Pyetje: Selam alejkum! Kam disa ditë të mbetura nga Ramazani i kaluar dhe sot isha duke agjëruar njërën prej tyre. A bën ta prish agjërimin e kësaj dite pasi sot jam në punë, për ta kryer atë një ditë tjetër?
Përgjigje: Alejkum selam!
Në lidhje me këtë çështje ka dy mendime mes dijetarëve.
Mendimi i parë: Kush hyn në një agjërim detyrë si: kryerja e ditëve të kaluara nga Ramazani, agjërimi për shlyerjen e betimeve, agjërimi për shlyerjen e gabimeve, zotimet për të agjëruar ndonjë ditë të papërcaktuar etj. nuk bën të dalë prej tyre pa i plotësuar ato përderisa ai është përfshirë në këto agjërime përveçse me arsye.
Kjo sepse agjërimi në këtë rast, edhe pse koha e tij është e papërcaktuar dhe fillohet, merr -sipas tyre- gjykimin e agjërimit farz të caktuar dhe nuk bën të dalësh prej tij pa arsye. Ashtu si nuk dilet prej agjërimit të Ramazanit pa arsye. Shih “El-Mugnij” 3/160.
Megjithatë, shumica e dijetarëve që përkrahin këtë mendim thonë: Nëse dikush e ka ndërprerë agjërimin e tij dhe ai ka qenë detyrë prej atyre llojeve të lartpërmendura, nuk kërkohet prej tij veçse zëvendësimi i asaj dite. Ata argumentohen me një hadith të Umi Hani radillahu anha e cila thotë: “Profeti alejhi selam piu nga një pije në një enë dhe më dha prej saj dhe unë piva. Pastaj i thashë: Unë isha me agjërim dhe nuk desha ta kthej mbrapa pijen tënde. Atëherë Profeti alejhi selam më tha: Nëse është plotësim Ramazani agjëro një ditë tjetër në vend të saj. Nëse nuk është plotësim Ramazani, atëherë nëse do kryeje ndonjë ditë tjetër dhe nëse nuk do mos e kryej.” E transmeton Ahmedi, Nesaiu etj. dhe e saktëson shejh Albani.
Mendimi i dytë: Mund të dalësh prej këtij lloj agjërimi edhe pa arsye sepse këto agjërime të detyrushme nuk janë të përcaktuara me kohë. Nga ky këndvështrim ato i ngjajnë agjërimit vullnetar të cilin mund ta çelësh nëse do, veçse ndryshimi mes tyre është se zëvendësimi i agjërimit vullnetar mbetet në dëshirën e besimtarit, ndërsa zëvendësimi i agjërimit detyrë mbetet përgjegjësi e besimtarit për ta kryer në ndonjë ditë tjetër.
Kjo ka qënë fetvaja e Ata’ Allahu e mëshiroftë i cili thoshte: “I lejohet atij që ka etje kur është duke plotësuar ditët e kaluara të Ramazanit ta çelë. E pyetën: Po e krahason plotësimin e ditëve të kaluara të Ramazanit me nafilet? Ai u përgjigj: Po.” E transmeton Abdurrazaku.
Kjo ka qenë gjithashtu fetvaja e imam Sheukanit. Shih “Es-Sejl El-Xherar” të Sheukanit fq. 301.
Pra mendimi i parë mbeshtetet te fakti se ky agjërim është detyrë, dhe kur fillohet merr rregullat e agjërimit detyrë. Ndërsa mendimi i dytë mbeshtetet te fakti se koha për agjërimin e tij nuk është ndonjë ditë e veçantë, dhe kështu që mund të dalësh prej tij siç dilet prej agjërimit vullnetar.
Në lidhje me këtë mesele më ka pëlqyer një mendim i një studiuesi të kohëve të sotme Abdurrahman Es-Suhejm -Allahu e mëshiroftë- i cili thoshte: Më parësore është ta vazhdojë agjërimin dhe të mos e ndërpresë atë pa ndonjë arsye, por nëse e ndërpret nuk ka ndonjë problem dhe e zëvendëson atë me një ditë tjetër. Allahu e di më së miri.
Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve