Pinë nga uji i Zemzemit dhe u bënë oqeane (në dije)

April 27, 2026

Njëzet dijetarë nga juristët e Islamit, dijetarët e hadithit dhe memorizuesit e tij qëndruan pranë pusit të Zemzemit. Ata nuk pinë thjesht për të shuar etjen, por pinë me një nijet të caktuar, me ambicie dhe me dua (lutje). Ata e arritën atë që kërkuan, madje Allahu u dha edhe më shumë nga ç’shpresonin.

Të gjithë u nisën nga ky ​hadith i shkurtër:

​مَاءُ زَمْزَمَ لِمَا شُرِبَ لَهُ

“Uji i Zemzemit është për atë qëllim për të cilin pihet.”

(Ibn Maxheh dhe Ahmedi)

Ky hadith hapi për dijetarët një portë të papërshkrueshme shprese. Çfarë kërkuan kolosët e dijes te pusi i Zemzemit?

1. Ibën Abasi (v. 68 h), deti i dijes.

​Kur pinte ujin e Zemzemit, ai lutej:

​«اللَّهُمَّ أسألك عِلْمًا نَافِعًا، وَرِزْقًا وَاسِعًا، وَشِفَاءً مِنْ كُلِّ دَاءٍ»

“O Allah, të kërkoj dije të dobishme, rrizk (furnizim) të bollshëm dhe shërim nga çdo sëmundje!”

Për shkak të begatisë së duasë së Profetit ﷺ për të; “O Allah, mësoja atij interpretimin e Kuranit”. Dhe lutjes së tij pas pirjes së Zemzemit, ai u mbiquajt El bahr (deti) për nga t0hellësia e diturisë.

2. Imam Ez Zuhriu (v. 124 h), ruajtësi i Sunetit.

Ai pa në ëndërr sikur po pinte ujin e Zemzemit. Kur u zgjua mori abdes në mënyrë të përsosur, fali katër rekate dhe pastaj e piu atë me nijetin për të memorizuar (hifdh). Pas asaj dite thuhet se ai nuk dëgjoi kurrë diçka pa e mbajtur mend menjëherë, dhe nuk harroi asgjë.

3. Sufjan bin Ujejne (v. 198 h).

Ndërsa po tregonte hadithin; “Zemzemi është për atë qëllim që pihet”, një burrë u ngrit nga mexhlisi, shkoi dhe piu ujë Zemzemi me nijetin që Sufjani t’i tregonte atij 100 hadithe! Kur u kthye dhe i tregoi për qëllimin e tij, Sufjani i tha: Qëndro (ulu), – dhe ia tregoi të gjitha (100 hadithet).

​4. Imam Esh Shafi (v. 204 h), dijetari dhe shigjetari.

Ai piu ujin e Zemzemit me dy qëllime: për dije dhe për shënjestrim (shigjetari). Sa i përket shënjestrimit, ai u bë aq i zoti saqë qëllonte në shenjë 9 nga 10 objekte. Sa i përket dijes, bota islame ende ushqehet nga trashëgimia e tij.

5. Imam Ibn Huzejme (v. 311 h), imami i imamëve.

Kur u pyet: Nga e përfitove gjithë këtë dije? Ai u përgjigj:

​I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: «ماء زمزم لما شُرِبَ له» (Uji i Zemzemit është për atë qëllim për të cilin pihet). Dhe unë kur piva ujin e Zemzemit, i kërkova Allahut dije të dobishme.

6. El Mukri Ibn el Gamaz (v. 400 h), lexuesi i Kuranit.

Ai kreu haxhin në një gjendje varfërie të tejskajshme. Kur mbërriti te Zemzemi piu aq shumë sa u ngop mirë (tedal-la’a), e pastaj iu lut Allahut për tri gjëra:

​pasuri (pavarësi financiare), dije mbi Kuranin, shehidllëk (rënie dëshmor) në rrugën e Tij.

Ai fitoi një pjesë nga çdo vlerë e kërkuar dhe vdiq, shpresojmë si dëshmor.

7. Hafidh el Hakimi (v. 405 h), autori i librit “El mustedrak”.

Ai piu ujin e Zemzemit dhe i kërkoi Allahut t’i dhuronte bukurinë dhe cilësinë e të shkruarit (husn et tasnif). Kushdo që shfleton veprat e tij sheh qartë sesi kjo lutje iu pranua në bukurinë dhe stilin e shkrimit të librave të tij.

8. El Hatib el Bagdadi (v. 463 h), historiani i madh.

Ai piu Zemzem me tri nijete specifike: të hynte në Bagdad, të tregonte (shkruante) historinë e Bagdadit, të vdiste në Bagdad dhe të varrosej pranë dijetarit të devotshëm Bishr el Hafi.

Ai i arriti të tria këto dëshira ashtu siç i kërkoi.

9. Shejh Jahja bin Ahmed el Ensari el Kurtubi (v. 614 h).

Ai piu ujin e Zemzemit me qëllim që të memorizonte Kuranin. Si rezultat, Allahu ia lehtësoi hifdhin (mësimin përmendsh) në një kohë rekord.

10. Ibn el Arabi el Maliki (v. 543 h), një reflektim i sinqertë.

Ai tregon: ​”Kur isha me banim në Mekë pija shumë ujë Zemzemi. Sa herë që pija kisha për nijet dijen dhe besimin (imanin), derisa Allahu më hapi begatitë e Tij në atë masë dijeje që kishte caktuar për mua. Mirëpo, harrova ta pija me nijet edhe për veprimin (punën me atë dije). Ah sikur ta kisha pirë për të dyja që Allahu të ma hapte rrugën në të dyja fushat. Kështu, prirja ime drejt dijes mbeti më e madhe se prirja ime drejt punës (adhurimit).”

