Agjërimi i muajit Ramazan

July 25, 2011

Falënderimet dhe lëvdatat janë për Allahun e Lartësuar. Lutjet dhe përshëndetjet tona janë për Profetin tonë sal-lallahu alejhi ue selem, për familjen dhe shokët e tij, dhe për gjithë besimtarët deri në ditën e gjykimit.

Muslimani në jetën e tij zhvendoset nga një sezon mirësish në tjetrin, nga një vepër e mirë e një lloji të caktuar në një tjetër të një lloji tjetër. Ndryshon forma dhe veprimi, por thelbi ngelet po i njëjti: Bindja ndaj Krijuesit, Zotit të gjithësisë. Një nga sezonet më të begata dhe më emocionale të jetës së muslimanit është dhe muaji i Ramazanit, muaji i agjërimit dhe i Kuranit.

Çfarë është agjërimi dhe cilat janë disa nga dispozitat që lidhen me të?

Agjërimi vjen nga fjala arabe saum dhe sijam që do të thotë frenim. Ndërsa në përkufizimin fetar do të thotë: Adhurimi që i kushtohet Allahut duke u frenuar nga ngrënia, pirja dhe çdo gjë tjetër që e prish agjërimin, që nga gdhirja e agimit deri në perëndimin e diellit[1].

Allahu xheleshanuhu thotë: “Hani e pini derisa të dallohet peri i bardhë (drita e agimit) nga peri i zi (terri i natës) dhe plotësojeni agjerimin deri në mbrëmje” [Bekare: 187].

Ky adhurim është një nga obligimet madhore të muslimanit dhe një nga veprat e tij më të rëndësishme, Profeti sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe vizita e Qabes”. Çdo musliman dhe muslimane që kanë arritur pubertetin e kanë detyrë ta përmbushin këtë detyrë islame, nëse janë të shëndetshëm fizikisht dhe mendërisht dhe nuk janë në udhëtim gjatë ditëve të ramazanit, si dhe gratë nëse nuk janë me zakonet e tyre të përmuajshme apo lehonë.

Cili është qëllimi i agjërimit dhe urtësia e tij?

Ibnul  Kajimi në lidhje me këtë ka thënë: Qëllimi i agjërimit është frenimi i vetes nga epshet dhe tekat, ndërprerja nga rutina e zakonshme me të cilën është i ambientuar, rregullimi dhe ekuilibrimi i dëshirave të brendëshme ashtu që të përgatitet për të kërkuar arritjen e synimit kulmor të lumturisë dhe kënaqësisë, përgatitet  për të pranuar shkaqet e jetës së përjetshme, duke qenë uria dhe etja mjet për thyerjen e lakmisë tekanjoze dhe epshore. Agjërimi i përkujton njeriut gjendjen e të varfëre të uritur, i ngushton rrugët e shejtanit tek njeriu duke i ngushtuar rrugët e ushqimit. Në këtë mënyrë frenohet fuqia e gjymtyrëve nga çoroditja dhe shfrenimi në gjëra të cilat janë të dëmshme për njeriun në këtë dunja dhe në Ahiret, duke u kontrolluar gjymtyrët dhe forca njerëzore me frerët e agjërimit sepse realisht agjërimi për të devotshmit është në rolin e frerëve, është mburojë e luftëtarëve (që luftojnë me veten dhe shejtanin), është kopshti  i begative për ata që i afrohen Allahut. Agjërimi është adhurim i veçantë  që i kushtohet Zotit të botrave dhe që dallon nga veprat e tjera. Agjëruesi nuk vepron diçka të dukshme por heq dorë nga epshi, ushqimi dhe pija e tij, për hir të Atij që adhuron. Agjërimi ne vetvete është të heqësh dorë nga ato që shpirti i do dhe është i ambientuar t`i shijojë, duke i dhënë përparësi dashurisë së Allahut dhe arritjes së kënaqësisë së Tij. Agjërimi është diçka e fshehtë mes robit dhe Zotit. Megjithëse njerëzit mund të vërejnë distancimin e tij nga ushqimi, pija apo epshi , por ndjenjën e brendshme, faktin që kjo braktisje është për hir të Atij që adhuron, kjo është diçka që askush nga njerëzit nuk mund ta zbulojë dhe ky është realiteti i agjërimit. Agjërimi ka ndikim të habitshëm në ruajtjen e gjymtyrëve të jashtme dhe forcave të brendëshme, në mbrojtjen e organizmit nga dëmet që i vijnë si pasojë e përzierjes së lendëve të ndryshme të dëmshme, të cilat në një moment mund të mbizotërojnë organizmin dhe ta shkatarrojnë atë. Agjërimi mundëson zbrazjen e këtyre lëndëve si dhe lëndëve të padobishme që pengojnë një shëndet normal. Agjërimi mbron shëndetin e zemrës dhe të gjymtyrëve, u rikthen atyre atë  çfarë ishte e rrëmbyer nga epshet dhe tekat, ndaj agjërimi është ndihmësi më i mirë për devotshmëri siç ka thënë i Lartësuari: “O ju të cilët keni besuar u është bërë obligim agjërimi ashtu siç ishte për ata para jush ashtu që të jeni të devotshëm” [Bekare: 185]. Profeti sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjërimi është mburojë”[2] dhe i orjentonte të rinjtë të cilët ndjenjë epsh dhe nuk i kanë mundësitë për tu martuar që të agjërojnë ashtu që tu shërbejë agjërimi si mburojë[3].

Për të gjitha këto qëllime dhe urtësi, të cilat janë të pranuara dhe të dëshmuara nga llogjika e shëndoshë dhe natyrshmëria e pastër, Allahu e ligjëroi agjërimin si mëshirë për robërit e Tij mirësi ndaj tyre, mburojë dhe dietë për ta[4].

Agjërimi i bëhet detyrë njeriut me fillimin e muajit hënor të Ramazanit, Allahu thotë: “Kush nga ju e përjeton këtë muaj le ta agjërojë atë” [Bekare: 185]. Profeti sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjëroni kur ta shihni hënën (e muajit ramazan)”[5].

Në natën e cila i paraprin fillimit të muajit njeriu e bën nijet për të agjëruar këtë muaj për Allahun, Profeti sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Veprat janë sipas qëllimit” dhe: “Nuk ka agjërim të vlefshëm për atë person që nuk e ka vendosur që natën se do agjërojë”[6]. Pra njeriu i cili në darkë e di se e nesërmja do e gjejë agjërueshëm e ka bërë nijetin, po ashtu ai i cili ngrihet në syfyr për të ngrënë, e ka bërë nijetin.

Çfarë e prish agjërimin:

1. Ngrënia dhe pirja me vetëdije. 2. Lehonia dhe menstruacionet tek gratë. 3. Kryerja e marrëdhënieve seksuale apo qoftë dhe ejakulimi i spermës me forma të tjera. 4. E vjellura me dashje (e vetë provokuar). Profeti sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush vjell me dashje le ta kompensojë atë ditë”[7]. Ibnul Mundhiri ka thënë: Dijetarët janë unanimë për pavlefshmërinë e agjërimit të atij që vjell me dashje. 5. Përdorimi i ilaçeve nga goja apo i injeksioneve ushqyese.

Cilat kategori nga njerëzit nuk e kanë detyrë agjërimin?

Së pari duhet të dimë se mos agjërimi i këtij muaji për ata që kanë mundësi është një mëkat i madh. Së dyti: Allahu xheleshanuhu me mëshirën dhe mirësinë e Tij ka toleruar disa kategori të njerëzve duke i shkarkuar nga kjo detyrë, përsa kohë që tek ata ekziston motivi i justifikimit. Këto kategori janë: 1. Gratë gjatë lehonisë apo mestruacioneve. Profeti sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “A nuk janë gratë që kur u vinë zakonet nuk falen dhe nuk agjërojnë”.

2. Udhëtari. U pyet Profeti sal-lallahu alejhi ue selem: A lejohet agjërimi në udhëtim?Ai tha: “Nëse do agjëro, e nëse do mos agjëro”[8]. 3. I sëmuri që dëmtohet nga agjërimi. Allahu xheleshanuhu ka thënë: “Kush është i sëmurë apo udhëtar, le t`i kompensojë aq ditë(sa ka lënë) nga ditët e mëvonshme” [Bekare: 184]. Ndërsa i sëmuri që nuk shpresohet më  shërimi i tij, në vend të agjërimit jep ushqim një të varfëri kundrejt çdo dite agjërimi, Allahu ka thënë: “Ata që nuk e përballojnë dot, le të japin kompensim ushqim një të varfëri”. [Bekare:184].

4. Shtatzëna apo gruaja gjidhënëse, e cila ka frikë se agjërimi i bën dëm asaj apo fëmijës së saj, qoftë në fillimet e shtatzanisë apo gjidhënies apo në periudhën e fundit të saj. Profeti sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu e ka toleruar shtatzënën dhe gjidhënësen nga agjërimi”[9]. 5. Fëmija nën moshën e pubertetit. Profeti sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Lapsi nuk shkruan për personin që fle, derisa të zgjohet, për të çmendurin derisa të vijë në vete dhe për fëmijën derisa të arrijë pubertetin[10].

Cfarë i kërkohet msulimanit në këtë muaj.

Muaji i agjërimit është muaji i mëshirës, i faljes, i lirimit nga zjarri, i ngritjes në besim, muaji i shtimit të veprave të mira dhe i frenimit nga veprat e këqija, Profeti sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Në natën e parë të muajit Ramazan, lidhen shejtanët, mbyllen të gjitha portat e xhehenemit, hapen të gjitha portat e xhenetit dhe thërret një thirrës: O ti që e kërkon të mirën bëj përpara, o ti që e do të keqen hiq dorë. Çdo natë Allahu liron njerëz nga zjarri”[11] dhe thotë: “Kush e agjëron Ramazanin dhe bën adhurim në të, me besim dhe shpresim në shpërblim, i falen gjynahet e mëparshme”[12]. Muaji i Ramazanit është mjeti për të pastruar trupin dhe shpirtin, është mundësia për të bërë paqe me veten dhe për të kënaqur Krijuesin, është shkaku me të cilin meriton të hyjë në xhenet nga një portë e veçantë që u përket vetëm agjëruesve. Vepra e mirë në këtë muaj merr një kuptim tjetër me më shumë vlerë, më shumë kthjelltësi shpirtërore, sinqeritet dhe përkushtim.

E lusim Allahun të na e lehtësojë agjërimin dhe të na japë sukses për punë të mira.

Përgatiti: Stafi i Qendrës “Udha e Besimtarëve


[1] Marrë nga libri Sherhul Mumti 6/297, të Ibn Uthejminit.

 

[2] Transmeton Buhariu nr. 5066.

[3] Siç  transmetohet tek Buhariu me nr. 4507.

[4] Marrë nga libri Zadul Mead 2/22-23.

[5] Transmeton Buhariu nr. 1909 dhe Muslimi nr. 1081.

[6] Transmeton Ebu Daudi nr.2454, Bejhakiu nr.4/203 dhe në librin Iruaul Galil 4/25.

[7] Transmeton Ebu Daudi nr.2380, Tirmidhiu nr. 720, saktësoi Albani.

[8] Transmeton Buhariu nr. 1942 dhe Muslimi nr. 1121.

[9] Transmeton Ebu Daudi nr. 2408, Tirmidhiu nr. 715, saktësoi Albani.

[10] Transmeton Ebu Daudi nr. 4398, Tirmidhiu nr. 1423, saktësoi Albani.

[11] Transmeton Tirmidhiu nr.682, Ibn Maxheh nr. 1642, saktësoi Albani.

[12] Transmeton Tirmidhiu nr. 683, ibn Maxhe nr. 1326, saktësoi Albani.

Loading...