O Besimtarë, Tregohuni falenderues kur ju vijnë mirësitë. Lutuni dhe pajisuni me durim kur iu trokasin fatkeqësitë dhe Kapuni për litarin e shpresës kur ju mbysin hallet dhe vështirësitë.
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju! Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten! Pikërisht ata janë të pabindurit (ndaj Allahut). Nuk janë të barabartë banorët e Xhehenemit dhe banorët e Xhenetit; banorët e Xhenetit do të jenë të fituarit.” (Hashr; 18-20).
Në këtë botë ekziston një xhenet (kënaqësi) i përshpejtuar dhe ai është xheneti i veprave të zemrës. Është njohja e Allahut, kënaqësia me besimin ndaj Tij, gëzimi me Të, shijimi i kërkimit prej Allahut, rehatia në afërsinë me Të, qetësia në nënshtrimin ndaj Tij, përulësia ndaj Tij me frikë e më përgjërim, ecja për tek Ai me shpresë dhe optimizëm, zbrazja e zemrës prej çdo dashurië që barazohet apo që rivalizon dashurinë për Të, madhërimin e dashurisë për Të mbi çdo dashuri tjetër dhe dhënia përparësi e asaj që pëlqen Ai mbi çdo gjë tjetër.
Në këtë mënyrë shijohet ëmbëlsia e besimit. Kështu shpërthejnë në zemër rrezet e besimit të fortë dhe shpirti drejtohet në lartësitë e udhëzimit dhe të suksesit.
Nëse dëshiron që këto të gjenden në zemrën tënde e të zënë vend në brendinë tënde, duhet të pregatisësh për to kraharor bamirës dhe zemër të pastër. Sjelljet që burojnë prej një zemre të lartë e me vlera nuk zënë vend vetëm se në një zemër të tillë; një zemër të shëndetshme, pa sëmundje e pa distancime, e kulluar dhe pa probleme, e pastër prej mendjemadhësisë, vetëpëlqimit dhe zullumit, e lartë, pa urrejtje, pa zili, pa mllef dhe pa armiqësi. Kjo është zemra e pastër dhe e shëndetëshme për të cilën kanë garuar ta posedojnë njerëz që dëshirojnë të fitojnë botën tjetër.
Në këtë botë nuk ka kënaqësi që shijon më shumë se bamirësia e zemrës, pastërtia e kraharorit, njohja e Allahut, dashuria për Të dhe veprimi në bindje ndaj Tij.
E në realitet a mund të ketë jetë të vlefshme përveç jetës me zemër të pastër.
Allahu e ka lavdëruar mikun e tij për zemrën e tij të pastër, ku thotë:
“Pa dyshim që një nga ithtarët e (besimit të) tij (Nuhut) ishte Ibrahimi. Ai i erdhi Zotit të vet me zemër të pastër” (Safat; 83,84)
Gjithashtu tregon për të dhe thotë: “në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Shuara; 88,89).
Zemra e pastër o rob të Allahut është ajo zemër që pastrohet prej shirkut (idhujtarisë), urrejtjes, mllefit, zilisë, koprracisë, mendjemadhësisë, dashurisë për këtë botë e për pushtet. Zemër që ka shpëtuar prej çdo sëmundjeje që e largon prej Allahut, që ka shpëtuar prej dilemave që bien ndesh me shpalljen e Allahut dhe prej epsheve që kndërshtojnë urdhëresat e Tij, që ka shpëtuar prej çdo dëshire që bie ndesh me dëshirën e Tij dhe që ka shpëtuar prej çdo penguesi që të shkëput prej Allahut. Kjo është zemra e pastër. Ajo jeton një xhenet të përshpejtuar në këtë botë, një xhenet në jetën e varrit e në xhenetin e ditës së kthimit në botën tjetër.
Allahu thotë: Me të vërtetë të devotshmit do të jenë në mirësi. Ibën Kajim ka thënë: Në mirësi nuk nënkupton vetem mirësinë e xhenetit, përkundrazi ata do të jenë në mirësi në këtë botë në varr dhe në botën tjetër.
Për një zemër të tillë të pastër o rob të Allahut janë ngritur lart shumë njerëz e kanë dalë të parët, e janë ulur poshtë shumë të tjerë e kanë rrëshqitur.
Sufjan ibn Dinar Allahu e mëshiroftë thotë: Ibn Beshirit i cili ishte prej shokëve të Aliut r.a i thashë: Na fol për veprat e atyre që jetuan para nesh?
Ai tha: Ata punonin pak e shpërbleheshin shumë. Unë i thashë: E përse kështu? Ai tha: Për shkak së kraharorët e tyre ishin të pastër.
Sa gjë madhështore është të kesh kraharor të pastër, bamirësi në zemër, pastërti dhe madhështi në të. Ajo është grumbulluesja e mirësisë, themeli i vlerave, sekreti i pranimit, nxitësja e lartësimit dhe vendi i suksesit. Mjafton që diçka e tillë është një parrullë e banorëve të xhenetit:
“Ne do ta heqim urrejtjen nga zemrat e tyre; ata do të rrinë ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në divane.” (Hixhr; 47)
Ebu Hurejrah r.a përcjell se i dërguari i Allahut a.s ka thënë: Turma e parë që do të hyjë në xhenet do të jenë me pamjen e hënës së plotë, ata që vijnë pas tyre do të jenë si ylli më i bukur e më i ndritshëm në qiell. Zemrat e tyre do të jenë si një zemër e vetme. Mes tyre nuk do të ketë urrejtje e as zili. Buhariu dhe Muslimi.
Gjëja më e dëmshme për njeriun është përkujdesja vetëm për pamjen e jashtme e zemrën ta ketë të rrënuar. Kjo i ngjan vezullimit të mirazhit në shkretëtirën e madhe.
A i bën dobi personit të folurit e ëmbël, puna e stolisur dhe zbukuruar ndërsa zemra e prishur dhe e sëmurë!?
A mund ti sjellë njeriut lartësim e pranim një paraqitje e rreme dhe brendi e shëmtuar!?
O besimtarë po a ka zemër më të pastër se zemra e mikut të Allahut Ibrahimit a.s i cili u distancua prej shirkut idhujtarisë. Ai, babait dhe popullit të tij u tha:
“ A keni menduar mirë mbi çfarë keni adhuruar, si ju, ashtu edhe të parët tuaj të lashtë? Në të vërtetë, ata janë armiqtë e mi, përveç Zotit të botëve” (Shuara; 75-77).
Po a ka zemër më të pastër se zemra e Muhamedit, vulës dhe shembullorit a.s.
Zemra e tij e gjerë me të cilën kurrë nuk u hakmorr për veten e tij vetëm kur shkeleshin kufijtë e Allahut e atëherë merrte hak për Allahun. Buhariu dhe Muslimi.
Po a ka zemër më të pastër se zemra e dy shokëve Ebu Bekrit dhe Umerit, Allahu qoftë i kënaqur me të dy. Një grindje ndodhi mes tyre e pas saj secili prej tyre qortonte vetveten dhe kërkonte ndjesë tek (vëllai i vet) tjetri.
Ebu Derda r.a tregon dhe thotë: Unë isha ulur me profetin a.s. Po vinte Ebu Bekri që kish kapur një cep të rrobes së tij dhe e kish ngritur aq sa i dukej gjuri. Profeti a.s tha: Ky shoku juaj paska rënë në rrezik. Erdhi përshëndeti me selam dhe tha: Unë pata diçka me ibnul Khatabin, nxitova kundër tij por pastaj u pendova. I kërkova të ma falte por ai refuzoi. Kështu që erdha tek ty. Ai a.s tha: Allahu të faltë ty o Ebu Bekër, tre herë. Më pas edhe Umeri u pendua. Ai shkoi tek shtëpia e Ebu Bekrit dhe pyeti se a ishte Ebu Bekri aty? I thanë: Jo. Kështu që erdhi tek i dërguari i Allahut a.s përshëndeti me selam dhe ai i ktheu selamin. Profeti a.s iu mrrol fytyra dhe Ebu Bekri i frikësuar iu afrua ulur në gjunjë dhe tha: O i dërguar i Allahut unë qeshë më i padrejtë. E tha dy herë. Profeti a.s tha: Allahu më dërgoi tek ju e thatë gënjen ndërsa Ebu Bekri tha; të vëretën po flet pastaj më përkrahu me veten e tij e me pasurinë e tij. A po ma lini rehat shokun tim. Dy herë. E pas kësaj, (Ebu Bekrin) nuk e mundoi më askush. Buhariu dhe Muslimi.
Këto janë tregime për burra fisnikë të cilët fenë e tyre e kishin me pastërti ndaj Allahut dhe zemrat i pastruan prej sëmundjeve të urrejtjes, hiles, mllefit, zilisë, zemërimit dhe koprracisë. Ata u ngritën drejt xhenetit duke qenë akoma gjallë, i parapriu mirësia e banorëve të tij dhe jetuan jetë të lumtur.
Nuk ka habi sepse njerëzit me zemra të pastra janë njerëzit që bëjnë jetën më të mirë, më të qetë, më të rehatëshme me më pak ankth, stress e mërzi, sepse ato nuk mërziten për atë që nuk e arrijnë prej të mirave të kësaj bote. Atyre nuk ua prish rehatinë fjala e keqe, sjellja e shëmtuar sepse angazhohen me pjesën që i ka dhënë Allahu i lartësuar. Allahu është i gjithë preokupimi i tyre, objektivi i qëllimit të tyre dhe fundi i shpresës së tyre. Nëse prej tij e marrin pjesën e caktuar kënaqen me të totalisht.
Ata pasha Alalhun janë ajka e botës dhe më të kulluarit e bijve të Ademit.
E nuk ka jetë më të mirë se jeta e tyre e nuk ka kënaqësi më të madhe se kënaqësia e tyre.
O Allah na bashko ne dhe muslimanët e tjerë me ta, na mundëso të ndjekim rrugën e tyre, na mundëso të jemi në grupimin e tyre që të jemi prej atyre për të cilët Ti ke thënë dhe fjala Jote është e vërtetë:
“Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” (Hashr; 10).
Allahu na mundësoftë të kemi dobi me udhëzimin e Librit dhe me traditën e të përzgjedhurit mbi bijtë e dheut.
Me këto fjalë i kërkoj falje pranuesit të pendimit, kërkojini falje Atij sepse Allahu ndaj njerëzve është i Butë e i Mëshirshëm.
Hytbeja e Dytë
O muslimanë mjekimi i sëmundjeve të zemrës është i vështirë dhe ato janë shumë. Dëshirat veprojnë dhe i zbukurojnë ato tek vetja duke i paraqitur ato në pamje të shkëlqyera mashtruese. Shejtani me to e bën akoma më të fortë kurthin ndaj njeriut për t`ia bërë të pëlqyera humnerat e shkatërrimit e për ta futur atë në vathën e asgjësimit.
Rruga e shpëtimit o robër të Allahut është detyrimi i vetvetes të qëndrojë kundër tekave të saj për të mos anuar në anën e tyre sepse ky është helmi vrastar. Sa njerëz i ka hedhur poshtë e ata më nuk lëvizin e nuk kanë gjallëri.
Robi le ta mundë kurthin e shejtanit Iblis duke u hedhur në përpjekje të shumta sepse përpjekjet e shumta ndezin zjarrin e vendosmërisë e të ambicjeve.
Nëse personi heton se posedon diçka prej këtyre papastërtive mbi pastërtinë e zemrës le ti mjekojë ato si mjek ku të njihet me shkaqet e tyre. Le ti vështrojë ato me urtësi duke menduar pasojat dhe përfundimet e saj.
Nëse gjen tek vetja mendjemadhësi, e cila është sëmundja më e madhe që rrëmben shëndetin e zemrës. Le ta dëbojë atë prej vetvetes duke sjellë ndërmend se është krijesë e dobët dhe e pavlerë që nuk posedon për veten e tij as dobi e as dëm. Le ta dijë se çdo shkak që e hedh atë në rrjetën e mendjemadhësisë do të zhduket e është i kotë. Të dijë se ai mashtron veten me mirësi të dhuruara prej Allahut. Ta dijë, ta dijë se ato janë prej Allahut e jo prej tij e Ai i rrëmben ato kur të dojë. Njeriu nuk ka në dorë vazhdimësinë e këtyre mirësive ashtu sikurse nuk pati në dorë fillimin e tyre. Kur i hiqet perdja atëherë njeriut i zbulohet vetvetja e qartë. Aty shikon dobësinë, mangësinë, injorancën dhe padrejtësinë. Sheh se si të gjitha këto e kanë rrethuar e nuk gjen me çka ta shpëtojë vetveten.
Zemra e tij është rrënuar, vetvetja zullumqare, mjetet e shpëtimit i kanë mbaruar, rruga është e gjatë dhe llogaria është e fortë.
Të Ngjashme
- Mirësitë e Allahut kërkojnë falënderim Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Dhjetë mënyra për tu mbrojtur nga shejtani Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Ramazani – testi dhe dhurata e radhës Emin Bilali
- Mësime dhe dobi të përfituara nga surja El Ihlas Udha e Besimtarëve
- Mbështetja tek Allahu Udha e Besimtarëve