Marrja e fëmijëve (të vegjël) në xhami

October 1, 2025

Marrja e fëmijëve (të vegjël) në xhami

Është e pëlqyeshme që babai apo nëna ta marrin fëmijën në xhami, nëse ka arritur moshën shtatë vjeç, në mënyrë që të mësohet dhe të inkurajohet për namazin në xhami.

Edhe nëse është më i vogël se shtatë vjeç, lejohet të merret në xhami përderisa prania e tij nuk sjell shqetësim për namazfalësit dhe nuk u shkakton atyre bezdi me lëvizjet apo lojën e tij.

Marrja e fëmijëve të vegjël në xhami ka qenë e njohur në kohën e Profetit ﷺ, sikurse tregohet në disa hadithe.

I Dërguari i Allahut ﷺ hynte në namaz me qëllim që ta zgjaste, por kur dëgjonte të qante një fëmijë, e shkurtonte namazin nga frika se mos shqetësohej nëna e tij. (Buhariu dhe Muslimi)

Ebu Katade el Ensari (radijallahu anhu) tregon se Profeti ﷺ është falur duke mbajtur mbi shpatulla mbesën e tij, Umamen, dhe kur binte në sexhde e vendoste në tokë, e kur ngrihej në këmbë e merrte përsëri. (Buhariu dhe Muslimi)

Nga këto hadithe kuptohet se marrja e fëmijëve në xhami nuk ka qenë e ndaluar, sikurse nënkuptohet gjithashtu që fëmijët në atë kohë nuk ishin shqetësim për njerëzit në xhami.

Por nëse fëmija shqetëson të tjerët me veprimet e tij, aq më tepër nëse bashkohen një grup fëmijësh, atëherë nuk është e përshtatshme të sillet në xhami, sepse xhamitë nuk janë ndërtuar për lojë dhe argëtim, por për namaz, lexim Kurani dhe përmendjen e Allahut.

I Dërguari i Allahut ﷺ madje e ka ndaluar që njerëzit që falen të ngrenë zërin me lexim Kurani ose lutje, duke shqetësuar të tjerët.

(Hadith i saktë, e transmetojnë Ebu Daudi, Nesaiu, Ahmedi, Ibn Huzejme dhe Hakimi)

Atëherë, si mund të lejohet loja, vrapimi, ngritja e zërit dhe lëvizja nga një vend në tjetrin, të cilat shqetësojnë xhematin e xhamisë?

Imam Maliku (v. 179H) është pyetur për marrjen e fëmijëve në xhami dhe është përgjigjur:

“Nëse fëmija ka arritur moshën e edukatës (që të dallojë dhe të jetë i dëgjueshëm kur i kërkohet diçka), dhe nuk luan në xhami, nuk shoh gjë të keqe.

Por, nëse është i vogël, nuk qëndron në vend dhe luan, nuk preferoj që të sillet në xhami.”

(El Bejan uet Tahsil, 1/283)

 

Shejhul Islam Ibn Tejmije (v. 728H) ka thënë:

“Xhamia duhet të ruhet nga çdo gjë që e dëmton atë dhe që u shkakton shqetësim namazfalësve, qoftë ngritja e zërit nga fëmijët apo ndotja e qilimave, dhe gjëra të ngjashme, sidomos gjatë kohës së namazit, dhe kjo (shqetësimi i atyre që falen) është është prej të këqijave të mëdha.”

(Mexhmu’ul Fetaua, 22/204)

 

Shejh Ibn Uthejmini (v. 1421H) është pyetur: “A lejohet që njeriu të shkojë në xhami me fëmijët e tij më të vegjël se katër vjeç?”

Ai është përgjigjur:

“Fëmijët më të vegjël se katër vjeç zakonisht nuk e kuptojnë namazin, sepse nuk kanë arritur moshën e dallimit, e cila fillon kur mbushin shtatë vjeç. Për këtë moshë Profeti ﷺ ka thënë: ‘Urdhëroni fëmijët tuaj për namaz kur të mbushin shtatë vjeç.’

Pra, fëmijët katërvjeçarë nuk e kuptojnë namazin, ndaj nuk është e përshtatshme të sillen në xhami, përveçse në rast nevoje, si kur nuk ka kush ta mbajë fëmijën në shtëpi.

Edhe atëherë, merren në xhami me kusht që të mos shqetësojnë namazfalësit, e nëse i shqetësojnë, nuk duhet të merren me vete.

Në rast se babai qëndron me fëmijën e tij në shtëpi, atëherë është i arsyetuar për mosshkuarjen në xhami, sepse arsyeja është kujdesi për fëmijën.”

(Fetaua Nur ala ed Derb, 8/2)

 

Për këtë arsye, disa dijetarë kanë thënë se fëmijët më të vegjël se shtatë vjeç nuk duhet të sillen në xhami.

Në një nga fetuatë e Komisionit të Përhershëm të Fetuave thuhet:

“Nëse fëmija ka arritur moshën e dallimit, kërkohet që ai të sillet në xhami, në mënyrë që të mësohet me namazin bashkë me xhematin e myslimanëve.

Është përmendur në një hadith të saktë se Profeti ﷺ ka thënë: ‘Urdhëroni fëmijët tuaj për namaz kur të mbushin shtatë vjeç.’

Ndërsa hadithi në të cilin thuhet: ‘Largojini nga xhamitë tuaja fëmijët dhe të çmendurit’, nuk është i saktë.

Nëse fëmija nuk ka arritur moshën e dallimit, është më mirë të mos sillet në xhami, sepse ai nuk kupton as namazin, as kuptimin e xhematit, dhe gjithashtu mund të shkaktojë shqetësim për namazfalësit.”

(Fetuaua el Lexhne ed Daime, 5/263)

 

Si këshillë për besimtarët që marrin fëmijët në xhami: mësojini fëmijëve edukatën e xhamisë, e nëse janë të vegjël kontrollojini e mbajin afër, e mos e ktheni shtëpinë e Allahut në kënd lojrash apo çerdhe.

Xhemati i xhamisë gjithashtu duhet të tregojnë durim dhe mirëkuptim për diçka që mund të shkaktojnë fëmijët, dhe fakti që një fëmijë bërtet, qesh, qan apo lëviz në xhami nuk është arsye për ta ndaluar që të vij në xhami, sepse edhe në xhaminë e Profetit ﷺ ndodhte kjo dhe ai ﷺ e pranonte, madje e shkurtonte namazin prej sikletit që ndjente nëna e fëmijës që qante gjatë namazit.

Por nëse fëmija shkakton shumë shqetësim, atëherë nuk duhet sjellë në xhami derisa të mësojë rregullat dhe edukatën e xhamisë.

Dr. Fatmir Strumi

Dosje:

Loading...