Porosi të çmuara në edukimin e fëmijëve

October 21, 2024

Një person të cilin babai i tij nuk e ka mësuar të flas mirë, zakonisht krijon probleme kudo që shkon. Në të kaluarën kur dikush merrte një post të lartë publik, si për shembull në kalifat, dhe i duhej të fliste para popullit, trashëgimtari i fronit duhej të merrte mësime nga dijetarët për t’u edukuar. Ai duhej të ishte i njohur me poezinë dhe gjuhën, dhe sesi të sillej me njerëzit duke u shprehur me elokuencë.

Për shembull, një herë kalifi Ma’mun ishte me një burrë që kishte sjellë djalin e tij të vogël rreth nëntë vjeç. Ma’muni kishte vënë një unazë mbretërore, dhe duke biseduar me djalin e vogël e pyeti: “A ke parë ndonjëherë diçka më të bukur se kjo unazë?” Djali u përgjigj: “Po, gishti që e mban atë.” Ma’muni u habit nga zgjuarsia e fëmijës. Si mundet një djalë nëntë vjeçar të flasë kështu? Kjo tregon se ai ishte edukuar mirë nga babai i tij. Fjalët e mira tregojnë për një mendje të mprehtë dhe të zhvilluar.

Prandaj, kur t’i rritni fëmijët tuaj duhet të kërkoni për njerëz që jo vetëm ta mësojnë, por dhe ta edukojnë atë. Nuk është e mjaftueshme që ai të mësojë vetëm anglisht, gjeografi apo histori, dhe të rritet pa një edukatë të mirë. Kur kërkoni dikë që të mësojë fëmijën tuaj duhet të gjeni dikë që ka edukatë që të mund t’ia transmetojë fëmijës. Nuk është gjithmonë çështje e forcës së mësimeve teorike, por edhe e kulturës së mirësjelljes që përcillet tek ai.

Nëse fëmija juaj mëson Kuranin, është shumë e rëndësishme që mësuesi i tij të jetë një person me karakter të mirë që t’i mësojë atij sjelljen e mirë bashkë me diturinë fetare. Harun al Rashidi kur emëronte mësues për fëmijët e tij që do të trashëgonin kalifatin, vendoste edhe një njeri të fshehtë për të monitoruar sjelljen e mësuesve me fëmijët. Kjo ishte për tu siguruar që mësuesit të mos ndikonin negativisht mbi fëmijët përmes trajtimeve të padenja apo interesave personale.

Një herë dijetari Esmai po përpiqej të ngrihej dhe kishte hequr sandalet e tij. Dy nga princat garuan për t’i sjellë sandalet dhe secili këmbëngulte për të kryer këtë shërbim. Një nga njerëzit e fshehtë që monitoronte këtë situatë e raportoi atë tek Harun al Rashidi. Më vonë, Haruni i tha Esmait: “Kush është njeriu më i nderuar?” Esmai u përgjigj: “Emiri i besimtarëve.” Haruni i tha: “Jo, më i nderuari është ai për të cilin dy trashëgimtarët e fronit garojnë për t’ia veshur sandalet.”

Pra dituria nuk mund të përfitohet pa edukatë. Dijetarët e mëparshëm si El Hatib el Bagdadi, kanë thënë se dituria pa edukatë është si zjarri pa dru. Dijen nuk mund ta arrish plotësisht pa respekt dhe dinjitet. Ky është një parim që quhet nga dijetarēt si “politika e dijes”.
Për shembull; nëse një mësues është në xhami duke i mësuar studentët dhe më pas vendos të luaj futboll me ta, ai humbet autoritetin dhe respektin e tij. Nuk ka rëndësi sa dijetar është, ngase nëse humb dinjitetin dituria e tij nuk do të përçohet plotësisht.

Mësimi i dijes duhet të jetë gjithmonë i shoqëruar me një ndjenjë respekti dhe edukate. Ibën Hazmi megjithëse ishte një dijetar i madh nuk arriti ta menaxhojë dijen e tij me edukatë, dhe shumë nga dijet e tij u zhdukën për këtë arsye. Ai kritikonte shumë dijetarë të njohur të kohës së tij dhe kjo bëri që disa njerëz ta refuzonin dhe t’i djegin veprat e tij. Vetëm një pjesë e vogël e veprave të tij mbijetoi deri në ditët tona edhe pse ai kishte shkruar shumë.

Disa njerëz përpiqen të bëjnë gjëra si p.sh. lojëra në xhami për fëmijët me qëllim që ata të shkojnë për të falur namazin, por kjo është një qasje e gabuar. Xhamia ka një dinjitet dhe qëllim të caktuar dhe nuk duhet ta përzieni atë me aktivitete që nuk i përshtaten natyrës së saj.

Si përfundim, edukata është thelbësore për të mësuar dhe për të përcjellë dijen. Nëse dikush ka për detyrë të edukohet dhe të shpreh mendimet e tij me elokuencë, duhet të kultivojë në vetvete edukatën e fjalës dhe të sjelljes që vjen nga leximi dhe njohja e letërsisë dhe e poezisë klasike arabe.

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...