Këshilla e shejh Albanit për të rinjtë

Shejkh Albani, pasi foli rreth kuptimit të hadithit të Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem: “Kush i thotë vëllait të tij: O pabesimtar (Ja kafir), atë fjalë do ta mbartë njëri prej të dyve…” tha:

“Por këtu dua të shtoj diçka… ai që e quan një musliman ‘bidatçi’; ose ky musliman është bidatçi, ose ky epitet i kthehet atij që e akuzoi.
Dhe kjo është situata për të cilën fola më parë: ajo se të rinjtë tanë akuzojnë dijetarët duke u thënë: ‘bidatçinj’, në një kohë që ata vet e kanë merituar këtë akuzë, por ata nuk e dinë. Dhe ata – djemtë e rinj – nuk e kanë qëllim rënien në bidat, përkundrazi ata e luftojnë atë, por ata e merituan fjalën e poetit që ka thënë:

Sa’di i grahu devetë i mbështjellë me gunën e tij
nuk grahen kështu devetë o Sa’d, i shkreti ti!

(Sh.p.: Këto vargje shejkh Alban i recitonte shpesh për të ironizuar ata që flasin me kompetenca në një fushë ku nuk kanë mësuar as abc- në e saj)

Prandaj ne e këshillojmë rininë tonë që të kapen fort për Kuranin dhe Sunetin, me aq dituri sa kanë, dhe të mos i zgjasin gjuhët e tyre drejt atyre të cilëve nuk u afrohen as në dituri, as në kuptim, e ndoshta as në devotshmëri!”
Allahu e mëshiroftë!