✍ Dijetari Muhammed Rashid Rida – Allahu e mëshiroftë – i cili ka ndërruar jetë në vitin 1354 h, thotë:
“Kur filluam të merreshim me dijen e Kelamit (teologjisë spekulative), shihnim në libra se hanbelitë i kundërshtonin (të tjerët), dhe mendonim se ata janë njerëz të ngurtë që ngjiten pas kuptimeve të jashtme të transmetimeve (teksteve), pa i kuptuar ato siç duhet, pa njohur realitetin e dijes, dhe pa e përputhur transmetimin me dijen.
Mendonim se vetëm librat e Esh’arive janë burimi i fesë dhe rruga për tek bindja e sigurt.
Por kur u njohëm me librat e tyre (hanbelive), kuptuam se ato janë pikërisht librat që ua zbulojnë muslimanëve metodën më të mirë të selefëve, që i çojnë njerëzit te burimi më i ëmbël, dhe lexuesi i tyre ndien gëzimin e besimit dhe freskinë e bindjes.
Dallimi midis këtyre librave dhe atyre të esh’arive ishte si dallimi mes atij që ecën në një rrugë të drejtë dhe atij që noton në një det të thellë, ku e përplasin valët e dyshimeve filozofike dhe e tërheqin rrymat e kërkimeve teorike.
Mua mu bë e qartë – pasi u binda se rruga e selefëve të drejtë është më e sigurt, më e ditur dhe më e urtë – se kjo është një nga provat e vërtetësisë së Profetit ﷺ.
Sepse muslimanët, pasi që studiuan filozofinë e mendimtarëve të teologjisë dhe u futën në të gjitha dijet e lashta, nuk arritën të sillnin ndonjë gjë që të forcojë lidhjen e besimit, as ndonjë rrugë për të arritur të vërtetën me argumentim, përveç asaj që tashmë kishte ardhur përmes Kuranit.
E sikur ky Kuran të ishte vepër e njeriut, do ta kishin tejkaluar atë, sidomos pasi dolën nga analfabetizmi dhe u zhytën në dijet logjike si matematika, shkencat natyrore dhe filozofia.
Ndër gjërat që e bëjnë literaturën e hanbelive më të vlefshme se të gjithë librat e tjerë është se ato janë të nevojshëm në çdo kohë, ndërsa librat e esh’arive janë bërë të panevojshëm tek shumica e njerëzve në shumicën e çështjeve që trajtojnë, sepse një pjesë e madhe e tyre bazohet në filozofinë greke – e cila tashmë është abroguar – dhe në polemikat me sektin e mu‘tezilive, të cilët tashmë janë shuar.
Nuk po them se çdo gjë që kanë shkruar hanbelitë në çështjet e tyre është e drejtë dhe e pagabueshme dhe se tek këto burime duhet të kthehemi e të mbështetemi, jo! Sepse vetëm Libri i Allahut është i pagabueshëm.
Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur (ky Kuran) të ishte nga ndonjë tjetër përveç Allahut, në të do të gjenin shumë kundërthënie.” En-Nisā’: 82.
📒 Revista “El-Menar”, vëll. 6, fq. 620.
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: metodologjia, Selefët