Dhjetë mënyra për tu mbrojtur nga shejtani

October 14, 2024

O besimtarë! Armiqësia e shejtanit është një armiqësi e hershme dhe e ashpër. Allahu i Lartësuar ka thënë:

(إِنَّ الشَّيْطَانَ لَكُمْ عَدُوٌّ فَاتَّخِذُوهُ عَدُوًّا إِنَّمَا يَدْعُو حِزْبَهُ لِيَكُونُوا مِنْ أَصْحَابِ السَّعِيرِ)[فاطر: 6]

“Me të vërtetë shejtani është armiku juaj, prandaj merreni atë si armik. Ai fton pasuesit e tij që të bëhen banorë të zjarrit të xhehenemit.” | El Fatir: 6.

Ndër gjërat më të rëndësishme për të cilat duhet të kujdeset një musliman në edukimin e vetes dhe të familjes së tij është mbrojtja nga shejtani dhe shmangia e së keqes së tij, e mashtrimeve dhe vesveseve të tij.

Ky është një kapitull i madh të cilin muslimani nuk duhet ta harrojë, por përkundrazi duhet t’i japë një kujdes të veçantë dhe të vazhdueshëm në mënyrë që të mbrohet nga e keqja e shejtanit dhe të ruhet nga mashtrimet, nga vesveset dhe nga dëmi i tij i madh ndaj njerëzve.

O besimtarë! Në këtë hytbe do të përmendim dhjetë mënyra të rëndësishme se si të mbrohemi nga shejtani dhe nga vesveset e tij, mënyra për të cilat duhet të kujdesemi dhe tu kushtojmë vëmendje pasi janë ndër mënyrat më efikase kundër shejtanit.

Mënyra e parë: Të kërkojmë mbrojtjen e Allahut prej tij. Kërkimi i mbrojtjes është mbështetje tek Allahu dhe kthim tek Ai. E keqja më e madhe për të cilën duhet kërkuar mbrojtje është e keqja e shejtanit. Allahu i Lartësuar ka thënë:

وَإِمَّا يَنْزَغَنَّكَ مِنَ الشَّيْطَانِ نَزْغٌ فَاسْتَعِذْ بِاللَّهِ إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ)[فصلت: 36].

“Nëse shejtani të ngacmon me një ngacmim kërko mbrojtje tek Allahu. Me të vërtetë, Ai është Dëgjuesi, i Dijshmi.” | Fusilet: 36.

Mënyra e dytë: Leximi i dy sureve mbrojtëse: “Thuaj: Kërkoj mbrojtje te Zoti i agimit”, dhe “Thuaj: Kërkoj mbrojtje te Zoti i njerëzve.”

Në një hadith autentik Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka mbrojtje më të mirë sesa këto dy sure.” Ai kërkonte mbrojtje me to çdo natë kur shtrihej për të fjetur. Është transmetuar gjithashtu se kush i lexon ato së bashku me suren “El Ihlas” tri herë në mëngjes dhe tri herë në mbrëmje, do të jetë i mbrojtur nga çdo e keqe.

Mënyra e tretë: Leximi i ajetit Kursij kur njeriu shtrihet për të fjetur, pasi ai ka një vlerë të madhe në mbrojtjen nga shejtani dhe largimin e tij nga vendi.

Cili është ajeti Kursij?

اللَّهُ لَا إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ الْحَيُّ الْقَيُّومُ لَا تَأْخُذُهُ سِنَةٌ وَلَا نَوْمٌ ۚ لَهُ مَا فِي السَّمَاوَاتِ وَمَا فِي الْأَرْضِ ۗ مَنْ ذَا الَّذِي يَشْفَعُ عِنْدَهُ إِلَّا بِإِذْنِهِ ۚ يَعْلَمُ مَا بَيْنَ أَيْدِيهِمْ وَمَا خَلْفَهُمْ وَلَا يُحِيطُونَ بِشَيْءٍ مِنْ عِلْمِهِ إِلَّا بِمَا شَاءَ ۚ وَسِعَ كُرْسِيُّهُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ وَلَا يَئُودُهُ حِفْظُهُمَا ۚ وَهُوَ الْعَلِيُّ الْعَظِيمُ

