Besimi në Allahun, është mirësia më e madhe që Krijuesi u dha robërve të Tij

December 2, 2015

Nuk ka dyshim se mirësia më e madhe e Allahut të Madhëruar ndaj robëve të Tij është mirësia e udhëzimit në fenë e Tij, fe të cilën Ai e zgjodhi dhe i urdhëroi ata që ta ndjekin (pasojnë).

Allahu i Madhëruar thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.[1] [2]

Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Kjo është mirësia më e madhe e Allahut të Lartësuar për këtë popull (umet). Aq sa Ai ua plotësoi atyre fenë dhe si rrjedhojë ata nuk kanë nevojë për fe tjetër veç tij (islamit), as për Profet tjetër veç Profetit të tyre (salavatullahi ue selamuhu alejhi).

Prandaj, Allahu e bëri atë vulën e profetëve dhe e dërgoi tek njerëzit dhe xhinët. Nuk ka të lejuar përveç asaj që Ai e ka bërë të lejuar, gjithashtu nuk ka të ndaluar veç asaj që ai e ka ndaluar dhe nuk ka fe veç asaj që ai ka ligjësuar.

Cdo gjë për të cilën ai ka njoftuar është e vërtetë dhe nuk përmban gënjeshtër dhe as kundërshtim. Siç thotë i Madhëruari: “Të përkryera janë fjalët e Zotit tënd në vërtetësi dhe drejtësi.”[3]

Pra, të vërteta në njoftim dhe të drejta në urdhëresat dhe ndalesat. Kur Ai ua plotësoi fenë atyre (njerëzve) u plotësua dhe mirësia ndaj tyre.”[4]

Dijetari i Islamit Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Mirësia më e madhe ndaj tyre është urdhërimi i tyre me besim dhe udhëzimi i tyre drej tij. Ata janë njerëzit që i ka përfshirë mirësia absolute të përmendur në fjalën e Tij: “Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi.”[5]

Po ashtu thotë: “Mirësia më e madhe e Allahut për robërit e Tij dhe më e nderuara është se u dërgoi atyre të dërguarit e Tij, u zbriti librat e tij dhe ua sqaroi rrugën e drejtë. Nëse nuk do ishin këto, atëherë ata do ishin në pozitën e kafshëve. Madje më keq se kafshët. Kushdo që e pranon Shpalljen e Tij dhe përqëndrohet fort në të, ai është njeriu më i mirë. Kush e kundërshton atë dhe del jashtë saj, ai është prej njerëzve më të këqinjë.”[6]

Përktheu: Unejs Sheme

[1] E zgjodha Islamin si fenë tuaj dhe ju zgjodha ju që të jeni ithtarët e tij, prandaj praktikojeni atë plotësisht në mënyrë që kështu të falënderoni Zotin tuaj për të gjitha mirësitë e Tij ndaj jush, më e madhja e të cilave, ajo që Ai jua zgjodhi Islamin si fenë tuaj, jua plotësoi atë me zbritjen e Kuranit dhe të Dërguarit të Tij të fundit, dhe ju bëri muslimanë. Islami është feja e të gjithë të Dërguarve të Allahut, por me dërgimin e Muhamedit ai u plotësua përfundimisht, dhe përveç plotësimit, ai pastroi pluhurin dhe sqaroi devijimin që i ishte bërë atij nga ithtarët e Librave të mëparshëm prej hebrenjve dhe të krishterëve. Sh.p.

[2] El-Maide, 3

[3] El-Enam, 115

[4] Tefisri Ibën Kethir (3/26)

[5] El-Fatiha, 6-7. Xhamiul-Mesail (4/284)

[6] Mexhmul fetaua (19/100)

 

Loading...