Rëndësia e Inkurajimit dhe Fjalës së Mirë

June 17, 2026

Kurrë mos e nënvlerëso një fjalë të mirë, të sinqertë dhe inkurajuese.

Shumë projekte, iniciativa dhe vepra të mëdha e kanë zanafillën te një fjalë e vetme, e cila u bë shkëndija që ndezi dëshirën për të vepruar dhe për të bërë diçka ndryshe.

Ndonjëherë një këshillë, një fjalë mbështetëse, një shprehje vlerësimi, apo ndoshta edhe një kritikë e drejtpërdrejtë mund t’i japë dikujt forcën dhe motivimin për të ndërmarrë një hap të dobishëm për veten dhe për të tjerët.

Ja disa shembuj, ku një fjalë është bërë shkak për ndryshim të madh:

*****

Abdullah ibn Umeri (radijAllahu anhuma) dhe namazi i natës:

Abdullah ibn Umeri, sahabiu i njohur, tregon se ka parë një ëndërr të frikshme, sikur i erdhën dy melaike dhe e futën në zjarrin e Xhehenemit. Më pas takojnë një melaike tjetër, i cili i thotë: “Mos u frikëso”.

Abdullah ibn Umeri ia tregoi ëndrrën motrës së tij, Hafsës, e cila ishte njëkohësisht edhe bashkëshortja e Profetit ﷺ. Pasi ajo e pyeti Profetin ﷺ rreth ëndrrës së vëllait të saj, ai tha:

“Sa njeri i mirë është Abdullahu, sikur të falte namaz nate!”

Kjo fjalë la ndikim të madh te Abdullah Ibn Umeri (radijAllahu anhuma). Pas kësaj, ai falej gjatë çdo nate dhe nuk flinte veçse pak, sikurse transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

*****

Imam Buhariu dhe “Sahihu” i tij:

Të gjithë kemi dëgjuar për Imam Buhariun (v. 256 H / 870 G) dhe librin e tij “Sahihul Buhari”, i cili është libri më i saktë i hadithit, madje libri më i saktë në botë pas Kuranit, Librit të Allahut.

Në kohën e Imam Buhariut, në fillimet e shekullit të tretë hixhri, nuk njihej ndonjë nga dijetarët e hadithit që të kishte veçuar hadithet e sakta në një libër të vetëm, kjo sepse nuk shihej si e nevojshme në atë kohë, përderisa dijetarët dhe studiuesit e dallonin shumë lehtë hadithin e saktë nga ai i pasaktë.

Nëse hulumtojmë në biografinë e Imam Buhariut, do të shohim se një nga shkaqet kryesore që e shtynë atë të linte pas këtë vepër kaq të vyer, ishte një fjalë që dëgjoi nga një person në mësimet e dijetarit të madh, Is’hak bin Rahujeh (v. 237 H/ 853 G) – madje në disa referenca thuhet se ai ka qenë vet Is’hak bin Rahujah – që i orientoi pjesmarrësit të ndërmerrnin një iniciativë të tillë, duke u thënë:

“Sikur të shkruanit një libër ku të mblidhnit vetëm hadithet e sakta!”

Reflektimi i Buhariut ishte i menjëhershëm. Ai vetë e përshkruan këtë moment duke thënë:

Kjo gjë më hyri në zemër dhe fillova të shkruaj ‘Sahihun’.”

(Shih: Tarikh Bagdad, 2/326; Tehdhibul Kemal, 24/442; Hudas Sari, fq. 7)

Kjo fjalë e thënë në praninë e dijetarit Is’hak bin Rahujeh u bë shkak që Buhariu – i cili në atë kohë ishte thjesht një nga nxënësit e shumtë të tij – të ndërmerrte këtë nismë, megjithëse fillimisht nga shumëkush shihej si diçka e panevojshme.

Më pas, rrugën e tij e ndoqën edhe dijetarë të tjerë si Muslimi, Ibn Huzejme, Ibn Hibbani, etj. Pak kohë pas vdekjes së Buhariut, “Sahihu” i tij u bë dhe mbetet libri më i njohur në botën islame.

*****

Imam Ali bin Hamza Kisai dhe gjuha arabe:

Ali bin Hamza Kisai (v. 189 H / 805 G) njihet si një prej kolosëve më të mëdhenj të gjuhës arabe dhe shkencës së kiraeteve (leximeve të Kuranit) në tërë historinë islame. Rruga e tij drejt kulmit të dijes nisi nga një moment i sikletshëm: një gabim gjuhësor.

Një ditë, teksa po bisedonte me një grup intelektualësh, ai bëri një gabim në artikulim (lahn), gjë që ishte e papranueshme në të tilla mexhlise. Të pranishmit e qortuan hapur për këtë gabim.

Për një moment u ndje i turpëruar, por në vend që të dorëzohej apo të hidhërohej me kritikët, kjo ngjarje i shërbeu si një moment i thellë reflektimi.

Ai mori një vendim që do t’i ndryshonte jetën: i vuri synim vetes që askush të mos i gjente më gabim në të folur.

Me një vullnet të fortë, iu përvesh studimit të gjuhës arabe dhe mësoi nga dijetarët më të mëdhenj të kohës, derisa u bë referenca kryesore dhe themeluesi i medh’hebit gjuhësor të Kufës (një nga dy shkollat kryesore të gjuhës arabe).

*****

Imam Dhehebiu dhe shkrimi i tij i bukur:

Dhehebiu (v. 748 H/ 1348 G), dijetar i madh i hadithit dhe kolos i historisë islame tregon se shkaku që e shtyu të hynte në dijen e hadithit ishte një fjalë e thjeshtë, por me peshë, nga mësuesi i tij Imam Birzali (v. 739 H /1339 G), kur pa shkrimin e bukur të Dhehebiut, ai i tha:

“Shkrimi yt i ngjan shkrimit të muhadithëve (dijetarëve të hadithit).”

Kjo fjali e vetme la gjurmë të thellë tek ai dhe u bë shkak që Dhehebiu të bëhej një nga dijetarët më të mëdhenj të historisë islame në shkencën e hadithit dhe të historisë, duke lënë pas një numër gjigant librash me vlerë të jashtëzakonshme.

Madje, madhështia e tij ishte e tillë, saqë Hafidh Ibn Haxheri (v. 852 H) tregon se ka pirë ujë Zemzemi me nijetin që të arrinte nivelin e Imam Dhehebiut.

*****

Prandaj, bëhu bujar me fjalët e mira dhe motivuese.

Lavdëroji të tjerët kur bëjnë gjëra të dobishme dhe mos e kurse fjalën e bukur kur ajo mund të ngrejë moralin e një personi.

Ti mund ta harrosh atë që ke thënë, por ndikimi i asaj fjale mund të mbetet për vite të tëra dhe të vazhdojë të japë fryte.

Ajo mund të bëhet shkak për të fituar sevape të shumta që as nuk të shkojnë në mendje—sevape që mund të vazhdojnë edhe pas vdekjes tënde.

Dosje: ,

Loading...