Cilat janë shkaqet që e ndihmojnë njeriun të jetë më i durueshëm? Shkaku i tretë

Cilat janë shkaqet që e ndihmojnë njeriun të jetë më i durueshëm kundrejt shqetësimeve i shkaktojnë njerëzit? – Shkaku i tretë

Dijetari i mirënjohur, shejhul islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka përmbledhur një sërë shkaqesh, të cilat nëse muslimani i zbaton, do ta ketë më të lehtë që të jetë i durueshëm kundrejt shqetësimeve apo dëmtimeve që me dashje apo pa dashje i shkaktojnë njerëzit.

Ndër ato shkaqe, përmendim:

Shkaku i tretë

Të ketë bindje të plotë, se nëse muslimani e fal sjelljen e keqe të vëllait musliman (duke e këshilluar përzemërsisht atë), atëherë kjo do t’ua shtonte vëllazërinë dhe do ta largonte prej tyre urrejtjen dhe mërinë.

Falja është më e mirë, ndërsa hakmarrja mund ta shtoj edhe më tepër urrejtjen dhe armiqësinë, gjë e cila mund të bëhet shkak për sjellje akoma edhe më të shëmtuara, të tilla siç janë mashtrimi, gënjeshtra, shpifja etj.

Nëse njeriu fal për hir të Zotit, ai ka për ta rehatuar zemrën dhe ka për të gjetur prehje dhe qetësi. Madje, shija që lë falja dhe pajtimi, janë shumë më të ëmbla se çdo hakmarrje dhe ndëshkim. E jo vetëm aq, por falja dhe bamirësia, bëhen shkak për të fituar dashurinë e Allahut të Madhëruar, i Cili thotë:

وَالْكَاظِمِينَ الْغَيْظَ وَالْعَافِينَ عَنِ النَّاسِ ۗ وَاللَّهُ يُحِبُّ الْمُحْسِنِينَ

“(Bamirës janë edhe ata) të cilët e frenojnë zemërimin dhe ua falin njerëzve gabimin, e padyshim që Allahu i do bamirësit.” Ali Imran, 134.

Njeriu i cili e frenon zemërimin dhe i fal gabimet e njerëzve për hir të Allahut të madhëruar, do të fitojë dashurinë e Zotit të tij, e kush është më fatlum sesa ai njeri i cili ka fituar dashurinë e Allahut?!

Gjendja e tij është e njejtë me atë që ka humbur një dinar, dhe është kompesuar për të me një mijë dinar, kështu që ky njeri fatlum ka të drejtë të jetë i lumtur me mirësinë e Allahut ndaj tij.

vijon…

Shkaqet që e bëjnë njeriun të jetë i durueshëm
kundrejt shqetësimeve që i shkaktojnë të tjerët

Tekijudin Ahmed Ibën Tejmije
661 – 728 h

Përshtati në gjuhën shqipe: Edmond AJDINI