Pëlqyeshmëria e të filluarit me ‘Përmendjen e Zotit’ në libra, broshura dhe shkrime

Bismilahi Err Rrahmeni Err Rrahim

Në ‘Enciklopedinë e Fik’hut’[1] citohet: “Shumica e dijetarëve musliman janë të mendimit se është e pëlqyeshme që në të gjitha çështjet e rëndësishme, të fillohet duke falënderuar dhe lavdëruar Allahun e Madhëruar. Ata argumentohen me Librin e Allahut të Madhëruar, suret e të cilit fillojnë me ‘Bismilah’ , si dhe me hadithin të cilin e transmeton sahabiu i nderuar Ebu Hurejrah (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), nga i Dërguari i Allahut (Paqja e Zotit qoftë mbi të!), i cili ka thënë: “Çdo punë e rëndësishme e cila nuk fillohet me lavdërimin e Allahut, do të jetë e pabereqet.”[2]

Duke u nisur nga çfarë përmendëm më sipër, jemi të mendimit se është e pëlqyeshme që para çdo mësimi, ligjërate, këshille, si dhe në fillim të çdo libri, broshure apo shkrimi të rëndësishëm, të fillojmë duke përmendur Zotin e Madhëruar, duke e falënderuar dhe lavdëruar Atë.

Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Është e pëlqyeshme që sa herë dikush dëshiron të mbajë një ligjëratë apo të çelë një kuvendim, të fillojë duke Lavdëruar Allahun e Madhëruar, si dhe duke dërguar salavate mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin (Paqja e Zotit qoftë mbi të!).”

Në librin “Fet’hu el Beri” citohet: “Është e pëlqyeshme që shkrimet, qofshin libra, broshura apo shkresa zyrtare, të fillohen me “Bismilah”. Kështu vepronte i Dërguari i Allahut (Paqja e Zotit qoftë mbi të!) kur u shkruante mbretërve të asaj kohe, të cilët i ftonte të pranonin Islamin. Të njejtën gjë veproi edhe në aktmarrveshjen e Hudejbijes. Ndërsa ligjëratat, hytbet, këshillat dhe çelja e kuvendimit, është e pëlqyeshme të fillohen duke falënderuar dhe lavdëruar Allahun e Madhëruar…”

Imam El Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Dijetarët kanë rënë dakort për pëlqyeshmërinë e të filluarit me “Bismilahi Err Rrahmeni Err Rrahim” në fillim të çdo libri apo dorëshkrimi.”[3]

Dijetari i mirënjohur Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Është e udhës që të fillohet me “Bismilah” në fillim të çdo libri, broshure apo fletëpalosjeje, pasi i Dërguari i Allahut (Paqja e Zotit qoftë mbi të!), ka thënë: “Çdo punë e rëndësishme e cila nuk fillohet me emrin e Allahut (Bismilah), do të jetë e pabereqet.” Si dhe për faktin se ai i fillonte letrat e tij si dhe mesazhet që dërgonte me ‘Bismilahi Err Rrahmeni Err Rrahim’  Po ashtu, më duhet të theksoj se nuk lejohet që letrat apo shkrimet në të cilat përmendet Allahu i Madhëruar, apo ndonjë pjesë nga Kurani, të hidhen në vendin e mbeturinave, të flaken në rrugë, të përdoren si shtrojë për të ngrënë, apo për të mbështjellë gjërat, apo të përdoren për arsye jo të hijshme, pasi cilido që do të vepronte kështu, do ishte mëkatarë, dhe faji në këtë rast është i atyre që i keqpërdorin ato materiale dhe jo i atyre që i kanë shkruajtur apo botuar.”[4]

Përktheu: E. Ajdini

[1] “El Meusuatu el Fik’hijetu” vëll: 18, faq: 128-129.

[2] Këtë hadith, e ka vlerësuar si ‘të dobët’ dijetari i mirënjohur, shkëlqesia e tij Muhamed Nasirudin el Albani. Shiko librin “Daifu e; xhemiu” me nr 4216.

[3] “Tefsiru el Kurtubi” vëll: 13, faq: 193.

[4] “Mexhmu’u fetaua Ibën Baz” vëll: 5, faq: 427.