Në suren El Bekare:
“Rasti i tyre shëmbëllen me rastin e atyre që ndezin një zjarr, dhe kur ai ua ndriçon ç’kanë rreth vetes Allahu ua merr dritën, i lë në errësirë dhe ata nuk shohin asgjë!” |Bekare: 17|
“Ose shëmbëllen me ata që gjatë shtrëngatës nga qielli, shoqëruar me errësirë, bubullimë dhe shkreptimë, i mbyllin veshët me gishtat e tyre për të mos dëgjuar ushtimën nga frika e vdekjes. Kështu, Allahu i ka nën kontroll mohuesit.” |Bekare: 19|
“Allahu nuk ngurron të japë shembull mushkonjën ose diçka më të madhe se ajo.” |Bekare: 26|
“Mohuesit u shëmbëllejnë kafshëve, të cilat kur i thërret dikush dëgjojnë vetëm thirrje e zë por s’kuptojnë asgjë. Ata janë të shurdhër, memecë dhe të verbër e nuk kuptojnë asgjë.” |Bekare: 171|
“Ata që shpenzojnë pasurinë e vet për të kërkuar kënaqësinë e Allahut dhe që e forcojnë veten me punë të mira, shëmbëllejnë me një kopësht të mbjellë në rrafshnaltë në të cilin bie shi i bollshëm andaj jep fruta dyfish. Nëse nuk i bie shi i bollshëm i bie shi i imët që i mjafton. Allahu i sheh mirë punët që bëni.” |Bekare: 265|
“Ai shëmbëllen me një gur të lëmuar të mbuluar me dhe mbi të cilin bie shiu me rrebesh duke e lënë të zhveshur. Ata nuk kanë kurrfarë dobie nga veprat që kanë bërë, se Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin mohues.” |Bekare: 264|
“Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.”|Bekare: 261|
“A dëshiron ndonjëri nga ju që duke qenë i moshuar e me fëmijë të mitur e të pambrojtur, kopshti i tij plot palma hurmash, vreshta e gjithfarë lloje frutash dhe i ujitur nga lumenj rrjedhës të digjet nga një stuhi zjarri?! Ja, kështu Allahu ua shpjegon shpalljet e Tij me qëllim që të mendoni.” |Bekare: 266|
“Ata që marrin fajde do të ringjallen (në ditën e gjykimit) si shembulli i atij që djalli e ka çmendur me prekjen e vet.” |Bekare: 275|
Në suren Al Imran:
“Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit ndërsa Ai u shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu ua shpjegon shpalljet e Veta që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.” |Al Imran: 103|
“Gjithçka që jobesimtarët shpenzojnë në jetën e kësaj bote i përngjan erës së akullt, e cila godet të lashtat e ndonjë populli që i ka bërë dëm vetes dhe ua zhduk të lashtat. Allahu nuk u ka bërë padrejtësi atyre, por ata i kanë bërë padrejtësi vetvetes.” |Al Imran: 117|
Në suren En’amë:
“A të kthehemi mbrapsht pasi Allahu na udhëzoi, duke u bërë si i magjepsuri nga djajtë që sillet i çoroditur nëpër tokë ndonëse shokët e thërrasin në rrugë të drejtë: Eja tek ne?!” |En’amë: 71|
Në suren A’raf:
“Tregoju atyre (hebrenjve) për njeriun të cilit Ne i mësuam shpalljet Tona por u largua prej tyre. Kështu, djalli e pushtoi atë dhe ai u bë nga të humburit.[1] Sikur të donim do ta ngrinim atë (me shpalljet Tona), por ai u mbërthye pas jetës tokësore dhe u dha pas dëshirave të veta. Shembulli i tij është si shembulli i qenit: nëse e ndjek ai të nxjerr gjuhën, e nëse largohesh ai përsëri të nxjerr gjuhën. Ky është shembulli i njerëzve që mohojnë shpalljet Tona. Tregojua atyre këto ngjarje në mënyrë që të mendojnë. I shëmtuar është shembulli i njerëzve që i mohojnë shpalljet Tona dhe i bëjnë keq vetvetes.” |A’raf: 175-177|
Në suren Junus:
“Me të vërtetë, jeta e kësaj bote i shëmbëllen shiut që Ne e lëshojmë nga qielli e me të përzihet toka dhe bën bimë me të cilat ushqehen njerëzit dhe kafshët. E kur toka vishet dhe zbukurohet dhe kur banorët e saj mendojnë se janë zotërues të saj (për ta vjelur a korrur), u vjen urdhëri Ynë natën ose ditën dhe Ne e bëjmë atë si të ishte e korrur, thuajse nuk kishte lulëzuar të djeshmen. Kështu, Ne ua shpjegojmë shpalljet Tona njerëzve që mendojnë.” |Junus: 24|
Në suren Hud:
“Dallimi midis këtyre dy grupeve shëmbëllen me dallimin midis një të verbri të shurdhër dhe një njeriu që sheh e dëgjon. A janë të njëjtë këta (kur krahasohen)? A nuk po merrni këshillë?!” |Hud: 24|
Në suren Rra’d:
“Vetëm për Atë është lutja e vërtetë! Kurse idhujt të cilëve jobesimtarët u luten në vend të Allahut nuk u përgjigjen lutjeve të tyre aspak. Rasti i tyre është si rasti i atij që i zgjat duart tek uji për t’i ardhur te goja por ai kurrsesi nuk i vjen. Lutja e jobesimtarëve është e kotë.” |Rra’d: 14|
“Ai e zbret shiun nga qielli prandaj rrjedhin lumenjtë me masë, dhe rrjedha mbart mbeturinat mbi sipërfaqen e ujit. Edhe zgjyra kur e shkrijnë njerëzit në zjarr që të bëjnë stoli ose vegla është mbeturinë si ajo. Kështu, Allahu jep shembullin e së vërtetës dhe të pavërtetës: Mbeturinat hidhen, ndërsa ajo që u shërben njerëzve mbetet në tokë. Kështu Allahu i shpjegon shembujt.” |Rra’d: 17|
“Shembulli i Xhenetit që u është premtuar besimtarëve është i tillë që; nëpër të rrjedhin lumenj, frutat dhe freskia e tij janë të përhershme. Ky është fundi i besimtarëve, kurse fundi i jobesimtarëve është zjarri.” |Rra’d: 35|
Në suren Ibrahim:
“Vepra e atyre që nuk e besojnë Zotin e tyre i shëmbëllen hirit, të cilin e shpërndan era në një ditë të stuhishme. Ata nuk do të kenë asnjë dobi nga veprat që kanë punuar. Kjo është humbja e madhe.” |Ibrahim: 18|
“Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve që t’ua vënë veshin. Fjala e keqe është si pema e keqe me rrënjë të shkulura, e paqëndrueshme për ekzistencë.” |Ibrahim: 24-26|
Në suren En Nahl:
“Allahu e krahason shembullin e skllavit që s’ka mundësi për asgjë dhe që është pronë e të zotit, me atë që Ne i kemi dhënë plot begati prej të cilave jep fshehtazi dhe haptazi. A janë njëlloj? Lavdi i qoftë Allahut! Shumica e tyre nuk dinë.” |En Nahl: 75|
“Gjithashtu, Allahu krahason shembullin e dy njerëzve; njëri prej të cilëve është shurdh-memec, nuk mund të bëjë asgjë dhe është barrë e pronarit të vet – kurdo e kudo që ta dërgojë nuk i sjell asnjë të mirë. A është i barabartë ky me atë që urdhëron për drejtësi dhe ndjek rrugën e drejtë?!” |En Nahl: 76|
“Allahu e ka bërë shembull qytetin (e Mekës) i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i arrinin ushqime të bollshme nga të gjitha anët por banorët e tij i mohuan dhuntitë e Allahut, dhe Ai i bëri të shijojnë urinë dhe frikën si ndëshkim për atë që bënë.” |En Nahl: 112|
Në suren El Kehf:
“Dhe jepu atyre si shembull ndodhinë e dy njerëzve; njërit prej tyre Ne i kishim dhënë dy kopshte vreshtash që i kishim rrethuar me hurma, e midis tyre kishim bërë fusha drithi. Të dy kopshtet jepnin frutet e veta pa u munguar asgjë, dhe bëmë që midis tyre të rridhte një lumë. Ai pati prodhim të bollshëm dhe i tha shokut të vet duke biseduar me të: ‘Unë kam më shumë pasuri se ti dhe kam rreth më të fortë!’ Pastaj hyri në kopshtin e vet dhe duke qenë i padrejtë me vetveten, tha: ‘Unë nuk mendoj se kjo do të shkatërrohet ndonjëherë dhe nuk mendoj se do të arrijë ndonjëherë ora (e kiametit). Por edhe nëse do të më kthejnë te Zoti im, sigurisht që do të gjej një vend më të mirë se ky (kopësht).’
Shoku i tij i tha duke biseduar me të: ‘A e mohon ti Atë i Cili të ka krijuar nga dheu, pastaj nga pika e farës dhe të bëri më në fund njeri të plotë?! Sa për mua, unë besoj se Allahu është Zoti im dhe Zotit tim unë nuk i shoqëroj askënd (në adhurim). Do të ishte më mirë për ty sikur të kishe thënë, kur hyre në kopshtin tënd: ‘Kështu ka dashur Allahu! Nuk ka fuqi përveçse nëpërmjet Allahut.’