“Allahu! Nuk ka zot tjetër përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit! Atë nuk e kaplon as kotja e as gjumi. Atij i përket gjithçka që është në qiej dhe në tokë. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai përveçse me lejen e Tij? Ai di çfarë ka përpara tyre dhe çfarë ka pas tyre, ndërsa ata nuk mund të përfshijnë asgjë nga dija e Tij përveçse atë që Ai do. Kursija (froni) e Tij përfshin qiejt dhe tokën dhe ruajtja e tyre nuk e rëndon Atë. Ai është i Larti, i Madhërishmi!”

Është vërtetuar në hadith se; kush e lexon këtë ajet kur shtrihet për të fjetur do ketë mbrojtje nga Allahu dhe shejtani nuk do t’i afrohet deri në mëngjes.

Mënyra  e katërt: Leximi i sures El Bekare në tërësi, pasi ka një ndikim të jashtëzakonshëm në largimin e shejtanëve nga shtëpia. Në një hadith autentik, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos i bëni shtëpitë tuaja si varreza, sepse shejtani ikën nga shtëpia ku lexohet surja El Bekare.”

Mënyra  e pestë: Leximi i dy ajeteve të fundit të sures El Bekare.

آمَنَ الرَّسُولُ بِمَا أُنزِلَ إِلَيْهِ مِن رَّبِّهِ وَالْمُؤْمِنُونَ ۚ كُلٌّ آمَنَ بِاللَّهِ وَمَلَائِكَتِهِ وَكُتُبِهِ وَرُسُلِهِ لَا نُفَرِّقُ بَيْنَ أَحَدٍ مِّن رُّسُلِهِ ۚ وَقَالُوا سَمِعْنَا وَأَطَعْنَا ۖ غُفْرَانَكَ رَبَّنَا وَإِلَيْكَ الْمَصِيرُ (285) لَا يُكَلِّفُ اللَّهُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَا ۚ لَهَا مَا كَسَبَتْ وَعَلَيْهَا مَا اكْتَسَبَتْ ۗ رَبَّنَا لَا تُؤَاخِذْنَا إِن نَّسِينَا أَوْ أَخْطَأْنَا ۚ رَبَّنَا وَلَا تَحْمِلْ عَلَيْنَا إِصْرًا كَمَا حَمَلْتَهُ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِنَا ۚ رَبَّنَا وَلَا تُحَمِّلْنَا مَا لَا طَاقَةَ لَنَا بِهِ ۖ وَاعْفُ عَنَّا وَاغْفِرْ لَنَا وَارْحَمْنَا ۚ أَنتَ مَوْلَانَا فَانصُرْنَا عَلَى الْقَوْمِ الْكَافِرِينَ (286)

(285) “I Dërguari beson në atë që iu shpall nga Zoti i tij, dhe gjithashtu edhe besimtarët. Secili beson në Allahun, në engjëjt e Tij, në librat e Tij dhe në të dërguarit e Tij, duke thënë: Ne nuk bëjmë dallim midis asnjërit prej të dërguarve të Tij. Dhe thonë: Dëgjojmë dhe bindemi! Faljen Tënde kërkojmë o Zoti ynë! Tek Ti është kthimi ynë!”

(286) “Allahu nuk e ngarkon asnjë njeri më shumë sesa mund të përballojë. Ai do të shpërblehet për atë që ka bërë mirë dhe do të ndëshkohet për atë që ka bërë keq. Zoti ynë! Mos na ndëshko nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë! Mos na ngarko një barrë të rëndë siç ua ngarkove atyre që ishin para nesh! Zoti ynë! Mos na ngarko me atë që nuk mund ta përballojmë! Na shlyej mëkatet, na fal dhe na mëshiro! Ti je Mbrojtësi ynë, prandaj na ndihmo kundër popullit mohues!”

