Tema: Neglizhenca
O besimtarë frikësojuni Allahut, qëndroni para Tij ashtu siç ju urdhëron, që tu japë më pas atë që u premton. Përgjigjuni Allahut nëse ju thërret, që Ai tu përgjigjet kur e thërrisni. Kush tregohet i pastër me Allahun, Allahu e pastron atë. Kush strehohet tek Allahu, Ai e strehon atë. Kush ia lë Allahut çështjen e vet, Allahu i mjafton atij. Kush e shet veten e tij për Allahun, Allahu e blen atë e si çmim i jep xhenetin dhe kënaqësinë e Tij.
E tërë jeta duhet të jetë përmendje e vazhdueshme e Allahut. Sigria qëndron në zbatimin e urdhërave. Shpëtimi prej shkatërrimit arrihet duke hipur në anijen e Librit e të Sunetit. Ndërsa Fitorja e vërtetë është fitorja e atij që shpëton prej zjarrit dhe hyn në xhenet.
O muslimanë! Allahu i ka krijuar zemrat që ato të jenë njohëse të Tij dhe të lidhura me Të. Asgjë nuk duhet ta pengojë atë nga përmendja e Allahut dhe nga meditimi rreth fakteve të tij. Mirëpo zemrave u paraqiten sëmundje dhe pengesa që bëhen bllokadë mes tyre dhe asaj për të cilën janë krijuar, duke i spostuar kështu prej gjendjes së kërkuar prej tyre.
Sëmundja më e rrezikshme dhe më e dëmshme që i paraqitet zemrave është neglizhenca. Ajo është gjumi i zemrës, largimi prej dhikrit dhe mos marrja e këshillës. E kështu ajo shkon pas egos në çdo gjë që dëshiron. Një zemër e tillë nuk ndjen më atë që duhet të ndjejë, e nuk qëndron aty ku duhet.
Prej këtyre neglizhencave janë:
Neglizhenca ndaj meditimit mbi faktet në univers e në legjislacionin e Allahut. Këto fakte edhe pse vijnë njëra pas tjetrës, zemrat vazhdojnë të jenë të pavëmendëshme dhe harraqe. Këto zemra nuk lëvizin e të pranojnë besimin e as të kenë frikë, të përulen apo të nënshtrohen ndaj Allahut.
“Sa herë që atyre u vjen ndonjë nga shenjat e Zotit të tyre, ata i shmangen asaj.” (Jasin; 46)
Kështu është kur shenjat dërgohen në një ambjent të pavëmendshëm që nuk e pranon përkujtimin. Kjo ngjan me shiun që zbret mbi tokë për ta gjallëruar, por ajo është shkëmbore nuk përthith ujë e mbi të nuk mbin asgjë.
Neglizhenca ndaj botës tjetër dhe përkjekjeve të duhura për të dhe për pregatitjen e arës së saj para se të vijë dita e pikëllimit për neglizhentët është fatale.
Allahu i Lartësuar thotë: “por shumica e njerëzve nuk e dinë. Ata dinë vetëm anën e dukshme të kësaj jete, ndërsa për jetën tjetër janë të pakujdesshëm.” (Rrum; 6,7).
Këta neglizhentë janë të dhënë totalisht pas kësaj bote. Dija e tyre nuk shkon përtej kësaj bote. E megjithatë ata njohin vetëm shkëlqimin e saj në pamje të jashtme duke mos e njohur realitetin dhe fshehtësitë e saj. Ata njohin shijet e kësaj bote, argëtimet dhe kënaqësitë epsharake e nuk njohin dëmet, lodhjet dhe dhimbjet në të. Ata e dinë se ajo është krijuar për ta, mirëpo nuk e dinë se ata nuk janë krijuar për të.
Ata angazhohen sikur do të jetojnë përgjithmonë në të, por harrojnë se ajo do zhduket e do të mbarojë. Kjo botë është e shkurtër edhe nëse zgjat, e shëmtuar edhe nëse zbukurohet.
Robër të Allahut! Këtyre kur tu vijë bota tjetër për të cilën nuk u kujdesën atëherë e meritojnë pikëllimin por se atë ditë nuk u bën dobi pikëllimi. Allahu duke e përshkruar gjendjen e tyre thotë:
“Paralajmëroji ata (o Muhamed) për Ditën e Pikëllimit, kur do të japin llogari, ndonëse tani ata janë të shkujdesur dhe nuk besojnë.” (Merjem; 39).
Kjo është dita ku jepet vendimi mbi gjykimin ndaj krijesave. Disa prej tyre do të jenë të hidhëruar e disa të lumtur. Disa do të jenë përjetësisht në xhenet e disa përjetësisht në xhehenem. Banorët e xhenetit do të jenë në mirësi e rehati. Ndërsa banorët e xhehenemit të pikëlluar e në mundime të mëdha.
Nga Ebi Said El Khudrij (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmetohet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Vdekja sillet në pamjen e një dashi me gjyrë të bardhë të përzier me të zezë. Pastaj thërret një thirrës: O banorë të xhenetit! Ata ngrejnë kokat dhe vështrojnë. Thirrësi thotë: A e njihni këtë? Ata do të thonë: Po. Kjo është vdekja. E ata që të gjithë e kanë parë atë. Pastaj thërret: O banorë të zjarrit! Ata ngrenë kokat dhe vështrojnë. Thirrësi thotë: A e njihni këtë? Ata do të thonë: Po. Kjo është vdekja. E ata që të gjithë e kanë parë atë. E therin e pastaj thotë: O Banorë të xheneti përjetësi e nuk do të ketë më vdekje. O banorë të zjarrit përjetësi e nuk do të ketë më vdekje. Pastaj lexoi: “Paralajmëroji ata (o Muhamed) për Ditën e Pikëllimit, kur do të japin llogari, ndonëse tani ata janë të shkujdesur dhe nuk besojnë.” (Merjem; 39). Ata janë neglizhentë, njerëz të lidhur pas kësaj bote e që nuk besojnë. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Mënyra e mjekimit të kësaj neglizhence është dija dhe njohja e realitetit të kësaj bote duke e vendosur atë në pozitën e saj, pa u zhytur në të me qëllim që dashuria për të të mos dominojë në zemër e të neglizhojë botën tjetër.
Dynjaja dhe ahireti janë si dy gratë shemra. Në masën që e kënaq njërën po aq do e zemërosh tjetrën. Në atë masë që do ta lidhësh zemrën me njërën po aq do të largohet zemra prej tjetrës. Për këtë nuk ka mjekim veç nëse ahireti bëhet synimi final e dynjaja mjeti për të arritur në të. Dynjaja po të trajtohet kështu atëherë ajo është ara e ahiretit. E sa arë e mirë është ajo.
Gjithashtu prej pakujdesisë është edhe neglizhenca në mësimet që nxjerrim prej popujve të kaluar. Sa shumë mësime ka në to e sa pak përfitojmë prej tyre. Prej ngjarjeve të tyre qëllimi është të marrim mësim. Ato nuk janë thjesht ngjarje historike të cilat na paraqiten e ne tregohemi indiferentë me to. E nuk janë tregime që përmenden vetëm për të kënaqur imagjinatën tonë e të shmangemi prej realitetit të tyre. Jo! Ato janë shënime të hapura për atë që ka zemër të pastër, që dëgjon me veshë e është prezent me qënien e tij. Allahu i madhërishëm thotë:
“Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kuran) nuk është tregim i trilluar, por ai është vërtetues i atyre (librave) që janë shpallur para tij, është shpjegues i çdo gjëje dhe udhërrëfyes e mëshirë për njerëzit besimtarë.” (Jusuf; 111).
O Muslimanë! Një prej neglizhencave më të mëdha është neglizhenca ndaj përmendjes së Allahut. Ajo sjell edhe llojet e tjera të neglizhencës të rrethuara me lloj lloj sorrollatjesh, humbjesh e çakërdimesh. Për këtë Allahu i lartësuar urdhëron profetin e tij (salallahu alejhi ue selem) të jetë përkujtues dhe e urdhëron që të mos tregohet i pavëmendshëm e thotë:
“Përmende Zotin tënd me vete, i përulur dhe me frikë -jo me zë të lartë, në mëngjes dhe mbrëmje, dhe mos u bëj nga ata që nuk i kushtojnë vëmendje!” (El Araf; 205).
Allahu këtu lënësin e përmendjes së Tij e ka konsideruar neglizhent, të pakujdeshëm. Mënyra e mjekimit të kësaj neglizhence është përmendje e vazhdueshme e Allahut me përpjekje të pandërprerë. Kjo sepse dhikri e zgjon zemrën dhe i largon përgjumjen. Zemra kur është në gjumë i ikin fitimet dhe mbi të dominon humbja. Mirëpo kur zgjohet dhe kupton atë që i ka ikur gjatë gjumit të saj shtrëngon rripin, gjallëron pjesën e mbetur të jetës dhe rikuperon atë që i ka ikur. Kështu që zgjimi i zemrës nuk mund të bëhet vetëm se me përmendjen e Allahut, sepse neglizhenca është gjumë shumë i rëndë.
Allahu e bëftë të dobishëm për ne udhëzimin e Librit dhe traditën e Profetit i cili pendohej shumë tek Allahu. Me këto që thashë e dëgjuat i kërkoj falje Allahut për vete e për ju, kështu që edhe ju kërkoni falje Atij, përmendeni Atë shumë e mos u bëni neglizhentë.
Hytbe 2
Një prej shkaktarëve më të mëdhenj të neglizhencës janë gjynahet e shumta që grumbullohen në faqet e zemrave. Çdo gjynah për të cilin njeriu nuk pendohet lë ndikim në kthjelltësinë dhe dritën e vetëdijes. Robi bën gjynah dhe errëson me të zemrën pak e nga pak derisa ajo të ndryshket siç ndryshket hekuri.
Nga Ebu Hurejra r.a transmetohet se i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Robi kur bën ndonjë gjynah pikohet në zemrën e tij një pikë e zezë, nëse ai e lë atë, kërkon falje dhe pendohet zemra e tij pastrohet. E nëse rikthehet shtohet derisa ta mbulojë zemrën. E ajo është mbulesa që e ka përmendur Allahu:
“Nuk është ashtu! Por veprat e tyre (të këqija) ua kanë mbuluar zemrat.” (Mutafifinë; 14). Transmeton Tirmidhiu dhe ka thënë hadith i mirë, i saktë.
Imam ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Ndryshkja e zemrës ndodh prej dy gjërave: Prej neglizhencës dhe gjynahut. Pastrimi i saj realizohet me dy gjëra; me kërkimin e faljes e me dhikër.
Kush është neglizhent në shumicën e kohës ndryshku i është bërë kapicë në zemër. Kështu që ndryshku në zemër është në varësi të neglizhencës. Zemra kur ndryshket nuk arrin ti dallojë gjërat në pamjen reale. Të kotën e sheh si të vërtetë e të vërtetën si të kotë. Nëse ndryshku bëhet kapicë në zemër, nxihet dhe mbulohet atëherë perceptimi i zemrës prishet e pastaj nuk e pranon të vërtetën e nuk e refuzon të kotën.
Kjo është prej ndëshkimeve më të mëdha të zemrës. Origjina e këtij ndërshkimi vjen prej neglizhencës dhe pasimit të dëshirave të kota sepse këto të dyja e shuajnë dritën e zemrës dhe verbojnë shikimin e saj. Allahu i lartësuar thotë:
“Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë e, që shkon pas dëshirave të veta, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta.” (Kehf; 28).
O Allah të kërkojmë udhëzim, devotshmëri, shëndet dhe pasuri!
O Allah të kërkojmë falje dhe shpëtim në fenë tonë, në dunjanë tonë, në familjet tona dhe në pasuritë tona. O Allah na i mbulo turpësitë tona, na siguro prej frikës,
Zoti ynë na jep të mira në këtë botë, të mira në botën tjetër e na ruaj nga dënimi i zjarrit.
I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe lutja jonë e fundit është; të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!
Dosje: hytbe, Neglizhenca
Të Ngjashme
- Mirësitë e Allahut kërkojnë falënderim Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Dhjetë mënyra për tu mbrojtur nga shejtani Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Ramazani – testi dhe dhurata e radhës Emin Bilali
- Mësime dhe dobi të përfituara nga surja El Ihlas Udha e Besimtarëve
- Mbështetja tek Allahu Udha e Besimtarëve