Allahu betohet në disa nga krijesat e Tij, cila është dobia e këtyre betimeve?
Shejh Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) e ka përmendur urtësinë se përse Allahu betohet në disa prej krijesave të Tij duke thënë:
“Nëse dikush pyet: Cila është dobia që Allahu i Lartësuar betohet, duke qenë se Ai të vërtetën thotë në fjalët e Tij, pa qenë e nevojshme që të betohet?!
Sepse nëse betimi përdoret për një popull që beson tek Ai dhe e besojnë fjalën e Tij, atëherë nuk është i nevojshëm, e nëse është për një popull që nuk besojnë tek Ai, atëherë ky betim është i pa dobishëm. Allahu i Lartësuar ka thënë: “ Edhe sikur t’u sillje të gjitha provat atyre që u është dhënë Libri, ata prapëseprapë nuk do ta pranonin kiblën tënde, “. Bekare: 145.
Them: Dobia e betimin shikohet në disa këndvështrime:
E para: Kjo është mënyrë e të folurit të arabëve, që i përfërcojnë gjërat me anë të betimit, edhe nëse informacioni është i njohur për të gjithë, apo i papranueshëm tek ai që i drejtohesh. E siç dihet, Kurani ka zbritur në gjuhën e pastër Arabe.
E dyta: Besimtarit i shtohet bindja prej këtij betimi dhe nuk ka ndonjë të keqe nëse shtohen gjërat që vërtetojnë diçka dhe shtojnë bindjen e njeriut. Allahu i Lartësuar për Ibrahimin (alejhi selam) thotë: ” Kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Tregomë si i ngjall të vdekurit!” – Zoti i tha: “A nuk beson?” – “Besoj” – iu përgjigj Ibrahimi, “por dëshiroj të më qetësohet zemra.” [Bekare: 260].
E treta: Allahu i Lartësuar betohet për gjëra madhështore që tregojnë fuqinë, madhështinë dhe diturinë e Tij. Sikur Allahu me këtë betim madhështor tregon argumentet për vërtetësinë e fjalës së Tij, nëpërmjet madhështisë së të betuarit.
E katërta: Tërheq vëmendjen për gjendjen e të betuarit, sepse Ai nuk betohet vetëm se në diçka që është madhështore. Dhe këto dy këndvështrime nuk kanë të bëjnë me vërtetësinë e fjalës, porse në përkujtimin e argumenteve me të cilat është betuar për të tërhequr vëmendjen në madhishtinë e tyre.
E pesta: Dhënia rëndësi asaj me të cilën betohet dhe se ajo është prej gjërave që ia vlen t’i kushtohet rëndësi dhe të dëshmohet.”.
[Mexhmu Fetava Ibn Uthejmin: 10/612-613).
Përktheu Ylli Rama
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve