Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë:
“Profeti ﷺ ishte gjithmonë i buzëqeshur, i thjeshtë në sjellje, i butë në qëndrim, jo i ashpër dhe as i vrazhdë, as i zhurmshëm dhe as i rëndë në fjalë. Nuk ishte i prirur për të kritikuar apo për t’i lëvduar njerëzit tej mase.
Ai i shpërfillte gjërat që nuk i pëlqenin, nuk e humbte shpresën e atyre që kishin besim tek ai dhe nuk i zhgënjente kurrë.
Profeti ﷺ kishte hequr dorë nga tre gjëra: nga grindjet, nga teprimi në të folur dhe nga çështjet që nuk i përkisnin.
Ai shmangte tri gjëra ndaj njerëzve: nuk e përçmonte askënd, nuk e përgojonte dhe nuk kërkonte të zbulojë të metat e tyre. Ai nuk fliste përveçse për çështje për të cilat shpresonte shpërblimin hyjnor.
Kur fliste të pranishmit heshtnin sikur të kishin zogj mbi kokat e tyre. Pasi ai ndalej ata flisnin pa u grindur mes tyre. Kur dikush fliste në praninë e tij ata e dëgjonin deri në fund.
Ai qeshte nga ajo që i bënte të qeshnin të tjerët dhe habitej prej gjërave që habiteshin të tjerët. I duronte të huajt që nuk e njihnin për vrazhdësinë që shfaqnin në të folur apo për kërkesat e tyre, aq sa shokët e tij përpiqeshin t’i ulnin dhe t’i vetëdijësonin.
Ai thoshte: “Nëse shihni dikë që kërkon diçka, ndihmojeni.” Nuk pranonte lavdërime përveçse nga ata që donin ta shpërblenin, dhe nuk e ndërpriste kurrë fjalën e dikujt derisa ai ta përfundonte, përveçse për ndonjë arsye apo kur i duhej të largohej.”
📚 E përcjell Tirmidhiu në librin “Esh-shamail” (Virtytet e Profetit alejhi selam).
✍ Ibën Kajimi jep një sqarim të mrekullueshëm mbi fjalët e Aliut që përshkruajnë Profetin ﷺ, ku ai thotë:
“Ai ﷺ i nderonte ata me të cilët ishte në shoqëri.” Kjo do të thotë se Profeti ﷺ nuk shoqërohej me dikë pa i treguar dashamirësinë dhe respektin më të madh. Ai nuk shfaqte kurrë një pamje të vrenjtur ndaj tij, nuk i drejtohej me ashpërsi, nuk ia fshehte buzëqeshjen, nuk i vërente gabimet në fjalë dhe nuk e qortonte për gabimet që mund të bënte për shkak të vrazhdësisë.
Përkundrazi, ai sillej ndaj tij me mirësinë më të madhe dhe e duronte në mënyrë të plotë. Shoqëria e tij ishte durim dhe mirëkuptim ndaj të metave dhe vrazhdësisë së të tjerëve, nuk qortonte dhe nuk shfaqte ndaj tyre asgjë që mund t’i lëndonte. Kushdo që shoqërohej me të e ndiente se ishte personi më i dashur për të për shkak të butësisë së tij, të afërsisë dhe vëmendjes që i kushtonte, kujdesit ndaj nevojave të tij, këshillës së sinqertë dhe mirësisë që tregonte. Çfarë forme tjetër shoqërimi mund të jetë më e respektueshme dhe më fisnike se kjo?”
📚 “Xhelau el efham” fq. 203.
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Profetin salAllahu alejhi ve sel-lem