Kushtet e lutjes së pranuar

April 13, 2026

Teksti: “Lutjet (duatë) dhe kërkimet e mbrojtjes (te’avidhat) janë në pozitën e armës. Mirëpo, arma varet nga ai që e përdor (goditësi) dhe jo vetëm nga mprehtësia e tehut të saj. Sa herë që arma është e përsosur pa asnjë defekt, krahu (i luftëtarit) është krah i fortë dhe pengesa mungon, atëherë me të arritet asgjësimi i armikut. Por, kurdo që mungon njëra nga këto të tria, mungon edhe efekti. Pra, nëse duaja në vetvete nuk është e saktë ose lutësi nuk ka bashkuar zemrën me gjuhën gjatë lutjes, ose ekziston një pengesë që ndalon përgjigjen, atëherë rezultati nuk arrihet.”

Komenti: “Ky është një kapitull madhështor dhe shumë i rëndësishëm në sqarimin e lutjes (duasë) në aspektin e realizimit të efektit ose mungesës së tij.

Realizimi i efektit: Do të thotë vërtetimi i ndikimit të lutjes ose mungesa e efektit, sepse njeriu mund të lutet për veten ose për tjetrin e pastaj efekti mungon, ose lutet dhe efekti realizohet. Për këtë arsye ashtu siç e kemi sqaruar më parë, nga edukata e lutjes është që njeriu të mos dorëzohet e të mos nxitohet për përgjigjen duke thënë: ‘U luta e u luta, e nuk gjeta përgjigje’.

Përkundrazi, njeriu duhet – dhe këtë e përfitojmë nga ky kapitull madhështor – që gjithmonë ta kontrollojë veten, ta akuzojë atë për mangësi dhe t’i shtojë lutjet.

Ta shtojë sinqeritetin (ihlasin), ta shtojë kthimin tek Allahu dhe këmbënguljen (ilhah). Të mos zbrapset që në fillim të herës, si shembulli i atij që mbjell një farë. Dhe kur bëhet gati për të dhënë frutat e saj, ai e neglizhon dhe e braktis për shkak të zgjatjes së kohës.

Në këtë kapitull, Ibën Kajimi thotë: ‘”Lutjet (duatë) dhe kërkimi i mbrojtjes (te’avidhat) janë në pozitën e armës. Mirëpo, arma varet nga ai që e përdor (goditësi) dhe jo vetëm nga mprehtësia e tehut të saj.”

A e keni parë nëse një person ka një shpatë të mprehtë por dora e tij është plotësisht e pafuqishme (e lëshuar), dhe kur godet – ja kështu, dora e tij është e lëshuar – a do ketë ajo ndonjë efekt?! Nuk ka efekt sepse dora e tij është e dobët. Pra, arma varet nga goditësi e jo vetëm nga mprehtësia.

Me këtë ai ka për qëllim që lutja në ekzistencën e dobive, efekteve dhe fryteve të saj, varet nga forca e lutjes. E nga çfarë e fiton lutja forcën? Lutja e fiton forcën nga plotësimi i kushteve dhe rregullave që gjenden në Librin e Allahut dhe në Sunetin e Profetit të Tij. Sa herë që lutja i përmbush kushtet ajo është më e fortë, më e qëndrueshme dhe më afër përgjigjes.

Prandaj, në hadithet që përmendin edukatën apo kushtet e lutjes përmendet ky fakt, ku thuhet: “Ndonjërit prej jush do t’i pranohet lutja përderisa nuk vepron kështu.” Pra, përgjigjja përmendet e kushtëzuar me ato rregulla dhe kufizime.

Arma varet nga goditësi dhe lutja varet nga forca e lutësit në lutjen e tij, dhe forca e lutësit i kthehet plotësimit të kushteve të lutjes, kufijve dhe rregullave të saj në Kuran dhe Sunet.

Ai tha: “Sa herë që arma është e përsosur pa asnjë difekt.” Këtu mund të thuash: nëse lutjet janë të sakta, të vërtetuara dhe të transmetuara (nga Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

“Dhe krahu është krah i fortë’: lutësi është i fortë që i plotëson kushtet dhe edukatën e lutjes.

“Dhe pengesa mungon’: pengesa që ndalon efektin e duasë nuk ekziston.

Sepse tani, nëse vendi që goditet me shpatë – pavarësisht forcës së krahut dhe mprehtësisë së shpatës – do ishte një shkëmb i fortë dhe i thatë, dhe njeriu e godet me forcën e krahut të tij, a do ndikojë në të? Një tokë e thatë apo shkëmb i fortë nuk ndikohet për shkak të ekzistencës së një pengese, që është fortësia e vendit.

Pranueshmëria e vendit (zemrës), rregullsia e lutjes në vetvete, dhe forca e lutësit.

Nëse bashkohen këto të tria arrihet dobia, ashtu siç arrihet asgjësimi i armikut. Dhe kurdo që mungon njëra nga këto të tria, ka për të munguar edhe efekti.

Teksti: “Nëse duaja në vetvete nuk është e saktë, ose lutësi nuk ka bashkuar zemrën me gjuhën gjatë lutjes – pra kjo tregon dobësi të duasë dhe mungesë të forcës së saj – ose kur ekziston ndonjë pengesë nga përgjigjja, rezultati (efekti) nuk arrihet.”

Komenti: Ky është një sqarim shumë i rëndësishëm. Dobia e këtij sqarimi është se sa herë që njeriu nuk e sheh efektin e duasë, ai nuk duhet të fajësojë askënd përveç vetes së tij. Pra nuk duhet të ngarkojë me faj askënd tjetër përveç vetvetes. Ti kthehet vetes me (akuzën për) mangësi: ‘ndoshta kam këtë mangësi, ndoshta atë…’. Kështu ai e shton këmbënguljen, përsërit kërkesën, i drejtohet Allahut me sinqeritet, është i pastër në lutjen e tij dhe i vërtetë në shpresën tek Allahu i Madhëruar.

Dosje:

Loading...