Mos u preokupo dhe mos e lidh suksesin pas rezultateve

April 4, 2023

Preokupimi pas rezultateve dhe lidhja e suksesit pas tyre.

Shumë njerëz preokupohen pas rezultateve dhe kjo i mundon shumë, madje mbi këtë ndërtojnë shpresat e tyre të largëta. Në momentin kur puna zgjat dhe nuk shohin ndonjë rezultat të prekshëm, në shpirtrat e fyre fillon të depërtojë diçka prej dobësisë. Kjo dobësi vazhdon t’i shoqërojë derisa personi mund të zhgënjehet dhe të tërhiqet nga misioni, dhe në rastin më të keq mund të shkaktojë tek ai reagime anti produktive.

Kjo është mangësi në metodologjinë e thirrjes, sepse thirrësi nuk është i ngarkuar të shohë rezultatet e thirrjes së tij dhe nuk është e domosdoshme apo shenjë e suksesit që ai të shikojë rezultate. Jo, ai duhet të japë maksimumin në thirrjen e njerëzve, e nëse ndodh që sytë e tij të kënaqen me rezultate pozitive atëherë shumë mirë. Por nëse ndodh e kundërta dhe vonohet vjelja e fryteve, ai përsëri ëshë në mirësi të madhe.

Ajo që i duhet një njeriu me vullnet të mirë është të kontribuojë sa të mundet dhe nuk i kërkohet që të shohë rezultate.[1] Para së gjithash, thirrësi për tek Allahu duhet t’i vendosë para syve tekstet që flasin dhe tregojnë për kumtimin e pejgamberëve tek popujt e tyre dhe kujdesin që tregonin, paçka se mund të jetë vonuar sezoni i vjeljes së fryteve nga ana e tyre.

Allahu i Lartësuar na tregon duke thënë:

r të dërguarit s’ka tjetër detyrë veç se të shpallin qartë.[2]

“Kurse i Dërguari është i detyruar vetëm që të përcjellë qartë (mesazhin hyjnor).”[3]  

Unë u sjell shpalljet e Zotit tim, ju këshilloj.”[4]

Unë u sjell shpalljet e Zotit tim dhe jam këshilltar besnik.”[5]

“O i Dërguar! Trego atë që të është shpallur nga Zoti yt!”[6]

Pra le të meditojmë në këto ajete Kuranore që vërtetojnë se angazhimi i thirrësit është vetëm ftesa, paçka se njerëzit mund t’i kthejnë shpinën dhe të mos e dëgjojnë. Nuk është pjesë e mesazhit të tij që të shikojë rezultatet e thirrjes dhe pranimin e atyre që fton, siç thotë Allahu i Lartësuar:

Por nëse refuzojnë, detyra jote është vetëm që t’ua përcjellësh dijen.”[7]

“Nëse ata kthejnë kurrizin, dije se Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed) si roje për ta. Detyra jote është vetëm që të kumtosh.”[8]

Nëse ju i ktheni shpinën të Dërguarit Tonë, dijeni se ai ka për detyrë vetëm që t’ju shpjegojë qartë.”[9]

 “Ai u largua prej tyre dhe tha: O populli im! Unë ju solla mesazhin e Zotit tim.”[10]

E nëse ju shmangeni, unë tashmë ua kam përcjellë atë (mesazhin) për të cilin jam dërguar tek ju.”[11]

Edhe nëse të tregojmë ty nga dënimi që u kemi premtuar atyre apo ta marrim shpirtin më parë, detyra jote është të kumtosh shpalljen. Llogaria është tek Ne.”[12]

Përmes këtyre ajeteve dhe shumë të tjerave që përafrohen në kuptim mësojmë se thirrësi duhet t’i përvishet punës në përhapjen e së mirës, e nëse ndodh që njerëzit i përgjigjen ftesës së tij atëherë kjo është gjë e mirë për të dhe për ata. Përndryshe, nëse ngulin këmbë në të kotën e tyre dhe nuk pranojnë atëherë ai (thirrësi) e merr shpërblimin ndërsa ata jo, dhe kështu ai është i shpërblyer në të dyja rastet.

Në temën që po trajtojmë përmendet një hadith profetik ku tregohen shembuj konkret nga shëmbëlltyrat e vërteta që janë profetët e Zotit, dhe se si numri i pakët i atyre që u përgjigjeshin nuk i pengonte për ta vazhduar kumtimin e tyre dhe as nuk ua ulte prestigjin dhe pozitën që kishin në realizimin e nënshtrimit të plotë ndaj Allahut dhe në përkrahjen e fesë së Tij.

Imam Muslimi përcjell nga Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i dërguari i Allahut, alejhi salatu ues selam, ka thënë: “Para syve mu shfaqën popujt dhe aty pashë profet që kishte pas vetes një grup njerëzish (deri në 10 persona). Pashë profet që kishin pas vetes një apo dy persona, si dhe profet që nuk kishte asnjë njeri pas vetes.”[13]

Ajo që duam të nënvizojmë nga hadithi është pjesa ku tregohet se do ketë profetë që i kanë ndjekur vetëm një ose dy persona, ose profetë që nuk i ka ndjekur askush. E gjithë kjo na mëson se ky profet i nderuar, edhe pse nga njëra anë ishte i përkrahur me shpallje nga Allahu dhe nga ana tjetër nuk i ishte përgjigjur askush, kjo nuk e kishte plogështuar aspak. Përkundrazi, ai e vazhdonte kumtimin e mesazhit të Allahut në kërkim të kënaqësisë së Tij dhe ishte i shfajësuar para Allahut me punën e tij. E pra, ku janë ata që demoralizojnë veten dhe të tjerët kur shohin që njerëzit nuk përgjigjen ose kur janë të pakët në numër?!

Thirrësi duhet ta vazhdojë misionin e tij në ftesën e njerëzve dhe këshillimin e tyre me synimin që të arrijë shpërblimin e Allahut, dhe të largojë përgjegjësinë e tij në detyrën që mban për këshillimin e vëllezërve. Të ketë kujdes nga mashtrimet e shejtanit në momentin kur pak njerëz i përgjigjen, sepse mund t’i hyjë vetja në qejf kur numri i dëgjuesve është i madh dhe t’i dobësohet vullneti në thirrje atëherë kur numri i pjesmarrësve është i vogël.

Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, përcjell nga Abdurrahman bin Mehdi se ka thënë: Ditën e xhuma mbaja një mexhlis (tubim) dhe kur njerëzit shtoheshin unë gëzohesha, dhe kur pakësoheshin pikëllohesha. Për këtë pyeta Bishr bin Mensurin i cili më tha: Ai mexhlis është i keq prandaj mos u kthe më aty, – kështu që nuk u ktheva më aty.[14]

Nëse të pëlqen dhe ndihesh i gëzuar apo lakmon kur sheh njerëz para teje, dhe në momentin kur ata largohen dhe shpërndahen apo mbeten shumë pak ti nuk e kryen punën me sinqeritet duke mos dhënë maksimumin e dijes që ke, atëherë ky lloj mexhlisi është i keq, të dëmton dhe nuk të sjell dobi.

Prandaj nëse ulet në mexhlisin tënd qoftë dhe një person, mësoji prej dijes që të ka mësuar Allahu. Personalisht kam parë disa njerëz të ditur që nuk ulej askush në mësimin e tyre. Nëse vinte dikush dhe i lexonte ai ja sqaronte mësimin, dhe nëse nuk vinte askush dhe mbaronte koha e mësimit ai ngrihej dhe largohej pa u ndier keq, dhe kthehej të nesërmen apo ditët e tjera për aq kohë sa të donte Allahu.

Imam Maliku ka thënë: Unë shkoja tek Nafiu bashkë me një djalosh dhe isha shumë i ri në moshë. Ai zbriste një shkallë dhe më tregonte diçka. Nafiu ulej pas sabahut në xhami (për mësim) dhe ndoshta në mexhlisin e tij nuk ulej askush.[15]

Imam Dhehebiu në biografinë e Ata’a bin Ebi Rabah ka përmendur se njëri nga bashkëkohësit e tij ka thënë: E kam parë Ata’në në kohën kur konsiderohej më i pranuari tek njerëzit e asaj kohe, e megjithatë në mexhlisin e tij uleshin për të përfituar nëntë ose tetë veta.[16]

Ajo që dua të them është se suksesi nuk varet tek numri i madh. Jo, suksesi qëndron tek sinqeriteti dhe interesimi që ti i jep këtij grumbulli të vogël. Prandaj mos e neglizhoni një mirësi sado e vogël qoftë ajo. Jep nga dija që të është dhënë, sepse mund të ulen tek ti katër ose pesë njerëz dhe mund të përfitojë prej tyre vetëm njëri. Ndërsa tek dikush tjetër mund të prezantojnë dyzetë apo pesëdhjetë dhe mund të përfitojnë pesë ose gjashtë vetë. Por ky personi i vetëm që mësoi tek ti mund ta ketë dobinë shumë më të madhe se ata pesë apo gjashtë persona. Allahu mund të japë dobi me këtë person të vetëm shumë herë më shumë se shokët apo kolegët e tij.[17]

Marrë nga libri: “Shenja në rrugën e përmirësimit”.

Autor: Abdul Aziz Sed’han

 Përktheu: Fatjon Isufi

——————————————————-

[1] Shumë herë e kam dëgjuar shejhun e nderuar Meshhur Hasen Al Selman, Allahu e ruajtë, duke thënë: Detyra jonë është ta përçojmë fjalën deri tek veshi i dëgjuesit, pastaj prej dëgjimit e deri tek zemra është pjesë që i takon Allahut! Sh.p.

[2] Suretu Nahl: 35.

[3] Suretu Nur: 54.

[4] Suretu el A’raf: 62.

[5] Suretu el A’raf: 68.

[6] Suretu Maide: 67.

[7] Suretu Al Imran: 20.

[8] Suretu Shura: 48.

[9] Suretu Tegabun: 12.

[10] Suretu el A’raf: 79.

[11] Suretu Hud: 57.

[12] Suretu er- Ra’d: 40.

[13] Mutefekun alejhi. E përcjell Buhariu në kapitullin “Mjekësia”. Bashkangjitur shih librin “Fet’hul Bari” 10/191, tema 17, hadithi me nr, 5705, si dhe Muslimi me nr. 526.

[14] Imam Dhehebiu në librin e tij “Sijeru alami nubela” 9/196.

[15] Imam Dhehebiu në librin “Sijeru alami nubela” 8/107.

[16] Imam Dhehebiu në librin “Sijeru alami nubela” 5/84.

[17] “Shenja në rrugën e kërkimit të dijes” fq. 227-228.

Loading...