11. Shemsudin es Seruxhi el Hanefi (v. 710 h).

Ai piu ujin e Zemzemit me qëllimin që t’i jepej pozita e gjykatësit (kadiut), dhe kjo iu realizua.

12. Hafidh Siraxhudin el Bulkini (v. 805 h), mjeshtri i gjuhës.

Në fillimet e tij ai nuk kishte ndonjë përparim të madh në studimin e gjuhës arabe. Shkoi në haxh dhe piu ujë Zemzemi me qëllim që ta kuptonte këtë shkencë. Kur u kthye iu përkushtua studimit të saj, dhe brenda një kohe shumë të shkurtër u bë mjeshtër i gjuhës arabe.

13. Hafiz Ibn el Xhezeri (v. 833 h), imami i kiraeteve.

Babai i tij ishte tregtar dhe qëndroi dyzet vite pa u bekuar me fëmijë. Ai kreu haxhin, piu nga uji i Zemzemit dhe iu lut Allahut t’i dhuronte një djalë dijetar. Si rezultat i kësaj lutjeje lindi Ibën el Xhezeriu, i cili u bë autoriteti më i lartë i shkencës së kiraeteve (leximeve të Kuranit) në historinë islame.

​14. Ibën Udejs el Maliki (v. 840 h), metodologjia e hifdhit.

Ai tregon: ​Kur dëshiroja të memorizoja diçka pija nga uji i Zemzemit, merrja abdest, falesha te multezemi (pjesa e Qabes midis gurit të zi dhe derës), bëja dua dhe memorizoja!”

15. Imam Ibën Amar el Misri (v. 844 h).0

Ai e piu ujin e Zemzemit për disa çështje të cilat i arriti të gjitha, ose shumicën e tyre. E kush mund të dyshojë se shtimi i dijes ishte kryesorja dhe më e larta prej tyre!

16. Hafidh Ibën Haxher el Askalani (v. 852 h), tejkalimi i majave.

Ai piu ujin e Zemzemit kur kreu haxhin me qëllim që të arrinte gradën e Imam Dhehebiut (në hadith). Pas rreth njëzet vitesh, kreu përsëri haxhin dhe kërkoi një gradë edhe më të lartë se ajo e mëparshmja, duke thënë: “Shpresoj tek Allahu që ta arrij atë”. (Dhe vërtet, historia e dëshmon atë si “Shejhul-Islam” dhe “Prijësi i besimtarëve” në shkencën e hadithit).

17. Hafidh es Sehavi (v. 902 h), nxënësi besnik.

​Duke komentuar veprimin e mësuesit të tij Ibën Haxherit, ai thotë: ​Edhe unë e piva atë (ujin e Zemzemit) për disa gjëra që shpresoj t’i arrij të gjitha, dhe me siguri që dija dhe çfarë lidhet me të janë e para dhe më e rëndësishmja prej tyre.

18. Kemal ibën el Hemam (v. 861 h), autori i librit “Fet’hul kadir”.

Ai tregon për veten e tij me një përulësi të skajshme:

​Ky rob i dobët shpreson te Allahu i Madhëruar që ta ketë pirë atë për istikame (qëndrueshmëri në fe), dhe për të qenë besnik ndaj vërtetësisë së Islamit bashkë me të.

19. Imam es Sujuti (v. 911 h), enciklopedia e Islamit.

Ai tregon: ​Kur kreva haxhin piva ujin e Zemzemit për disa çështje, ndër to; të arrija në fikh gradën e El Bulkinit dhe në hadith gradën e Ibën Haxherit.”

(Shënim: Historia dëshmon se ai u bë një nga autorët më produktivë në historinë islame).

​20. Ebu ed Dija el Gajthi (v. 975 h), myftiu i devotshëm.

​Ai tregon: ​Piva ujë Zemzemi për tri gjëra: të kthehem në vendin tim e të bashkohem me prindërit, të angazhohem me dhënien e fetvave (ifta), dhe që Allahu të jetë i kënaqur me mua! Dy të parat i gjeta, ndërsa të tretën e shpresoj (nga mëshira e Tij).”

Përmbyllje:

Të gjitha këto tregime janë të mahnitshme, por tregimi i fundit (i Ebu ed Dija el Gajthit) është ndoshta më i veçanti prej tyre. Ai kishte qëndruar gjatë larg vendit të tij në kërkim të dijes, saqë malli për prindërit i ishte shtuar tej mase. Ai dëshironte t’u shërbente njerëzve përmes dhënies së fetvave, e pastaj u lut me lutjen e tretë që është qëllimi final i çdo besimtari që synon ahiretin; kënaqësinë e Allahut.

Prandaj, ​o ti që qëndron pranë Zemzemit dhe kalon pranë tij, apo që e sheh atë në ëndrrat e tua, mos pi me pakujdesi (gaflet)!

​Këta dijetarë na mësuan se nijeti (qëllimi) dhe duaja gjatë pirjes janë një prej sekreteve të begatisë. Prandaj pi dhe lutu, sepse Allahu nuk e zhgënjen kurrë atë që i drejtohet Atij me sinqeritet.

Ai që dëshiron t’u kthehet burimeve origjinale dhe të thellohen në këto shembuj mbresëlënës, ky material është mbledhur dhe dokumentuar me saktësi nga Shejh Rashid al Bedah në librin e tij të çmuar”Al muteladhidhuna bil ilm” (Të apasionuarit pas dijes).

 

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...