Shejh Abdurrazak el Bedr, Allahu e ruajt, ka thënë: Gjëja më e mirë që përmendet në lidhje me këtë temë është historia e sahabit të nderuar Sad bin Ebi Uekas.
Ibën Sirini thotë: I thanë Sad bin Ebi Uekasit: A nuk po lufton? – kishin për qëllim fitnen dhe luftën që ndodhi mes Muavijes dhe Ali bin Ebi Talib.
Sadi ishte prej atyre që nuk u përfshinë në këtë fitne, kështu që i thanë: A nuk po lufton? Ti je prej pjesmarrëve të këshillimit dhe e meriton më shumë se çdokush tjetër të marrësh pjesë në këtë luftë. Pra, bashkangjitu sepse ti e meriton më së shumti të jesh pjesmarrës në këtë luftë.
Sadi tha: “Nuk luftoj…” Dëgjojeni me vëmendje fjalën e tij se ajo përmban urtësi. Tha: “Nuk luftoj derisa të më sillni një shpatë e cila të ketë dy sy, një gjuhë dhe dy buzë (një shpatë që shikon dhe flet).”
Tha: “Nuk luftoj derisa të më sillni një shpatë e cila të ketë dy sy, një gjuhë dhe dy buzë, e cila e njeh besimtarin nga jobesimtari.” Pra, thotë më sillni një shpatë e cila e njeh besimtarin nga jobesimtari.
“Nëse unë godasë ndonjë besimtar, ajo (shpata) më tregon dhe nuk e vret atë (besimtarin). E nëse godas jobesimtarin, ajo e vret atë.”
Pastaj tha: “Unë kam luftuar dhe e di se çfarë është lufta.
Ndërsa kjo fitne në të cilën luftojnë muslimanët mes veti duke vrarë njëri-tjetrin, unë nuk futem në të përveçse po më sollët një shpatë e cila të ketë këto cilësi.”
Pastaj solli një shembull dhe tha: “Shembulli ynë dhe shembulli juaj është si shembulli i një populli të cilët ishin në rrugë të qartë. Derisa ata ishin në këtë gjendje duke ecur, i përfshiu një stuhi me pluhur dhe e humbën rrugën. Disa prej tyre thanë: Rruga është nga ana e djathtë, – e kështu ndoqën atë rrugë dhe humbën.
Disa thanë: Rruga është nga ana e majtë, – kështu ndoqën atë rrugë dhe humbën.
Të tjerët thanë: Ne ishim në rrugën e duhur derisa na përfshiu stuhia, prandaj do të qëndrojmë këtu ku jemi derisa ajo të pushojë dhe të qartësohet pamja. Ata qëndruan aty derisa pushoi stuhia dhe u qartësua rruga, e këta janë xhemati.
Thanë: Të kapemi fort në atë që la pas i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem derisa ta takojmë atë dhe të mos futemi në fitne.”
Ka qenë prej menhexhit të Sad bin ebi Uekas, Abdullah bin Umerit dhe një grupi prej sahabëve se çështja që ndodhi mes Muavijes dhe Aliut nuk zgjidhej me anë të shpatës por me anë të marrëveshjes dhe rishikim të situatës me dialog. Ajo që ndodhi nga Aliu radijAllahu anhu ishte ixhtihad i tij. Po ashtu dhe nga ana e Muavijes radijAllahu anhu ishte ixhtihad.
Kështu që nuk privohet ai që është përpjekur duke kërkuar të vërtetën dhe të saktën nga shpërblimi i përpjekjes dhe gjetjes së të vërtetës nga përpjekja dhe mosgjetja e së vërtetës, sepse gjynahu i tij është i falur. Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur përpiqet gjykatësi (dijetari) dhe gjykon dhe e arrin të vërtetën, ka dy shpërblime. Ndërsa në qoftë se gabon ka vetëm një shpërblim.” Buhariu.
Prandaj një grup nga sahabët mendonin se zgjidhja në raste të tilla nuk bëhet me anë të shpatës dhe me luftë, por me marrëveshje, me largim nga lufta, me bashkimin e fjalës dhe gjërave të ngjashme.
Përktheu: Unejs Sheme
Dosje: fitne
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve