Ibrahimi (alejhi selam), e vazhdoi thirrjen dhe dialogun me popullin e tij. Ai i çoroditi (idhujtarët) dhe i hodhi poshtë të gjitha argumentet dhe dyshimet që mbanin. E megjthatë, ai deshi të përballej me fakte më të forta, të qëndronte i palëkundur, përballë kryeneçësisë, forcës dhe fuqisë së idhujtarëve, pa u ndrojtur dhe pa u frikësuar aspak prej tyre.
Një ditë, kur idhujtarët dolën në një prej festave të tyre, ai (Ibrahimi) doli bashkë me ta. Hodhi një shikim nga yjet dhe tha: “Vërtetë unë jam i sëmurë.” [Safatë 89].
Ai pati frikë, se nëse do të qëndronte me ndonjë formë tjetër, nuk do i’a arrinte qëllimit, sepse e dinin urrejtjen që Ibrahimi kishte për idhujt e tyre, e dinin se sa shumë ai ndalonte dhe luftonte për ti penguar njerëzit nga këta idhuj.
Kur (idhujtarët) mbërritën në shkretëtirë, ai (Ibrahimi) u kthye tek vendi ku qëndronin idhujt dhe i theu i bëri copë- copë, që të gjithë, me përjashtim të idhullit më të madh, atë e la qëllimisht, për ti kushtëzuar para fakteve.
Kur u kthyen nga festa, vajtën menjëherë tek idhujt, në shenjë respekti, nënshtrimi dhe dashurie dhe i panë në gjendjen më të keqe që mund ti kishin parë ndonjëherë dhe thanë: “Kush i bëri kështu zotat tanë? Me të vërtetë, ai është keqbërës!” Të tjerët u përgjigjën: “Dëgjuam një djalosh që i përgojonte.” [Enbija 59-60].
D.m.th që fliste për të metat e tyre, në mënyrë ofenduese.
“Atë e quajnë Ibrahim”.
Kur u siguruan se Ibrahimi i kishte thyer në të vërtetë, thanë: “Atëherë silleni atë para syve të botës, që ata të dëshmojnë.” [Enbija 61].
Pra (silleni Ibrahimin), para këtij grumbulli të madh njerëzish, qortojeni sa të mundeni, pastaj ndëshkojeni atë.
Por, realisht këtë synonte edhe Ibrahimi (alejhi selam) sepse donte që e vërteta të shfaqej dukshëm para syve të të gjithëve. Kur njerëzit u mblodhën, ata e sollën Ibrahimin dhe i thanë: “Ti i bëre kështu zotat tanë, o Ibrahim?” Ai tha: “Jo! Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre.” [Enbija 62-63].
Kishte për qëllim idhullin që nuk ishte thyer. Me këtë që u tha, ata ishin mes dy mundësive:
1-Të pranonin të vërtetën, sepse nuk mund ta pranojë një logjikë e shëndoshë, që një send i ngurtë, ku dihet lënda e tij, që të bëjë diçka të tillë.
2-Ose të thonin: Po, ai (idhulli) e ka bërë këtë dhe se ti (Ibrahim) je i pafajshëm dhe i pa ngarkuar me pasoja.
Ibrahimi (alejhi selam), e dinte shumë mirë se ata nuk mund ta thonin opsionin e fundit. Ai u tha: “Pyesni ata, nëse flasin!”
Ai i la të lidhur pas diçkaje që e pranonin se është e pamundur.
Aty u shfaq dukshëm e vërteta, ata u dorëzuan para saj dhe iu kthyen vetes me qortime duke thënë: “Atëherë ata i thirrën mendjes dhe i thanë njëri-tjetrit: “Me të vërtetë, ju vetë jeni keqbërësit.” Pastaj ulën kokat dhe i thanë:.”
Mohimi që u bënë idhujve nuk zgjati shumë, edhe pse i panë argumentet që nuk mund të mohoheshin. E megjithatë, përsëri dhe shumë shpejt u kthyen edhe një herë tek besimet e kota, që ishin gdhendur në zemrat e tyre dhe ishin kthyer në cilësi të pandashme. Edhe nëse shihnin diçka që i hidhte poshtë, atë e quanin rastësi, e cila shumë shpejt ikën dhe largohet.
“Pastaj ulën kokat dhe i thanë: “Sigurisht që ti e di, se këta nuk flasin!” [Enibija 65].
Në atë moment, pasi që argumentet dolën në pah dhe qenë të pranuara para të gjithë njerëzve, Ibrahimi i nënçmoi: “Ai u tha: “Mos vallë, ju adhuroni në vend të Allahut gjëra që nuk mund t’ju sjelljn kurrfarë dobie e as dëmi?! Mjerë ju dhe mjerë ata që ju i adhuroni në vend të Allahut! A nuk arsyetoni?!” [Enbija 66-67].
Nëse mendjet tuaja do të logjikonin, nuk do të qëndronit akoma në adhurimin e diçkaje, që nuk i sjell vetes asnjë dobi dhe që nuk largon diçka që mund ta dëmtojë.
Kur e panë të pamundur përballjen me argument, kaluan në përdorimin e forcës, kryeneçësinë, vetëm e vetëm për të ndëshkuar Ibrahimin (alejhi selam).
“Ata thirrën: “Digjeni atë dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni të bëni ndonjë vepër!” [Enbija 68].
Ata ndezën një zjarr të madh dhe e hodhën Ibrahimin brenda.
I gjendur në këtë vështirësi Ibrahimi tha: Hasbija Allahu ue Nimel Uekil. (Më mjafton Allahu, Ai është mbrojtës i mrekullueshëm).[1]
“Ne thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!” [Enbija 69]. Zjarri nuk e dëmtoi aspak.
“Ata deshën ta lëndonin.” Me qëllim që tu dilin në krah idhujve dhe ti mbanin zemrat e tyre dhe zemrat e ndjekësve, të nënshtruara dhe të përgjëruara, ndaj këtyre idhujve. Por kurthi që përgatitën, u kthye në makth për ta, sepse Ibrahimi ishte ai që triumfoi për kundrejt të gjithëve.
Derisa edhe mbreti i tyre debatoi me Ibrahimin me arroganë dhe kryeneçësi “Sepse Allahu i kishte dhënë pushtet.” [Bekare 258].
Ibrahimi i tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe shkakton vdekje” – ai u përgjigj: “Edhe unë mund të jap jetë e të shkaktoj vdekje”. [Bekare 258].
Ibrahimi (alejhi selam) e detyroi atë, që të hiqte nga mendja një herë e mirë se aim und të posedonte veprime absolute dhe i tha: “Allahu e sjell Diellin nga lindja. Sille ti nga perëndimi”! Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojën hapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës. [Bekare 258].
vijon….
Marrë nga libri “Kisasul Enbija” “Historitë e Pejgamberëve”
Autor: Shejh Abdurrahman bin Nasir es Seadi (Allahu e mëshiroftë)
Përktheu Fatjon Isufi
[1] Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: Fjala “Hasbija Allahu ue nimel Uekil” është fjala që ka përmendur Ibrahimi kur e hodhën në zjarr. Është fjala që ka përmendur Muhmedi (alejhi selam) atëherë kur i thanë: “Shumë njerëz po mblidhen kundër jush, prandaj frikësohuni!” e kjo gjë ua shtoi atyre besimin dhe thanë: “Neve na mjafton Allahu, Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!”
[Al imran 173]. E përcjell Buhariu me nr 4563.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve