Fillimi i imanit është fjala “La ilahe il-lAllah”

July 31, 2025

(9) Kapitulli: Fillimi i imanit është fjala “La ilahe il-lAllah”

16 – Hadithi i Musejjeb ibn Haznit i cili përcjell: Kur i erdhi vdekja Ebu Talibit, i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi tek ai dhe gjeti pranë tij Ebu Xhehl ibn Hishamin dhe Abdullah ibn Ebi Umejjete ibn Mugiran. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “O xhaxhai im, thuaj: ‘La ilahe il-lAllah’ – një fjalë me të cilën do të dëshmoj për ty tek Allahu.”
Atëherë Ebu Xheli dhe Abdullah ibn Ebi Umejjete i thanë: “O Ebu Talib, a po largohesh nga feja e Abdulmuttalibit?”
I Dërguari i Allahut ﷺ vazhdonte t’ia ofronte atë (fjalë), dhe ata të dy vazhdonin me atë thënie (kundërshtuese), derisa Ebu Talibi tha – fjala e fundit që u tha atyre –: “(Jam) në fenë e Abdulmuttalibit” dhe refuzoi të thotë: “La ilahe il-lAllah.”
Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Pasha Allahun! Do të kërkoj falje për ty, deri në momentin kur të më ndalohet.”
Atëherë Allahu i Lartësuar zbriti këtë ajet: “Nuk është e lejuar për profetin dhe as për ata që kanë besuar, të kërkojnë falje për idhujtarët, edhe nëse janë të afërt të tyre, pasi u është bërë e qartë se ata janë banorë të Zjarrit.” Sureja Teube, 113.
E transmeton Buhariu në:– Libri i xhenazeve 23, Kapitulli 81: Kur idhujtari thotë në çastet e vdekjes “La ilahe il-lAllah”.

(10) Kapitulli: Kush i vjen Allahut me besim pa pasur dyshim, hyn në xhenet dhe i ndalohet Zjarri.

17 – Hadithi i Ubades (ibn Samit):
i cili përcjell se Profeti ﷺ ka thënë:
“Kush dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, i vetëm, pa ortak; dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij; dhe se Isai (Jezusi) është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij, dhe Fjala e Tij që Ai ia hodhi Merjemes, dhe shpirt i fryrë prej Tij; dhe se xheneti është i vërtetë, dhe Zjarri është i vërtetë – Allahu do ta fusë në Xhenet sipas veprave që ka bërë.”
Një nga transmetuesit e senedit shtoi:
“Prej cilësdo derë të tetë dyerve të Xhenetit që të dojë (do të hyjë).”

E transmeton Buhariu në: Libri i Profetëve 60, Kapitulli 47: Fjala e Allahut: “O ithtarët e Librit! Mos e teproni në fenë tuaj dhe mos thoni për Allahun tjetër veç së vërtetës.”

18 – Hadithi i Muadh ibn Xhebelit:

Ai tregon: Ndërsa po shoqëroja Profetin ﷺ (duke qëndruar pas tij në kafshën e vet), dhe mes meje dhe atij nuk kishte veç pjesës së pasme të shalës (së kafshës), ai më tha: “O Muadh!”
Thashë: “Të përgjigjem, o i Dërguari i Allahut, dhe jam në shërbimin tënd!”
Pastaj eci pak dhe përsëri tha: “O Muadh!”
Thashë: “Të përgjigjem dhe jam në shërbimin tënd!”
Pastaj eci pak dhe përsëri tha: “O Muadh!”
Thashë: “Të përgjigjem dhe jam në shërbimin tënd!”
Ai tha: “A e di ti se cila është e drejta e Allahut mbi robërit e Tij?”
Thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.”
Tha: “E drejta e Allahut mbi robërit e Tij është që ata ta adhurojnë Atë dhe të mos i shoqërojnë Atij asgjë (në adhurim).”
“Eci pak kohë, pastaj tha: ‘O Muadh ibn Xhebel!’ Thashë: ‘Të përgjigjem, o i Dërguari i Allahut, dhe jam në shërbimin tënd!’ Ai tha: ‘A e di ti se cila është e drejta e robërve mbi Allahun kur ata ta adhurojnë Atë?’ Thashë: ‘Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.’ Tha: ‘E drejta e robërve mbi Allahun është që Ai të mos i dënojë ata.’”

Transmeton Buhariu në: Libri i Veshmbathjes 101. Kapitulli mbi hipjen e dy personave (mbi të njejtën kafshë ose mjet).

19-  Hadithi i Muadhit: “Isha pas Profetit ﷺ mbi një gomar që quhej ‘Ufejr.” Ai më tha: “O Muadh! A e di ti cila është e drejta e Allahut mbi robërit e Tij dhe cila është e drejta e robërve mbi Allahun?” Thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.” Tha: “E drejta e Allahut mbi robërit është që ta adhurojnë vetëm Atë dhe të mos i shoqërojnë Atij asgjë, dhe e drejta e robërve mbi Allahun është që Ai të mos e dënojë atë që nuk i shoqëron Atij asgjë.” Thashë: “O i Dërguar i Allahut, a ti përgëzoj me këtë lajm njerëzit?” Ai tha: “Mos i përgëzo, se mund të mbështeten mbi këtë (dhe të bëhen të pakujdesshëm).”

Transmeton Buhariu në: Libri i Xhihadit 46 – Kapitulli që flet për emrat e kuajve dhe gomerëve.

20- Hadithi i Enes ibn Malikut:

Profeti ﷺ ishte me Muadhin si bashkëudhëtar mbi një kafshë udhëtimi, dhe i tha: “O Muadh ibn Xhebel!” Ai tha: “Të përgjigjem, o i Dërguari i Allahut, dhe jam në shërbimin tënd!” Pastaj tha: “O Muadh!” Ai u përgjigj njësoj, deri në tri herë. Pastaj Profeti ﷺ tha: “Nuk ka njeri që dëshmon se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut – me sinqeritet nga zemra – veçse Allahu ka për ta penguar atë nga Zjarri.” Muadhi tha: “O i Dërguari i Allahut, a t’ua jap këtë lajm njerëzve që të gëzohen?”Ai tha: “Atëherë do të mbështeten tek këto fjalë (dhe do ti braktisin veprat).” Muadhi e tregoi këtë hadith para vdekjes së tij, nga frika se mos mbante një dituri që duhej ndarë me të tjerët.”

Transmeton Buhariu në: Libri i Dijes 3, – Kapitulli 49: Ai që mëson një grup njerëzish duke lënë një pjesë tjetër, nga frika se mos nuk e kuptojnë.

Sqarime gjuhësore:

– Radif: Ai që hipën mbi kafshë pas një tjetri me lejen e tij; që nënkupton pjesën e pasme të kafshës, vendin ku mbështetet kalorësi. Përdoret për të treguar edhe afërsinë fizike dhe shpirtërore me dikë.

– Lebbejke: Do të thotë “I përgjigjem thirrjes tënde përsëri e përsëri”, shprehje për përkushtim dhe gatishmëri ndaj udhëzimit të të Dërguarit ﷺ.

– (Se’adejke): “Të ndihmoj përsëri e përsëri” – formë përforcuese e nderimit dhe gatishmërisë.

اللؤلؤ و المرجان

#Perlat dhe Koralet e haditheve në të cilat janë dakortësuar dy imamët” (Buhariu dhe Muslimi)

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...