Nëse ti sheh se unë kam më pak pasuri dhe pasardhës, dije se Zoti im mund të më japë diçka më të mirë se kopshti yt. Ndërsa në kopshtin tënd mund të dërgojë një shkatërrim nga qielli e të gdhijë rrafsh pa asgjë, ose të bëjë që uji i tij (kopshtit) të humbasë në thellësi e të mos mund ta gjesh kurrë më.’
Dhe pasuria e tij (e mohuesit) u shkatërrua, kurse ai i rrihte duart për gjithçka që kishte shpenzuar në të (pronën e vet) – e që tashmë ishte shkretuar nga rrënjët – dhe thërriste: ‘Ah sikur të mos i kisha shoqëruar Zotit tim askënd!’ Kështu, ai nuk pati kurrfarë rrethi që ta ndihmonte kundër Allahut dhe as që ishte në gjendje të mbronte vetveten. Në një rast të tillë mbrojtja vjen vetëm nga Allahu, i Vërteti. Ai është më i miri për të shpërblyer dhe jep përfundimin më të mirë.” |Kehf: 32-44|
“Jepu atyre shembullin e jetës së kësaj bote: Ajo është si uji që Ne e lëshojmë nga qielli. Bimësia në tokë përzihet me të, por pastaj bëhet si bar i thatë të cilin e shpërndan era. Allahu është i fuqishëm për çdo gjë!” |Kehf: 45|
Në suren El Haxh:
“Kush i shoqëron Allahut diçka (në adhurim) i ngjan atij që bie nga qielli e që e rrëmben zogu, ose i ngjan atij që stuhia e erës e ka hedhur në një vend të largët e të humbur.” |Haxh: 31|
“O njerëz, është sjellë një shembull andaj dëgjojeni atë: Idhujt që i adhuroni në vend të Allahut nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë. E nëse miza u merr atyre diçka ata nuk do të mund t’ia marrin. I dobët është përgjëruesi (adhuruesi) por edhe ai të cilit i përgjërohen (idhulli).” |Haxh: 73|
Në suren En Nur:
“Allahu është Drita e qiejve dhe e tokës. Drita e Tij shëmbëllen me atë të një kamareje në të cilën ndodhet një llambë. Llamba është në një kristal kurse kristali është si një yll i shndritshëm. Ajo (llamba) ndizet nga druri i bekuar i ullirit, as lindor e as perëndimor, ndërsa vaji i saj shkëlqen edhe pa e prekur zjarri. Dritë sipër dritës. Allahu udhëzon drejt dritës së Tij kë të dojë dhe paraqet shembujt për njerëzit. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.” |En Nur: 35|
“ Sa për ata që nuk besojnë veprat e tyre janë si mirazhi në shkretëtirë të cilin i etshmi e kujton për ujë, por kur arrin tek ai vend nuk gjen asgjë. Aty do të hasë në dënimin e Allahut i Cili ia paguan llogarinë e tij të plotë, se Allahu është i shpejtë në llogari.” |En Nur: 39|
Në suren El Ankebut:
“Rasti i atyre që zgjedhin mbrojtës të tjerë në vend të Allahut, është si rasti i merimangës që zgjedh rrjetën e vet për shtëpi. Por shtëpia më e dobët është pikërisht rrjeta e merimangës, veç sikur ta dinin!” |El Ankebut: 41|
Në suren Er Rrum:
“Ai ju ka sjellë një shembull nga vetë jeta juaj: A janë skllevërit tuaj pjesëtarë të barabartë me ju në pasurinë që u kemi dhënë juve, dhe a u frikësoheni atyre ashtu siç i frikësoheni njëri-tjetrit? Ja, kështu Ne ua shpjegojmë shenjat Tona njerëzve që mendojnë.” |Er Rrum: 28|
Në suren Jasin:
“Ai na sjell shembull duke harruar krijimin e vet, dhe thotë: Kush do t’i ngjallë eshtrat kur të kalben? Thuaj: Do t’i ngjallë Ai që i krijoi ato për herë të parë; Ai ka njohuri të plotë për çdo krijesë.”
Në suren Zumer:
“Dëgjojeni këtë shembull që ka sjellë Allahu: Janë dy njerëz: njëri ka shumë bashkëpronarë që e kundërshtojnë njëri-tjetrin, ndërsa tjetri ka vetëm një pronar të cilit i përkushtohet. A janë të njëjtë ata në krahasim? Lavdëruar qoftë Allahu, por shumica e tyre nuk e dinë!”
Në suren Muhamed:
“Besimtarët thonë: Sikur të ishte shpallur një sure! Por kur shpallet një sure e qartë dhe në të përmendet lufta, i sheh ata me zemra të sëmura[2] si të vështrojnë ty me shikim si të agonisë së vdekjes. I gjett43 shembujt e Kuranit famëlartë e keqja!” |Muhamed: 20|
“Ja përshkrimi i Xhenetit që u premtohet të përkushtuarve (ndaj Allahut): një vend ku ka lumenj me ujë të pandotur, lumenj qumështi me shije të pandryshuar, lumenj vere me shije të këndshme për ata që e pinë dhe lumenj prej mjalti të kulluar. Ata do të kenë aty lloj-lloj frutash dhe falje prej Zotit të tyre. A mund të krahasohet ky shembull me xhehenemin ku gjynahqarët do të qëndrojnë përherë në zjarr, dhe do t’u jepet ujë i valuar që ua copton zorrët?!” |Muhamed: 15|
Në suren El Fet’h:
“Muhamedi është i dërguar i Allahut. Ata që janë me të janë të ashpër ndaj jobesimtarëve dhe të mëshirshëm midis tyre. I sheh ata si përkulen dhe bien në sexhde duke kërkuar dhuntinë dhe kënaqësinë e Allahut. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Teurat. Ndërsa në Ungjill shembulli i tyre përshkruhet si një farë e mbjellë që lëshon filiza e forcohet, e pastaj ngrihet e fortë me kërcellin e vet duke i gëzuar mbjellësit.[3] (Kështu përshkruhen ata) Me qëllim që nëpërmjet tyre Ai t’i zemërojë mohuesit. Për ata midis tyre që besojnë dhe kryejnë vepra të mira Allahu ka premtuar falje dhe shpërblim të madh.” |El Fet’h: 29|
Në suren El Hashr:
“Këta janë si ata[4] që kanë qenë pak para tyre dhe i shijuan pasojat e sjelljes së tyre (që në këtë botë); (ndërsa në botën tjetër) ata i pret një dënim i dhembshëm!” |El Hashr: 15|
“Si shembulli i djallit i cili i thotë njeriut: ‘Mos beso!’ Por kur ky bëhet mohues, djalli i thotë: ‘Unë nuk kam të bëj me ty! Në të vërtetë unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve!” |El Hashr: 16|
Në suren El Xhumua:
“Shembulli i atyre që iu besua Teurati por pastaj nuk e zbatuan atë, i shëmbëllen gomarit që vetëm sa i mbart librat. Sa i keq është shembulli i atyre që mohojnë shpalljet e Allahut! Allahu nuk i udhëzon (në rrugën e drejtë) keqbërësit.” |El Xhumua: 5|
Në suren Tahrim:
“Allahu ka dhënë si shembull për ata që nuk besojnë gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato ishin të martuara me dy nga robtë Tanë të ndershëm dhe i tradhtuan ata. Prandaj, ata nuk mund t’i mbrojnë aspak nga Allahu (ditën e gjykimit) dhe atyre të dyjave do t’u thuhet: Hyni në zjarr, me ata që po hyjnë!”
Allahu ka dhënë si shembull për besimtarët gruan e Faraonit, kur ajo tha: ‘O Zoti im! Ndërtomë një banesë tek Ti në Xhenet! Më shpëto nga Faraoni dhe veprat e tij dhe më shpëto nga populli keqbërës!’ Edhe Merjemen të bijën e Imranit, e cila ruajti virgjërinë e saj. Ne frymë brenda saj nga shpirti Ynë[5] (shpirtin e Isait). Ajo u besoi fjalëve të Zotit të saj dhe librave të Tij dhe ishte nga të devotshmit!” |Tahrim: 10-12|
Marrë nga përmbledhja e dijetarit të madh Ibën Xheuzi, në librin e tij “El Mud’hish” 1/16,17.
—————————————–
[1] Sipas shumë komentuesve të Kuranit vargu aludon për një dijetar hebre bashkëkohës të Musait, alejhi selam, që quhej Balam Ibn Baura. Zoti i kishte mësuar atij emrin e Tij më të madh nëpërmjet të cilit atij i plotësohej çdo lutje. Një herë, Musai e dërgoi Balamin tek mbreti i Medjenit për ta ftuar në besimin tek Allahu. Mbreti nuk e pranoi këtë ftesë por e joshi Balamin me pasuri dhe e ktheu në fenë e vet. Kështu ai hoqi dorë nga feja e Musait dhe u bë pagan.
[2] D.m.th. hipokritët.
[3] Fara simbolizon fenë islame, rritja e së cilës në fuqi dhe në numër sigurisht që i mrekullon shikuesit. Ndërsa mbjellësit simbolizojnë profetin Muhamed alejhi selam dhe shokët e tij, të cilët bënë përpjekjet më të mëdha për rritjen dhe përhapjen e kësaj feje.
[4] Hebrenjtë e fisit të mundur Beni Kajnuka.
[5] “… nga shpirti Ynë”: pra nga shpirti që është krijesa Jonë (e Allahut).
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve