Pozita e namazit të sabahut dhe dhjetë shpërblimet e tij

February 11, 2026

Cilat janë përgëzimet për atë që fal namazin e sabahut?

Janë dhjetë përgëzime.

❍ Përgëzimi i parë: Drita e plotë në ditën e Kiametit.

Profeti ﷺ ka thënë: “Përgëzoji ata që ecin nëpër errësirë drejt xhamive me dritë të plotë në ditën e Kiametit.”

El Albani, “Sahih el-Xhami”, nr. 2823.

❍ Përgëzimi i dytë:

Dy rekate sunet të sabahut janë më të mira se dynjaja dhe çfarë ka në të. Nëse kjo është vlera e dy rekateve sunet, sa mund të jetë vlera e namazit të farzit?

Profeti ﷺ ka thënë: “Dy rekatet sunete të sabahut janë më të mira se e gjithë dynjaja dhe çfarë ka në të.” Muslimi, nr. 725.

❍ Përgëzimi i tretë: Shumimi i veprave të mira përmes hapave drejt xhamisë.

Profeti ﷺ ka thënë: ​”Kushdo që del nga shtëpia e tij drejt xhamisë, i shënohen dhjetë mirësi për çdo hap që hedh. Ai që qëndron në xhami duke pritur namazin është në adhurim të vazhdueshëm dhe shkruhet prej falësve, derisa të kthehet në shtëpinë e tij.” Ahmedi, nr. 17459.

❍ Përgëzimi i katërt: Dëshmia e engjëjve për këtë namaz.

Allahu i Madhëruar thotë:

“Fale namazin nga mbarimi i diellit e deri në errësirën e natës, dhe (fale) namazin e agimit (fexhrin). Vërtet, leximi i sabahut është i dëshmuar (nga engjëjt).” | El Isra: 78.

Pra ai dëshmohet nga melaiket.

❍ Përgëzimi i pestë: Shpëtimi nga zjarri.

Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk do të hyjë në zjarr askush që falet para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij.”

Domethënë ai që fal sabahun dhe ikindinë. Muslimi, nr. 634.

❍ Përgëzimi i gjashtë: Shikimi i Allahut të Madhëruar.

Nga Xherir ibn Abdullahu transmetohet se ka thënë:

“Ishim me Profetin, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, kur ai vështroi hënën në natën e saj të plotë, dhe tha: ‘Ju do ta shihni Zotin tuaj ashtu siç e shihni këtë (hënë), duke mos u dëmtuar (apo penguar) në shikimin e Tij. Prandaj, nëse keni mundësi që të mos mposhteni (të mos i humbni) namazet para lindjes dhe para perëndimit të diellit, atëherë veproni kështu.’ Pastaj lexoi: ‘Dhe lartëso me lavdërim Zotin tënd para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij’.”

Buhariu 573 dhe Muslimi 182.

❍ Përgëzimi i shtatë: Shpërblimi i faljes së gjithë natës.

Profeti ﷺ ka thënë: “Kush e fal namazin e jacisë me xhemat, është sikur të jetë falur gjysmën e natës. Ndërsa kush fal namazin e sabahut (fexhrit) me xhemat, është sikur të jetë falur tërë natën.” Muslimi 656.

❍ Përgëzimi i tetë: Lutja e melaikeve për të.

Profeti ﷺ ka thënë: “Kush fal sabahun dhe pastaj ulet në vendin e tij të faljes, melaiket luten për të, dhe lutja e tyre për të është: ‘O Allah, fale! O Allah, mëshiroje!’” Ahmedi, nr. 1251.

❍ Përgëzimi i nëntë: Shpërblimi i një haxhi dhe një umreje të plotë.

Profeti ﷺ ka thënë: “Kush e fal sabahun me xhemat, pastaj ulet duke përmendur Allahun derisa të lindë dielli, pastaj fal dy rekate, ka shpërblimin si të një haxhi dhe umreje të plotë, të plotë, të plotë.”

El-Albani, “Es-silsile es-sahihah”, nr. 3403.

❍ Përgëzimi i dhjetë: Namazi i sabahut është mbrojtje dhe kështjellë ndaj të këqijave.

Profeti ﷺ ka thënë: ​“Kush e fal namazin e sabahut ai është nën mbrojtjen (besën) e Allahut. Prandaj bëni kujdes që Allahu të mos ju kërkojë llogari për diçka që i takon mbrojtjes së Tij (mos cënoni atë që fal sabahun), sepse këdo që Ai e kërkon për këtë llogari, do ta arrijë dhe do ta hedhë me fytyrë në zjarrin e Xhehenemit.” Muslimi 657.

O Allah, na bëj prej atyre që e ruajnë namazin e sabahut!

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...