Një person tregon: “E pashë një burrë me dorën e prerë nga shpatulla, i cili po thërriste: Kushdo që më sheh, të mos i bëjë padrejtësi askujt!
U afrova tek ai dhe e pyeta: O vëlla, cila është historia jote? – Tha: Historia ime është e çuditshme.
Një ditë pashë një peshkatar të varfër që kishte kapur një peshk të madh dhe më pëlqeu. Iu afrova dhe i thashë: Ma jep këtë peshk. Ai tha: Jo, nuk mund ta jap, sepse më duhet për të ushqyer familjen time. Por unë e godita, ia mora me forcë dhe u largova.
Ndërsa ecja me peshkun i cili ishte ende gjallë, ai më kafshoi fort gishtin e madh duke më shkaktuar dhimbje të madhe, aq sa nuk munda të fle nga dhimbjet. Dora mu enjt dhe të nesërmen shkova te mjeku dhe i tregova për dhimbjen. Ai më tha: Duhet ta presim gishtin përndryshe do të infektohet. E preva gishtin, por dhimbja u përhap në dorën time dhe nuk mund të duroja më. Shkova përsëri te mjeku dhe ai tha: Duhet të presim dorën. E preva dorën, por dhimbja nuk u largua derisa u detyrova ta pres të gjithë dorën që nga shpatulla.
Njerëzit më pyetën: Çfarë ndodhi? U tregova historinë e peshkut. Ata më thanë: Nëse do të kishe shkuar qysh në fillim te ai peshkatari, t’i kishe kërkuar falje dhe ta kishe bërë të kënaqur, nuk do të kishte arritur puna deri këtu. Shko tani dhe kërkoi faljen para se dhimbja të të përhapet në trup.
Atëherë u nisa dhe fillova ta kërkoja atë peshkatar në qytet derisa e gjeta. Rashë në gjunjë para tij dhe fillova të qaj, duke thënë: O vëlla, të kërkoj për hir të Allahut që të më falësh. Ai më pyeti: Kush je ti? Unë i thashë: Jam ai që të mora peshkun me forcë, – dhe i tregova dorën time të prerë. Ai qau kur e pa dhe tha: O vëlla, të kam falur.
E pyeta: Pash Allahun o vëlla, a bëre ndonjë lutje kundër meje kur ta mora atë peshk? Ai tha: Po. Thashë: O Allah, ky njeri përdori fuqinë e tij për të më bërë padrejtësi dhe më mori atë që Ti më dhe për të më furnizuar. Tregoma fuqinë Tënde mbi të.”
Autor: Ibën Haxher el Hejthemi
Marrë nga libri: “Ez-zevaxhir an iktiraf el kebair”.
Dosje: padrejtësi