Imam Sheukani ka thënë: “O popull i Jemenit, pranojeni lajmin e mirë!”
Ndërsa Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Populli i Jemenit do të vijë drejt jush si retë, dhe ata janë më të mirët në tokë.”
I Dërguari i Zotit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem nuk ka lavdëruar në mënyrë të veçantë asnjë popull sikurse ka lavdëruar popullin e Levantit dhe popullin e Jemenit. Ai lutej shpesh që Allahu t’i begatonte me mirësi këta dy popuj në veçanti. Në hadithin autentik që Buhariu ka transmetuar nga Abdullah ibën Umeri, citohet se Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha: “O Allah, bekoji Levantin dhe Jemenin tonë!” Buhariu ka transmetuar gjithashtu nga Ebu Hurejra, se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Po ju vjen populli i Jemenit dhe ata janë populli më zemërbutë. Besimi është jemenas dhe urtësia është jemenase.”
Ç’është e vërteta unë e kam ndier personalisht kuptimin e këtij hadithi fisnik, përmes shoqërimit tim me të rinjtë jemenas në Evropë. Të rinjtë jemenas kanë një karakteristikë të veçantë në edukatë dhe në sjellje që rrallë vërehet te të tjerët. E si mund të dyshojmë për këtë gjë kur njeriu më i drejtë në historinë e njerëzimit dëshmoi se ata posedojnë cilësi të larta! Toka e Jemenit është ajo ku lindën burra muslimanë, si; Tufejl ibën Amr ed Deusi, Ebu Hurejra, Ebu Musa Eshariu, Uvejs Karani dhe të tjerë, Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë! Nga kjo tokë dolën luftëtarët muslimanë për të çliruar Levantin, Egjiptin dhe Irakun. Nga aty dolën gjithashtu tregtarët e Hadramautit të cilët përhapën islamin në Afrikën Lindore, në Indonezi, Malajzi dhe në të gjithë Azinë Juglindore. Dhe është pikërisht kjo tokë në të cilën lindi kolosi ynë i radhës.
Në vitin 1173 të hixhretit që korrespondon me vitin 1759 Gregorian, në qytetin Hixhrah Sheukan, në rrethinat e Khaulanit në Jemen lindi një fëmijë në një familje të madhe zejdite. Babai i tij e quajti atë Muhamed. Më vonë ky fëmijë do shquhej me emrin e vendlindjes dhe do të njihej në histori me emrin “Imam Sheukani”, për t’u bërë më pas një nga dijetarët më të rëndësishëm të Islamit.
Ai la pas një libër për njerëzimin i cili u vlerësua si një nga librat më të mrekullueshëm të fesë islame. Po flasim për imamin, juristin e pavarur dhe interpretuesin e Kuranit, Muhamed ibën Ali Sheukani San’ani Jemani, autor i librit të mrekullueshëm “Nejlul Eutar”.
Para se të thellohemi në oqeanin e biografisë së Sheukanit le të ndalemi pak dhe të paraqesim një panoramë të thjeshtë rreth vëllezërve tanë zejditë, nga radhët e të cilëve ishte dhe imam Sheukani para se të kthehej në bazat e sakta të këtij umeti, i cili nuk i pranon doktrinat e devijuara ideologjike. Sheukani lindi në një familje zejdite, por më pas ai hoqi dorë nga kjo doktrinë dhe nga të gjitha sektet dhe u kthye në konceptin islam të pastër, konceptin e të parëve të këtij umeti sahabëve dhe tabiinëve.
Zejdizmi është një ndër sektet shiite por zejditët nuk i lënë vajzat e tyre të bëjnë martesë të përkohshme me kontratë, nuk e shajnë Ebu Bekrin dhe Umerin, nuk i akuzojnë gratë e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem për tradhëti bashkëshortore, dhe ç’është më e rëndësishmja ata nuk janë të pabesë! Pra, ata janë më afër sunizmit se sa shiizmit, vetëm se ata mendojnë se Aliu ishte më i mirë se Ebu Bekri dhe Umeri. Edhe pse kjo është diçka që nuk i përjashton ata nga rrethi i Islamit dhe nuk i bën që të mos jenë vëllezërit tanë, përsëri kjo nuk do të thotë se ata kanë të drejtë në përparësinë që i japin Aliut.
