Imam Ebu Hanife
(Allahu e mëshiroftë!)
Pjesa e dytë
إِنَّمَا يَخْشَى اللَّهَ مِنْ عِبَادِهِ الْعُلَمَاءُ ۗ إِنَّ اللَّهَ عَزِيزٌ غَفُورٌ
”Vërtet, ata që i frikësohen Allahut nga robërit e Tij janë dijetarët. Padyshim që Allahu është i Plotfuqishëm dhe Falës.” Fatir 28
Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju!
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Falënderimi i takon Allahut, Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë!
Vëllezër dhe motra të nderuar!
Ende jemi duke treguar për dijetarin e madh Ebu Hanife Nu’man bin Thabit (Allahu e mëshiroftë).
Edhe në këtë pjesë të dytë të takimit tonë do të vazhdoj të ndaj me ju disa aspekte të tjera nga jeta e tij; edhe pse jam i vetëdijshëm se është e pamundur të përmblidhet e gjithë vepra dhe kontributi i këtij imami (Allahu e mëshiroftë).
Në takimin e kaluar zbuluam disa fragmente nga fillesat e jetës së tij: si e kërkoi dijen, kush ishin mësuesit e tij dhe çfarë vlerësimi i dhanë dijetarët.
Në këtë takim do të përmend disa aspekte nga asketizmi dhe devotshmëria e tij, si edhe disa prej cilësive që e dallonin (Allahu e mëshiroftë).
Ebu Hanifja ishte asket dhe i devotshëm; i ruante fjalët, ishte i përmbajtur dhe i turpshëm.
Meki bin Ibrahim, i cili ishte mësuesi i imam Buhariut; thotë: “Kam qëndruar me banorët e Kufes dhe nuk kam parë askënd më të devotshëm se Ebu Hanifen.”
Siuar bin Hakem thotë: “Nuk kam njohur ndonjë njeri më të devotshëm se Ebu Hanifen.”
Transmetohet se Ebu Hanife ishte ndaluar nga autoritetet të jepte fetva, për një arsye që do ta përmendim më vonë.
Ndërkohë që ai dhe vajza e tij po hanin, vajza e tij përdori një kruajtëse dhëmbësh, si një fijë palme apo një kunjë të hollë, dhe e kaloi mes dhëmbëve të saj. Prej saj doli pak gjak. Ajo iu drejtua të atit dhe e pyeti: “O babai im, a duhet ta përsëris abdesin? A më është prishur abdesi?” Abu Hanifja iu përgjigj me qetësi dhe përmbajtje: “Unë jam ndaluar nga dhënia e fetvave. Kam dhënë fjalën se nuk do të jap fetva, prandaj pyet vëllain tënd Hamadin”.
Me gjithë këmbënguljen e saj, ai nuk dha përgjigje, por e drejtoi tek vëllai i saj, duke i thënë: “Shko dhe pyete Hamadin.” – Allahu është më i madhi!
Në një transmetim tjetër, Muhamed bin Shuxha’ tregon se njëherë e lajmëruan Ebu Hanifen se sundimtari Ebu Xha’fer al-Mansur i kishte caktuar si shpërblim dhjetë mijë dirhem. Por ai nuk kishte dëshirë t’i merrte ato. E kur erdhi dita që duhej t’i dorëzohej ajo shumë, ai e fali namazin e sabahut, pastaj u mbështoll me rrobën e tij dhe nuk foli me askënd.
Më pas erdhi tek ai i dërguari i El-Hasen bin Kuhtube, përgjegjësi për financat, duke i sjellë atij shumën e caktuar të parave. Ai hyri dhe i foli, por Ebu Hanifja nuk iu përgjigj. Ata që ishin të pranishëm thanë: “Ai nuk na flet shumë. Rrallë herë thotë ndonjë fjalë.”
Atëherë ai tha: “Vendosini këto para në një qoshe brenda shtëpisë.”
Më pas, Ebu Hanifja ia la porosi djalit të tij: “Kur të vdes unë dhe të më varrosni, merri ato para dhe ktheja El-Hasen bin Kuhtubes dhe thuaji: Kjo është porosia jote që ia kishe lënë amanet Ebu Hanifes.”
Kur ai ndërroi jetë dhe u varros, i biri thotë: “E mora atë shumë dhe shkova, derisa kërkova leje për të hyrë te Hasen bin Kuhtube. I thashë: Kjo është porosia jote që ia kishe lënë amanet babait tim Ebu Hanifes.”
Atëherë Haseni tha: “Allahu e mëshiroftë babanë tënd! Ai ishte i sinqertë e i përmbajtur në fenë e tij, dhe ishte larg nga çdo gjë që e njolloste ndërgjegjen e tij.
Ali bin Hafs el-Bezaz thotë: “Hafs bin Abdurrahman ishte ortak me Ebu Hanifen, ndërsa vetë Ebu Hanifja kujdesej për blerjen e mallrave.
Njëherë, Ebu Hanife i dërgoi atij një sasi malli dhe e njoftoi se në një prej rrobave kishte një të metë, duke i thënë: “Në këtë rrobë ka një defekt, prandaj kur ta shesësh, tregoja këtë mangësi blerësit.”
Por Hafsi e shiti mallin dhe harroi ta përmendte defektin. Ai nuk e njihte blerësin, sepse njerëzit të shumtë hynin dhe dilnin vazhdimisht në treg.
Kur Ebu Hanifja mori vesh për këtë, ai nuk u mjaftua vetëm me kompensimin e vlerës së rrobës, por dha sadaka të gjithë shumën e mallit, duke e shpërndarë atë në bamirësi.
Kjo ishte përkujdesja e tij e madhe për pastërtinë e fitimit dhe kujdesi i tij i madh për të mos marrë asgjë nga e drejta e të tjerëve, qoftë edhe me dyshim.
Ebu Jusufi tregon: “Njerëzit thoshin se Ebu Hanifen Allahu e kishte stolisur me fikh (mençuri), dije, bujari, bamirësi dhe me etikën kuranore që ishte e mishëruara tek ai.”
Abdullah bin al-Mubarek thotë: “I thashë Sufjan bin Said eth-Theuriut: Sa shumë që ruhet Ebu Hanifja nga përgojimi!! Nuk e kam dëgjuar kurrë të përgojojë dikë, madje as kundërshtarët e tij.” Sufjani tha: “Pasha Allahun, ai është më i mençur se të shkatërrojë sevapet e veprave të mira duke i humbur ato me përgojim.”
Ebu Hanife qëndronte larg pozitave të kësaj bote; ai nuk i kërkonte ato dhe nuk i lakmonte. Jezid bin Hubejra, i cili ishte guvernator i Irakut në kohën e Mervan bin Muhamedit, dëshironte që Ebu Hanife të merrte postin e gjykatësit, por ai refuzoi.
Më pas edhe Ebu Xha’fer el-Mensur e kërkoi për të njëjtin post, por ai sërish refuzoi duke thënë: “Unë nuk jam i përshtatshëm për gjykatë.”
Atëherë kalifi u betua se do ta detyronte, por Ebu Hanifja u betua se nuk do ta pranonte atë detyrë. Për këtë arsye, kalifi e burgosi. Subhanallah… e kërkonin për të marrë postin e gjykatësit, ndërsa ai refuzonte; dhe për shkak të refuzimit, u dënua me burgim. Kjo ishte devotshmëria dhe asketizmi i tij, dhe kujdesi i tij i madh për përgjegjësinë para Allahut.
Imam Ahmed bin Hanbeli thoshte se Ebu Hanifja shquhej për dijen e thellë, për devotshmërinë dhe asketizmin e tij, si dhe për përkushtimin e plotë ndaj botës së përtejme — në një shkallë që vështirë se mund të arrihej nga dikush tjetër.
Ai u vu në provë përmes presioneve të vazhdueshme që t’i shërbente pushtetit të kohës, por qëndroi i palëkundur. Zoti e mëshiroftë dhe qoftë i kënaqur me të!
Ndërkaq, Sufjan El-Theuri është shprehur: “Sytë e mi nuk kanë parë askënd të ngjashëm me Ebu Hanifen.”
Në të vërtetë, vlerësimi që dijetarët kanë shprehur për të është i pakundërshtueshëm, ndërsa lavdet dhe elozhet për figurën e tij janë të pafundme — si nga juristët e kohës së tij, ashtu edhe nga ata që erdhën pas tij.
Bujaria dhe fisnikëria e tij
Ndër virtytet madhështore për të cilat ky imam i shquar dhe ky kolos i dijes ishte i njohur, spikat sidomos bujaria. Ebu Hanife shquhej për zemërgjerësinë e tij, për bujarinë dhe për virtytin e lartë.
Kajs bin Rabia rrëfen se Ebu Hanifja dërgonte mallra tregtare drejt Bagdadit, me të cilat blinte artikuj të ndryshëm dhe më pas i sillte në Kufa. Fitimet që përfitonte prej tyre i grumbullonte nga viti në vit dhe me to përmbushte nevojat e dijetarëve të hadithit, duke u siguruar ushqimin, veshmbathjen dhe çdo gjë të domosdoshme për jetesën e tyre. Pasi plotësonte këto nevoja, pjesën e mbetur të fitimeve ua jepte atyre dhe u thoshte: “Shpenzojini për nevojat tuaja dhe mos falënderoni askënd tjetër përveç Allahut të Lartësuar. Unë nuk po ju jap asgjë nga pasuria ime, por kjo është nga mirësia që Allahu ka derdhur mbi mua përmes jush. Këto janë fitimet e mallrave tuaja; në të vërtetë, është Allahu Ai që jua mundëson përmes meje. Në furnizimin e Allahut nuk ka pjesë për askënd tjetër.”
Sa herë që Ebu Hanifja blinte një rrobë për veten, ai me vlerën e saj blinte edhe një tjetër, të cilën ia dhuronte dikujt prej dijetarëve, duke e ndarë kështu të mirën e tij me njerëzit e dijes; Allahu e mëshiroftë!
Mirësjellja ndaj fqinjëve
Ndër cilësitë që e bënë të njohur Ebu Hanifen ishte sjellja e tij e admirueshme ndaj fqinjëve. Ai njihej për mirësinë, butësinë dhe durimin që tregonte, duke përballuar me urtësi çdo shqetësim që mund t’i vinte prej tyre.
Për këtë tregohet një ngjarje e bukur: Ai kishte një fqinj këpucar, i cili punonte gjatë ditës, por kur binte nata kthehej në shtëpi, sillte mish ose peshk, i gatuante dhe më pas fillonte të pinte verë derisa dehej. Në atë gjendje, këndonte me zë të lartë duke thënë: “Më braktisën… eh, ç’njeri të madh humbën për një ditë të vështirë, kur mbrohet nderi në betejë…” Ky njeri vazhdonte të përsëriste këto vargje, derisa e zinte gjumi.
Ebu Hanifja, ndonëse shqetësohej nga zëri i tij gjatë natës dhe nuk e pëlqente atë gjendje, nuk e trazonte; përkundrazi, e duronte me urtësi, ndërsa vet ngrihej për të falur namazin e natës.
Një natë, Ebu Hanifja vuri re se nuk po e dëgjonte më zërin e fqinjit të tij këpucar, ndaj pyeti për të. I thanë se e kishin marrë ruajtësit e rendit dhe se prej disa netësh mbahej i burgosur.
Kur e dëgjoi këtë, ai priti mëngjesin dhe fali namazin e sabahut. Pastaj hipi mbi mushkë dhe mori rrugën për t’u takuar me emirin. Sapo emiri u njoftua për ardhjen e tij, urdhëroi: “Lejojeni të hyjë dhe priteni me nderime! Kur të zbresë nga kafsha, këmba e tij të shkelë mbi qilim e jo në tokë.” – Ky ishte një tregues i qartë i respektit të sundimtarëve ndaj Ebu Hanifes dhe pozitës së tij të lartë.
Kur hyri, emiri i bëri vend pranë tij në mexhlis dhe i tha: “Çfarë nevoje të solli tek unë?” Ai u përgjigj: “Kam një fqinj këpucar, të cilin rojet e kanë marrë disa net më parë. Do t’ju lutesha ta lironi.”
Emiri urdhëroi: “Po, të lirohet menjëherë! Ai dhe të gjithë ata që janë arrestuar që nga ajo natë e deri në ditën e sotme.”
Subhanallah! Sa e bekuar ishte ndërhyrja e Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë! Për shkak të tij, të gjithë të burgosurit fituan amnisti.
Pastaj Ebu Hanifja hipi mbi mushkë, ndërsa këpucari e ndiqte pas. Kur Ebu Hanifja zbriti, iu afrua dhe i tha: “O djalosh, a të braktisëm?” Këpucari iu përgjigj: “Jo, madje më mbrojte dhe u kujdese për mua. Allahu të shpërbleftë për fqinjësinë e mirë dhe për respektimin e së drejtës.”
– Thuhet se fqinji i tij u pendua, hoqi dorë nga pija dhe madje iu bashkua mexhlisit të dijes të Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë!
Mençuria e tij
Allahu i Madhëruar i kishte dhuruar Ebu Hanifes inteligjencë të jashtëzakonshme, duke e spikatur si një nga më të mëdhenjtë në dituri dhe mençuri. Ai e kishte pajisur me një mendje të mprehtë dhe të kthjellët, e aftë në arsyetim të thellë dhe bindës. Ali bin Asimi ka thënë: “Nëse mendja e Ebu Hanifes do të peshohej kundrejt gjysmës së mendjeve të njerëzve të tokës, ajo do të rëndonte më shumë.”
Shembujt e zgjuarsisë së tij ishin të shumtë; Hasan bin Ziyad el-Lu’lu’i rrëfen një nga ndodhitë e njohura, e cila përfundoi me surgjynosjen e Ebu Hanifes.
Siç e kemi përmendur më herët, ai u ndalua nga dhënia e fetvave (direktivave fetare), por historia e tij mbeti e paplotësuar… dhe ky është tregimi i plotë:
El-Lu’lu’i tregon: “Ishte një grua me probleme të shëndetit mendor, e quajtur Umu Imran. Një njeri kaloi pranë saj dhe i tha diçka që e provokoi dhe e trazoi.
Gruaja, me gjendje të turbullt mendore, iu drejtua atij me fjalët: “O biri i dy imoralëve!”
Qëlloi që gjyqtari, i quajtur Ebu Lejla, i dëgjoi fjalët e saj dhe urdhëroi që ajo të sjellej tek ai. U soll në xhami dhe aty iu ekzekutuan dy dënime të njëpasnjëshme për shpifje, për shkak se kishte akuzuar për imoralitet babanë dhe nënën e një personi tjetër.
– Shpifja dhe hedhja e akuzave pë njerëzit e ndershëm është një akt shumë i shëmtuar dhe i dënueshëm.
Kur lajmi arriti tek Ebu Hanifja, ai komentoi se gjyqtari kishte gabuar në gjykimin e tij në gjashtë aspekte kryesore:
1. Gruaja, për shkak të problemeve të shëndetit mendor nuk mund të ishte subjekt i ndëshkimit sipas ligjit.
2. Dënimet nuk duhet të zbatoheshin brenda vendit të adhurimit.
3. Edhe sikur ta meritonte dënimin, ajo nuk duhej ndëshkuar duke qëndruar në këmbë, pasi dënimi i grave ekzekutohej në pozicion ulur.
4. Ajo u dënua me dy dënime, ndërsa sipas rregullave, kur dikush akuzohet për shpifje, dënohet vetëm një herë.
5. Ajo u ndëshkua pa praninë e personave ndaj të cilëve ishte bërë shpifja, ndërkohë që ligji kërkon që dënimi të kryhet në praninë e akuzuesve dhe pasi ata të kenë ngritur padinë.
6. Dënimet u ekzekutuan njëkohësisht në të njëjtin vend, dhe nuk u respektua rregulli që secili dënim duhej kryer veç e veç, pasi të kishte kaluar një periudhë e konsiderueshme kohe nga njëri dënim tek tjetri.
Kur fjalët e tij arritën tek gjyqtari Ebu Lejla, ai u zemërua dhe shkoi e u ankua te emiri (princi). Ky i fundit urdhëroi që Ebu Hanifja të ndalohej nga dhënia e fetvave.” – Kjo është historia e ndalimit të tij nga dhënia e fetvave.
Ibën Abdul Berr el Kurtubi (Allahu e mëshiroftë!), dijetar i njohur dhe autor i librit “Et-Temhid” si dhe i shumë veprave të dobishme, citon nga Ibën Shubrumeh: “Isha shumë i ashpër ndaj Ebu Hanifes dhe nuk i jepja aspak vlerë. Një herë, gjatë kohës së haxhit, ku unë isha pelegrin, një turmë njerëzish u mblodh rreth Ebu Hanifes, duke e pyetur pa ndërprerje. Unë qëndrova aty pa u identifikuar, kur një burrë iu afrua dhe i tha: ‘O Ebu Hanife, kam ardhur tek ti për të të pyetur për një çështje që më shqetëson dhe më ka vënë në vështirësi.’
Ai i tha: ‘Çfarë është ajo çështje?’
Burrit tha: ‘Kam një djalë të vetëm. Sa herë martohet, martesa e tij shpejt përfundon me divorc, dhe kur i dhuroj ndonjë robëreshë, ai i dhuron lirinë. A mund të më tregosh ndonjë zgjidhje për këtë situatë?’”
Ebu Hanifja, menjëherë, pa humbur kohë iu përgjigj: ‘Blije një robëreshë dhe martoje më djalin tënd, por kushtëzoje që nëse ai e ndan, pronësia e saj të vazhdojë të jetë e jotja. Kështu ai nuk mund t’ia falë lirinë asaj që nuk është në pronësinë e tij.’
Ibën Shubrumeh thotë: “Aty e kuptova se sa dijetar i madh ishte ai. Që nga ajo ditë, Ebu Hanifen e kam përmendur veç me mirësi dhe respekt.”
Zubejr bin Kuajbi thotë: “Sheriku më tregoi: Ishim në funeralin e një djaloshi nga Beni Hashim, ku morën pjesë shumë njerëz të shquar. Unë isha pranë Ibën Shubrumes dhe ecja krah tij, kur ata që mbartnin xhenazen u ndalën papritmas dhe të gjithë të pranishmit u ndalën po ashtu.
Dikush pyeti ‘Përse ndaluat?’
Ata thanë se nëna e të ndjerit, kishte dalë të përcillte xhenazen, dhe ishte e veshur në një mënyrë jo të përshtatshme. Babai i të ndjerit e kishte ndaluar të shoqen të dilte dhe ishte betuar se do ta divorconte nëse ajo nuk kthehej në shtëpi, ndërsa ajo ishte betuar se do ta jepte sadaka gjithë pasurinë e saj nëse nuk prezantonte namazin e xhenazes së të birit.
Siç e përmendëm, aty ishte prezent dijetari i madh Ibën Shubrumeh dhe shumë dijetarë e personalitete të shquara.
Njerëzit u mblodhën rreth tyre dhe i pyetën se si duhej të vepronin në këtë rast, por askush nuk kishte ndonjë përgjigje bindëse.
Pastaj ata thirrën Ebu Hanifen. Ai erdhi, me kokë të mbuluar, ndërsa gruaja dhe burri qëndronin aty dhe turma rreth tyre. Ata që mbanin xhenazen nuk lëviznin.
Ai e pyeti gruan: “Si je betuar ti?” Ajo iu përgjigj: “Ashtu dhe ashtu.”
Pastaj e pyeti burrin: “Si je betuar ti?” Ai u përgjigj: “Ashtu dhe ashtu.”
Ebu Hanifja urdhëroi që tabuti të vendosej në tokë, pastaj i tha burrit: “Eja dhe fale namazin e xhenazes për djalin tënd!”
Pasi ai e kryeu namazin, Ebu Hanifja i tha gruas: ‘Tani kthehu në shtëpi!’ Betimet u përmbushën dhe nuk keni asnjë detyrim.’ – Ndërsa njerëzve u tha: ‘Barteni të vdekurin dhe vazhdoni për në varreza.’ Dhe kështu mori zgjidhje ajo situatë. – Thotë: ‘Njerëzit mbetën thellësisht të impresionuar nga gjykimi dhe mençuria e tij.’
Sheriku tregon: ‘Ibën Shubrumeh ka thënë: “Gratë nuk mundën të lindin më një njeri të madh si Ebu Hanife en-Nu’mani.”
Muhamed bin Abdurrahmani thotë: Në Kufe ishte një burrë që ngrinte akuza dhe hidhte dyshime për Uthman bin Affanin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Ai thoshte se Uthmani kishte qenë hebre. Një ditë, tek ai shkoi Ebu Hanifja dhe i tha: “Kam ardhur të kërkoj dorën e vajzës tënde.”
Burri pyeti: “Për kë?” Ai tha: “Për një burrë fisnik, të pasur, memorizues i Librit të Allahut, bujar; njeri që falet natën dhe e lexon Kuranin në një rekat të vetëm, qan shumë nga frika ndaj Allahut dhe është i devotshëm.” Burri tha: “Kjo mjafton, o Ebu Hanife! Madje, edhe sikur të më vije me dikë që ka më pak cilësi se këto që përmende, do të kënaqesha.”
Atëherë Ebu Hanifja i tha: “Mirëpo ka edhe diçka.” Burri pyeti: “Çfarë është ajo?” Ai tha: “Është hebre.” Burri tha i tronditur: Subhanallah! A po kërkon nga unë që ta martoj vajzën time me një hebre?!”
Ebu Hanifja i tha: “Nuk je dakort?” Burri tha: “Jo, kurrë!”
Atëherë Ebu Hanifja i tha: “Po si atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ i martoi dy vajzat e tij me një hebre?” Në atë çast burri u zgjua nga hutimi dhe kuptoi se Ebu Hanife kishte ardhur vetëm për t’ia bërë të qartë gabimin e tij.
Ai tha: “Kërkoj falje prej Allahut! Pendohem tek Allahu i Lartësuar!” – Dhe kështu hoqi dorë nga shpifjet ndaj Uthman bin Affanit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).
Nga zgjuarsia e tij — Allahu e mëshiroftë — tregohet gjithashtu se Jahja bin Ma‘ini ka thënë: “Në atë kohë havarixhët ishin përhapur shumë. Një ditë ata hynë në xhaminë e Kufes, ndërsa Ebu Hanifja dhe nxënësit e tij ishin ulur aty.” Havarixhët njiheshin si njerëz të dhunshëm e gjakatarë, të pamëshirshëm në derdhjen e gjakut.
Kur hynë në xhami, Ebu Hanifja u tha nxënësve të tij: “Mos lëvizni nga vendi!” Ata erdhën derisa u ndalën përballë tyre dhe pyetën: “Kush jeni ju?” Ebu Hanifja tha: “Ne kërkojmë mbrojtje, kemi ardhur të mësojmë rreth fesë Islame.”
Ai që u printe havarixhëve tha: “Lërini. Jepuni siguri dhe lexojuni Kur’an.” – Ata u lexuan pjesë nga Kur’ani dhe i lanë të qetë.
Natyrisht, Ebu Hanifja këtë e kishte përftuar nga fjala e Allahut të Madhëruar:
وَإِنْ أَحَدٌ مِّنَ الْمُشْرِكِينَ اسْتَجَارَكَ فَأَجِرْهُ حَتَّىٰ يَسْمَعَ كَلَامَ اللَّهِ ثُمَّ أَبْلِغْهُ مَأْمَنَهُ ۚ
“Dhe nëse ndonjë prej idhujtarëve kërkon mbrojtje prej teje, atëherë jepi mbrojtje derisa ta dëgjojë Fjalën e Allahut, pastaj përcille në vendin e sigurt.” Et Teube: 6 – Havarixhët njiheshin për injorancën e tyre.
Metodologjia e tij në mësimdhënie
Një prej gjërave të veçanta që e dallonte imam Ebu Hanifen ishte metodika dhe stili i tij në mësimdhënie. Ai solli një qasje ndryshe nga metoda e zakonshme që mbizotëronte tek dijetarët e kohës së tij — atë që quhej metoda e diktimit (metoda tradicionale e ligjërimit) — dhe i dha fund monotonisë së zakonshme në mësimdhënie.
Mësimdhënia e tij, në të vërtetë, ishte kërkim shkencor dhe bashkëbisedim me nxënësit.
Muvaffek el-Mekki thotë: “Ebu Hanifja e ndërtoi medhhebin e tij (shkollën juridike) mbi konsultimin mes tyre. Ai nuk vepronte i vetëm pa ta, për shkak të përkushtimit të tij në fe dhe këshillës së sinqertë ndaj Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve.”
Ai shtronte një çështje, e analizonte nga të gjitha anët, dëgjonte mendimet e nxënësve dhe shprehte edhe mendimin e tij.
Ndonjëherë diskutonte dhe debatonte me ta për një muaj ose edhe më shumë, derisa gjykimi për një çështje të qartësohej, të maturohej e të konsolidohej.
Pastaj Ebu Jusufi e shënonte atë çështje në bazat e medh’hebit, derisa u kristalizuan të gjitha parimet e tij.
Kur ndonjë çështje i bëhej e paqartë dhe e vështirë, Ebu Hanifja thoshte: “Kjo nuk është veçse për shkak të një gjynahu që kam bërë.” Pastaj kërkonte falje nga Allahu. Ndoshta çohej, falej, e më pas çështja i sqarohej. Dhe thoshte: “Shpresoj se Allahu më ka falur.” – Allahu është më i madhi!
Parimet e tij në referencat e dijes dhe mënyrën e argumentimit
Parimet e Ebu Hanifes në referencat e dijes dhe mënyrën e argumentimit ishin të njëjta me ato të dijetarëve të Islamit dhe të parëve të mirë të këtij ummeti (selefëve).
Ebu Hanifja e madhëronte teuhidin (monoteizmin e pastër) dhe ndalonte nga shirku (politeizmi) dhe bidatet. Ndër fjalët e tij të njohura është: ‘Nuk i takon askujt ta lusë Allahun ndryshe, përveçse duke iu drejtuar me lutje vetëm Atij.’ – Pra, lutja duhej t’i drejtohej vetëm Zotit, duke përmendur emrat dhe cilësitë e Tij, ashtu siç jemi urdhëruar prej Tij. Argument për këtë është fjala e Allahut të Madhëruar:
وَلِلَّهِ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَىٰ فَادْعُوهُ بِهَا ۖ وَذَرُوا الَّذِينَ يُلْحِدُونَ فِي أَسْمَائِهِ ۚ
سَيُجْزَوْنَ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ
“Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë (lutjuni Atij) me to dhe largohuni nga ata që i shtrembërojnë emrat e Tij. Ata do të ndëshkohen për çfarë kanë vepruar.” El A’raf: 7
Ai nuk lejonte që dikush t’i drejtohej me lutje varreve apo diçkaje tjetër; përkundrazi, njeriu duhet ta lusë drejtpërdrejt Allahun e Madhëruar.
