Imam Ebu Hanife
(Allahu e mëshiroftë!)
إِنَّمَا يَخۡشَى ٱللَّهَ مِنۡ عِبَادِهِ ٱلۡعُلَمَٰٓؤُاْۗ إِنَّ ٱللَّهَ عَزِيزٌ غَفُورٌ
”Vërtet, ata që i frikësohen më shumë Allahut nga robërit e Tij janë dijetarët. Padyshim që Allahu është i Plotfuqishëm dhe Falës.” (Fatir, 28)
Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju!
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Falënderimi i takon Allahut, Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë!
E në vijim: Mirë se vini, vëllezër dhe motra të nderuar! Dhe duke u nisur nga takimi ynë i mëparshëm, ashtu siç ju kam premtuar, ne do të fillojmë me personazhin e parë ndër figurat që do të trajtojmë në këtë program me titull “Biografia e një dijetari”.
Në këtë takim, do të tregojmë për një nga kolosët e dijes, një figurë e shquar që u rrit në një shtëpi ku dija shkëlqeu dhe që pati ndikim të jashtëzakonshëm në fushën e jurisprudencës islame (fik’hut).
Që në fëmijërinë e tij, ai dallohej për inteligjencën e tij të jashtëzakonshme dhe për virtytet dhe edukatën që e shoqëronin. Shenjat e personalitetit të tij ishin të mbushura me urtësi, dituri dhe një mençuri. Fillimet e jetës së tij paralajmëronin lindjen e një dijetari që do të garonte me yjet në lartësitë e dijes.
A e dini kush është ai? Ai është imami Ebu Hanife En-Nu‘man, Allahu e mëshiroftë!
Emri dhe prejardhja e Ebu Hanifes:
Emri i plotë i Ebu Hanifes është Nu’man ibn Thabit ibn el-Merzuban. Ai kishte lidhur miqësi me fisin arab Beni Tejmilah ibn Tha‘lebe. Njihej me nofkën Ebu Hanife, dhe pikërisht me këtë emër u bë i famshëm.
Ai është një nga dijetarët më të mëdhenj dhe figurat më të shquara të Islamit. Ishte me prejardhje persiane dhe i përkiste një familjeje të nderuar në mesin e popullit të tij. Thuhet se origjina e familjes së tij ishte nga Kabuli; të tjerë thonë nga el-Anbari; disa thonë ishte nga Nesa, e të tjerë nga Tirmidh.
Gjithësesi, fama e Ebu Hanifes dhe madhështia që ai arriti e bëjnë të panevojshme pyetjen për prejardhjen e tij. – Ai që mbetet pas në vepra, nuk e çon përpara prejardhja, dhe e kundërta po ashtu.
Gjyshi i tij, el-Merzuban, e përqafoi Islamin në kohën e Umer ibn el-Hattabit (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Më pas u zhvendos në qytetin e Kufes, të cilin e bëri vendbanim të tij.
Ebu Hanifja ishte fëmija i vetëm i prindërve të tij. Babai i tij ishte tregtar pëlhurash, merrej me shitjen e rrobave në një dyqan që kishte në Kufe.
Ebu Hanifja e pasoi të atin në këtë zanat ashtu siç ishte traditë në atë kohë që zanati trashëgohej brenda familjes. Ai vijoi të merrej me tregtinë e pëlhurave dhe ushqehej nga puna e duarve të veta.
Lindja dhe fëmijëria e Ebu Hanifes:
Ebu Hanifja (Allahu e mëshiroftë) lindi në vitin 80 pas Hixhretit të Profetit ﷺ.
Në të vërtetë, ai lindi në kohën kur ende jetonin disa nga sahabët. Është thënë se ai e ka parë Enes ibn Malikun kur ai erdhi në Kufe, por ajo që duket më e saktë – dhe Allahu e di më së miri – është se ai nuk ka takuar asnjë nga sahabët; ndoshta ky takim i atribuohet gjyshit të tij, ndërsa Ebu Hanifja bën pjesë në brezin e tabi‘ et-tabi‘inëve (brezi i tretë).
El-Hatib el-Bagdadi përmend se Ebu Hanifja pa në ëndërr sikur po hapte varrin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, dhe u frikësua nga kjo ëndërr. Prandaj dërgoi dikë të pyeste imam Muhamed ibn Sirinin, dijetarin që njihej si interpretues i ëndërrave.
Ibn Sirini tha: ‘Sipas kësaj ëndrre, personi që e pa atë do të përvetësojë dije të madhe dhe do të arrijë nga dituria aq sa askush prej dijetarëve para tij nuk e ka arritur.’
– Kjo do të thotë se, sipas ëndrrës, personi që e pa atë do të ketë një të ardhme të ndritur, me ndikim të madh, për këtë arsye tha: ‘askush prej dijetarëve para tij nuk e ka arritur.’
Zgjuarsia dhe mendjemprehtësia e Ebu Hanifes:
Ebu Hanifja (Allahu e mëshiroftë) që në fëmijëri shfaqte shenja premtuese që paralajmëronin mirësi. Ai e mësoi përmendësh Kur’anin Famëlartë para se të mbushte moshën dhjetë vjeç. Dhe kur arriti moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, doli së bashku me të atin për të kryer obligimin e haxhit.
Ai kishte një mendje të mprehtë dhe të kthjellët që në moshë të hershme dhe ishte i ëmbël në të folur.
Ebu Jusufi tregon: “Ishte njeriu më i hijshëm në të folur, më i ëmbli në zë dhe më i qarti në përcjelljen e asaj që dëshironte të shprehte.”
Ebu Jusufi ishte një prej nxënësve të Ebu Hanifes, ai njihej si Ebu Jusuf El Kadi -Gjykatësi.
Ai e lëvdonte shejhun (mësuesin) e vet, duke përmendur hijeshinë e fjalës së tij, forcën e arsyetimit, ëmbëlsinë e shprehjeve dhe zgjuarsinë e tij të jashtëzakonshme—Allahu e mëshiroftë.
Fillimet e rrugëtimit të Ebu Hanifes në kërkimin e dijes:
Në fillimet e jetës së tij, Ebu Hanifja u rrit me prirje për debat dhe polemikë; dhe, ndonëse ende i ri, në rreth të njëzetave, i mposhtte me argument ithtarët e devijimit dhe herezisë që ishin përhapur në atë kohë, duke ua hedhur poshtë dyshimet dhe duke ua rrëzuar pretendimet e kota.
Ai debatoi edhe me kreun e risive të asaj kohe, Xhehm ibn Safuanin, derisa e heshti; po ashtu polemizoi me shumë prej ithtarëve të bidateve, dhe fitorja ishte përherë në anën e tij—Allahu e mëshiroftë—falë fuqisë së mendjes, forcës së argumentit dhe qartësisë së shprehjes që i kishte dhuruar Allahu i Lartësuar. Derisa fama e tij u përhap dhe u bë një figurë e njohur, që binte në sy e përmendej nga të gjithë.
Më pas, ai—Allahu e mëshiroftë—iu përkushtua dijes së fikhut, dhe për këtë përcillet një rrëfim i bukur …
Ndodhi një ngjarje në fillimet e rinisë së Ebu Hanifes, e cila e orientoi atë, nga çështjet e debatit, shqyrtimit dhe polemikës, drejt dijes së fikhut.
Këtë e përmend Zufer ibn Hudhejl, i cili thotë: ‘Kam dëgjuar Ebu Hanifen të thotë: ‘Kam qenë i apasionuar pas ilmu-kelamit dhe polemikave filozofike, derisa u bëra i njohur mes njerëzve. Dhe ne uleshim pranë mexhlisit të Hammad ibn Ebi Sulejmanit’—ky do të ishte mësuesi i tij i parë.
– ‘Mexhlisi im ndodhej pranë mexhlisit të Hammad ibn Ebi Sulejmanit. Një ditë erdhi një grua dhe më parashtroi një çështje të fikhut, duke thënë: Një burrë kishte një bashkëshorte dhe dëshironte ta divorconte sipas sunetit; si duhej vepruar?’ Unë nuk dija ç’të thosha, ndaj e udhëzova që të pyeste Hammadin dhe më pas të kthehej e të më tregonte përgjigjen e tij. Ajo shkoi dhe e pyeti Hammadin, i cili tha: ‘Ta ndajë kur ajo është e pastër nga menstruacionet dhe pa marrëdhënie bashkëshortore, me një shkurorëzim, pastaj ta lërë derisa të kalojnë dy cikle menstruacionesh, e pasi të jetë larë (gusul), i lejohet martesa me dikë tjetër.…’
Kur u kthye dhe ma transmetoi përgjigjen – thotë Ebu Hanifja; – thashë me vete: ‘Nuk më duhet më kjo dije e ilmu-kelamit,’ pastaj u ngrita nga mexhlisi, mora sandalet dhe ju bashkëngjita mexhlisit të Hammadit.
“Thotë: ‘I dëgjoja çështjet që ai shpjegonte dhe i mësoja përmendësh fjalët e tij. Të nesërmen ai i përsëriste dhe unë i kisha të ruajtura në kujtesë, ndërsa nxënësit e tij gabonin.’
– Hammadi e vuri re këtë të ri me aftësi të veçantë dhe tha: ‘Askush të mos ulet në krye të mexhlisit përballë meje përveç Ebu Hanifes.’ – Thotë: ‘E kam shoqëruar për dhjetë vjet.
– Pastaj Ebu Hanifja (Allahu e mëshiroftë) thotë: ‘Më pas, më lindi dëshira për kërkimin e pozitës, ndaj dëshirova të tërhiqesha dhe të formoja një mexhlis të timin…’
– I Madhëruar është Allahu! Sa e fortë është prirja që e shtyn njeriun drejt së keqes, e po ashtu nxitja nga shejtani i mallkuar..!”
Thotë: ‘Kisha ndër mend të largohesha nga ai, duke menduar se tashmë isha përgatitur për mësimdhënie dhe synoja të veçoja një mexhlis për vete. Një ditë dola në mbrëmje me këtë synim në mendje.
Kur hyra në xhami, pashë mësuesin tim, Hammad ibn Ebi Sulejmanin. Nuk më bëri zemra të largohesha prej tij, ndaj shkova dhe u ula me të. Atë natë i erdhi lajmi për vdekjen e një të afërmi të tij në Basra, i cili kishte lënë pasuri dhe nuk kishte trashëgimtar tjetër përveç Hammadit, ndaj ai më urdhëroi të zija vendin e tij e ta zevendësoja gjatë mungesës së tij. Nuk kaloi shumë dhe më erdhën çështje që nuk i kisha dëgjuar më parë prej tij, ndaj fillova të përgjigjem dhe t’i shkruaj përgjigjet e mia.’
– Ebu Hanifja thotë: ‘Ai mungoi për dy muaj, pastaj u kthye dhe i paraqita çështjet; ishin rreth gjashtëdhjetë çështje, dhe ai më miratoi në dyzet prej tyre, ndërsa në njëzet më kundërshtoi. Atëherë u betova në veten time se nuk do të ndahem prej tij derisa të vdesë, dhe kështu nuk u ndava prej tij derisa ai vdiq.’ – Dhe kjo dëshmonte qartë nderimin dhe respektin e tij të madh ndaj mësuesit.
Mësuesit e Ebu Hanifes:
Ebu Hanifja (Allahu e mëshiroftë) nuk e kufizoi marrjen e dijes vetëm te Hammad ibn Ebi Sulejmani; përkundrazi, mësuesit e tij ishin të panumërt. Ai përfitoi nga një numër i madh dijetarësh të brezave të parë, dhe u shqua për numrin e madh të mësuesve të tij siç është përmendur nga historianë të ndryshëm.
