Kujdesi i dijetarëve ndaj kohës

April 15, 2017

Kujdesi ndaj kohës në mënyrë të pashembullt!

El Hafidh es Sekhauij tregon në “Ed daul lamiu”[1] kur flet për jetën e Ahmed ibën Sulejman ibn Nasrullah, dijetar i medhhebit shafi që ka jetuar në Bulkas e pastaj në Kajro, dhe ka vdekur më 852 h në lule të rinisë së tij.[2] Ai thotë për të: “Ishte imam, dijetar i madh me memorie shumë të fortë dhe me kuptim të thellë. Kishte pjesë nga çdo fushë e dijes, elokuent, i apasionuar pas diturisë, përsëritjes së saj dhe hulumtimit shkencor. Nuk shkëputej kurrë prej studimit aq sa nuk e pengonte për këtë as të ecurit, madje studionte edhe gjatë tij. U lexonte studentëve (apo i lexonin atij) Kuran me llojet e ndryshme të recitimit gjatë ushqimit nga frika e humbjes së kohës. I habitshëm në këtë fushë. Nuk njoh ndonjë tjetër në kohën e tij që t’i afrohet në këtë pikë. Ai ishte larg sforcimit (ishte i natyrshëm), shumë i thjeshtë me të varfrit dhe lexonte shumë shpejt.”

E njoh prej më shumë se 50 vjetësh. Ai ose shfleton ose shkruan.

Sekhauij thotë gjithashtu në “Ed daul lamiu”[3] kur flet për jetën e Muhamed ibën Ahmed ibën Muhamed el Umerij es Saghanij (vdekur më 854 h): “Ishte imam, dijetar i madh, i përparuar në fikh dhe dy usulet[4] në gjuhën arabe. Kishte dituri në fusha të ndryshme të fesë. I zoti në përpilimin e librave, me një dëshirë të flaktë për të lexuar dhe për të përzgjedhur librat. Thotë për të Ebul Hajr ibën Abdulkauij: E njoh prej më shumë se 50 vitesh. Kurrë nuk kam hyrë tek ai dhe të mos e kem gjetur duke lexuar ndonjë libër ose duke shkruar.’”

Nuk shkëputej prej leximit edhe kur shkonte në banjë!

Ibën Kajimi – Allahu e mëshiroftë – thotë në “Kopshti i të dashuruarve”[5] kur flet për dashurinë e zjarrtë ndaj diturisë: “Më ka treguar vëllai i shejhut tonë (vëllai i shejhul Islam Ibën Tejmijes, Allahu e mëshiroftë) Abdurrahman ibën Tejmija për babanë e vet (Abdul Halimin): Gjyshi yt (Ebul Berakat edhe ky dijetar) kur hynte në banjo më thoshte: Më lexo nga ky libër dhe ngrije zërin të të dëgjoj.’”

Them: Ky është zinxhir transmetuesish si dielli. Allahu i mëshiroftë të gjithë!

Nuk velej nga leximi dhe rrinte deri natën vonë duke lexuar.

Imam Sekhauij thotë në “Ed daul lamiu”[6] kur flet për jetën e Ahmed ibën Alij ibën Ibrahim el Hejtemij esh Shafiij (vdekur më 853 h): “Ka shkëlqyer në fikh dhe ishte shumë i zoti në të. I vinin shumë kollaj në mendje shtjellimet e gjata të çështjeve të ndryshme të jurisprudencës islame, madje i tërë shpjegimi i të saktit të Muslimit të shkruar nga Neueuij për shkak të leximit të shpeshtë të tij. Nuk bezdisej nga shfletimi dhe nga marrja me diturinë, pa lënë mënjanë faktin se ishte njeri i hajrit, me fe, i thjeshtë, serioz, merrte pak nga kjo botë, asket. Kishte fuqi të madhe për të qëndruar gjatë pa gjumë.”

Nuk udhëtonte pa librat e tij.

Imam Sekhauij përmend në “Ed daul lamiu”[7] kur flet për jetën e imamit gjuhëtar Muhamed ibën Jakub el Fejruzabadij (persian me origjinë), vdekur më 817 h[8]. Ai tregon se bleu libra të shtrenjtë aq sa njëri prej tyre transmeton se e ka dëgjuar të thotë për ta: “Bleva libra që kushtonin 50 mijë monedha floriri!” Ai nuk udhëtonte pa i mbartur me vete disa hejbe[9] mbushur me libra. Sa herë që zbriste për të pushuar diku, i nxirrte shumicën prej tyre dhe i shfletonte, e pastaj i kthente përsëri në vendin e vet kur rimerrte udhëtimin.

Përktheu: Emin Bilali

———————————————————-

[1] 311/1 dhe në “El kabesul hauij” 153/1 i Shemait, dhe “Nadhmul Ikjan” fq. 42-43.

[2] U lind në vitin 824 dhe vdiq më 852 në moshën 28 vjeçare, dhe ky është ai që më ka kaluar pa e përmendur tek libri im: “Dijetarët që nuk e kanë kaluar moshën 40 vjeçare.” Por do ta përmend këtë bashkë me të tjerë – me lejen e Allahut të Lartësuar – në botimet e ardhshme.
(Sh.p.: Konkretisht shejhu Ali el Imrani – Allahu e ruajt – flet për ata që kanë jetuar nga mosha 15 deri në 40 vjeç, e megjithatë janë llogaritur prej dijetarëve. I pa të meta është Ai që i dhuron kujt të dëshirojë nga bujaria e Tij e madhe, dhe zgjedh kë të dojë për të qenë trashëgimtar i profetëve. Allahut i kërkojmë nga të mirat e Tij të shumta! Me të vërtetë Ai është Bujar i Madh, Dëgjues i lutjeve!”

[3] 84-85/7, dhe në “Edh dhejlut taamm” 98/2.

[4]  Sh.p.: Usulul fikh d.m.th. bazat e jurisprudencës islame, dhe usulu din d.m.th. bazat e fesë islame ose çështjet që kanë të bëjnë me besimin.

[5] Faqe 70.

[6] 6/2.

[7] 81/10.

[8]Sh.p.: Një nga mësuesit e Ibën Haxherit, Allahu i mëshiroftë.

[9] Sh.p.: Hejbe f. vet.

Dy torba të mëdha prej leshi a prej liri të endura a të qepura së bashku, që shërbejnë për të mbajtur sende të ndryshme dhe hidhen në sup njëra para e tjetra prapa, ose varen në samar në të dy anët e kafshës. Një palë hejbe. Var hejbetë. Mbush hejbetë. Nxjerr nga hejbetë.

Loading...