Nga fjalët e tij madhështore ishte: ‘Është e papëlqyer që lutësi të thotë: ‘Të lus ty o Zot për hatrin dhe të drejtën e filanit’, apo ‘për të drejtën e profetëve dhe të dërguarve të Tu’, apo ‘me të drejtën e Shtëpisë së Shenjtë dhe Vendeve të Shenjta (Arafat, Muzdelifeh)’. –
Ai besonte se lutësi duhet t’i drejtohet me lutje e përgjërim vetëm Allahut të Lartësuar.
Gjithashtu, në çështjen e emrave dhe cilësive të Allahut, ai thoshte: “Allahu nuk përshkruhet me cilësitë e krijesave. Zemërimi dhe kënaqësia janë dy cilësi prej cilësive të Tij, pa pyetur se si janë ato.” Kjo është edhe fjala e Ehli Sunetit dhe Xhematit në këtë çështje.
Ai thoshte: “Allahu zemërohet dhe kënaqet (ashtu siç i ka hije madhështisë së Tij).” – Kjo sepse Allahu e ka përmendur cilësinë e zemërimit dhe kënaqësisë në Kur’an.
Ai thoshte: “Nuk thuhet se zemërimi i Tij do të thotë ndëshkimi i Tij, e as se kënaqësia e Tij do të thotë shpërblimi i Tij.” – Pra, ai e refuzonte interpretimin shtrembërues.
Dhe thoshte: “Ne e përshkruajmë Allahun ashtu siç Ai e ka përshkruar Veten e Tij: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”
Ai është i Gjallë, i Plotfuqishëm, Dëgjues, Shikues dhe i Gjithëdijshëm. ‘Dora e Allahut është mbi duart e tyre’, por ajo nuk është si duart e krijesave të Tij; dhe Fytyra e Tij nuk është si fytyrat e krijesave.
Prandaj, kur u pyet për hadithin e zbritjes hyjnore — “Zoti ynë zbret në qiellin e dynjasë kur mbetet një e treta e fundit e natës” — ai tha: “Ai zbret pa pyetur se si.”
Gjithashtu thoshte: “Kur’ani nuk është i krijuar.” Kjo hedh poshtë atë që i është atribuar se ka thënë se Kur’ani është i krijuar.
Edhe nëse mund ta ketë thënë në fillimet e kërkimit të dijes, ky është një tekst i prerë që tregon se ai besonte se Kur’ani është Fjala e Allahut, e pakrijuar.
Ai thoshte: “Kur’ani është Fjala e Allahut: i shkruar në mus’hafe (libra), i ruajtur në zemra, i lexuar me gjuhë dhe i është zbritur Muhamedit ﷺ.”
Sa për bazat e fikhut të tij dhe rregullat mbi të cilat ndërtoi metodologjinë, ato nuk dilnin jashtë asaj për të cilën bien dakord katër medhhebet: Kur’ani, Suneti, ixhmai dhe analogjia e saktë.
Ai thoshte: “Argumentet i marr nga Libri i Allahut, sa herë që i gjej aty. Nëse nuk e gjej argumentin në Kuran, marr prej Sunetit të të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe prej haditheve autentike që gjenden tek transmetuesit e besueshëm. Nëse nuk e gjej as në Librin e Allahut dhe as në Sunetin e të Dërguarit ﷺ, marr prej fjalëve të sahabëve (shokëve të Profetit); dhe përzgjedh mes fjalëve të tyre, por nuk e lë fjalën e tyre për fjalën e të tjerëve. Mirëpo kur çështja arrin tek Ibrahim en-Neha‘i, Esh-Sha‘biu, Ibën el-Musejjebi dhe të tjerë si ata, atëherë edhe unë kam të drejtë të bëj ixhtihad (të jap gjykimin tim) ashtu siç bënë ata.”
Ai ishte jashtëzakonisht i kujdesshëm në transmetimin e hadithit dhe thoshte: “Nëse hadithi është autentik, atëherë ai është medhhebi im.” Dhe thoshte: “Nuk i lejohet askujt të marrë fjalën tonë pa e ditur prej nga e kemi marrë.”
