Ngrënia e mishit të kafshëve. (pjesa e dytë)

December 19, 2015

Ngrënia e mishit të kafshëve. (pjesa e dytë)

Kategoria e dytë: Kafshët që nuk janë therur për Allahun.

Kafshët janë krijesa që i ka krijuar Allahu me shpirt dhe duke qenë se janë të tilla nuk ka lejuar tu hiqet ai shpirt veçse në emër të Tij duke e kthyer kështu therjen në adhurim. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: Andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban! suretu El-Keuther: 3.

Në një ajet tjetër thotë: “Thuaj namazi im, therja ime (e bagëtive), jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun Zotin e botëve” suretu El-Enam: 6.

Allahu i Madhëruar në këto ajete bashkon mes namazit dhe therjes (SË KAFSHËS) duke i futur ato te llojet e adhurimeve me të cilat ka dashur të adhurohet dhe kush e lë therjen për Allahun ka lënë një lloj adhurimi të kërkuar. Për këtë arsye Profeti -alejhi selam- kur vinte festa e kurbaneve thoshte: “Kush ka mundësi të bëj kurban dhe nuk bën, le të mos i afrohet vend faljes tonë” e transmeton Ahmedi, Ibn Maxhe, Hakimi dhe e saktëson sheikh Albani.

Kjo sepse ai ka lënë një lloj adhurimi të cilin e do Allahu i Madhëruar siç do namazin dhe çdo adhurim tjetër.

Duke qenë se therja e kafshëve është adhurim, atëherë Allahu i Madhëruar ka ndaluar të hahet prej asaj kafshe tek e cila nuk është përmendur emri i Tij dhe thotë: “Mos hani prej mishit të asaj kafshe mbi të cilën nuk është përmendur emri i Allahut se ajo vepër është prishje” suretu El-Enam: 121.

Fjala e Allahut në këtë ajet [se ajo vepër është prishje] është prishje  do të thotë dalje nga rregullat e Allahut dhe bindjes ndaj tij.

Në këtë kategori të mishit të ndaluar futen:

1- Kafshët e therura në emër të dikujt tjetër veç Allahut.

Kjo për shkak se Allahu i Madhëruar –siç e përmendëm edhe më lart- thotë: “Thuaj nuk gjej në atë që më është shpallur të jetë haram për atë që do të hajë veçse nëse është kafshë e ngordhur, apo gjak i derdhur, apo mish derri sepse ato janë të pista, apo ajo vepër që tregon prishje për shkak se është therur në emrin e dikujt tjetër veç Allahut” suretu El-En’am: 145.

Fjala e Allahut apo ajo që tregon prishje për shkak se është therur në emrin e dikujt tjetër veç Allahut tregon për ndalimin e mishit të asaj kafshe të  cilës gjatë therjes i është përmendur një emër tjetër veç emrit të Allahut. Kjo lloj kafshe barazohet në librin e Allahut me kafshën e ngordhur duke e bërë kështu përmendjen e emrit të Allahut veçori dalluese mes kafshës së ngordhur dhe kafshës së therur.

2- Kafsha e therur për idhujt edhe nëse është përmendur emri i Allahut.

Allahu i Madhëruar në një ajet tjetër thotë: “Ju është ndaluar e ngordhura, mishi i derrit, ajo që theret në emrin e dikujt tjetër veç Allahut, kafsha e mbytur, kafsha e goditur, kafsha e rrëzuar nga lartësitë, kafsha e vrarë nga brirët e kafshëve të tjera, kafsha e ngrënë nga egërsirat, përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin dhe kafsha e therur për idhujt” Suretu El-Maide: 3.

Në këtë ajet i cili flet gjithashtu rreth kafshëve të ndaluara kemi dhe këto dy fjali  [ajo që theret në emrin e dikujt tjetër veç Allahut] dhe [dhe kafsha e therur për idhujt]. E para ndalon nga kafsha e therur në emër të dikujt tjetër veç Allahut kurse e dyta nga kafsha e therur për idhuj edhe nëse është therur në emrin e Allahut.

Ibn Xhureixh njëri prej komentuesve të Kuranit thotë: Kanë qenë 360 idhuj rreth Qabes dhe arabët në kohen e injorancës thernin pranë tyre, spërkatnin me gjakun e kurbanëve pamjen e tyre që ishte nga ana e shtëpisë së Allahut dhe copëtonin mishin dhe e vinin mbi ta.

Ibn Kethiri pas fjalës së Ibn Xhurejxhit thotë: Allahu i Madhëruar ka ndaluar nga këto kafshë të therura pranë idhujve edhe nëse janë therur në emër të Allahut. Kështu duhet kuptuar kjo fjali sepse ndalimi i kafshës së therur në emër të dikujt tjetër veç Allahut u përmend më lart (në fjalinë tjetër).

3- Kafsha e therur për festat e mushrikëve edhe nëse është përmendur emri i Allahut.

Thabit bin Ed-Dahhak -radiallahu anhu- tregon: Një burrë kishte bërë nedhr (puna që bëhet me kusht si ai që thotë: Nëse Allahu më jep filan mirësi, unë do të ther diçka për të) që të therë disa deve në Buane (emër vendi) dhe Profeti -alejhi selam- pyet: “A ka pasur atje ndonjë idhull prej idhujve të kohës së injorancës?” Ata i thonë: Jo. Profeti -alejhi selam- pyet: “A ka pasur atje ndonjë festë prej festave të tyre?” Ata i thonë: Jo. Atëherë profeti -alejhi selam- i thotë burrit: “Bëje nedhrin tënd se nuk ka nedhr në kundërshtim të Allahut dhe as në atë që nuk është pronë e birit të Ademit” e transmeton Ebu daudi dhe e saktëson sheikh Albani.

Fjala e Profeti -alejhi selam- [se nuk ka nedhr në kundërshtim të Allahut] do të thotë se nëse do ta bënte nedhrin duke pasur ndonjë festë prej festave të tyre do të ishte kundërshtim i Allahut edhe pse është në emër të Allahut dhe kjo çështje i ngjanë çështjes së sapo përmendur: Ndalimi i kafshës së therur për idhujt edhe nëse është përmendur emri i Allahut.

4- Kafsha e therur për konkurrencë në famë.

Ibn Abasi -radiallahu anhu- tregon:“Profeti -alejhi selam- ka ndaluar nga konkurrenca e bedeuinëve në therje” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani

El-Khattabi një prej komentuesve të haditheve thotë: “Konkurrenca e bedevinëve në therje është dalja e dy burrave për të konkurruar në bujari duke therur secili prej tyre nga një numër devesh dhe cili prej tyre ther më shumë, e mund shokun. Profeti -alejhi selam- e ka ndaluar ngrënien e mishit të tyre që të mos jenë si ato që janë therur për dikë tjetër veç Allahut”.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në kohën e Aliut mes dy poetëve në Kufe (vend në Irak) kur dolën për të konkurruar në therje dhe kur dëgjoi për këtë gjë Aliu -radiallahu anhu- doli hipur mbi një mushkë dhe u thirri njerëzve: “O ju njerëz, mos hani prej mishit të tyre se janë therur në emër të tjetërkujt veç Allahut ” e përmend sheikhu islam Ibn Tejmije në librin Iktida Es-Sirat El-Mustekim.

Shkroi Dr Abdullah Nabolli

Loading...