Në një hadith autentik Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush i lexon dy ajetet e fundit të sures El Bekare në një natë, ato do t’i mjaftojnë atij nga çdo e keqe.”

Mënyra e gjashtë: Thënia e fjalëve “La ilahe il-lAllah, uahdehu la sherike lehu, lehul-mulku ve lehul-hamdu ve huve ala kulli shej’in kadir.” “S’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, i Vetmi, që s’ka shok (partner). Atij i përket sundimi dhe lavdërimi dhe Ai ka fuqi mbi çdo gjë.”

Kjo shprehje e teuhidit (njësimit të Allahut) është një nga mbrojtëset më të mëdha ndaj shejtanit dhe një mënyrë për t’u ruajtur nga e keqja e tij. Në hadithet autentike thuhet se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e thotë këtë fjalë njëqind herë në ditë do të ketë shpërblimin e lirimit të dhjetë robërve, do t’i shkruhen njëqind vepra të mira, do t’i fshihen njëqind mëkate dhe do të jetë i mbrojtur nga shejtani për atë ditë derisa të vijë mbrëmja.”

Mënyra e shtatë: Nëse dikush ndien frikë në ëndrrat e tij nga shejtanët që e shqetësojnë, le të thotë: “Kërkoj mbrojtje me fjalët e plota të Allahut nga zemërimi dhe ndëshkimi i Tij, nga e keqja e krijesave të Tij, nga vesveset e shejtanëve dhe nga prania e tyre.” Në një hadith autentik, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse dikush frikësohet në gjumë, le të thotë këtë dua dhe ajo nuk do t’i bëjë dëm.”

Mënyra e tetë: Thënia “Bismilah” (në emër të Allahut) kur hyn në shtëpi ose kur fillon të ushqehesh.  Kjo thënie ka një vlerë të madhe në mbrojtjen nga shejtani. Në hadithin autentik thuhet se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë se kur njeriu hyn në shtëpi dhe thotë “Bismilah”, shejtani thotë: “Nuk kemi ushqim dhe strehë në këtë shtëpi.” Kjo do të thotë se nëse nuk thuhet “Bismilah”, shejtani fiton të drejtën për të hyrë në shtëpi dhe për të ngrënë nga ushqimi i asaj shtëpie.

Mënyra e nëntë: Njeriu duhet të ruhet nga shikimi i tepruar, nga të folurit e tepërt, nga ngrënia e tepërt dhe nga përzierja e tepërt me njerëz, pasi këto katër gjëra janë rrugë të mëdha për shejtanin për të hyrë tek njeriu. Mbrojtja nga shejtani vjen duke shmangur tepricat në këto gjëra, duke mbrojtur veten dhe duke u ruajtur nga shejtani.

Mënyra  e dhjetë: Përmendja e shpeshtë e Allahut të Lartmadhërishëm në çdo kohë dhe vend. Ata që e përmendin Allahun shumë janë të mbrojtur nga shejtani, siç thotë Allahu i Lartësuar:

“Me të vërtetë ti nuk ke fuqi mbi robërit e Mi.” | El Isra: 65.

Në hadith thuhet se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Jahja, i biri i Zekerijas u tha njerëzve të tij: “Ju urdhëroj të përmendni Allahun shumë, sepse shembulli i kësaj është si një njeri që ikën nga armiku i tij dhe gjen strehim në një kala të fortë, dhe kështu edhe robi nuk e mbron veten nga shejtani përveçse me përmendjen e Allahut.”

Pra këto janë dhjetë mënyra mbrojtëse të mëdha për të cilat duhet të kujdesemi dhe t’i mësojmë fëmijët tanë për t’u mbrojtur nga shejtani, dhe për të qenë të sigurt nga mashtrimet dhe vesveset e tij.

I lutemi Allahut të Lartësuar të na mbrojë neve, fëmijët tanë dhe muslimanët nga shejtani i mallkuar dhe nga e keqja e tij! Me të vërtetë, Allahu është Ai që dëgjon dhe pranon lutjet.

 

Autor: Abdurrezak el Bedr

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...