Kush i ka detyrë shpenzimet për haxhin e gruas?
Duke qenë se po afrohet haxhi, shpesh herë bëhet kjo pyetje në lidhje me shpenzimet e haxhit të gruas kur ajo nuk ka pasuri të sajën, a bëhet kjo detyrë e burrit?
Përgjigja: Allahu i madhëruar në kuran burrat karshi grave të tyre i ka ngarkuar me tre lloje shpenzimesh: për ushqim, për veshmbathje dhe për strehim (vendbanimi). Përsa i përket strehimin Allahu i madhëruar ka thënë: “Strehoni ato (gratë) aty ku banoni prej asaj që keni” suretu Et-Talak: 6. Ndërsa në lidhje me ushqimin dhe veshmbathjen Allahu i madhëruar pasi përmend gjidhënien si e drejtë e grave ndaj fëmijëve të tyre thotë: “…kurse ai që i ka lindur fëmija duhet të marrë përsipër ushqimin dhe veshmbathjen e nënave sipas zakonit (aq sa shpenzohet zakonisht)” suretu El-Bekara: 223. Të njëjtën gjë e thotë edhe profeti -alejhi selam- siç tregon Muavije El-Kushejrij -radiallahu anhu- tregon se e ka pyetur profetin -alejhi selam- për të drejtat e grave dhe i ka thënë: “Ushqeni ato prej asaj që ushqeheni, visheni ato prej asaj që vishni dhe mos i rrihni dhe as mos i shani!” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani. Ndërsa çdo gjë që vjen pas tyre dmth pas sigurimit: të ushqimit, të veshmbathjes dhe të strehimit qofshin këto edhe detyra karshi Allahut nuk janë detyrë për burrin por janë detyrë e tyre dhe ato nëse kanë vetë mundësi e bëjnë atë, duhet ta zbatojnë e nëse nuk kanë mundësi, bie detyra se Allahu nuk ka ngarkuar me detyra përtej mundësisë. Kjo gjë është e ndërtuar mbi një bazë sheriatike se çdo detyrë me të cilën Allahu i ka ngarkuar robtë e tij qoftë kjo namaz apo zekat apo agjërim apo haxhi etj janë detyrë në përgjegjësinë e vetë robit dhe jo përgjegjësi e tjerëve. Disa prej këtyre punëve nuk pranojnë as zëvendësim në kryerje (dmth: dikush tjetër ta kryej punën në vend të personit që e ka detyrë) si puna e namazit dhe agjërimit i Ramazanit ndërsa ato punë që pranojnë zëvendësim në kryerje janë zekati dhe haxhi dhe mundet të kryhen nga dikush tjetër ama si bamirësi dhe jo si detyrë, prandaj dhe Allahu i madhëruar i kushtëzon detyrat e tij me mundësinë e kryerjes e nëse nuk është mundësia bie përgjegjësia siç thotë për haxhin: “Për hir të Allahut është bërë detyrë për njerëzit vizita e shtëpisë (së Allahut) për ata që kanë mundësi për të marrë atë rrugë” Suratu Ali Imran: 97. Kështu që ajo grua e cila nuk i ka vetë shpenzimet e haxhit nuk e ka detyrë haxhin ama nëse burri a dikush tjetër i merr përsipër shpenzimet e haxhit kjo gjë pranohet prej tij dhe prej saj sepse zekati dhe haxhi në natyrën e kryerjes së tyre e pranojnë këtë lloj ndihme si bamirësi dhe jo si detyrë. Këto fjalë janë të bazuara në fetvatë e sheikh Ibn Bazit dhe sheikh Ibn Uthejminit -Allahu i mëshiroftë- dhe Komisionit të përhershëm të fetvave.
Burimet e pasurive të grave.
Gratë në islam kanë edhe ato pasuritë e tyre të veçanta të cilat vijnë nga disa burime: 1- Duke punuar vetë në ato punë që lejohen për to dhe që u përshtaten natyrës së tyre, e nëse jo atëherë me ndërmjetës siç bënte Khadixhja -radiallahu anha- duke marrë njerëz me pagesë dhe duke i nisur ata për tregti në Sham. 2- Mehri që është e drejta e saj nga martesa. 3- Trashëgimia që vjen pas vdekjes së të afërmeve të saj si: prindërit, vëllezërit, motrat, burri, fëmijët etj. 4- Dhuratat dhe sadakatë që vijnë në rrugë të ndryshme siç vijnë edhe për burrat. Ndryshimi mes burrit dhe gruas në lidhje me këtë çështje është se nëse ajo nuk grumbullon dot pasuri të sajën, tre gjërat kryesore të jetesës së saj si: ushqimi, veshmbathja dhe strehimi janë të siguruara sepse ato janë ose detyrë e prindit kur është në shtëpinë e tij ose e detyrë e burrit kur është e martuar ose detyrë e fëmijëve të saj të rritur nëse ka fëmijë.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve