Peshimi i veprave në ditën e gjykimit

November 3, 2023

Devotshmëria ndaj Allahut është lumturi dhe shpëtim në këtë botë dhe në botën tjetër.

Kush ka frikë nga bota tjetër vepron sipas përkujtimit. Kush i ka shpresat shumë të gjata i dobësohet vepra. Çdo gjë që do të vijë në të ardhmen është afër.

“Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” (El Bekare; 281).

Xhemat i nderuar! Një nga pozitat më të vështira të njerëzve është dita e gjykimit me momentet e saj të tmerrshme, tronditëse dhe të frikshme.

“Kur t’i fryhet Surit, do të vdesin të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, përveç atyre që do Allahu; pastaj do të fryhet për të dytën herë në Sur dhe ata përnjëherë do të ngjallen e do të presin.” (Ez Zumer; 68).

Nerëzit tubohen këmbëzbadhur, të zveshur e të pa bërë synet. Çdo person ka nga pas një grahës që e drejton dhe një dëshmitar që do të dëshmojë mbi të. Njerëzit i gjen ose të qeshur e të gëzuar ose duke qarë të hidhëruar. Njerëz që librin e veprave të tyre e marrin nga ana e djathtë e të tjerë që librin e marrin nga ana e majtë ose pas shpine.

Besimtarët e devotshëm sillen tek i Gjithëmëshirëshmi si delegacion ndërsa fajtorët dërgohen drejt xhehenemit të kapluar nga etja.

E përsa i përket atij që libri i vet i jepet nga e djathta ai do të llogaritet me një llogari të lehtë. E ai i kënaqur e i gëzuar do të thotë: “Ja lexojeni librin tim! Unë kam qenë i bindur se do të jap llogari.” (El Haka; 19,20).

E përsa i përket atij që libri i vet i jepet pas shpinës ai do të lutet për shkatërrimin e vetvetes. (Inshikaka; 10,11). I penduar e i pikëlluar do të thotë: “O i mjeri unë, të mos më jepej fare libri im, dhe të mos dija fare se çka është llogaria ime.” (EL Haka; 25,26).

Vëllezër besimtarë! Në atë ditë të dëshmuar do të vendoset peshorja. Ajo është një peshore reale e cila ka dy anë të cilat do të rëndojnë prej veprave të mira ose prej veprave të këqija. Mendja nuk i jep dot formë dhe llogjika e njeriut nuk e imagjinon dot. Ajo peshon çdo gjë të vogël e të madhe.

Imam Ahmedi ka thënë: Peshorja është e vërtetë me të do të peshohen të mirat dhe të këqijat siç dëshiron Allahu të peshohen.

“Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje.” (El Enbija; 47).

Tekstet e librit të Allahut dhe të trashëgimisë profetike dëshmojnë se njeriu bashkë me veprën e me regjistrin e punëve tij, që të gjitha do të vendosen mbi peshore ditën e kijametit.

Në këtë peshore lehtësohet ose rëndohet pesha e njeriut sipas besimit dhe veprave të tij e jo sipas madhësisë së trupit të tij.

Në dy sahihet shënohet se i dërguari i Allahut s.a.s ka thënë: Ditën e gjykimit do të sillet personi trupmadh e i shëndoshë (do të thotë se është prej banorëve të zjarrit) por tek Allahu nuk peshon as sa flatra e mushkonjës. Lexoni fjalën e Zotit: “Ne nuk do të vëmë kurrfarë peshe për ta (për veprat e tyre), në Ditën e Kiametit.” (El Kehf; 105).

Një ditë Abdullah ibn Mesudi po merte një misvak nga pema Erak për të dërguarin e Allahut s.a.s. Ai kishte këmbë të holla dhe era po e shtynte. Njerëzit qeshëm me të. I dërguari i Allahut s.a.s tha: Përse qeshni? Ata thanë: Për këmbët e tij të holla. Ai tha: Pasha Atë në dorë të të Cilit është shpirti im ato dy këmbë peshojnë më rëndë se mali i Uhudit në peshore. Transmeton Ahmedi.

Vëllezër besimtarë! Prej tmerreve të ditës së kijametit është edhe rezultati i peshoreve saqë robit gati i shkulet zemra dhe është aq në hall të madh sa harron familjen dhe të dashurit e tij. Ai është i angazhuar me atë që ka përpara duke pritur rezultatin e veprës së tij. Ai nuk gjen qetësi prej tmerrit që e ka kapluar derisa të shohë se po i letohet peshorja apo po i rëndohet. Atij që i rëndohet peshorja do të thirret në atë tubim ku janë grumbulluar të gjithë nga i pari deri tek i fundit se filani i biri i filanit le të gëzohet me një gëzim pas të cilit kurrë nuk hidhërohet. Ndërsa atij që i letohet peshorja do të thirret mbi gjithë krijesat se filani i biri i filanit le të hidhërohet me një hidhërim pas të cilit nuk do të gëzohet më kurrë.

Në Sunenin e Ebu Daudit shënohet se Aishe r.a kujtoi zjarrin dhe qau. I Dërguari i Allahut s.a.s i tha: Përse po qan? Ajo tha: Mu kujtua zjarri dhe qava. A i kujtoni familjet tuaja ditën e kijametit? I Dërguari i Alalhut s.a.s tha: Në tre vende askush nuk kujton askënd; tek peshorja derisa të mësojë se a do ti letohet apo do ti rëndohet peshorja, tek libri kur të thuhet ‘ja lexojeni librin tim’ derisa ta mësojë se nga do ti jepet libri në të djathtë, në të majtë apo pas shpine dhe tek ura kur të vendoset mbi dy buzët e xhehenemit.

“Kur të fryhet në Sur (Ditën e Ringjalljes), atëherë, midis tyre nuk do të ketë lidhje farefisnore dhe ata as që do të pyesin për njëri-tjetrin. Ata, që u rëndohet peshorja (e punëve të mira), janë të shpëtuar. Sa për ata që do të kenë peshore të lehta, mu ata do të jenë (njerëzit) që kanë humbur vetveten, duke qëndruar përherë në Xhehenem.” (El Mu`minun; 101-103)

Allahu prej mëshirës së Tij ndaj këtij umeti ka mundësuar që i dërguari i Tij të prezantojë gjatë vështirësisë dhe tmerrit të peshimit për të qenë ndërmjetësues për popullin e tij.

Në sunenin e Tirmidhiut shënohet se Enesi r.a ka thënë: Unë i kërkova të dërguarit të Allahut që të ndërmjetësojë për mua. Ai tha: Po do ta bëj. Unë thashë: O i Dërguar i Allahut e ku të kërkoj ty? (Pra në cilin vend prej vendeve të ditës së kijametit të të kërkoj?) Ai tha: Në fillim më kërko mbi urë. Unë thashë: E nëse nuk të gjej mbi urë? Ai tha: Më kërko tek peshorja. Unë thashë: E nëse nuk të gjej tek peshorja? Ai tha: Më kërko tek burimi sepse unë nuk mund të shmang një prej këtyre tre vendeve. Do të thotë se ti patjetër do të më gjesh në një prej këtyre tre vendeve.

Njerëzit më të gëzuar me ndërmjetësimit e profetit në këto vende të vështira janë njerëzit e teuhidit (monoteizmit) e të sinqeritetit.

Prej mirësive të Allahut ndaj robërve të tij është fakti që Ai u ka mundësuar shumë vepra të cilat rëndojnë në peshore. Prej më të mëdhave të tyre pas teuhidit është është morali i mirë. Morali i mirë është diçka e lehtë; fytyrë e çelur dhe gjuhë e ëmbël. Bashkë me të hyn dhe qëndresa në fe, buzëqeshja, butësia, largimi i një brenge, një fjalë e bukur, falja dhe bamirësia, sjellja e mirë me prindërit.

Morali i mirë është diçka që i mudëson më së shumti njerëzve të hyjnë në xhenet. Me të personi arrin gradën e atij që falet vullnetarisht gjatë e që agjëron shumë. Personi me moral të mirë është njeriu më i dashur për Profetin s.a.s dhe do zërë vendin më të afërt me të ditën e kijametit.

Profeti Muhamed ishte njeriu me moralin më të plotë, me shpirtin më bujar, me fytyrën më të çelur, me zemrën më të mëshirëshme, me natyrën më të butë e me faljen më të gjerë.

Në sunenin e Tirmidhiut shënohet se i Dërguari i Allahut s.a.s ka thënë: “Nuk ka gjë tjetër të rëndojë më shumë në peshoren e besimtarit ditën e gjykimit se morali i mirë.”

Peshoren e rëndon gjithashtu prezantimi në xhenaze, kryerja e namazit të saj dhe shoqërimi i saj derisa të varroset.

Në dy Sahihet shënohet se Profeti s.a.s ka thënë: Kush prezanton një xhenaze e të falë namazin e saj do të ketë shpërblime sa një Kirat ndërsa ai i cili prezanton derisa të varroset do të shpërblehet me dy Kirat. Ata e pyetën se çfarë janë dy Kiratë. Ai tha: Sa dy male të mëdhenj.

Kush dëshiron ti rëndohet peshorja le të shtojë falenderimin ndaj Allahut dhe madhërimin e Tij. Në Sahihun e Muslimit përcillit se i Dërguari s.a.s ka thënë: Pastërtia është gjysma e besimit, Elhamdu lilah e mbush peshoren, subhanellah uel hamdu lilah mbushin ose mbush gjithçka mes qiejve dhe tokës. Dy fjalë të dashura tek i Gjithëmëshirëshmi të lehta në gjuhë të rënda në peshore; Subhanallahi ue bihamdihi ue subhanallahil adhim.

Lum për atë që i rëndojnë peshoret e veprave dhe o çfarë shkatërrimi do të ketë për atë që i letohen peshoret.

“Peshimi (i veprave), atë ditë do të jetë i drejtë. Ata që u rëndon peshorja me vepra të mira, do të jenë të shpëtuar; kurse ata që e kanë të lehtë peshoren me vepra të mira, do të humbin veten e tyre, për shkak se mohuan shpalljet Tona.” (Araf; 8,9).

Hytbeja e dytë

O Besimtarë besimi në peshoren e veprave ditën e gjykimit lë gjurmë madhështore në dije e në bindje mbi drejtësinë e Zotit të botëve.

Imam Ibn Ebil Izi, Allahu e mëshiroftë ka thënë: Sikur në peshimin e vepra të mos kish tjetër urtësi veç shfaqjes së drejtësisë së Allahut mbi të gjithë robërit e Tij do mjaftonte. Askush nuk e pëlqen arsyetimin më shumë se Allahu. Ai për këtë i ka sjellë të dërguarit përgëzues e qortues. Ndërkohë që pas kësaj qëndrojnë shumë e shumë urtësi të cilat ne ndoshta nuk i shohim.

“kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Zelzeleh; 7,8)

Besimi në peshore është një shkak që nxit të shtosh veprat të cilat e rëndojnë atë. Kështu personi nuk nguron të bëjë vepër të mirë sado e vogël të jetë ajo. Një e mirë e vetme e rëndon peshoren dhe e çon robin në xhenet.

Në sheshet e ditës së gjykimit disa njerëz do të ndalen në një prag të ngritur mes xhenetit dhe zjarrit. Këta janë njerëz të cilëve u janë barazuar të mirat me të këqijat. Ata vështrojnë banortë e xhenetit dhe dëshirojnë të kishin qoftë edhe një të mirë të vetme që të ishin me ta. Ata mbahen të këtë vend aq sa dëshiron Allahu të mbahen e pastaj Allahu me mëshirën e Tij i dërgon në xhenet.

“ndërsa në lartësitë e tij do të ndodhen njerëz, të cilët i njohin të dyja palët sipas tipareve. Ata do t’u thërrasin banorëve të Xhenetit: Paqja qoftë mbi ju! Ata nuk do të kenë hyrë ende në Xhenet, ndonëse shpresojnë. E kur t’i kthejnë sytë nga banorët e zjarrit, do të thonë: O Zoti ynë! Mos na hidh midis këtyre njerëzve të këqij!” (El Araf; 46,47).

Në Sahihun e Muslimit shënohet se Profeti s.a.s ka thënë: Mos nënvlerësoni prej veprave të mira asgjë edhe atë që të takosh vëllain tënd fytyrëçelur.

“Sa i përket atij, veprat e (mira të) të cilit do të rëndojnë në peshore, ai do të ketë një jetë të kënaqur (në Xhenet). E sa i përket atij, veprat e (mira të) të cilit nuk do të rëndojnë në peshore, Ai do të ketë si strehim Humnerën (e Xhehenemit). Kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Humnera (e Xhehenemit)? Ajo është një Zjarr i vrullshëm.” (El Kariah; 6-11)

Besimi në peshore bëhet shkak që njeriu të qëndrojë larg të këqijave të cilat çojnë dëm veprat e mira siç janë moralet e ulta dhe shkelja e të drejtave të njerëzve.

Në Sunenin e Tirmidhiut përcillet se i Dërguari i Allahut s.a.s ka thënë: A e dini se cili është i falimentuari? Ata thanë: I falimentuari mes nesh o i Dërguar i Allahut është ai i cili nuk ka dirhemë e as mall. I Dërguari i Allahut s.a.s tha: I falimentuari prej umetit tim është ai i cili vjen ditën e gjykimit me namazin e tij, me agjërimin e tij dhe me zekatin e tij por që ka sharë këtë, ka shpifur për atë, ka ngrënë pasurin e këtij, ka derdhur gjakun e dikujt, ka goditur një tjetër dhe ai ulet. Pastaj vjen një e merr shpagimin prej të mirave të tij, e një tjetër përsëri dhe kur i mbarojnë të mirat përpara se të dëmshpërblejë gabimet e tij merren të këqijat e njerëzve e hidhen mbi të e pastaj hidhet në zjarr.

O popull i islamit nëse peshorja ditën e kijametit vendoset për veprat e mira e për veprat e këqija i zgjuar është ai i cili vjen ditën e kijametit me sa më shumë vepra të mira me të cilat rëndon peshoren e tij. Kështu që edhe nëse i merren disa vepra të mira i mbeten të tjera me të cilat futet në xhenet.

Në Musanef të Ibn Ebi Shejbeh shënohet se Umeri r.a ka thënë: Kërkojini llogari vetvetes përpara se të merreni në llogari, peshojini vetet përpara se të peshoheni dhe zbukurohuni për paraqitjen e madhe.

“Atë Ditë do të paraqiteni dhe asnjë fshehtësi e juaja nuk do të mbetet pa u shfaqur” (El Hakka; 18).

O Allah na mundëso përfundim të mirë në gjithë çështjet tona, na mbro prej poshtërimit në këtë jetë e prej ndëshkimit në jetën tjetër!

O Allah shëroi të sëmurit tanë, shpëtoi të sprovuarit tanë, mëshiroi të vdekurit tanë dhe ndihmoi të pafuqishmit prej nesh!

Zoti unë pranoje pendimin tonë, laji gjynahet tona, përgjigju lutjes tonë, qëndroje arsyetimin tonë, udhëzoji zemrat tona, drejtoji gjuhët tona dhe pastroji zemrat tona!

Zoti ynë i kemi bërë padrejtësi vetvetes e nëse Ti nuk na fal do të mbetemi të shkatërruar!

O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!

Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!

Dosje: ,

Loading...