Vlera e sures ‘El Ikhlas’ (Sinqeriteti)
Nga Ebu Hurejrah – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcillet se ka thënë: I Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “ ‘Kul huuallahu ehad’ (Thuaj Ai Allahu është Një) është e barabartë me një të tretën e Kuranit” Transmeton Muslimi[1]
Kanë folur dijetarët për kuptimin e këtij hadithi dhe të vlerës së sures ‘Ikhlas’ dhe shkakut se përse ajo është e barazvlefshme me një të tretën e Kuranit dhe, shpjegimi më i mirë që kanë dhënë për të është: për shkak të kuptimeve madhështore që ajo përmban, kuptimit të njëshmërisë së Allahut dhe të bazave të besimit.
Sepse temat e ndershme që trajton Kurani janë:
- Ose dispozita fetare të dukshme apo të fshehta, adhurime dhe marrëdhënie mes njerëzve.
- Ose histori dhe tregime rreth krijesave të kaluara dhe të ardhshme, dhe shpërblimi i njerëzve për punët e tyre.
- Ose monoteizëm dhe njohuri që lidhen me Emrat dhe Cilësitë e Allahut, me veçimin e Tij në njëshmëri dhe në përsosmëri, dhe pastrimin e Tij nga çdo e metë, apo ngjashmëri me dikë prej krijesave.
Kështu kapitulli “Kul huuallahu ehad” përmbledh këto që thamë më sipër dhe çdo gjë tjetër që duhet besuar në këtë bazë (teuhidi), e cila është themeli i të gjitha bazave të tjera. Prandaj na ka urdhëruar Allahu që ta themi atë me gjuhët tona dhe ta njohim me zemrat tona, dhe të afrohemi tek Allahu me leximin e saj dhe ta adhurojmë Allahun me të.
“Thuaj: Ai Allahu është Një” (Ikhlas: 1) Allahu është i Adhuruari, i Cili i meriton të gjitha kuptimet e adhurimit, të cilat e bëjnë të domosdoshme që Ai të jetë i Adhuruari i Vetëm, i Lavdëruari i vetëm, i Falënderuari i vetëm, i Madhëruari i shenjtë (i pastër nga çdo e metë), i Lartësuari, Bujari.
I Vetmi, është Ai i cili është veçuar me çdo cilësi të përsosmërisë, të madhërimit dhe lartësimit, të bukurisë dhe të lavdërimit, urtësisë dhe mëshirës e të tjera prej cilësive të përsosmërisë. Ai nuk ka në to asnjë që i ngjan e as të barabartë, e as që i afrohet dikush në asnjë aspekt. Sepse Ai është i Vetmi në cilësinë e Jetës (absolute, dhe askush nuk ka jetë absolute si Ai), në Mbikqyrjen që u bën të gjitha krijesave të Tij, në Dijen dhe Fuqinë e Tij, në Madhështinë dhe Lartësinë e Tij, Lavdërimin, Bukurinë, Urtësinë, Mëshirën e Tij dhe të tjera prej cilësive që Ai ka. Ai është i përshkruar me kulmin e përsosmërisë në çdonjërën prej këtyre cilësive.
Dhe nga veçimi i Tij i plotë me këto cilësi është edhe ajo se Ai është “Es Samed” Ai të Cilit çdokush i drejtohet për çdo nevojë. Dmth Zoti Absolut dhe Madhështor, që nuk ka mbetur ndonjë cilësi përsosmërie veçse Ai është përshkruar me të, madje me gradën më të lartë të asaj cilësie dhe me kulmin e saj. Krijesat nuk mund të imagjinojnë dot as një pjesë të Cilësive të Tij të Larta dhe, nuk mund t’i përshkruajnë dot ato me gjuhët e tyre. Prandaj Ai është i Cili të gjitha krijesat i drejtohen për nevojat që kanë dhe në çdo fatkeqësi. “I lutet Atij çdokush që gjendet në qiej dhe në tokë, çdo ditë Ai merret me një çështje të re” (Rahman: 29)
Ai është i Pasur në Vetvete dhe të gjitha krijesat janë nevojtare për Të, për ardhjen e tyre në ekzistencë, për rregullimin e jetës së tyre dhe për vazhdimësinë e saj, me të gjitha nevojat që kanë, në të gjitha aspektet. Askush prej tyre nuk bën dot pa Të as një grimcë, në çdo gjendje të tyren.
Kështu “Es Samed” është Ai të Cilit i drejtohen të gjitha krijesat, për të gjitha nevojat e tyre, për shkak të Përsosmërisë së Tij, Bujarisë së Tij, sepse Ai është Dhurues pa masë, dhe Bamirës. Për këtë arsye:
“Nuk ka lindur kënd e as është i lindur prej dikujt” (Ikhlas: 3). Sepse krijesat janë të lindura njëra prej tjetrës, dhe njëra është prind dhe tjetra e lindur, dhe çdo krijesë është krijuar prej një lënde, ndërsa Zoti i Lartmadhëruar është i Pastër nga përngjasimi me ta në këtë aspekt, ashtu siç është i pastër nga përngjasimi me krijesat edhe në çdo cilësi tjetër të mangët. Prandaj Allahu e plotësoi këtë pastrim dhe e çoi edhe më tej duke na njoftuar se:
“Dhe Atij askush nuk i është i barabartë” (Ikhlas: 4). Dmth: Nuk ka të ngjashëm, as shembull, e as të barabartë. As në Emrat e Tij, as në Cilësitë e Tij, as në veprat e Tij e as në të gjitha të drejtat e Tij absolute me të cilat Ai është veçuar.
E drejta e tij e veçantë është dy llojesh:
- Veçimi me të gjithë përsosmërinë në të gjitha aspektet,
- Dhe me adhurimin e pastër nga ana e të gjitha krijesave.
Prandaj një kapitull i Kuranit si ky, që përmbledh këto fjalë madhështore, e meriton të jetë i barabartë me një të tretën e Kuranit, sepse të gjithë Emrat e Bukur të Allahut që gjenden në Kuran, dhe Cilësitë e Tij të Larta, veprat e Allahut dhe rregullat që lidhen me Cilësitë e Tij, janë shtjellim i këtyre emrave që u përmendën në këtë sure. Madje gjithçka që gjendet në Kuran prej adhurimeve të dukshme dhe të brendëshme, me të gjitha llojet dhe hollësitë e tyre, janë shtjellim i përmbajtjes së këtij kapitulli fisnik.
Dhe Allahu është më i Dijshmi.
Behxhetu Kulubil Ebrar
Autor Abdurrahman bin Nasir es Seadi (Allahu e mëshiroftë)
Përktheu Emin Bilali
[1] Transmeton Muslimi në Kapitullin: Namazi i udhëtarëve/ Tema: Vlera e këndimit të “Kul hu uallahu ehad” (812).
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve