Dituria më e ndershme dhe më e dobishme është dituria që të njeh me Zotin e Madhërishëm, me Emrat, Cilësitë dhe Veprat e Tij, e kjo është e vërteta e besimit dhe qëllimi i thirrjes tek të dërguarit e Zotit.
Njeriu nëse arrin të njohë Zotin me Cilësitë e Tij të larta, dhe Emrat e Tij të bukur, ka përsosur teuhidin, besimin në Një Zot, e do Zotin dhe i bindet Atij, largohet nga mosbindja dhe kundërshtia e urdhërave të Tij.
Qëllimi i ekzistencës së krijesave është adhurimi i Krijuesit, njohja e të Lartësuarit, me Madhështinë dhe Veprimet e Tij, me Diturinë gjithëpëfshirëse dhe Forcën e Tij të pakufishme. “Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe po aq toka. Urdhrat e Tij zbresin përmes tyre, që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij.” (Et-Talak 12)
Kurani Famëlartë ka treguar shumë nga Emrat, Cilësitë dhe Veprat e Zotit të Madhërishëm. Sikurse suret dhe ajetetet më madhështore të Kuranit Famëlartë janë ato që përmbajnë Emrat, Cilësitë dhe Veprat e Zotit të Madhërishëm. Fatihaja është nga suret më madhështore në Kuranin Famëlartë. Ajo përmban lavdërim, madhërim, dhe lartësim të Zotit. Sqaron Emrat e bukur dhe cilësitë e larta të Zotit të Madhërishëm, dhe se Ai është i Vetëm në Sundim dhe Zoti i Vetëm meriton të Adhurohet. “ I Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti, Sunduesi i Ditës së Gjykimit.”
Surja Ihlas, është e barabartë me një të tretën e Kuranit, sepse konkludon në qartësimin e atributeve të Zotit të Gjithëmëshirshmit.
Në dy Sahihët tranmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, dërgoi njërin prej shokëve të vet si kryesues të një ekspedite vëzhguese, i cili gjatë qëndrimit në terren, shokëve të vet në çdo namaz ua këndonte suren “El-Ihlas”, me të cilën po ashtu edhe përfundonte namazin. Kur u kthyen në Medinë, ata ia përmendën këtë veprim Pejgamberit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Ai ka thënë: “Pyeteni atë përse vepron kështu?” E kanë pyetur, dhe ai ka thënë: “ Sepse kjo sure tregon Cilësit e të Gjithëmëshirshmit, unë e dua këtë sure dhe e lexoj atë.” I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Lajmërojeni se Allahu e do atë.”
Sa më shumë që njeriu ta njohë Zotin aq më shumë i frikësohet Atij, është më kërkues në adhurimin e Tij, qëndron larg mosbindjes dhe kundërshtisë së Tij, dhe është më afër Zotit të Madhërishëm. Zemra e tij dëshiron gjithmonë që të takojë Zotin, e do Atë dhe dëshiron ta shikojë Atë. “ Kush dëshiron takimin me Zotin, dhe Zoti e do takimin me të.”
Vëllezër! Vërtetë në çdo emër nga emrat e bukur të Zotit, dhe cilësi nga cilësit e Tij të Larta, ka adhurim dhe përulje që bëhet vetëm për Të. Nga emrat e bukur të Zotit të Madhërishëm dhe nga cilësitë e Tij të Larta është dhe emri i Zotit “Latif”- i Butë dhe Bamirës me robërit e Tij.
Ai që dituria për të është e mbuluar me sekretet e Tij, Ai di të fshehtën dhe të dukshmen, atë çfarë mbartin gjokset dhe shpirtrat tanë në brendësinë e tyre.
Nga kuptimet e emrit të Zotit “Latif” është se ai zbret mirësitë e Tij tek robërit, besimtarët, dhe i mbron ata nga zemërimi i Tij me Butësinë dhe Mirësinë e Tij. I orienton drejt përsosmërisë dhe lumturisë së tyre, me metoda të bukura të cilat ndoshta nuk i ndjejnë dhe nuk arrijnë ti njohin. “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (El-Bekare 216)
Krijesat që më shumë e njohin Zotin janë të dërguarit dhe profetët e Tij. Kush shikon në atë çfarë kanë kaluar në jetën e tyre do të shohë sprova, vështirësi dhe pikëllime, por në brendësi të kësaj gjithmonë ka patur butësi, dhembshuri, mirësi dhe mëshirë, do të bindet se çdo çështje është në dorë të Zotit, që është Latif, i Mirë me robërit e Tij.
Jusufi, paqja e Zotit qoftë mbi të, u përball me vështirësi që në moshë të vogël. Vëllezërit e tij i thurën komplot dhe e privuan nga qëndrimi me prindërit. Ata e hodhën Jusufin në pus, e më pas e shitën për një çmim të lirë, si skllav. Më pas kaloi disa vite në burg, duke qenë i vetëm dhe larg familjes. Por se Allahu i Madhërishëm ishte i Mirë me të, pusi ishte mbrojte për të nga vrasja, skllavëria ishte një mbrojtje për të nga endja në shkretëtirë. Burgosja e tij ishte sprovë e krijesës që gabon dhe bën gjynah. Atje, në burg, takon atë që e porositën të ndërmjetësojë për të tek mbreti. Të gjitha këto sprova dhe mësime u bënë shkak që Jusufi, paqja e Zotit qotfë mbi të, të lartësohet në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu i Madhërishëm e bashkoi atë me prindërit dhe familjen e tij në kohën kur ai ishte në kulmin e pozitës, pushtetit dhe pasurisë, dhe me atë që Allahu i Madhërishëm i dhuroi atij nga profetësia. “Ai i ngriti prindërit e vet në fron dhe ata të gjithë iu përulën atij. Ai tha: “O babai im, ky është shpjegimi i ëndrrës sime të dikurshme. Zoti im e përmbushi atë. Mua më bëri mirësi, kur më nxori nga burgu, kurse juve ju solli nga shkretëtira, pasi djalli pati futur ngatërresë midis meje dhe vëllezërve të mi. Vërtet, Zoti im është i Butë me kë të dojë; Ai është i Gjithëdijshmi dhe i Urti!” (Jusuf 100)
O ju besimtarë! Treguesit e mirësive të Zotit ndaj robërve të Tij janë të shumta dhe nuk numërohen. Prej mirësive dhe prej kujdesit të Zotit për robërit e Tij është se Ai u cakton furnizim nga ajo që e presin dhe ajo që nuk e presin, dhe nga ajo që e mendojnë dhe që nuk e mendojnë. E gjithë kjo ndodh me Diturinë e Tij dhe në dobi të krijesave, njerëzve, dhe jo sipas dëshirave, por nga Mirësia e Tij nga Drejtësia dhe Bujaria e Tij për ta. “Sikur Allahu t’i shtonte mjetet e jetesës për robërit e Vet, ata do ta mbushnin Tokën me mbrapshti. Por Ai u jep me masë, sa dëshiron, sepse Ai i njeh dhe i sheh mirë robërit e Vet.” (Esh-Shura 27)
Imam Ahmedi përcjell në Musnedin e tij se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Vërtetë Allahu e mbron robin e Tij besimtar nga kjo botë, dynjaja, dhe Ai e do atë, sikurse e mbroni të sëmurin tuaj nga ushqimi dhe pija, sepse keni frikë për të nga ai ushqim.”
Prej Mirësisë së Zotit të Madhërishëm ndaj robërve të Tij besimtarë është se i largon ata nga errësira e padijes, mohimit dhe gjynaheve për në dritën e dijes, besimit dhe bindjes ndaj Zotit. Allahu i Madhërishëm ua mundëson që të shijojnë ëmbëlsinë e disa adhurimeve që të dëshirojnë diçka që është më e mirë dhe e madhe se ato. Ahtu Sikurse prej Mirësisë dhe Butësisë së Tij është kur ju jep sukses besimitarëve që ta ndalojnë vetet e tyre nga egoja dhe e kota, dhe për këto do ti shpërblejë me Xhenetet e larta. “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” ( En-Nazi’at 40-41)
Prej Mirësisë së Zotit të Madhërishëm ndaj robit është se kur e sprovon me disa fatkeqësi, i jep sukses që të jetë i duruar në të. Me këtë durim besimtarit i mudësohet që të arrijë disa gradë të larta, të cilat nuk i arrin dot me veprat, apo punët e tij. Nëse ai është i fortë në besim, fatkeqësia është më e rëndë, duke ju rritur në këtë mënyrë besimi i tij dhe ti shtohet shpërblimi gjithashtu. Ndërsa besimtarit të dobët, fatkeqësia për të është më e lehtë, nga Mirësia dhe Butësia e Zotit të Madhërishëm, që të mos i dobësohet, pakësohet besimi i tij. Allahu i Madhërishëm është i Butë në të mirë dhe në vështirësi të njeriut, në shëndetin dhe sprovën e tij.
Tek dy Sahihët ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk ka gjë që e godet muslimanin, prej sëmundjes dhe lodhjes, prej hidhërimit dhe telasheve, prej fatkeqësive dhe halleve, madje edhe ferra që e shpon, përveç se Allahu e pastron prej gabimeve që ka bërë.”
“Mund të ndodhë që të urreni diçka por Allahu jep nga ajo të mira të shumëta.”
Tek “Zuhdi” i Ibn Mubarakut, tregohet se Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Nuk shqetësohem për asnjë gjendje, situatë që mund të jem, për atë që dua apo atë që urrej, sepse unë nuk e di e mira është tek ajo që unë dua apo tek ajo që urrej.”
Nga Mirësia dhe Butësia e Zotit ndaj robit të Tij, është se gjynahin që kryen njeriu e bën shkak për mëshirën dhe faljen e Tij. Allahu i Madhërishëm njeriut pasi që kryen një gjynah i hapën portën e kërkimit falje dhe pendesës, derisa të shikojë njeriu se po shpërdoron me mosbindjen dhe gjynahet e tij. E kur njeriu të shikojë se mes tij dhe varrit ka mbetur një pëllëmbë, shumë pak kohë, i Buti dhe Bamirësi me robërit e Tij, hapën për të portat e kërkimit falje dhe pendesës, dhe ndjen keqardhje për atë që ka kaluar nga jeta e tij, kthehet e punon nga punët e banorëve të Xhenetit.
Tek dy Sahihët ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vërtetë dikush nga ju mund të bëjë vepra (të liga), derisa ndërmjet tij dhe Zjarrit të ketë mbetur vetëm një kut, por atij i paraprin paracaktimi i shkruar për të dhe ai fillon të bëjë vepra të mira, të cilat janë veti e banorëve të Xhenetit, dhe hynë në Xhenet.”
Zoti na begatoftë me Kuran dhe synet, dhe na bëftë dobi nga argumentat dhe urtësitë e tyre. Zotit i kërkoj falje për vete dhe ju nga çdo gjynah dhe gabim, Zotit kërkoni falje me të vërtetë Ai është Falës.
Hytbeja e dytë
O besimtarë! Prej ndikimeve që ka emri i Zotit, “Latif”, i Mirë me robërit e Tij, në iman është se e vë njeriun në përpjekje të vazhdueshme për përmirsimin e zemrës. Sepse Zemra është “vendi,” ku shikon Zoti. Me përmirsimin e zemrave përmirsohet trupi dhe veprat. Në diturin e njeriut është se Zoti qëndron mbi çdo gjë, i informuar për çdo gjë të madhe dhe të vogël, dituri që e shtynë të marri veten në llogari, në fjalët dhe veprat e tij, lëvizjet dhe qëndrimet e tij. Lukmani duke këshilluar djalin e tij ka thënë: “ O djali im, edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit që ndodhet në shkëmb, në qiej apo në Tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, Allahu njeh mirë çdo imtësi dhe i di të gjitha fshehtësitë.” ( Lukman 16)
Vërtetë kush beson në emrin e Zotit “Latif”, e di se çdo vështirsi që i vjen është shkallë me të cilat ngjitet në gradë. Sa nga fatkeqësitë sjellin dhurata. E sikur të mos ishin fatkeqësit dhe sprovat nuk do të ishin penduar disa gabimtarë nga gjynahet e tyre.
Zoti i Madhërishëm, sprovon robin e Tij besimtarë që ta edukojë atë dhe jo për ta dënuar. Në “Synenin” e Tirmidhiut, i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Sprova në trupin, fëmijën dhe pasurinë e besimtarit apo besimtares do të vazhdojë derisa ta takojë Allahun dhe nuk i ka mbetur asnjë gjynah.”
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, është nga njerëzit më të butë dhe të mirë, Allahu i Madhërishëm e ka vlerësuar atë me fjalën e Tij kur thotë: “Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje.” (Al ‘Imran 159)
Butësia dhe mirësia është nga mëshira, prandaj u mblidhën njerëzit rreth tij, e sikur të ishte i vrazhdë nuk do të mblidheshin njerëzit rreth tij. Kush i trajton njerëzit me metodën që e do Allahu dhe i dërguari i Tij, Allahu i Madhërishëm do ta trajtojë atë në këtë mënyrë në këtë botë dhe në botën tjetër. Shpërblimi është sipas punës që njeriu bën.
Dosje: Dituria, Emrat e Allahut
Të Ngjashme
- Mirësitë e Allahut kërkojnë falënderim Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Dhjetë mënyra për tu mbrojtur nga shejtani Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Ramazani – testi dhe dhurata e radhës Emin Bilali
- Mësime dhe dobi të përfituara nga surja El Ihlas Udha e Besimtarëve
- Mbështetja tek Allahu Udha e Besimtarëve