Dita e Shën Gjergjit në këndvështrimin Islam

May 5, 2017

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe nderimet e tij qofshin për të dërguarin e Tij Muhamedin alejhi selam, familjen, shokët, dhe të gjithë ata që ndjekin gjurmët e tij.

Allahu i Lartësuar thotë: “Por këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve.” | Dharijat: 55 |

Ibën Kethiri Allahu e mëshiroftë thotë: D.m.th. ata që kanë dobi prej këshillave janë ato zemra besimtare. “Tefsir Ibn Kethir.”

Nisur nga ky ajet fisnik si dhe nga fjala e Profetit alejhi salatu ues selam që thotë: “Feja është këshillë.” [Ebu Daudi me nr. 4944.] Do të mundohemi të sqarojmë këndvështrimin Islam sa i takon kremtimit apo festimit të ditës së Shën Gjergjit.

Është realitet se në vendin tonë përveç festave me karakter fetar, njerëzit synojnë çdo ditë e më shumë edhe festat me origjinë pagane (dita e verës, dita e novruzit, dita e shën gjergjit etj.).

Shumë muslimanë i kremtojnë këto festa (për hir të festës, ngrënies dhe pirjes) duke ndjekur kështu hapat dhe gjurmët e jobesimtarëve. Në këtë kontekst vërtetohet ekzaktësisht fjala e Profetit alejhi salatu ues selam që thotë: “Ju do të ndiqni traditat e popujve që jetuan para jush pëllëmbë pas pëllëmbe dhe hap pas hapi, derisa nëse do të hynin në folenë e një hardhuce edhe ju do shkonit pas tyre. Ata thanë: O i dërguar i Allahut! Jehudët dhe të krishterët? Ai tha: E kush tjetër veç tyre? [Buhariu me nr. 7320.]

Ndër festat që kremtohen me të madhe sidomos në zonat e veriut të Shqipërisë, është dhe dita e Shën Gjergjit.

Është paksa paradoksale por fatkeqësisht realitet që e bën të nevojshme të flasim për gjykimin e kësaj feste. Shumë muslimanë nuk i pengon dhe nuk i vë në sedër edhe emri jo islam i kësaj feste për ta kremtuar atë.

Logjika e festimit të kësaj dite (Shën Gjergjit)

Dita e Shën Gjergjit festohet për t’a përjetuar ndaljen e dimrit dhe ardhjen e stinës së verës. Pra, nënkupton një ndarje mes stinëve dhe daton më 5 maj sipas disa krahinave shqiptare, dhe vazhdon deri me 15 maj.

Është interesant fakti se në disa treva Shqiptare (që njihen për kremtimin e kësaj feste) synohen tyrbet ose vendbanimet e lashta (të braktisura).

Historiku i kësaj feste

Gjurmët e kësaj feste shkojnë larg në lashtësinë ilire atëherë kur ata besonin në shumë përëndi. Ardhja e krishtërimit si duket nuk e shkuli nga rrënja këtë traditë të tyre, dhe per t’i duruar (ndoshta edhe nga transformimi i feve, adoptimi i zakoneve të vjetra nën petkun e fesë së re) ia vunë emrin Shën Gjergj.

Me ardhjen e Perandorisë Osmane në trevat shqiptare filluan të ndërtohen tyrbe apo mauzole të ndryshme të cilat ndërtoheshin për evliat, shehlerët apo dervishët e devotshëm.

Shqiptarët për t’i qëndruar besnik traditës u munduan që këtë festë pagane ta përshtatin me fenë Islame. Në Kosovë p.sh. në Rrafsh të Dukagjinit organizohet pranë tyrbeve, në prani të të cilave prehet apo theret qengji.

Ritet e kësaj feste

Shën Gjergji është festë me shume rite: gjelbërim, ndezje e zjarreve rituale në vende publike, mbledhje lulesh e thurje kurorash nga fëmijët, lagia e njerëzve të shtëpisë me “ujë pa fol”, shilarthi (salanxhaku) i fëmijëve në pemë (apo dyer të oborrit), rite në ara e ndër bagëti për mbarësi.

Gjithashtu, ditën e Shën Gjergjit duhet zgjuar herët në mëngjes, të lahesh, pastaj të varësh kungull të egër në qafë që e pergatisin nënat zakonisht (bëhet nga një lloj bime që është si patate, grihet në copa të vogla dhe bëhet qafore me pe të kuq dhe të bardhë). Pastaj shkojnë rreth lumit për të marrë degë të gjelbëruara shelgu, pastaj tek mulliri dhe tek lugu i mullirit për të larë degët e shelgut dhe fytyrën, dhe degët i sjellin në shtëpi. Por sipas tyre duhej patur kujdes mos të prekej toka, pastaj këto degë vareshin në portë të shtëpisë.

Pastaj bëhej edhe një ritual tjetër ku dilnin fëmijët në një kodrin, groponin rreth ndonjë druri deri sa zbulonin ndonjë rrënjë, hiqnin dheun dhe bënin një si kanal që të përbihen nën rrënjë të drurit.

E shumë rite të tjera që tregojnë kotësinë e këtij kremtimi.

