Mes kritikes dhe keshilles, balanca e arte, boshti permiresues.

November 5, 2016

Njeriu nuk i do kritikat e sinqerta dhe të dobishme; krenaria e tij (në fakt mendjemadhësia e tij) nuk i pranon. Mirëpo, ato veçse e ndihmojnë njeriun në rrugëtimin e tij drejt dëlirësisë dhe së vërtetës. Ilaçi është i hidhur, por me të arrihet shërimi. Ilaçi i gabuar mund ta vrasë njeriun. Kritika e pavend ose me qellim jo fisnik, mund ta largojë njeriun nga e vërteta dhe t’ia neverisë njerëzit e së vërtetës.

Njeriu zakonisht merr vetëm kritika, por ai ka nevojë edhe për lëvdata të merituara. Ka nevojë për një bilanc perfekt mes këtyre të dyjave; secila në kohen, vendin dhe masën e duhur. Ai ka nevojë për kritikë të sinqertë dhe të dobishme, me nijet te pastër, dashamirësi, thjeshtësi dhe morale te larta. Askush nuk e pranon arrogancën, fodullëkun, mendjemadhësinë, injorancën dhe kurthin.

Ai ka nevojë t’i vlerësohet puna dhe t’i jepen meritat, jo se veproi me qellim të lëvdatave, por këto janë bonuset e shpërblimet, është stimulimi dhe shtysa më e mirë për të vazhduar përpara. Nëse njeriu nuk merr asnjëherë, ose jo mjaftueshëm mirënjohje dhe meritë për punën e tij, atëherë vjen plogështimi, mungesa e shpresës dhe e motivimit. Ndërsa lëvdata e tepërt dhe e pavend, mbjell vetëpëlqimin, prandaj Profeti salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Hidhni dhé turinjve lëvduesve të pavend (figurativisht: largojini nga ju).”

Çdo ilaç në vendin, kohën dhe masën e duhur. Kritika antibiotik në raste të rënda dhe lëvdata shurup për rritjen e oreksit. Gjella me kripë dhe kripa me karar. Kritika jepet e ashpër me neglizhuesin mendjemadh që shpërfill mirësinë dhe jepet ne trajtën e këshillës me butësi për zemrën e sinqertë që i bën përshtypje e mira. Anasjelltas veçse thyhen ekuilibrat e drejtësisë dhe nuk arrihet rezultati i pritur.

Profeti salAllahu alejhi ue selem ka kritikuar ashpër ata të cilëve nuk u bënte dobi këshilla, ndërkohë që ka përvetësuar zemrat e të tjerëve të cilëve u ndikonte butësia, si në rastin e sahabiut të vetëm i cili nuk falte namaz nate. Si ja vuri ne dukje atij këtë mangësi? Mes të gjithëve tha: “Sa burrë i mirë është filani! Edhe më i mirë do bëhej nëse do falej natën.”

Gjithashtu Profeti salAllahu alejhi ue selam i ka nxitur shokët e tij dhe ripërtërinte vullnetin e tyre në adhurimin ndaj Allahut me dhurata, nderime e lëvdata. Disave u thoshte: “Ti ke dy cilësi të mira të cilat Allahu i do.”

Të tjerët i nxiste të vazhdonin më tej me veprën e tyre duke i përgëzuar me përfundimin e mirë, si në rastin e Bilalit të cilit i tha: “Kam dëgjuar zhurmën e shapkave tua në Xhennet! Çfarë vepre të mirë paske bërë?” Dhe Bilali tregoi për faljen e dy rekateve namaz pas abdesit të cilat nuk i la më kurrë derisa vdiq, sepse u motivua me mënyrën më të mirë.

Për një tjetër u tha shokëve të tij: “Po vjen tani një prej banorëve të Xhennetit!” Njëri prej sahabëve i rrinte kudo pas, që të mësonte pse meritoi të ishte prej banorëve të Xhennetit. Pasi nuk arriti të gjente arsyen, i tregoi se Profeti salAllahu alejhi ue selam ka thënë për ty se je prej banorëve të Xhennetit. Ai tregoi se çdo natë binte të flinte me zemër të qetë pa asnjë grimcë urrejtje e hakmarrje në të dhe se ua bënte hallall të gjithë atyre që i kishin bërë padrejtësi gjatë ditës.

Si mendoni, çfarë ndjenje ka pasur ky sahabi kur mori vesh se falja ndaj të tjerëve u vlerësua nga Allahu dhe nuk i shkoi dëm, madje Profeti salAllahu alejhi ue selem dëshmoi para burrave se ky do jetë prej banorëve të Xhennetit?! Ai është motivuar deri në fund të jetës nga një fjalë e vetme, por me vend e Profetit salAllahu alejhi ue selam, apo është plogështuar dhe pas një kohe monotonie hoqi dorë nga falja ndaj të tjerëve? Vazhdoi si i tillë deri në fund dhe u bë frymëzim edhe për të tjerët. Edhe sot përmendet ky hadith në nxitje për falje ndaj njerëzve; pavarësisht se nuk jemi ne protagonistet e hadithit, ndihemi plotësisht të frymëzuar.

Motivimi ka ardhur edhe në shenjë mirënjohje dhe nderimi për mundin e palodhur në adhurim, si në rastin e Ubej ibn Keab, radiAllahu anhu. Profeti salAllahu alejhi ue selam i shkoi atij dhe i tha: “Jam urdhëruar nga Allahu të t’i lexoj këto ajete nga Kurani.” Ubej i prekur për këtë nderim nga Allahu, pyeti: “Është përmendur emri im te Zoti i Botëve?!” “Po”- i tha Profeti salAllahu alejhi ue selam.

Si mendoni se ka ndikuar ky nderim i veçantë tek Ubej? Ai u bë nga hafizët më të shquar të Kuranit. Sot, një nga transmetimet më të famshme te Kuranit brez pas brezi është trasmetimi i Ubej ibn Keabit. Nje nga tri shkollat më të rëndësishme të Kuranit është shkolla e Ubejt.

Ndihmojini vëllezërit tuaj kundër shejtanit e mos e ndihmoni atë kundër vëllezërve tuaj! Motivojini ata e mos i largoni nga feja me moralet tuaja sepse “Me të vërtetë ka nga ju të cilët i largojnë njerëzit nga feja.” Transmeton Muslimi

 

Dosje:

Loading...