Ata u quajtën zejditë nga emri i imam Zejdit, stërnipi i Aliut, Allahu qoftë i kënaqur me të. Ai ishte imami i të gjithë shiitëve në kohën e tij. Por kur një grup i pasuesve e pyetën për mendimin e tij mbi Ebu Bekrin dhe Umerin, ai i lavdëroi dhe u lut për mëshirë ndaj tyre gjë e cila i irritoi shiitët dhe kërkuan nga ai që t’i mallkonte ata. Nipi i Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem refuzoi t’i mallkonte shokët e gjyshit të tij, kësisoj shiitët u prishën me të dhe u ndanë prej tij. Nga ajo ditë, sekti që mallkonte Ebu Bekrin u quajtën Rafidij (refuzues) ngase ata refuzuan mendimin e imam Zejdit. Më vonë nga mesi i tyre dolën njerëz të cilët themeluan doktrinën e imamatit, të cilët përbëjnë shumicën e shiitëve të kësaj kohe. Kjo është doktrina e shiitëve të Persisë dhe pasuesve të tyre, të cilët i kemi cilësuar në këtë libër.
Ndërsa ata shiitë që nuk e tradhëtuan imam Zejdin u quajtën Zejditë, dhe ata janë të përqëndruar në tokat e Jemenit.
Para se ta lëmë temën e zejdizmit më duhet të theksoj një pikë të rëndësishme. Vitet e fundit Homeini dhe pasuesit e tij tentuan të ringjallnin perandorinë e tyre mexhuso-persiane (pjesë e së cilës ishte dhe Jemeni gjatë epokës Sasaniane). Për këtë, Irani korruptoi një nga udhëheqësit e zejdizmit të quajtur Husejn Bedrudin Huthi.
Ata e çuan Huthin në strofkën e terrorizmit pikërisht në Kom, ku e mësuan të mallkonte sahabët e nderuar dhe të akuzonte për tradhëti bashkëshortore nënën e besimtarëve, Aishen. Më pas Huthi u kthye në Jemen dhe me paratë e Iranit mobilizoi forcat e armatosura në qytetin e Saides, duke ndezur një konflikt të armatosur me armët dhe me audio-kasetat e Iranit përmes së cilave ai përhapte kulturën e fyerjes dhe të mallkimit që e kishte mësuar në Iran. Ai synonte t’i hapte persëve rrugën e rikthimit në Jemenin arab dhe për këtë ndezi një kryengritje të armatosur, shumica e viktimave të së cilës ishin nga vëllezërit tanë zejditë që nuk dinin asgjë për rrezikun e Iranit në rajon, i cili kërkonte të riskllavërojë arabët.
Sa i përket Imam Sheukanit i cili ishte një ndër njerëzit e nderuar zejditë, ai ishte e kundërta e Huthit. Ai nuk iu përgjigj thirrjeve të persëve që dëshironin të rivendosnin Jemenin arab nën kontrollin e tyre, por iu përgjigj thirrjes së arsyes duke u çliruar nga vargonjtë e imitimit dhe duke i luftuar herezitë e përhapura në lidhje me varret e njerëzve të mirë. Ai bëri rezistencë përballë atyre që fyenin sahabët e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe i bëri vetes disa pyetje logjike, të cilat u bën shkak i përjetësisë së tij në faqet e historisë.
Sheukani e pyeti veten: “Cilën doktrinë ndiqte i Dërguari i Zotit? A ishte ai shiit? A ishte zejdit apo imamit? A ishte Umeri maliki? A ishte Bilali hanefi? A ishin ensarët shafiitë apo ishin hanefitë?!” Përmes këtyre pyetjeve logjike Sheukani kuptoi se për të ishte më mirë t’i kthehej burimeve origjinale të Islamit, që i paraprinin shfaqjes së sekteve dhe doktrinave të ndryshme. Kështu ai shkroi librin e tij “Nejlul Eutar” në të cilin ai u shpjegon muslimanëve besimin e saktë të bazuar në Kuran dhe në Sunet, sipas konceptit të gjeneratave të para të botës islame.
Allahu bëri që ky libër të mirëpritej nga bota islame dhe të bëhej i famshëm në Indi, Marok, Egjipt dhe Levant. Kësisoj, përjetësia e Sheukanit pasi ai e çliroi veten nga skllavëria e imitimit të verbër, u shënua në histori me shkronja ari.
Tani do ta lëmë Jemenin dhe do të kalërojmë mbi një kalë të rracës së pastër arabe, për të shoqëruar fisin jemenas Ezd ndërsa ai migron drejt Veriut pas shembjes së digës së famshme të Me’ribit, ku disa nga burrat e këtij fisi me prejardhje të pastër kahtanite do vendosen në një qytet në veri të Hixhazit të quajtur Jethrib. Dhe vetëm pas disa vitesh ata do ndryshojnë historinë e njerëzimit njëherë e përgjithmonë…
Përktheu dhe përshtati: Rexhep Milaqi