Dita e Shën Gjergjit në trevat Shqiptare

Në Shqipëri më shumë festohet në zonat veriore aty ky dimri është i gjatë. Në trevat e Kukësit festohet majë bjeshkëve në fshatrat kufitare me Kosovën. Festa në Kosovë p.sh. në rrafsh të Dukagjinit organizohet pranë tyrbeve të shenjta në prani të të cilave prehet apo theret qengji, duke kërkuar nga Zoti mirësi në këmbim të flijimit.

Në qytetin e Prizrenit festohet më 5 Maj që ndryshe qytetarët e Prizrenit i thonë Karabash (Kryezi) pranë tyrbes së Karabashit, sepse aty në atë fushë gjenden varrezat e vjetra të qytetit. Njerëzit ulen aty dhe s’e kanë pasur kurrë bezdi sepse ka vetëm rrasa të vjetra. Aty hynin banorët e qytetit dhe të rrethit dhe kërkonin shpëtim duke lënë ndonjë lekë apo duke pirë ujin e tyrbes.

Nga ajo që u përmend më lart dalim në këto konkluzione:

  • Dita e Shën Gjergjit është festë pagane dhe si e tillë nuk i takon një muslimani ta festojë atë. Muslimanët nuk kanë festa të tjera përpos festës së Kurban Bajramit dhe Fitër Bajramit. Festa të tjera konsiderohen të shpikura dhe nuk lejohet kremtimi i tyre. Por kur ato kanë prejardhje pagane ndalimi bëhet edhe më i rëndë.

Enesi Allahu qoftë i kënaqur prejt tij thotë: “Kur i Dërguari i Allahut lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të mbërriti në Medine, banorët e saj festonin dy ditë në të cilat loznin dhe dëfreheshin. Ai u tha: Çfarë janë këto dy ditë? – Ata thanë: Janë ditë në të cilat loznim dhe dëfreheshin në kohën e injorancës (para Islamit). – I Dërguari i Allahut alejhis salatu ues selam u tha: Vërtet Allahu ua ka zëvendësuar ato dy ditë me dy ditë të tjera më të mira: Ditën e Kurban Bajramit dhe Fitër Bajramit.” [E saktëson Albani në “Vargu i haditheve të sakta” me nr. 2021.]

Ky hadith është tekst i qartë se kremtimi i një feste kërkon argument, siç ndodh edhe me adhurimet.

Ibën Kajim el Xheuzije ka thënë: Muslimanëve nuk u lejohet të jenë pjesmarrës në festat e idhujtarëve dhe kjo sipas mendimit unanim të dijetarëve. Këtë e kanë shprehur të gjithë juristët e katër medhhebeve në librat e tyre.

Bejhakiu përcjell me zinxhir të saktë se Umer bin Hatabi ka thënë: Mos hyni në faltoret e jobesimtarëve në ditët e festave të tyre, sepse zemërimi i Zotit zbret mbi ta.

Gjithashtu ka thënë: Largohuni nga armiqtë e Zotit në festat e tyre. “Ahkam ehli edh Dhimeh” 1/723-724.

  • Është festë që ka kaluar tek të krishterët duke marrë dhe emërtimin e tyre. E si mundet që një musliman të mashtrohet dhe të kremtojë një festë të tillë? Injoranca e theksuar rreth normave të fesë por edhe keq orientimet e disa pseudo hoxhallarëve e kanë çuar popullin musliman shqiptar në këto orientime të gabuara, derisa kemi arritur të shohim muslimanë që shkojnë kërkojnë derman (shërim, zgjidhje problemesh) tek kisha e Shna Ndout në Laç.
  • Është festë e përzier me zakonet dhe adhurimet pagane. Asnjëherë nuk mund të shkojnë bashkë Islami dhe idhujtaria, monoteizmi dhe politeizmi, e mira dhe e keqja, drita dhe errësira. Parimet Islame janë të qarta, sqaruese dhe të ndërtuara mbi baza të shëndosha.
  • Në këtë ditë praktikohen rite të ndaluara që në fenë tonë koniderohen shkatërruese për besimin, siç është therja e kurbanit për dikë tjetër në vend të Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Në të vërtetë namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij.”  | En’am: 162-163 |

Ndërsa i dërguari i Allahut alejhi salatu ues selam e ka mallkuar atë njeri që bën kurban për tjetërkënd veç Allahut, duke thënë: “Allahu e mallkoftë atë që bën kurban për dikë tjetër veç Allahut.” “Vargu i haditheve të sakta” me nr. 3462.

  • Pa lënë mënjanë dhe shthurjet morale që ndodhin pikërisht në këtë festë për shkak të përzierjeve mes dy gjinve, konsumimit të alkolit etj.

Pas gjithë këtyre fjalëve që u përmendën, a i mbetet një muslimani që i ka besuar Allahut si Zot, Muhamedit si pejgamber dhe Islamit si fe, që të shkojë dhe të kremtojë festa të tilla?! Besimi është gjëja më e shtrenjtë për muslimanin dhe ai nuk duhet ta shkatërrojë atë duke ndjekur epshin dhe dëshirën e një dite, dhe të fitojë në këmbim zemërimin e Zotit në këtë botë dhe në botën tjetër.

I lutemi Allahut të Lartësuar që t’i udhëzojë muslimanët në rrugën e drejtë dhe t’i largojë nga shtigjet e shejtanit! Amin!

Përgatiti: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...