Ramazani po afron

May 10, 2017

Shumë shpejt po i  afrohemi muajit të Ramazanit!

Disa gjëra besimtari duhet t’i ketë parasysh gjatë muajit që i paraprin Ramazanit.

Siç është kryerja (agjërimi) e Ramazanit të kaluar. Pra ai që ka mbi vete ditë të pa agjëruara nga Ramazani i kaluar për arsye udhëtimi, sëmundje apo mestruacionesh etj. le të nxitojë në kryerjen e këtyre ditëve para se ta zërë Ramazani tjetër.

Aisha Allahu qoftë i kënaqur prej saj thoshte: “Unë kisha ditë të pa agjëruara nga Ramazani dhe nuk kisha mundësi t’i kryeja veçse në muajin Shaban (muaji që paraprin Ramazanin).” [Buhariu dhe Muslimi]

Duhet ditur se nuk lejohet të kremtohet (festohet) nata e mesit e muajit Shaban apo të veçohet me ndonjë adhurim të posaçëm.

Imam Neveviu Allahu e mëshiroftë për namazin e Regaibit në muajin Rexheb, si dhe për namazin e 100 rekateve që falet për natën e mesit të muajit Shaban, ka thënë: Këto dy namaze që falen konsiderohen bidate që duhen refuzuar. [El Mexhmu: 3/548.]

Në kategorinë e haditheve të dobëta dhe të shpikura që flasin për natën e 15 të muajit Shaban është edhe ky hadith:

“Kur të jetë nata e mesit e muajit Shaban, ngrihuni të faleni gjatë natës dhe agjëroni gjatë ditës.” [Vargu i haditheve të dobëta me nr. 2132.]

Shejh Albani për këtë hadith ka thënë: Hadith shumë i dobët ose hadith i shpikur.

Gjithashtu është edhe hadithi tjetër ku thuhet: “Në këto pesë netë lutjet nuk kthehen mbrapsht: natën e parë të muajit Rexheb, natën e mesit të muajit Shaban, natën e xhuma, natën e fitër bajramit dhe natën e kurban bajramit.” [Vargu i haditheve të dobëta me nr. 1452.]

Shejh Albani ka thënë: Ky hadith është i shpikur.

Shejh ibn Bazi Allahu e mëshiroftë ka thënë: Të gjitha hadithet e transmetuara rreth kësaj nate janë të shpikura dhe të dobëta, dhe nuk kanë kurrfarë origjine.

Po ashtu, kur të vijë fundi i muajit Shaban nuk lejohet që dikush të agjërojë dhe ta presë Ramazanin duke agjëruar një ditë apo dy ditë para tij.

Me përjashtim nëse kjo përkon me agjërimin e dikujt që e praktikonte rregullisht, apo kur dikush është duke kryer ditë nga Ramazani i kaluar.

Këtë e themi duke u bazuar në fjalën e Profetit alejhi selam që thotë: “Mos e prisni Ramazanin duke agjëruar një apo dy ditë para tij, me përjashtim të dikujt që agjëron rregullisht. Ai le të agjërojë!”

Nuk ka problem nëse njerëzit urojnë njëri-tjetrin për ardhjen e muajit Ramazan për shkak të mirësive dhe begative që gjenden në këtë muaj.

 

Përktheu: Fatjon Isufi

Loading...