë njerëzimin.” | El Maideh: 32.
Kjo për shkak të ashpërsisë dhe vrazhdësisë që gjendej në zemrën e të parit dhe mëshirës, butësisë dhe keqardhjes që gjendej në zemrën e të dytit saqë ai u konsiderua sikur po ngjallte gjithë ata që ka mundësi t’i ngjallë prej njerëzve. Ashtu si dhe ashpërsia që gjendej në zemrën e të parit tregon se ai është i gatshëm të vrasë të gjithë njerëzit.
I lutemi Allahut të vendosë në zemrat tona mëshirë e cila do na bëjë të përpiqemi të realizojmë çdo punë që na çon tek mëshira e Allahut, dhe për shkak të saj të kemi dhebshuri kundrejt të gjitha krijesave të Allahut. Kjo mëshirë të na bëjë të fitojmë nderimin prej Allahut dhe bujarinë e Tij. Me të vërtetë Ai është shumë Bamirës, Bujar i Madh!
Marrë nga libri: “Behxhetu kulubil ebrar”
Autor: Shejh Es Si’di
Përktheu: Emin Bilali
————————————————————————————-
[1] Transmeton Muslimi 2319, dhe Tirmidhiu 1922. Ky hadith nuk është te “I sakti i Buharit” siç aludoi autori. Për këtë shiko librin “Tehfetul eshraf” 431/ 2.
[2] Hadith i saktë. Transmeton Ebu Daudi 1941 dhe Tirmidhiu 1924. Ka thënë Ebu Isa (Imam Tirmidhi) se ky është hadith i mirë dhe i saktë.
[3] Buhariu në “Kapitulli i teuhidit”\ Tema: “Çfarë ka ardhur për fjalën e Allahut të Lartësuar: “Me të vërtetë mëshira e Allahut është afër vepërmirëve” 7448″, nga hadithi që përcjell Sa’d ibn Ubadeh (el ensarij).
[4] Buhariu në “Kapitulli i xhenazeve”\ Tema: “Fjala e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Ne prej teje jemi të pikëlluar…” Dhe Muslimi në “Kitabul fedail”\ Tema: “Mëshira e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me fëmijët dhe familjen dhe thjeshtësia e tij, dhe vlera e këtyre (cilësive)” 2315, nga hadithi i Enesit.
[5] Buhariu në “Kapitulli i edukatës”\ Tema: “Mëshira ndaj fëmijës, puthja dhe përqafimi i tij” 5998. Dhe Muslimi në kapitullin: “Mëshira e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ndaj fëmijëve dhe familjes” 2317, nga hadithi që përcjell Aishja.
[6] Buhariu 3467 dhe Muslimi 2244, nga hadithi që e përcjell Ebu Hurejra.
Dosje: hadith