Ebu Hafs el-Kebir, pasi përmendi numrin e madh të mësuesve të Ebu Hanifes—e siç dihet, një grup dijetarësh kanë shkruar për ta dhe i kanë renditur sipas rendit alfabetik—tregon se ndër mësuesit më të njohur të Ebu Hanifes ishte Hammad ibn Ebi Sulejmani, për të cilin folëm më herët, e i cili ishte tabi‘ij nga Kufa.
Ai tregonte një kujdes të veçantë për Ebu Hanifen, sepse shihte tek ai një mendje të mprehtë dhe një dhunti të jashtëzakonshme, që e bënin të denjë për t’u bërë dijetar i madh. Prandaj Hammadi thoshte: ‘Askush të mos ulet në krye të mexhlisit përballë meje përveç Ebu Hanifes.’
Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, ka transmetuar prej tij rreth dy mijë hadithe të dispozitave të fikhut. Madje më shumë se një e treta e haditheve në Musnedin e tij—të mbledhura nga el-Haskefi—janë transmetet e Ebu Hanifes, nga shejkhu i tij Hammadi, nga Ibrahim en-Nekhai’, nga el-Esued, nga Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të).
Ebu Hanifja thotë: ‘Asnjëherë nuk kam falur namaz pa e përfshirë mësuesin tim në lutjet e mia, sikurse jam lutur për prindërit e mi. Dhe unë lutem për ata nga të cilët kam përfituar dije, ashtu siç lutem për ata që kanë mësuar prej meje.
Allahu është më i Madhi! Çfarë edukate e mrekullueshme është kjo!
Ata kurrë nuk i harronin mësuesit e tyre, ata burra të ndritur që kontribuan për formimin e tyre. Pas ndihmës së Allahut të Lartmadhëruar, mësuesit e tyre luajtën një rol të paçmuar në edukimin dhe formimin e tyre. Prandaj, ata luteshin për ta dhe kërkonin falje nga Allahu për ta, ashtu siç luteshin për prindërit e tyre. Allahu është më i Madhi!
Prandaj, kërkohet nga nxënësi i dijes që të mos i harrojë mësuesit e tij, ata nga të cilët ka mësuar, dhe ata që e kanë formuar në dije, etikë dhe çdo aspekt tjetër që e ndihmon në rrugëtimin e tij si kërkues i dijes.
Ebu Jusuf el-Kadi thoshte: ‘Kurrë nuk kam falur namaz, asnjëherë, pa e përfshirë në lutjet e mia Ebu Hanifen dhe pa kërkuar falje për të.’ – Subhanallah! Sa i fuqishëm është ndikimi i mësuesit në shpirtin e nxënësit!
Kur Ebu Jusuf el-Kadi e dëgjoi se Ebu Hanifja lutej për mësuesit e tij, ai po ashtu filloi të lutej për të dhe të kërkonte falje për të, duke e kujtuar gjatë lutjeve të tij.
Ky është shembulli i vërtetë i edukatës dhe nderimit që duhet të ndjekin të gjithë nxënësit e dijes.
Natyrisht, siç e kemi theksuar më herët, Ebu Hanifja nuk e kufizoi përvetësimin e dijes vetëm te Hammad ibn Ebi Sulejmani, apo te një numër i kufizuar dijetarësh.
Përkundrazi, ai mori dije nga shumë e shumë prej dijetarëve të kohës, të tillë siç ishin:
Ata’ bin Ebi Rabah, një nga kolosët e mëdhenj të dijes.
Amir bin Sherahil Esh-Sha’bi.
A’dij bin Thabit.
Amr bin Dinar.
Nafi’a (shërbëtori i Abdullah ibn Umerit).
Katadeh es-Sedusi.
El-Kasim bin Abdul-Rahman bin Abdullah ibn Mas’ud.
Abu Is’hak el-Sebi’i.
Si dhe shumë të tjerë që janë të panumërt, që vetëm Allahu i Lartësuar i di.
Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, thotë: ‘Një ditë hyra te Ebu Xha’fer el-Mansuri, prijësi i besimtarëve i dinastisë Abbasite. Ai më tha: “O Ebu Hanife, nga kush e ke marrë dijen?” Unë iu përgjigja: “Kam marrë dije nga Hammadi, nga Ibrahimi, nga Umer bin el-Khattabi, nga Ali bin Ebi Talibi, nga Abdullah bin Mes’udi, nga Abdullah bin Abbasi etj.”
Abu Xha’feri tha: ‘Të lumtë, të lumtë! E ke arritur synimin me ata që ke zgjedhur o Ebu Hanife. Ata ishin njerëz të mirë, të dëlirë e të bekuar. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ta!’
Nxënësit e Ebu Hanifes:
Nëse do të hedhim një vështrim mbi numrin e nxënësve të Ebu Hanifes… në të vërtetë, është shumë e vështirë të përcaktohet numri i nxënësve të Ebu Hanifes. Kjo për shkak të numrit të madh të tyre nga njëra anë dhe shpërndarjes së tyre në vende të ndryshme nga ana tjetër, ndaj nuk mund t’i përmbledhim dot të gjithë.
Por nëse do të përmendim disa prej tyre, ndër të parët që kujtohenjanw:
Djali i tij Hammad ibn Ebi Hanife, një prej juristëve të asaj kohe.
Ibrahim ibn Tahman.
Is’hak ibn Jusuf el-Ezrak.
Esed ibn Amr el-Kadi.
Hasen ibn Zijad el-Lu’lu’i.
Hamza ez-Zejjat.
Davud et-Ta’i.
Zufer ibn Hudhejl.
Abdurrazak ibn Hemmam es-San’ani—autori i ‘Musannef’-it—.
Muhamed ibn el-Hasen esh-Shejbanij, një ndër nxënësit më të shquar të Ebu Hanifes.
Hushajm bin Beshir.
Veki’ ibn el-Xherrah.
Ebu Jusuf el-Kadi, të cilin e përmendëm më herët, dhe shumë të tjerë, numrin e të cilëve e di vetëm Allahu i Lartësuar.
Lëvdatat e dijetarëve për Ebu Hanifen:
“Ebu Hanifja, Nu’man ibn Thabit—në të vërtetë—është prej atyre imamëve për të cilët dijetarët kanë folur me nderim dhe i kanë përmendur gjithnjë për mirë.
Sa i përket disa çështjeve në të cilat ai u kritikua nga bashkëkohësit apo nga ata që erdhën pas, në të vërtetë ai është tërhequr prej tyre, përveç një çështjeje të vetme që ende mbetet objekt shqyrtimi ndër dijetarët—nëse ajo i përket dallimeve në shprehje apo ka natyrë tjetër—por nuk është vendi këtu për ta shtjelluar.
Qëllimi ynë këtu është të vëmë në pah vlerësimin për Ebu Hanifen dhe të shpalosim pozitën e këtij imami të madh dhe dijetari të shquar.
Emri i tij vazhdon të përmendet me nderim dhe respekt mes njerëzve, dhe të gjithë përfitojnë nga dija e tij. Pa dyshim, kjo është një shenjë e përkrahjes dhe suksesit që i ka dhënë Allahu i Madhëruar.
Mjafton si tregues per vlerën e madhe të Ebu Hanifes fakti që përmendja e tij është ruajtur ndër breza. Emri i tij ka mbetur i gjallë në kujtesën e njerëzve—të gjithë kanë dëgjuar për Imam Ebu Hanifen.
Nisur nga kjo, themi se Ebu Hanifja ka qenë vazhdimisht objekt vlerësimi dhe lavdërimi nga ana e dijetarëve.
Veki‘ ibn el-Xherrah—mësuesi i Imam Shafi‘iut—ka thënë: ‘Ebu Hanifja shquhej për besnikëri të rrallë dhe e vinte gjithmonë Allahun përpara çdo gjëje tjetër. Edhe kur ballafaqohej me sprova të mëdha në rrugë të Allahut, ai tregonte durim të madh.’
Ndërsa Imam Shafi‘iu, Allahu e mëshiroftë, përcjell se kur u pyet Imam Maliku: “A e ke parë Ebu Hanifen?”, ai u përgjigj: ‘Po, kam parë një njeri që, po të të thoshte për këtë shtyllë se mund të bëhej ar, do ta vërtetonte me argumentin e tij.’ – Kjo dëshmon për fuqinë e rrallë të argumentimit që e karakterizonte—një dhunti që e shoqëroi që në fillimet e tij dhe që i shërbeu më vonë në thellimin e tij në dijen e fikhut.
Po ashtu, Imam Shafi‘iu ka thënien e tij të njohur: ‘Në shkencën e fikhut, Ebu Hanifja do të mbetet pikë referimi për njerëzimin’.
Jahja ibn Ma‘ini thoshte: ‘Ebu Hanifja dallohej për saktësi dhe besueshmëri të rrallë në dije; nuk transmetonte hadith përveçse atë që e kishte të ruajtur me përpikëri në kujtesë, dhe nuk lejonte kurrë që të fliste për atë që nuk e kishte të verifikuar dhe të sigurt.’
Abdullah ibn el-Mubarek ka thënë: ‘Nuk kam parë njeri më të hijshëm në mexhlisin e tij, më të përmbajtur në sjellje dhe më të butë në karakter se Ebu Hanifen.’
Ndërsa Nadr ibn Shumejl shprehej: ‘Njerëzit, në çështjet e fikhut, ishin të shkujdesur, derisa Ebu Hanifja i zgjoi dhe u hapi rrugën me atë që shpjegoi dhe sistemoi.’
Po ashtu, Jahja ibn Se’id el-Kattan thoshte: ‘Nuk mund ta fshehim të vërtetën; nuk kemi njohur mendim më të drejtpeshuar dhe më të fortë se ai i Ebu Hanifes, dhe kemi përfituar nga shumë prej qëndrimeve të tij.’
Ebu Muavije ed-Darir thoshte: ‘Dashuria për Ebu Hanifen është prej sunetit.’
Po ashtu, El-A‘mesh, kur u pyet për një çështje, tha: ‘Këtë e zotëron më së miri Nu’man ibn Thabit el-Khazzaz,’ duke e përmendur me profesionin e tij të hershëm në tregtinë e rrobave, dhe shtoi: ‘Mendoj se Allahu e ka bërë të bereqetshme dijen e tij.’
Rauh ibn ‘Ubade thotë: ‘Isha pranë Abdul-Melik ibn Xhurejxhit—imam i njohur—kur i erdhi lajmi për vdekjen e Ebu Hanifes; ai u pikëllua dhe tha: “Eh sa dije u shua! Sa dituri që humbëm!”
Abdus-Samed ibn Abdil-Uarith, dijetari i njohur, thotë: “Ne ishim tek Shu‘be ibn el-Haxhaxh kur dikush i tha atij: ‘Ebu Hanife ka vdekur.’ Atëherë Shu‘be tha: ‘Me të iku edhe një pjesë nga dija e Kufes. Allahu na mëshiroftë ne dhe atë!”
Shu‘be ibn el-Haxhaxh gjithashtu thoshte për Ebu Hanifen: “Ai, pasha Allahun, ishte mendjemprehtë dhe kishte kujtesë të jashtëzakonshme.”
Abdullah ibn Davud el-Haribi ka thënë: “Njerëzit duhet të luten për Ebu Hanifen në namazet e tyre, sepse ai ua ruajti atyre fikhun dhe sunetin.”
Ali ibn el-Xha‘d thotë: “Ne ishim tek Zuhejr ibn Muavije kur i erdhi një burrë. Zuhejri e pyeti: ‘Nga po vjen?’ Ai u përgjigj: ‘Nga Ebu Hanifja.’ Atëherë Zuhejri i tha: ‘Shkuarja jote tek Ebu Hanifja për një ditë është më e dobishme për ty sesa ardhja tek unë për një muaj.’”
Ebu Nu‘ajm el-Asfahani ka thënë: “Ebu Hanifja ishte njeri që thellohej shumë në çështje.”
Ndërsa hafizi Ibn Haxher el-Askalani, autori i “Fet’h el-Bari”, ka thënë: “Virtytet e imam Ebu Hanifes janë të panumërta. Allahu qoftë i kënaqur me të dhe e vendostë në Firdeusin më të lartë!”
Përkushtimi i Ebu Hanifes në adhurime:
Sa i përket përkushtimit të Ebu Hanifes në adhurim (Allahu e mëshiroftë), ai ishte një njeri thellësisht i dhënë pas adhurimit duke u dalluar për përkushtimin e tij të madh:
El-Hasen ibn Muhamed el-Lejthi thotë: “Shkova në Kufe dhe pyeta për njeriun më adhurues ndër banorët e saj. Më drejtuan te Ebu Hanife dhe më thanë: ‘Ky është njeriu më adhurues në Kufe.’”
Po ashtu, Sufjan ibn Ujejne, i njohur si Ebu Muhamed el-Hilali, imam i shquar (Allahu e mëshiroftë), ka thënë: “Allahu e mëshiroftë Ebu Hanife; ai ishte prej atyre që faleshin shumë.”
Ebu Asim en-Nebil, imami i njohur, ka thënë se Ebu Hanife quhej “el-ueted” (shtylla/kollona e fortë), për shkak të kohës së gjatë që kalonte duke u falur.
A e dini çfarë është “el-ueted” – është ai kunji që ngulitet në tokë për të forcuar dhe mbajtur litarët e çadrës. Për shkak se ai falej shumë dhe qëndronte për një kohë të gjatë në këmbë duke lexuar Kuranin, ai ishte njohur me këtë epitet.
Po i sjell këto fjalë nga këta dijetarë, sepse në to pasqyrohet qartë vlera e Ebu Hanifes tek ata burra të nderuar, të zgjedhur, madje prej shtyllave të dijes ndër dijetarët e hershëm.
Sa e çmuar është që njeriu ta njohë pozitën dhe madhështinë e këtij dijetari.
Muhamed bin Fudajl thotë: Ebu Mo’tia ka treguar: “Isha në Mekë dhe sa herë që hyja të bëja tavaf rreth Qabes në ndonjë orë të natës, e shihja Ebu Hanifen dhe Sufjan eth-Theurin duke bërë tavaf.”
Muthenna ibn Raxha thotë: “Ebu Hanife ia kishte bërë detyrë vetes që, sa herë betohej në Allahun, të jepte sadaka një dinar; dhe kur shpenzonte për familjen e tij, jepte sadaka për të varfërit po aq sa shuma që kishte shpenzuar.”
Vëllezër dhe motra!
Së bashku shqyrtuam disa aspekte nga biografia e Ebu Hanifes dhe ndoqëm disa prej etapave të jetës së këtij imami, por rrëfimi ende nuk ka përfunduar. Koha na kufizoi, prandaj pjesa tjetër, me lejen e Allahut, do të vijë në ligjëratën e ardhshme ku do të zbulojmë sërish disa aspekte të jetës së këtij imami (Allahu e mëshiroftë).
Prandaj, mbetemi në pritje të takimit të radhës.
Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju!
Shkëputur nga ligjërata e shejhut të nderuar: Dr. Ferhan bin Aziz el Anezi.
Përktheu: Edmond Ajdini
Korrektoi: Dr. Fatmir Strumi
Dosje: #Biografi #Ebu Hanife