Shkaqet e qëndrueshmërisë në fe dhe shkaqet e devijimit

December 31, 2015

Këshillë nga shejkhu i nderuar Salih Sindi

Shkaqet e qëndrueshmërisë në fe dhe shkaqet e devijimit

Lavdëruar qoftë Allahu, Zoti i gjithësisë!

Paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi Profetin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij të ndershme dhe shokët e tij fisnik!

Besimi është mirësia më e madhe qe i është dhënë njeriut. Kjo mirësi është e gjitha nga Allahu i Madhëruar.

Nëse Allahu i Madhëruar nuk do të na udhëzonte drejt besimit, atëherë ne nuk do të ishim prej të udhëzuarve; nuk do të ishim nga ata që falen dhe bëjnë vepra të mira.

Allahu i Madhëruar na e bëri të dashur besimin dhe na e zbukuroi në zemrat tona; Ai dhe askush tjetër veç Tij.

Ai na e bëri të urryer mohimin, mëkatin dhe degjenerimin. A nuk thotë  Allahu i Madhëruar në Kur’anin Kerim:

وَلَٰكِنَّ اللَّهَ حَبَّبَ إِلَيْكُمُ الْإِيمَانَ وَزَيَّنَهُ فِي قُلُوبِكُمْ وَكَرَّهَ إِلَيْكُمُ الْكُفْرَ وَالْفُسُوقَ وَالْعِصْيَانَ ۚ أُولَٰئِكَ هُمُ الرَّاشِدُونَ  فَضْلًا مِّنَ اللَّهِ وَنِعْمَةً ۚ وَاللَّهُ عَلِيمٌ حَكِيمٌ

“… Allahu ua bëri të dashur besimin dhe ua zbukuroi atë në zemrat tuaja, ndërsa mosbesimin, shfrenimin dhe kundërshtimin, ua bëri që t’i urreni. Të tillë janë ata që gjetën rrugën e drejtë. Kjo është dhuratë dhe begati prej Allahut, e Allahu është i Dijshëm dhe i Urtë.” El Huxhurat: 7-8

Ai veçon me mirësit e Tij kë të dojë dhe këtë e bën në bazë të diturisë dhe urtësisë se Tij absolute.

Është e domosdoshme për njeriun që pikë së pari të jetë falenderues ndaj Allahut të Madhëruar për mirësinë e udhëzimit.

Së dyti: Po ashtu duhet të jetë i kujdesshëm dhe i vëmendshëm që mirësia e udhëzimit të mos i largohet, e të mos i shmanget zemra nga e vërteta, pasi që e njohu atë.

Së treti: Të ndërrmarë të gjitha shkaqet të cilat me lejen e Allahut të Madhëruar dhe mëshirën e Tij, do ta ndihmojnë të jetë i qëndrueshëm në udhëzimin e tij.

S’ka dyshim, se ndër shkaqet kryesore që e çojnë njeriun drejtë humbjes dhe devijimit pasi që e ka njohur të vërtetën, është shkujdesja e njeriut ndaj obligimeve të fesë.

Të qenit besimtarë i mirë e i devotshëm, nuk është njësoj si të jesh i anëtarësuar në ndonjë fondacion apo klub të caktuar, të japin kartën e anëtarësimit dhe pastaj, u bëre i devotshëm!! – Jo, pasha Allahun, nuk është kështu!

Të qenit besimtarë i mirë e i devotshëm është shumë më tepër se aq. Kërkohet përpjekje e vazhdueshme dhe e pandërprerë. Kërkohet vetëkontroll, kërkohet që vazhdimisht të kundërshtosh nefsin tënd nga e ndaluara dhe e kota.

Ndodh që njeriu, një periudhë të jetës së tij, të jetë i qëndrueshëm në fe, mirëpo me kalimin e kohës, tregohet i shkujdesur; fillon të tolerojë gjithçka, i pakësohet vendosmëria dhe vullneti saqë bëhet i shkujdesur edhe ndaj namazit, agjërimit, përmendjes së Zotit (dhikrit) dhe leximit të Kuranit…

Kështu e lë pas dore veten e tij, derisa bëhet tërësisht i pavëmendshëm dhe i shkujdesur. Nëse njeriu bëhet tërësisht i shkujdesur, atëherë ai devijon nga feja dhe besimi.

Një tjetër shkak i rëndësishëm që e shmang njeriun nga besimi dhe qëndrueshmëria në fe, është vijueshmëria në mëkate dhe vonimi i pendimit.

Të gjithë dijetarët musliman, janë të mendimit se pendimi është obligim i domosdoshëm për çdo musliman. Po ashtu të gjithë dijetarët musliman janë të mendimit se ky obligim duhet të jetë i menjëhershëm pas mëkatit.

Nëse njeriu bën ndonjë mëkat, e pastaj e vonon pendimin për mëkatin e bërë, ai obligohet të bëj dy pendimi; një për mëkatin e bërë, dhe pendimi tjetër, për mëkatin tjetër, i cili është vonimi i pendimit.

Të jesh musliman i mirë nuk do të thotë të jesh i pagabueshëm dhe i paprekshëm nga mëkatet.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), thotë: “Të gjithë bijtë e Ademit janë gabimtarë, por më i miri ndër ta është ai që pendohet (dhe bën përmirësim)”

Ajo që kërkohet nga njeriu është që nëse atij i rrëshket këmba dhe bie në mëkat, të nxitojë të pendohet tek Allahu i Madhëruar; menjëherë dhe pa humbur kohë! Allahu i Madhëruar thotë:

إِنَّ الَّذِينَ اتَّقَوْا إِذَا مَسَّهُمْ طَائِفٌ مِّنَ الشَّيْطَانِ تَذَكَّرُوا فَإِذَا هُم مُّبْصِرُونَ

“Vërtet, ata që janë të ruajtur, kur i prek ndonjë iluzion nga djalli, ata përkujtojnë (Allahun), dhe atëherë e shohin qartë të vërtetën.” El E’araf: 201

Kështu vepron besimtari. Ai nuk vazhdon në mëkate të njëpasnjëshme pa u penduar, pasi nëse do të vepronte kështu, mëkatet do t’ia nxinin zemrën, derisa ajo të vulosej. Allahut i kërkojmë mbrojtje nga vulosja e zemrës!

Njeriu të cilit mëkatet ia kanë nxirë zemrën derisa ajo është vulosur, bëhet rob i epshit dhe tekave të veta.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), na ka tërhequr vërejtjen prej mëkateve të vogla, pasi nëse ato grumbullohen dhe shtohen tek njeriu, e shkatërrojnë atë.

Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), e ka shëmbëllyer këtë me disa njerëz të cilët vendosen në një luginë, dhe gjithësecili shkon dhe mbledh disa shkarpa, derisa kur çdonjëri nga ata të ketë sjellë shkarpat e veta, ato së bashku, mjaftojnë për të bërë një zjarr të madh, të mjaftueshëm për të pjekur bukën.

Pra, njeriu kurrësesi nuk duhet të tregohet i shkujdesur. Sa herë që gabon, apo bën ndonjë mëkat, duhet të nxitojë drejt pendimit.

Po ashtu, ndër shkaqet që e bëjnë njeriun të devijoi, është shoqëria e keqe.

Shoqërimi me njerëz të mirë, është ndër shkaqet që njeriu të ngrihet në pozitat më të larta, e po ashtu, të shoqëruarit me njerëz të këqij, është ndër shkaqet që njeriu të degradojë, të devijojë e të përfundojë në gjëndjen më të mjeruar.

Muslimani duhet të zgjedhë për t’u shoqëruar me njerëzit më të mirë e më të devotshëm, të cilët kanë ambicje për kryerjen e veprave të mira dhe nxisin për realizimin e tyre. Padyshim që kjo është ndër shkaqet e arritjes së mirësive.

Ndërsa qëndrimi me shokë të cilët nuk të këshillojnë, nuk të korrigjojnë, nuk të nxisin për vepra të mira, e nuk të qortojnë për gabimin; por thjeshtë e kalojnë kohën në argëtim e lojra, apo vetem me çështje që kanë të bëjnë me jetën e kësaj bote; është ndër shkaqet e humbjes dhe devijimit.

Të tillë shokë nuk të bëjnë dobi, edhe pse në dukje mund të ngjajnë si besimtarë të mirë, por që veprat e tyre nuk përputhen me atë që shfaqin dhe pretendojnë.

Gjithashtu, ndër shkaqet e humbjes dhe devijimit është edhe mosnjohja e Allahut të Madhëruar dhe injoranca në lidhje me fenë e Tij.

Ndërsa në anën tjetër, ndër shkaqet më kryesore të shpëtimit, është të pajisurit me dituri fetare; dituri që të njeh me Allahun e Madhëruar, si dhe me dispozitat e zbritura prej Tij.

Për këtë arsye, do të gjesh se njerëzit më të qëndrueshëm në fe (besim) janë pikërisht dijetarët. Vështirë se mund të gjesh dikë nga dijetarët të devijojë nga feja dhe besimi.

Allahun e Madhëruar e lusim të na bëj të qëndrueshëm në fenë e tij!

Sa herë që shfaqen trazirat dhe sprovat e ndryshme, qofshin ato sprova që kanë të bëjnë me dyshimet në fe, apo që kanë të bëjnë me kënaqësitë e ndaluara, strehimin prej sherrit të tyre e gjejmë tek dijetarët.

