Kur bëhet e kota e pranueshme për njerëzit?

January 11, 2016

Kur bëhet e kota e pranueshme për njerëzit?

Sheikh-ul-slam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk ecën e kota veçse nëse përzihet me të vërtetën” shih librin Mexhmu’ El-Fetaua 35 : 190.

Kjo do të thotë se e kota nëse nuk përzihet me të vërtetën refuzohet dhe e vërteta nëse nuk përzihet me të kotën pranohet, ndërsa kur ato përzihen bashkë u pështjellohet njerëzve çështja e tyre dhe pranohen duke mos arritur të bëjnë dallimin e duhur.

Prandaj dhe Allahu i Madhëruar në Kuran i ka ndaluar jehudët nga ky ves i keq duke u thënë: “Mos e përzieni të vërtetën me të kotën” suratu El-Bekara: 42.

Ja disa fjalë të komentuesve të Kuranit në lidhje me këtë ajet të përmendura në librin Tefsir Et-Taberij:

1- Ibn Abasi -radiallahu anhu- thotë: Fjala e Allahut [Mos e përzieni të vërtetën me të kotën] dmth: mos përzieni mes të vërtetës dhe gënjeshtrës.

2- Ebul-Alije (prej ulemave të tabiinëve që ka ndërruar jetë në 90 H) thotë: Fjala e Allahut [Mos e përzieni të vërtetën me të kotën] dmth: mos përzieni mes tyre por këshilloni robtë e Allahut për ndjekjen e Muhamedit

3- Muxhahidi (komentues i madh i kuranit i vdekur pas vitit 100 H) thotë: Fjala e Allahut [Mos e përzieni të vërtetën me të kotën] dmth: Mos përzieni jehudizmin dhe krishterimin me Islamin.

4- Ibn Zejd (komentues i kuranit i vdekur në vitin 182 H) thotë: Fjala e Allahut [Mos e përzieni të vërtetën me të kotën] dmth: Teuratin e vërtetë të zbritur nga Allahu me atë që keni shkruar me duart tuaja.

Nën këtë ajet futen edhe bidatet e bidatçive të cilët përziejnë të vërtetën me të kotën dhe i ngatërrojnë njerëzit me to dhe si shembull për këtë mund të merret një citat i sheikh-ul-Islam Ibn Tejmije kur thotë: “Disa prej pasuesve të logjistikës (Ilm-ul-Kelam) i quajnë bidatet e tyre bazat e fesë (Usul Ed-Dijn) dhe kur pasuesit e së vërtetës dhe të sunetit i kundërshtojnë, ata thonë me të padrejtë: Po kundërshtoni bazat e fesë?! Faktikisht ata nuk kundërshtuar atë që e meriton të quhet bazë e fesë por atë që ata e quajnë pa të drejtë bazat e fesë” shih: Mexhmu’ El-Fetaua 4 : 56.

Po ashtu këtu mund të futen edhe parullat fetare që ngrihen pa të drejtë për të mbuluar një të kotë, apo një gabim, apo për ndonjë interes të tij dhe kush e bën këtë gjë veçse ka rënë në atë që ka ndaluar Allahu Beni Israilët në përzierjen e së vërtetës me të kotën.

Dhe si shembull për këtë mund të merret fjala e Aliut -radiallahu anhu- kur kundërshtoi parullën e khauarixhëve “Nuk ka gjykim veçse gjykimi i Allahut” dhe tha: “Fjalë e vërtetë, që ka për qëllim diçka të kotë” e transmeton Muslimi.

Shkroi: Dr Abdullah Nabolli

 

 

Loading...