📋 “Kjo ‘këshillë’ më ka kushtuar 20 vite për të lexuar fetvatë e Ibn Tejmijes”
Disa njerëz, kur të shohin duke lexuar një libër të madh, të thonë: “O vëlla, ky libër është përtej nivelit tënd. Ende nuk je në atë fazë që të lexosh këtë libër.” Por kjo këshillë që ta japin në këtë mënyrë është e mangët. Ndoshta Allahu i Madhëruar më jep sukses që ta jap unë të plotë, sepse unë vetë kam vuajtur nga kjo lloj këshille.
Kur isha në moshë të re, vendosa të lexoj të gjitha fetvatë e Ibn Tejmijes – 37 vëllime – nga fillimi deri në fund. Vendosa që deri në vitin e fundit të shkollës së mesme të kem përfunduar të gjitha këto vëllime. Isha shumë i entuziazmuar për këtë. Dhe sikur Allahu të mos më kishte sjellë atë këshilltar “dashamirës” që më tha se kjo ishte përtej nivelit tim, do ta kisha përfunduar atëherë.
Prandaj, o vëlla i dashur, nëse ke mjetet për të kuptuar libra të tillë – gjuhën, bazat e dijes – mos thuaj se libri është mbi nivelin tënd. Unë në atë kohë kisha bazat e fikhut. Kisha lexuar “el-‘Udde” të Ibn Kudames dhe gjysmën e “Zad el-Mustekni’” me shpjegimin e shejh Feuzanit. Pra, kisha mjetet për të lexuar libra të tillë. Mund të lodhesha në fillim, por me praktikë, gjërat hapen dhe dija zgjerohet.
Por ai këshilluesi më ndali nga leximi i atij libri. Në vend që ta përfundoja për tri vite, më është dashur afërsisht njëzet vjet për ta përfunduar tërësisht. Tani, falë Allahut, i kam lexuar të gjitha fetvatë nga fillimi deri në fund, por e kam bërë këtë në mënyrë të shpërndarë – herë një kapitull, herë një çështje, sipas nevojës – derisa i përfundova të gjitha. Kjo ka mundur të bëhej për tri vjet, por ajo këshillë më ndali. Mos lejo që këshilla të tilla të të ndalojnë.
Fatkeqësisht, do t’ju tregoj diçka që mund të jetë e vërtetë. Nuk e mbaj mend emrin e atij personi tjetër që përmenda më parë, por ishte shejhu Khalid el-Ghamidi, imami i Qabes sot. Ai ishte më i vogël se unë në moshë, dhe në të njëjtën periudhë kur unë po mendoja të lexoja fetvatë, ai kishte vendosur të lexonte “Fet’h el-Bari” nga fillimi në fund.
Falëm drekën në xhami dhe u ula me të. Ishte me njërin prej dijetarëve që tani punon në Ministrinë e Çështjeve Islame, Dr. Muhamed bin Hamed el-Mushueh. Folëm për këtë çështje.
Dr. Muhamedi më sqaroi se shejh Khalid – i cili atë kohë nuk ishte nga njerëzit e ditur, pasi ishim të gjithë djem të rinj – kishte vendosur të lexonte “Fet’h el-Bari” të tërin. Unë, duke u nisur nga përvoja ime, ia dhashë atij të njëjtën këshillë që ma kishin dhënë mua më parë – ajo që më kishte penguar. Dhe tani i lutem Allahut që ai të mos e ketë dëgjuar këshillën time. Nuk e di nëse më dëgjoi dhe u ndal apo vazhdoi dhe e përfundoi librin.
Prandaj, them: mos lejo që dikush të të ndalojë me fjalë si “ky libër është mbi nivelin tënd.” Ndonjëherë njerëzit e thonë këtë nga qëllimi i mirë, por ndonjëherë janë ata që vetë nuk e kanë kërkuar dijen në moshë të re, por e kanë kërkuar më vonë, dhe mendojnë se ti je si ata kur ishin të vegjël.
Në realitet, kush fillon të lexojë herët, mendja e tij zhvillohet. Ai që lexon dhe praktikon leximin që nga shkolla e mesme, ka aftësi më të mëdha se një që ka mbaruar universitetin por nuk ka kërkuar dije deri vonë. Dhe kur ai të këshillon, e bën duke menduar për veten e tij kur ishte në atë moshë, por ti në fakt mund të jesh më i përgatitur se ai kur ishte në universitet.
Kjo është e vërteta. Disa të rinj më kanë thënë: “Duam të lexojmë librin ‘Te’arud el-Akli ve en-Nakli’.” U thashë: “Allahu ju forcoftë.” Disa thonë: “Si ua jep atyre këtë libër, është i vështirë.” Por nuk është i vështirë: lexoje vëllimin e parë, duro, dhe do kuptosh të dytin, të tretin, të katërtin e kështu me radhë. E rëndësishme është të kesh vullnet. Nëse sheh dikë me vullnet, mos i qëndro përpara si pengesë. Lëri pengesat që ta ndalojnë, jo ti.
✍ Dr. Muhamed es-Seidi
Përshtati: Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- Bëhu argjendar librash Udha e Besimtarëve
- Kështu e shtrembërojnë filmat e Hollivudit imazhin e arabëve dhe myslimanëve Udha e Besimtarëve
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve