Rreziku i gjuhës

Rreziku i gjuhës (1)

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajttë!): Falënderimet i përkasin vetëm Allahut, i Cili e ka krijuar njeriun dhe ia mësoi atij të folurit e qartë, e paralajmëroi atë nga rrëshqitjet (gabimet) e gjuhës.

Dëshmoj se ka vetëm një Zot i Cili meriton të adhurohet me të drejtë, një i vetëm dhe i pashoq.

Dëshmi e cila thënësit të saj ia hap dyert e xhenetit dhe ia mbyll dyert e zjarrit. Dëshmoj se Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është rob dhe i Dërguari i Tij, të cilin e ndihmoi me mrekulli dhe argumenta (të shumta). Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për të, familjen dhe shokët e tij, njerëzit e devotshëm dhe besimtarë.

E në vazhdim…

O ju njerëz!

Frikësojuni Allahut të Madhëruar, ruani gjuhët tuaja dhe kini kujdes nga përfundimi i fjalëve tuaja. Allahu Lartmadhëruar thotë: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” El-Ahzab, 70-71

I Madhëruari thotë: “Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin. Fjala e keqe është si pema e keqe me rrënjë të shkulura, e paqëndrueshme për ekzistencë. Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë.” Ibrahim, 24-27

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kush beson Allahun dhe ditën e Fundit le të flas fjalë të mira ose le të heshtë.”

Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “A nuk i hedh në zjarr njerëzit me fytyrat e tyre” ose ka thënë: “ose duke u tërhequr nga hundët e tyre vetëm se të korrat e gjuhëve të tyre.”

Frikësojuni Allahut, o robër të Allahut, dhe i ruani gjuhët tuaja dhe i zbukuroni fjalët tuaja, sepse fjalët u llogariten dhe shënohen në regjistrat tuaj “dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” Kaf, 18

“Vallë, a mos kujtojnë ata se Ne nuk i dëgjojmë fjalët e tyre tinzare dhe bisedat e tyre të fshehta? Pa dyshim, Ne dëgjojmë, ndërsa të dërguarit Tanë (engjëj) që janë pranë tyre, shënojnë.” Ez-Zuhruf, 80

Prandaj frikësojuni Allahut, o robër të Allahut, dhe dijeni se fjalët tuaja do të shënohen dhe do të merrini në llogari për to. Nëse janë të mira, atëherë dhe frytet e saj janë të mira “Tek Ai ngjiten fjalët e bukura, ndërsa veprën e mirë Ai e ngre Vetë.” Fatir, 10

E nëse fjalët janë të këqia, atëherë keni për t’u penduar ditën ku nuk bën dobi pendimi.

Fjalët më të këqija dhe më të rënda janë shirku si lutja tjetër kënd përveç Allahut, kërkimi mbrojtje nga dikush tjetër përveç Allahut etj., prej fjalëve që përmbajnë shirk. Prandaj largojuni fjalëve të tilla.

Po ashtu prej fjalëve të këiqja është të folurit në lidhje me Allahun pa pasur dije. Ajo është njësoj si shirku, njësoj si shirku ose më e rëndë se ai.

I Madhëruari thotë: “t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.” El-Earaf, 33

E kjo si fjala “Allahu e ka lejuar këtë gjë” apo “e ka ndaluar këtë” duke mos pasur argument nga Kurani dhe as nga Suneti. Nuk lejohet aspak të folurit në lidhje me Allahun pa pasur dije, të thelluarit në dispozitat e legjislacionit përsa i përket hallallit dhe haramit përveç atij që posedon dije.

Vijon…

Përktheu: Unejs Sheme