Në një transmetim tjetër: “Është haram për atë që nuk e njeh argumentin tim të japë fetva me fjalën time.” Dhe në një transmetim tjetër shtoi: “Ne jemi njerëz; sot themi një fjalë dhe nesër tërhiqemi prej saj.” Allahu Ekber! Këto janë fjalët e një dijetari madhështor!
Gjithashtu thoshte: “Nëse them një fjalë që bie ndesh me Librin e Allahut dhe hadithin e të Dërguarit ﷺ, atëherë lëreni fjalën time.”
Sprova e tij
Në mbyllje, o vëllezërit dhe motrat e mia, ndalemi te sprova që e goditi Ebu Hanife en-Nu‘manin — Allahu e mëshiroftë.
Sprova është prej ligjeve të pandryshueshme të Allahut në këtë botë, që ka prekur profetët, dijetarët dhe këdo që ecën në rrugën e profetëve (Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ta!).
Ubejdullah bin Amër er-Rakki thotë: ‘Emiri Ibën Hubejra i kërkoi Ebu Hanifes të merrte postin e gjykatësit. Ai donte që ta bënte gjykatës të Kufes, por Ebu Hanife refuzoi. Për këtë arsye u godit me njëqind e dhjetë kamxhikë, por ai vazhdonte të refuzonte. Kur Ibën Hubejra pa këmbënguljen e tij, e la të lirë.’
Vdekja e tij
Mbi Ebu Hanifen erdhi caktimi i Allahut — vdekja — sepse çdo afat është i shkruar.
وَلِكُلِّ أُمَّةٍ أَجَلٌ ۖ فَإِذَا جَاءَ أَجَلُهُمْ لَا يَسْتَأْخِرُونَ سَاعَةً ۖ وَلَا يَسْتَقْدِمُونَ
“Çdo popull ka afatin e vet. Kur t’i vijë koha e fundit, ata nuk mund ta shtyjnë, qoftë edhe për një çast dhe as nuk mund ta shpejtojnë.” El A’raf: 34
Djali i tij, Hammad bin Ebi Hanife thotë: “Kur vdiq babai im, kërkuam nga Hasan bin Ummarah që ta lante. Ai e lau dhe, pasi përfundoi, tha: ‘Allahu të mëshiroftë dhe të faltë! Nuk ke ngrënë ditën prej tridhjetë vitesh (për shkak të agjërimit) dhe nuk je mbështetur në anën tënde të djathtë natën prej dyzet vitesh (sepse falej natën). I lodhe ata që do të vijnë pas teje dhe i turpërove lexuesit e Kur’anit (se do ta kenë të vështirë të garojnë me ty).”
Ebu Hanife en-Nu‘mani vdiq në vitin 150 hixhri — po në atë vit kur lindi Imam Shafiu. Ai ishte shtatëdhjetë vjeç kur ndërroi jetë, pasi kishte lindur në vitin 80 hixhri.
Njerëzit ia falën namazin e xhenazes në Bagdad gjashtë herë, për shkak të turmës së madhe. Ibën Kethir ed-Dimashki thotë: “Atij iu fal namazi i xhenazes në Bagdad gjashtë herë për shkak të turmës së madhe, dhe varri i tij është atje.” Allahu e mëshiroftë!
Paqja e Allahut qoftë mbi Ebu Hanifen, i përmendur me mirësi ndër të parët dhe ndër ata që erdhën pas!
Lus Allahun e Madhëruar të na bashkojë me të dhe me Profetin tonë ﷺ në Xhenetet e begata!
Dhe kjo, në të vërtetë, nuk ishte një biografi e plotë e Ebu Hanifes, por vetëm disa fragmente dhe një shëtitje e shkurtër nëpër jetën e tij, në të cilën prekëm disa prej virtyteve dhe gjurmëve të tij, me shpresën që të shlyejmë sadopak detyrimin që kemi ndaj këtij imami të madh.
Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju!
Shkëputur nga ligjërata e shejhut të nderuar: Dr. Ferhan bin Aziz el Anezi.
Përktheu: Ajdini Edmond
Dosje: Ebu Hanife
Të Ngjashme
- 10 tregime për ata që mendojnë se treni i dijes ka ikur Udha e Besimtarëve
- Kur shkrimi bëhet adhurim Udha e Besimtarëve
- Biografia e një dijetari – Imam Ebu Hanife (pjesa e parë) Udha e Besimtarëve
- Muhamedi, i Dërguari i Allahut Udha e Besimtarëve
- Pse e sulmojnë Ibn Tejmijen?! Shehul-Islam Ibn Tejmije