Medito në lidhje me atë çfarë ndodhi me Karunin… Ajo çfarë ndodhi me të, ishte shembull që tregon për sprovën e të mashtruarit pas kënaqësive të kësaj bote.

Karuni doli para popullit të tij, duke u mburrur me mendjemadhësi para tyre me pasurinë dhe stolitë të cilat i ishin dhënë. Injorantët u sprovuan menjëherë dhe nisën ta kishin zili për pasurinë që kishte, mirëpo çfarë thanë ata të cilëve u ishte dhënë dituria?! Thanë: “Të mjerët ju! Shpërblimi i Allahut është shumë herë më i mirë se ajo çfarë i është dhënë Karunit.” – E tillë është qëndrueshmëria e dijetarëve.

Ju këshilloj juve, o vëllezërit e mi, të pajiseni me dituri fetare! Po ashtu, t’i mësoni edhe të tjerët, pasi edhe mësimdhënia është ndër shkaqet e qëndrueshmërisë në fe.

Njeriu, pikësëpari duhet të përpiqet të shpëtoj veten e tij nga dënimi i Zotit, e pastaj duhet të bëjë ç’është e mundur që t’i shpëtojë edhe të tjerët, me suksesin dhe mirësinë e Allahut të Madhëruar.

Shfrytëzoje kohën në nxënien e diturisë së dobishme! Le të jetë preokupimi yt i vazhdueshëm, dituria fetare; “Allahu thotë, Pejgamberi thotë”.

Duke vepruar në këtë mënyrë e duke qenë kjo gjendja e njeriut, ai do të arrijë mirësinë dhe shpëtimin.

Në “Sahihun” e Muslimit, transmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ka thënë: “Do ta shijoi ëmbëlsinë e besimit, cilido që është i kënaqur me Allahun si Zotin e tij, Islamin si fenë e tij dhe me Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), si të Dërguar.”

Si e arrin njeriu këtë pozitë të lakmueshme?! – E arrin nëpërmjet diturisë (fetare).

Njeriu është i kënaqur me Allahun e Madhëruar si Zotin e tij, atëherë kur ai e njeh Allahun; kur njeh emrat dhe cilësitë e Tij, si dhe kur njeh mirësitë e Tij të panumërta.

Po ashtu, që të jesh i kënaqur me Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) si të Dërguar të Allahut, duhet të njohësh biografinë e tij, moralin e tij, argumentet e profetësisë së tij, e kështu me radhë.

Ndërsa, që të jesh i kënaqur me Islamin si fe, po ashtu ka nevojë për dituri.

Dituri e cila t’i bën të njohura vlerat e kësaj feje; moralin që ajo na mëson dhe dobitë e shumta që njeriu i arrin nëpërmjet saj, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën tjetër. Po ashtu, duke njohur ligjet dhe dispozitat e fesë. Në këtë mënyrë, do të jesh i kënaqur me Islamin si fe.

Pra, vetëm në këtë mënyrë do ta shijosh ëmbëlsinë e besimit.

Besimi ka shije të ëmbël, të mrekullueshme. Ka shijen më të ëmbël e më të mirë se ç’do shije tjetër në dynja.

Fatlum është ai njeri të cilit i është dhënë sukses që ta shijoi ëmbëlsinë e besimit. Allahun e Madhëruar e lusim të na bëj prej tyre!

Lusim Allahun e Madhëruar që të na bëj të qëndrueshëm në udhën e drejtë!

رَبَّنَا لَا تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنَا وَهَبْ لَنَا مِن لَّدُنكَ رَحْمَةً ۚ إِنَّكَ أَنتَ الْوَهَّابُ

“Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na i drejtove! Na dhuro mëshirën Tënde! Vërtet, Ti je Dhuruesi i madh”. Ali Imran: 8

Është transmetuar saktësisht, se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), lutej shpesh duke thënë:

“O Allahu ynë! O Rrotulluesi i zemrave! Përforcoji zemrat tona në fenë Tende!”

Ju këshilloj që vazhdimisht ta thoni këtë lutje!

Lutja jonë e fundit është: Paqja, mëshira dhe bekimet e pashtershme, qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, familjen e tij të ndershme, shokët e tij fisnik, dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij, deri në Ditën e Gjykimit!

Prof.Dr. Salih bin Abdulaziz Sindi

Përshtati në gjuhën shqipe: Edmond Ajdini

Kjo këshillë është mbajtur pas namazit të sabahut, në datën 13.12.2015 gjatë seminarit 3 ditor të organizuar nga Qendra “Udha e Besimtarëve”

Loading...